Rama-Blushi dhe të rejat që mungojnë

Postuar në 28 Janar, 2016 13:06
Artur Zheji

Lufta politike në të përbrendshmet e Partisë Socialiste, ka filluar të vlojë. Në prag të Kongresit. Është padyshim shumë mirë që ndodh kështu, për demokracinë e kësaj partie të madhe, demokraci e cila, nga një tregues i brendshëm partiak, reflekton drejtpërdrejtë dhe tërthorazi, në krejt sistemin demokratik në Shqipëri.

Sot Edi Rama ka shumë kundërshtarë të natyrshëm. Është Kryeministër dhe kryetar i Partisë më të madhe shqiptare. Përpos kësaj, Rama, ka “imponuar” një grup të vetin, sot gjithmonë e më i pushtetshëm, në kupolën drejtuese të kësaj partie dhe të qeverisjes. Duke e ngjyrosur PS-në simbas stilit të vet dhe personalitetit të vet, të cilin ca e mbiquajnë karizmatik dhe ca të tjerë e urrejnë. Por edhe këtu s’ka asgjë të re, në lidhje me dashuritë dhe urrejtjet me të cilat rrethohen pushtetmbajtësit e çdo kohe.

Sepse ambiciet e kryetarit aktual, kush nuk i ka nuhatur deri më tani, janë shumë më të mëdha, sesa maja e ajsbergut të atyre që duken.

Është e qartë që Rama, kërkon të gdhendë “markën” e tij, në palcën e logos së kësaj partie. Pra, jo thjesht si një fenomen kalimtar, por si një rindërtues dhe dominues fuqiplotë i kësaj force politike. Duke kërkuar hiç më pak se sa një simetri, me strukturën e partive të tjera konkurrente. Të cilat, vlen që ta kujtojmë, drejtohen edhe ato, përtej formës, në mënyrë vertikale.

Personalisht mund të kem shumë arsye për të qenë kritik me bilancet e krisura si qelqe, të qeverisjes së kësaj Shumice, porse në betejën e brendshme politike, edhe sot që flasim, Partia Socialiste nuk mund ta diskutojë seriozisht postin e Kryetarit të saj, kryeministër dhe dy herë fitues të njëpasnjëshëm të zgjedhjeve, 2013 dhe 2015.

Zgjedhje të fituara pa ngërçe të mëdha, me një aleancë inteligjente dhe bollshëm.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë një kriter tjetër, përveçse fitores elektorale dhe politike, për të matur leverdinë egoiste që një parti investon apo vë në diskutim tek kryetari i saj. Sepse dihet, Partia (Parte-Pjesë) as nuk ka qenë dhe as nuk është tjetër përveçse një Grup Interesi, i një pjese të shoqërisë, kush e ngatërron thjesht me një Akademi të Etikës apo me një OJQ e specializuar në trajnime teorike demokratike, bën një ngatërresë të qëllimshme.

Rama, me mbështetjen e Metës, fitoi në Tiranë, zgjedhjet e vështira të vitit 2007. Humbi me dinjitet zgjedhjet e vitit 2009, falë përllogaritjeve të gabuara dhe tejet ambicioze. Dhe në 2013 fitoi zgjedhjet e përgjithshme, gjithsesi me koalicionin e domosdoshëm me LSI.

Kontestatorët e Ramës në PS, në të drejtën e tyre, luftojnë në të vërtetë për një rishpërndarje të influencave dhe pushteteve që zotëron kjo parti e stërmadhe. Aq më tepër sot, në zenith të pushtetit të saj. Mirëpo, kundërshtarët e Ramës, pavarësisht së Drejtës së tyre të pamohueshme politike, shtyhen edhe nga fakti se Rama, duket se përfaqëson për ta, asgjësuesin e plotë të së ardhmes së tyre politike primare.

Ndërkohë që Rama, nga ana e tij, është duke lundruar sot, në rrymën që dialektikisht, i është përcaktuar nga puna dhe roli i tij politik, i cili po hyn në dhjetëvjeçarin e tij të dytë.

Është e vërtetë që si Kryetar Partie, ai ka personalizuar jo pak drejtimin e “shtëpisë së vjetër” socialiste, duke e “pushtuar”, por edhe duke e transformuar në fituese atë.

Në logjikën e ngushtë të interesave partiake, Partia Socialiste ka ende nevojë për Ramën si kryetar të vetin.

