Sintonizimi Rama-Rama

Postuar në 22 Dhjetor, 2015 17:42

Ndërkohë që e djathta parlamentare, më saktë Partia Demokratike, ka paralajmëruar protesta në muajin janar, madje të forta sipas saj, në Tiranë ka nisur të flitet për një parti të re. Në krye të saj presupozohet se do të jetë Shenasi Rama, që drejton prej vitesh një polemikë ndaj të gjithë sistemit politik të Tiranës. Fokusi i Shenasi Ramës së fundmi ka qenë përforcimi i tezës se PD-ja uzurpoi Lëvizjen e Dhjetorit ’90, akaparoi me ndihmën e Sigurimit të Shtetit drejtimin dhe mandej vijoi lojën e Katovicës. Ka shumë mjegull mbi këto pretendime, pasi edhe Shenasi Rama, që mëton të hyjë në lojë me një premisë morale, duke rimarrë idealet e studentëve për një rithemelim të së djathtës, akuzon majtas – djathtas me bindjen e vet, në mënyrë autoreferenciale dhe pa asnjë dokumentacion. Vlen kjo sidomos kur akuzohen njerëzit për përfshirje në lojën e shërbimeve sekrete.

Konteksti politik: Krizë identiteti tek e djathta, krizë morale tek e majta

Sot që flasim, e që media po i jep udhë kësaj lëvizjeje të Shenasi Ramës, Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm: sistemi politik vuan rëndë krizën e legjitimitetit moral, pasi si e djathta ashtu edhe e majta, ato që njihen si të tilla, nuk po prodhojnë më ide. Për të folur në terma konkretë: marrëdhëniet mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë të paqëndrueshme, në klimë mosbesimi dhe perspektiva më shumë i ndan sesa i bashkon këto dy parti. Kjo është një çështje strategjike, sidomos për PS-në, e cila po përjeton rënien në rolin e një partie që mund të kapë pushtetin vetëm përmes koalicioneve.

Nëse hidhemi djathtas, Partia Demokratike, vuan nga erozioni i një pushteti 8-vjeçar, nga prezenca e Sali Berishës aty dhe klanit të tij familjar, nga paaftësia relative e Lulzim Bashës dhe nga zvjerdhja e “kauzave” tradicionale të një të djathte si prona, të përndjekurit politikë apo edhe aspekte organizative dhe taktike si nevoja për bashkim. Emri i Sali Berishës është fillimi dhe mbarimi i një krize e cila paradoksalisht mund të zgjidhet, siç perceptohet tani vetëm prej tij.

Diversioni me kartën “Topi” dhe “Bojaxhi”

Ndërkohë që PS-ja e ka të pamundur të llogarisë një LSI si partnere të besueshme dhe afatgjatë, sidomos kur flet për shtetndërtim, nga e djathta ka disa zhvillime. Sot Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit bënte thirrje përmes gazetës së vet për protesta, duke shtuar këtu se protesta duhet të marrë shembullin e Spanjës, Greqisë etj., gjithnjë në përpjekje për të zhbërë sistemin që ka bukosur Shqipërinë. Kjo lëvizje e një partie minore, por me simbolikë ende të dukshme, si FRD-ja e Bamir Topit, prodhon dy lexime: së pari, ky është një divorc nga aleanca me Edi Ramën dhe së dyti, Topi ndodhet aktualisht në të njëjtin poizicion me lëvizjen e Shenasi Ramës për nga predikimi. Por Topi është prodhim i sistemit politik dhe destinacioni tij natyral duket të jetë koalicioni me PD-në.  E njëjta lëvizje u akuzua nga PD-ja edhe me iniciativën e Gjergj Bojaxhiut në zgjedhjet e fundit lokale, ndërkohë që para disa ditësh portali i Blendi Fevziut publikonte të dhëna për “pasurimin e përshpejtuar të Bojaxhiut gjatë qeverisjes socialiste”. Bojaxhi është drejtues i një prej kompanive kryesore të distribucionit të karburanteve në Shqipëri.

