Nga reforma e “tërmeteve” te takimet e Llallës

Postuar në 11 Janar, 2016 15:55

Katër ministra të qeverisë aktuale,  ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ai i Drejtësisë, Manjani, i Financave, Cani si dhe ministri i Mjedisit Koka u takuan me Prokurorin e Përgjithshëm për të diskutuar mbi rolin e forcimit të Policisë Gjyqësore. Ky është një lajm që ka qarkulluar sot e që krijon përshtypjen e një “rimandatimi” të Adriatik Llallës nga mazhoranca aktuale. Dy ministra socialistë dhe dy të LSI-së, kanë vizituar sot Prokurorin e Përgjithshëm, me synim siç tha Tahiri, “që procedimet penale ndaj atyre që shkelin ligjin të jenë të shpejta në kohë dhe ata që shkelin ligjin të marrin dënimin e merituar”. Takime të tjera do të pasojnë, shtoi ministri. Pra krahas reformës në drejtësi, punës për ndryshime kushtetuese që prekin edhe Prokurorin, sot mesazhi politik që i mbivendoset “reformës së tërmeteve” është se lufta ndaj shkeljeve dhe korrupsionit nis nga intensifikimi i takimeve të këtilla. Takime që nuk dihet se për çfarë i shërbejnë një prokurori, i cili ka ligjin, ka institucionin, ka burimet njerëzore dhe pritet vetëm që të bëjë punën. Nga ana e vet kryeministri Edi Rama, njeriu kryesor i PS-së në qeveri dhe zëri qendror i saj për diskutimet për reformën në drejtësi deklaroi pas takimit për situatën në pyje se “Memorandumi i pyjeve është më i rëndësishëm se sa Reforma në Drejtësi”.

A është vërtët kështu? Natyrisht që memorandumi i pyjeve dëshmon vëmendjen ndaj mjedisit dhe pasojave shkatërrimtare në të, por reforma në drejtësi, u shpall për muaj të tërë, si kyçi i integrimit, si çelës i të ardhmes, si garanci për ndryshimin e gjërave. Një ndryshim që do t’i jepte tjetër peshë dhe kuptim edhe zbatimit të memorandumit të pyjeve. Sot reforma çgradohet nga politika, e cila ka nisur diskutimin e zakonshëm për hollësi teknike që janë në thelb garancia e ruajtjes së ekuibibrave; sot politika me në krye Ilir Metën po negocion termat me ambasadorin amerikan, sa kohë kryeministri është aty siç tha këshilltari i Ilir Metës para disa ditësh: “de jure”. Ajo ka mbetur tashmë në dorë të kreut të LSI-së, Sali Berishës dhe Donald Lu dhe janë këta që do të firmosin konsensusin.

Takimi i sotshëm tek zyra e Adriatik Llallës mund të shihet se një sinjal se organi i akuzës do të mbetet në të njëjta duar politike. Çfarë reforme është kjo vallë? Dhe për çfarë u deshën ekspertët? Duke parë pikën kritike ku është mbërritur, mund të spekullohet edhe njëherë se hapja e kryeministrit duke ia lënë reformën ekspertëve, që i ka të vetët, shërbeu si një lojë politike për të rikrijuar perceptimin e “të mirit dhe të keqit”, ata që e duan e ata që jo këtë reformë, duke ditur kundërshtimin nga LSI dhe PD. Ndaj një reformë e vërtetë, do të duhet të niste nga hapja e një procesi politik, ku palët, ashtu siç u deklarua për reformën territoriale, të binin dakord parimisht për ndryshimin e sistemit e mandej të niste përpunimi i drafteve. Në këto kushte gjykimi i Venencias do të ruante vlerë teknike vetëm dhe nuk do të interpretohej si manovër politike e një pale për kapjen e sistemit. Duke qenë se besimi për një ndryshim të vërtetë është goditur rëndë mbetet të pyesim: a do të vlejë kjo lloj reforme,  cilido qoftë teksti i saj dhe detajet, për një notë më të mirë në kuadër të integrimit? A do të vlejë ajo si një pikë shtesë për hapjen e negociatave? Ka rëndësi kjo pyetje, pasi do të duhet të paktën një “fitore” minimale për qytetarët, pëkundrejt mashtrimit të radhës. Apo qoftë edhe paaftësisë së politikës. Sidoqoftë procesi nuk është përmbyllur akoma dhe diçka mund të kthejë. Edhe pse tërmetet i provokon një vullnet politik të cilit i shkohet deri në fund. 

Comments

Submitted by ME E MARE ME MEND (not verified) on

Kjo qe shkruani, eshte mundesia e fundit qe mund te ndodhe, deri sa te te shkoje mendja deri ne ate qe eshte reabilitimi i LLalles, ka edhe mundesi te tjera, si psh, Llalla, mendon qe te rikuperoje imazhin, e jo anasjelltas, Llalla don te shkeputet nga Sala, prandaj kerkon ndihme, etj, etj.
Keshtu mendoj une.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.