S’ka tërmet, reforma në Drejtësi do të jetë Publiçitare

Postuar në 01 Mars, 2016 14:30

Opinioni i Venecias për reformën në Drejtësi i ka dhënë oksigjen dy aktorëve kryesorë që e ndjenin veten të cenueshëm nga realizmi i saj sipas versionit të parë: Ilir Metës dhe Sali Berishës. Me gjykimet evazive, opsionale dhe me delegimin që Venecia i bën politikës shqiptare, ka lënë derën e hapur për çdo spekullim. Pika kritike e diskutimit është hetimi penal, pasi aty ka çaluar drejtësia, në hartimin e akuzës. Gjykata mandej e ka patur të thjeshtë të fusë kokën në rërë si struci.

Që opinioni i Venecias ka hapur rrugën e një pazari alla shqiptar kjo duket në disa reagime: së pari te kryeministri që nuk këmbëngul më me të madhe në “tërmetin që do të duhet të shkaktojë reforma”. Në intervistën e tij dje në TVSh, Edi Rama foli për plane A dhe plane B, por këto plane janë thjesht çështje kalendarësh tashmë. Qeveria dhe ai vetë janë para një nevoje për sukses, çfarëdo qoftë ai dhe përkundrejt dëshirës së nënkuptuar për ndonjë arrestim të bujshëm, kryeministri e ka gati kompromisin politik: hetimin penal e negocion me dekriminalizimin, reformën në tërësi si akt legjislativ me hapjen e negociatave. Zgjedhjet parlamentare janë përpara...

Ana tjetër e medaljes është Ilir Meta dhe Sali Berisha. Opozita arriti një fitore me opinionin e Venecias, në kuptimin që mori fushë veprimi të lirë për opsionet që propozon. Berisha vetë pak është prononcuar për opinionin, përderisa në axhendë po mban rikthimin në Parlament të Armando Prengës, ndonëse këtu kriminalja buron nga Gjykata e Lartë. Qëndrimi më interesant mbahet nga LSI-ja dhe Meta. Ky i fundit, sipas zakonit të vet të “shpëtimtarit” dhe parimorit që qëndron larg detajeve, ka deklaruar për Byronë e Hetimit se “nuk ka rëndësi se nga do të varet”. Një tallje me opinionin, përderisa është po ky njeri që këmbëngul në pikën tjetër: Konsensus për reformën. Tallja shkon edhe më tej kur Meta kërkoi të shfaqej sot si krejtësisht i pashqetësuar për varësinë e hetimit penal për korrupsionin, me argumentin se LSI-ja e ka miratuar varësinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit nga Ministria e Brendshme. “Mendoj që tani kur kemi edhe opinionin e Venecias gjithçka është e vendosur në një kuadër më të gjerë e më të plotë... LSI ka pasur vullnetin e plotë për të mbështetur krijimin e byrosë si në fillim kur ishte në varësi të policisë së shtetit që ndodhi në Kuvend edhe më pas. Kam theksuar nuk ka rëndësi se në varësi të kujt është, për ne ka rëndësi të funksionojë, të japë kontributin e munguar deri tani në luftën kundër korrupsonit dhe do të votohet cdo variant që i shërben këtij qëllimi e ka mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtare”- tha Meta.