Thirrje nga diaspora: T’i bashkohen Shenasiut ata që nuk kanë patur të bëjnë me pushtetin

Sot gazeta “Mapo” riprodhonte një shkrim të gazetës “Illyria” në SHBA, ku bëhej thirrje që pronarët, ish-të përndjekurit, apo edhe qytetarët, të cilët vetë, apo prindërit e tyre nuk kanë patur të bëjnë me pushtetin e djeshëm e të sotshëm, t’i bashkohen lëvizjes së Shenasi Ramës. Shkruan Prof.Asc.Dr, Thanas L. Gjika: “E ndjej për detyrë morale t’ju bëj thirrje gjithë atyre që ndjehen të zhgënjyer e të pakënaqur ndaj klasës së sotme politike, gjithë të përndjekurve të ndërgjegjes dhe çdo shqiptari të ndershëm që t’i bashkohen lëvizjes së re që po organizon Shinasi Rama, si një lokomotivë, e cila po të vihet mbi shina, mund ta shpjerë popullin shqiptar drejt rigjenerimit politik, moral, shpirtëror dhe ekonomik”. Thirrja është fisnike për nga premisat që parashtron, por kur premisat vihen në raport me një person, që pretendohet se mishëron kauzën fisnike, kërkohet pak transaprencë. Pasi shqiptarët nuk mund t’i lejojnë vetes të mashtrohen sërish.

“Sigurimsi”  Shenasi Rama

Lëvizja që po flasim ka shqetësuar  PD-në e cila botonte dje një shkrim të personi, z.Eugen Shehu, sipas të cilit Shenasi Rama ka qenë një person i infiltruar nga Sigurimi i Shtetit gjatë përpjekjes për të ikur në mars ’91 me anijen “Partizani”.

Thotë Shehu: “A mund ta pyesni në mënyrë publike Profesor Shenasi Ramën pse spo flet për 9 a 10 marsin e 1991 për atë që ndodhi në Portin e Durrësit tek anija “Partizani" ku ishim rreth 1000 veta dhe prisnim që anija jonë të nisej.  Anija jonë nuk u nis!! I vetmi që vinte rreth e qark ishte Shenasi Rama me një rryp të kuq në ballë dhe mundohej të na mbushte mendjen të qëndronim dhe të mos niseshim. Arriti deri aty ku tha, "I kemi dërguar Ramiz Alisë peticion dhe do të nisemi". Qëndruam deri në mesnatë pastaj ndodhi që anija u sulmua nga ish-Reparti 326. Ne u rrahëm në mënyrë brutale nga forcat e policisë dhe Shenasiu duhet të flasë se cili ishte roli i tij në këtë situatë. Po pyetja ime për zotërinë Profesor Rama është: A e ka vra ndërgjegjja ndonjëherë për ato çuna që ishin në bash të anijes “Partizani” ku bënë me të vërtetë qendresë, pasi TI ja mbushe mendjen si “radikal” që ishe dhe më pas Morgu i Durrësit u mbush plot me viktima të anijes “Partizani”. Çfarë mendon sot? Dhe pse se tregon si ngjarje ashtu si tregon historitë e lavdishme të tijat(http://www.rilindjademokratike.com/index.php?option=com_content&view=art...).

Por ka edhe akuza të tjera nga persona të tjerë, të cilat vetëm z. Rama mund t’i kthjellojë:

Luke Velaj: “Ai pat, nje kohe ne Shkoder, nje reputacion jo te mire, pat lene shkollen e Oficereve dhe nisi te endej rrugeve duke u futur ne shume grupe te rinjsh e me gjithkend, e njerezit e thjeshte kujtonin se eshte si ata, por ne fakt ai kishte pas misionin. Kete e provon dalja deshmitar ne gjyqin tim, personit me emer Luke Velaj, nga Shkodra. Me ka dale deshmitar duke shpifur e zbatuar detyrat e Sigurimit. Une hengra nja 12 vjet burg prej tij e Shinasiu per shperblim u dergua ne shkollen e Gjuheve te Huaja, pasi e kreu detyren mire”( http://www.syri.net/2015/12/16/i-burgosuri-luke-velaj-deshmia-e-shenasi-rames-me-futi-12-vite-ne-burg/).