Aq më tepër që Blushi dhe ca të tjerë që fshihen ende në hije pas tij, ligjërojnë vërtet mjeshtërisht, këngën e “Mjerimit Politik”, të mosrealizimeve të pritura të qeverisjes aktuale, porse mjerisht, janë vetëm komentatorë të shkëlqyer dhe tendenciozë dhe kaq.

Pa rekorde rezultatesh. Të pasprovuar në beteja direkte politike, ku duhet të marrësh plagë, të gjakosesh dhe të bësh realisht gjëra të prekshme. Qoftë edhe plot gabime për pasojë.

Thënë të gjitha këto, Blushi apo edhe të tjerë, ka të gjithë të drejtën sovrane të mos rrijë duarkryq. Por në të gjithë botën, tradita e sfidës së lidershipit bëhet në opozitë, ose mbas Humbjeve të forta Elektorale.

Kur Rama, përmes aksionit politik eferveshent që ndërmori, mbas humbjes elektorale 2009, me çadra, greva dhe zulma “kuti-hapëse”, ia doli mjeshtërisht të mbante me thonj kryesimin e PS, tani, sot pra, fitues i dy palë Zgjedhjeve dhe Kryeministër, duket si absurd të lëkundet.

“Provare non nuoce!” (ta provosh, nuk sjell dëm), thotë një fjalë e urtë italiane. Dhe këtu jemi sërish në Lëmin e të Rejave që mungojnë. Në Marsin e ardhshëm do të kemi simbas të gjitha gjasave, të njëjtën Foto. Si përpara, ashtu edhe mbas Kongresit.

"Mapo"

Comments

Submitted by Kevinjon (not verified) on

Me nje fjale, Ti ore Blush qe ben ligjerata here pas here e ke pasur shancin midis 2009 dhe 2013 dhe i ke lene shoket ne balte duke mos luftuar deri ne palce sepse dobesoheshe nga shendeti. Tani qe Rama eshte shendoshe e mire ne krye te presesh aty ku je sa ta ze gripi elektoral nga ndonje humbje e mundeshme. Bukur zheji! Pavarsisht se zheji nuk genjen ai perseri fsheh dicka shume te rendesishme. Pyetja: cfare vlere ka demokracia perbrenda partive atehere, kur edhe pse konstatohet oligarkizem dhe stil diktatorial qe e nxjerr koken pikerisht vetem kur je ne pushtet, kur rizgjedhja dhe konkurrenca brenda partise merr kuptim vetem kur te kete humbje shkaterruese elektorale? Sipas kesaj menje zhejuese i bie qe 40 vjet sundim i Enver Hoxhes eshte nje fakt dhe rezultat demokratik sepse populli denoi PKShne vetem ne vitin 1992. Pra ne ato 40 vjet sundim çdo perpjekje e ndonje kundershtari te Enver Hoxhes ka qene e kote dhe e pa justifikuar!!! Ore zheji! Kur do te zhduket ky soji yt i anal-istit se keni 25 vjet qe na e perktheni pluralizmin e demokracine me mentalitet provincial e Background komunist!!!

Submitted by Bubu Zheli (not verified) on

Sipas llogjikes se ketij kameleoni mediatik i bie qe pas humbjes elektorale te 2009-es, Rama ta dorezonte automatikisht kryesine e Partise, per t'i hapur rrugen kandidateve potenciale per drejtimin e partise. Pse mos te merrte shembull nga laburisti Ed Miliband, shefi i partise se tij "idhull" ne Angli, i cili menjehere pas humbjes se zgjedhjeve, dha doreheqjen duke e marre persiper vete fajin e deshtimit.

Pas afro dy vjet e gjysem qeverisje skandaloze, kjo parti i ka humbur komplet vlerat e kohes para 2013-es. Asokohe e ndodhur ne opozite, ajo ishte ne pozitat e duhura pune.

Ka shume faktore qe deshmojne, se kjo "parti" ka dale komplet nga binaret dhe po funksionon me teper si nje ndermarrje private, ku vulen per gjithshka e vendos vetem shefi, ndersa te tjeret jane rrogetare te thjeshte, te cilet nuk u lejohet as te hapin me gojen, e jo me te pretendojne t'i shkulin shefit kemben karriges.

Statuti partiak i shumices prej vendeve me demokraci te konsoliduar te lejon te rizgjidhesh pas tete vitesh vetem nese arrin te grumbullosh 2/3 e shumices se votave te anetareve. Pervec kesaj, kongreset partiake perfshi dhe vete partine mavi te laburisteve, mbahen te pakten nje ose dy here ne vit, dhe jo nje here ne shtate vjet. Keto te permende ky klloun, dhe jo te merret me bythlepirjen e njeshave te radhes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.