Ngazëllyese të shikosh kryetarin e Kuvendit të gdhihet e të ngryset me merakun e reformës. Por kjo që thotë ai, të na falë, por është e pasinqertë. E vërtetë që partia e tij dha votën pro byrosë, por kjo ndodhi kur LSI dhe PS i kishin marrëdhëniet shumë të mira dhe kur me gjasë kishin rënë dakord për ndarjen e detyrave. Së dyti, Meta, sipas zakonit tjetër të vet që pisllëqet ua ngarkon të tjerëve t’i thonë, ka caktuar ministrin e Drejtësisë që të lëmojë thepat e konsensusit në qëndrime me opozitën kur vjen puna për një temë si Byroja e Hetimit. “Nuk e di çfarë ndodhi, por SPAKU(Struktura e Posaçme Antikorrupsion), që është struktura antikorrupsion e këtij shteti, duhet bërë. Do bëhet me çdo kusht brenda kuadrit kushtetues, ligjor, sipas modelit të gjykatës dhe prokurorisë së krimeve të rënda duke përdorur po të doni ju edhe modelin kroat që për mua dhe sipas analistëve ka qenë më i suksesshmi. Modele të tjera na kanë çuar në gjueti shtrigash dhe nuk kemi ndërmend të bëjmë reformë për gjueti shtrigash, por reformë për të luftuar korrupsionin. SPAKU do duhet të futet edhe në hullinë që ka thënë Venecia”, u shpreh ai për emisionin "Tonight" të Ilva Tares.

Mesazhi është i qartë: reformë po, por aty kemi firmën të gjithë. Edhe te suksesi. Reformë po, por hetimi antikorrupsion, një çikë i kontrolluar se kalon në gjueti shtrigash. Patjetër që duhet reforma, por me Konsensus. Të gjitha në kushtet e reja kur sulmuesi i djeshëm, kryeministri është sot pa opsione të plota veprimi. Konsensusi është asgjë më shumë sesa pazar, sidomos kur çuditë me deputetë që bredhin me armë, nuk kanë të sosur. Kjo është faza finale e një negociimi në prapaskenë, një negociim bazuar mbi shantazhin dhe forcën, me dy pasoja të qarta: Asgjë nuk do të ndryshojë në thelb. Dhe se tërmet nuk do të ketë.

Thjesht, kur nuk ke pulën do hash sorrën. Tingëllon cinike, por hapja e negociatave është sorra po ta krahasosh me “tërmetin e arrestimeve të mëdha” që priteshin apo hamendësoheshin nga qytetarët shqiptarë.

Comments

Submitted by Profesori (not verified) on

Kesaje pune, i thone pune muti.
Ku ishe, hic gjekundi, e cbere, asgje.
Pordhi kali.
Keshtu edhe kjo pune, bashke me ambasador LU-ne, qe po shpeton Salune, Lulune dhe Metune.

Submitted by Ndoc Dudasi (not verified) on

Nuk po merret vesh kjo puna e Byrose Hetimore.
Manjani, si minister i drejtesise (i qeverise se LSI-se se Ilir Metes) del e thote qe kjo strukture do te jete jashte qeverise.
Grupi eksperteve, te drejtuar nga nderkombetaret dhe ambasada USA, pregatiten draftin me Byrone ne vartesi te Min.P.Brendeshme.
Venecia, si tel suste, as mish e as peshk, as me 3/5 e as me 2/3, u a le kopilin ne dere perseri ketyre politihujve tane, qe me gjase, nuk kane per t'u marre vesh kurre me njeri tjetrin. Jo ma fute, e jo t'a futa. Jo ta nxorra e ma nxorre, e keshtu me rradhe.
E si mos te mjaftonin keto, ja ve vulen sot, ambasadori LU, shkon e takon "burrin e shtetit" Berisha , si kryetar DE FAKTO i PD, dhe i dorezon, duke e perkedhelur, pergjigjen e Venecias. Zyrtarisht, sic po duken bathet, ambasadori Lu, i ka garantuar paprekshmeri Berishes, me kusht, qe te votohet Reforma Ne drejtesi, qe ky si ambasador, ka si detyre kryesore, ne axhenden e vet nga Departamenti i Shtetit.
Ne rast se PD, do te kaloje pa shume rezistence Rwformen ne Drejtesi, vetkuptohet qe Berisha eshte marre ne mbrojtie nga USA.
Dhe pastaj, na rrofte e motra e burrit. Te gjitha ceshtjet kryesore si, Gerdeci, 21 Janari, shitja e detit, vjedhja e
rruges se. Kombit etj.etj. do te mbyllen pa u zbardhur.
Tung.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.