Bislim Ahmetaj: “...Kukullat kane fatin e tyre, ligjerojne ne Neë York, vjellin ne atdhe, japin raporte ne qendren e prodhimit te tyre, organizojne pritje e konferenca shtypi, pajtohen me fatin e tyre prej kukulle, ne sherbim te Trustit qe burgose e ndeshkon lirine e shqiptareve...Ata qe vetem pese dite pas themelimit te PD-se ne dhjetor te 90-s themeluan shoqaten Fan Noli, si diversion ndaj partise se pare politike opozitare, sot pas 25 vitesh kane ardhe me krijue Shoqaten apo partine Autoqefale te Levizjes Studentore. Rruga e mbare u qofte!

Aleksandër Meksi – Ish-kryeministri Aleksandër Meksi ka qenë një ndër të akuzuarit e Shenasi Ramës pasi sipas këtij të fundit, intelektualët nuk qenë në gjendje të mblidhnin firma për themelimin e PD-së dhe këtu ndërhyri Sigurimi. Meksi ka botuar një libër me dokumente ku në listën rendore të firmëtarëve botuesi ka bërë një gabim numerik. Duke iu përgjigjur akuzave, Meksi thotë ndër të tjera në Facebook: “25 vite me pare me 12 dhjetor 1990 rreth kesaj ore nje grup intelektualesh e studentesh vendosen krijimin e Partise Demokratike, qe u shpall ne mitingun historik te mbasdites. Ata, studentet qe i mbeshteten dhe dhjetra mijra qytetar te Tiranes nuk rane ne gracken e Ramiz Alise per nje shoqate te studenteve dhe intelektualeve te rinj... Nuk me tremb askush dhe nuk eshte hera e pare qe ky lloj perdor te tilla akuza ndaj meje kur nuk pranoj tu nenshtrohem (andej nga viti 2000 kur dola me nje Plarforme ne publik)...Tiranasit thonë hu me hu po te ecesh nje dite do ngulesh, dhe kam pare mjaft raste te tilla dhe nuk ja uroj kujt”.

Sali Berisha: Në një intervistë të fundit për “syri.net”, Sali Berisha ka replikuar për herë të parë me Shenasi Ramën duke theksuar se: “Është njëri që i lakohet emri shpesh, Shenasi Rama. Kishte përgatitur një skemë të veçantë që ne e vlerësuam skemë gjakderdhje në Shkodër. Në mitingun inaugurues shkoj dhe më dërgoi në një banesë. Më sjell aty një person që thotë se është klandestin dhe kërkon të flasë. I them: çfarë klandestini është? E ndjek sigurimi. Po ç’ka sigurimi që e ndjek? Fillon më reciton aty histori kockash, gjaku, vrasje dhe donte të fliste. I them as ti (Shenasi Ramës) nuk do flasësh, jo vetëm ky. Kthehem, i them Gramozit (Pashkos) dhe e larguam. E vërteta është që e kemi larguar. Thuhet se dha dorëheqjen, jo është larguar. Më vonë kanë dalë persona që e kanë denoncuar. Ai ishte aktiv në grevën e urisë, duhet ta pranoj. Ishte aktiv  i grevës së urisë, por historia është kjo. Ai u largua”, ka deklaruar Berisha”.

Akuza që vijnë nga njerëz që kanë qenë protagonistë të vitit ’90, e që kërkojnë sqarime. Siç mund të vihet re, si Shenasi Rama, ashtu edhe pala tjetër akuzojnë por pa nxjerrë kurrkush dokumente. Sali Berisha thotë se “dokumentet aty janë se kë kanë survejuar”, duke pranuar se shërbimet sekrete kanë ndjekur dhe monitorur lëvizjen. Mund të pyetet: a ka dokumente për këto akuza ndaj Shenasi Ramës? Dhe ky i fundit a ka dokumente për sa pretendon? Informacionet që qarkullojnë flasin për ndonjë dokument që ka firmë dhe emër, që provon ndonjë deponim të sipërpretentuar, por kjo mbetet në fushën e spekullimeve.

Sintonizimi Rama-Rama

Shenasi Rama ka shpallur pra se vjen në Tiranë me një ambicie politike, e pse jo edhe me një axhendë të tillë. Por ajo që duhet pranuar është se kauza që ai mëton, predikimi i tij, premisat morale ku kapet, aderojnë te krahu i djathtë i politikës shqiptare. Pas lëvizje e studentëve, idealet e dhjetorit, nëse ka patur të tilla etj., nuk afektojnë asgjë majtas. Për rrjedhojë lëvizje të tilla prodhojnë turbullim tek e djathta. E parë kështu, axhenda që bazohen në kauza të këtilla përveçse kapin “fushën bosh” djathtas, i konvenojnë edhe PS-së dhe kryeministrit të vet, i kapur në kushtet e flagrancës së një paaftësie qeverisëse. Dhe “për çudi” Edi Rama, iu bashkua së fundmi predikimeve të Shenasi Ramës, kur përmes një interviste për Monika Shoshorin deklaron se: “Për mua dhe për ne që të themi ishim krahu radikal i lëvizjes që vinim nga Akademia e Arteve, përjashto ndonjë individ të veçantë, ishte e pamundur që të pranonim si përfaqësuesen tonë Partinë Demokratike, e cila faktikisht nuk pati një qasje haptazi të qartë në raport me ato qasje që ju shpjegova më sipër. Dhe “Refleksionet” lindën si nevojë për reflektim, jo si një bërthamë e një partie politike, por si një hapësirë për t’u dhënë zë të gjithë atyre që nuk e gjenin dot këtë hapësirë në kutinë ku u fut Partia Demokratike. Dhe faktikisht, ajo periudhë hezitimi shërbeu si një periudhë për të kontrolluar pushtetin brenda Partisë Demokratike dhe pasi u kontrollua pushteti u kalua në një antikomunizëm barbar, që nuk kishte lidhje më me vlerat dhe parimet që demokracia e sapolindur duhet t’i mishëronte përmes Partisë Demokratike(http://www.gazetatema.net/ëeb/2015/12/14/edi-rama-isha-krahu-radikal-i-levizjes-antikomuniste-akademia-e-arteve-provokoi-regjimin/).

Edi Ramën pra e bashkon me Shenasi Ramën përvoja e ngjashme e përjashtimit nga PD-ja e ’90, për shkak se ajo sipas tyre, mbylli horizontin e antikomunizmit të vërtetë, sepse ajo u moderua me asistencën e Sigurimit për t’i lënë “idealistët” e vërtetë jashtë loje. Mirëpo sot, ky Edi Rama, që asiston lëvizjen e Sh. Ramës me frekuencën e “idealeve të përvjedhura të Dhjetorit”, është ai njeri që ka pushtetin dhe shumë mirë mundet ta realizojë kauzën e vet. Pa dekoruar ish-sigurimsa dhe pa emëruar në poste drejtuese njerëz që janë familjarë të drejtuesve të regjimit të shkuar.

Sali Berisha dhe të tijët janë një cikël dramatik i historisë së Shqipërisë. Por asgjë politike, asnjë kundërshtar, sidomos Edi Rama, nuk mundet që të pretendojë asgjësimin e tij, pasi janë po aq të njollosur dhe po aq të përfshirë në teatrin politik shqiptar. Sali Berisha nëse do të dalë nga skena, do të duhet të dalë me gjuhën e Drejtësisë, jo të politikës. Ndaj edhe manovrat e Rama&Rama janë një mashtrim më shumë për shqiptarët, një lojë për të “Pastruar Shqipërinë” dhe për ta lënë fushën bosh. Ashtu siç është mësuar të luajë një njeri frikacak si Edi Rama, që po shërbehet së fundmi edhe me dosje apo me idenë e dosjeve.

 

Comments

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

Te gjithe, kur jane jashte shtetit, sidomos, ata qe jetojne e punojne ne Amerike, flasin e flasin, na japin mend se si t'i zgjidhim e t'i japim drejtim puneve, etj, et, keahtu vepronte edhe Edurd Selami, por erdhi ketu, dhe ra squke, si pule e semure.
Kush eshte burre, rri ketu, punon e lufton ketu, perplaset me SALI RAME BERISHEN, sic eshte perplasur per tete vjet Edi RAMA, me te mirat e te keqijat e veta, por me ne fund, arriti deri aty ku eshte sot. Ju, qe na jepni mendje, hajdeni e te rregullojme ato qe kemi arritur, jo t'i kunderviheni ne kete menyre qeverise ( jo pa te meta).
Ju, si zoti Shenasi Rama, po te jeni burrrra, sikunder mundoheni te hiQeni, hajdeni e rrini ketu nja dy apo tre vjet, dhe mbas kesaje periudhe akopjimi, filloni e na jepni mend, dhe krijoni levizjet t'uaja politike, e thene me shqipm po qe se keni bythe, po nuk keni bythe, mbylleni sqepin, se boll halle kemi.
Perahendetj.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Qe komenti yt te merret seriozisht a mund te shpiegosh pak cfare domethene fjala "akopjimi" ne fjaline tende:

"....hajdeni e rrini ketu nja dy apo tre vjet, dhe mbas kesaje periudhe akopjimi,....."

jo per gje, po nqs dicka ne koment nuk ka kuptim, i gjithe komenti eshte si pune koti, tip pacavure.

(....ka njerez qe "akopjimin" mund ta kuptojne si "çiftezim" dmth si pune "akti seksual"....)

Submitted by refree (not verified) on

Ideja se Basha do te ishte nje zgjidhje me e mire se Rama eshte thjesht nje ide qesharake qe nuk bind askend.

Submitted by Albi_I (not verified) on

Une nuk e njoh personalisht Shenasiun e jam dakord qe mund te duket edhe pak dogmatik. Po ne kete vend nuk mund te linde asgje e re nese gjeja e pare qe na shqeteson eshte se kush nga PD-PS do demtohet me shume fillimisht.

Nese hipotetikisht Shenasi Rama e te tijet fillimisht do ishin te suksesshem ne zvogelimin e PD-se, normalisht qe objektivi i ardhshem do jete PS-ja, edhe oreksi politik vjen duke ngrene. E njejta gje po anasjelltas nese Blushi provon dicka nga "e majta" duke goditur mbase fillimisht PS-ne.

Te gjitha keto jane perpjekje qe duhen perkrahur per aq kohe sa mendojme se pushteti personal i Rama-Berishes eshte duke gerryer kete vend. Nuk do vi ne Shqiperi nje njeri nga hici, qe nuk e njohim apo e kemi degjuar me pare, dhe papritur te filloj te koleksionoje vota nga te dy partite ne menyre te barabarte. Kjo eshte utopike. Do jete nje njeri apo grup njerezish te zakonshem, me dritehijet e tyre, por qe do arrijne te fitojne nje lloj besimi diku ne popull. Keta duhen perkrahur.

Submitted by Elefter Gjika (not verified) on

Akoma nuk u ngopet me eksperimente ju, xhuxhumak dhe alb ? Kemi 25 vjet ne tranzicion ! Turp. Turp. U ngopem me brockulla, kalamalleqe, etj. Etj. Ndersa sa per fjalen akopjim, me sa kuptoj une, autori, ka dashur te thote ingranim, e jo pune seksi sikunder mendon xhuxhumaku.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

O Lefteramaqis, ku i shef ti eksperimentet e mia or zoteri? Kur shkruan dicka or ti zoteri, fjalet duhet t'i perdoresh me kujdes te madh dmth t'i perdoresh sipas kuptimeve te gjithenjohura dhe te percaktuar neper fjaloret, dhe jo me kuptimet qe te do ty prapanica, ose thene ndryshe sipas kuptimit qe injoranca jote kujton se kane. Nuk jam une qe fjales "akopjim" i jap kuptimin e seksit. Po ta lexosh me kujdes komentin tim do te veresh qe kam thene se dikush mund (pra mund) t'i jape edhe ate kuptim. Tashti po deshe me sqaro pak ne ç'fjalor a gramatike e gjete qe fjala "akopjim" eshte si "ingranim" apo ashtu te do menderja ty, ta kuptosh? Ja pra qe ti fjales "akopjim" i dhe kuptimin "ingranim" pa asnje lloj baze gjuhesore, ose ndryshe KOT ME KOT. Tamam kete kam thene edhe une qe perdorimi i fjaleve kot me kot i ben komentet brockulla. Ik e pi ndonje dhalle tani dhe qe te mos ngaterrohesh, dhalla eshte ose ajo qe ngelet kur nxirret gjalpi nga qumeshti, ose kos i holluar me uje, sipas rastit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.