Të luftosh problemin e gabuar

Postuar në 19 Nëntor, 2015 04:54
Enkelejd Zotaj/Informaticien

Në filma thriller, fajtori, pothuajse asnjëherë nuk është i dyshuari kryesor. Këto 25 vite lufta kundër korrupsionit është kali i garës për çdo aspirant kryeministër. Gjithashtu është i dyshuari numër një si pengesa që ky vend te arrij ëndrrën evropiane dhe prosperitetin. Pas shumë fjalimeve, orëve të harxhuara në përmirësimet e ligjeve, konferencave nga njerëz seriozë me kollare te 15 katëshi, fjalimeve të mprehta në shqip dhe jo shqip të ambasadorëve, pyetja ngelet: cilat janë rezultatet? A jemi më të pasur? A jemi pjesë e Evropës? A jemi sot me të sigurtë?

Le të prezantojmë një personazh të ri në këtë thriller. Një që deri tani ka qenë në hije. Për të cilën është folur pak, përgjithësisht në tavolina teknike, apo thashetheme kafesh mes miqsh të tipit ‘nuk bëhet ky vend’, apo ‘kishte të drejtë Konica’, etj.. Më lejoni të prezantojmë cilësinë, ose më saktë Mungesën e Cilësisë. Këtu nuk flas vetëm cilësinë në shërbimet që ofron shteti. Po flas për cilësinë si atribut i shoqërisë, që nga kopshti, hidrauliku, mjeku, ndërtuesi, rrobaqepësi, drejtori, ofiqari, këngëtari, informatikani, shkrimtari, këpucari, tregtari, berberi, futbollisti, basketbollisti (kërkoj ndjesë që nuk po përmend të gjitha profesionet për arsye vendi).

Është një moment që të vjen turp më tepër për vendin ku jeton. Kur ecën rrugës me ndonjë mik të huaj, probleme në dukje të vogla, të bien më tepër në sy. Gjëja e parë që shikojnë janë kabllot që varen nga pallatet, nëpër shtylla, nga kati i 10 në të parin. Ditët e para i bëjnë  foto çdo shtylle, më pas mësohen, si ne. Problemet si telat, ujërat e zeza, tatimorët, vilat e politikanëve në Lalëz e Qerret, janë të dukshme dhe na përshëndesin çdo ditë, ndërsa praktikat shtetërore, shërbimet, niveli i shkollave, niveli i punimeve akademike, televizionet, gazetaria, etj., janë të padukshme. Shembulli i telave është përfaqësues për shoqërinë tonë. Preferojmë të varim një tel të ri në vend të mundohemi të zgjidhim lëmshin. Kur telat bëhen shumë, fillon një projekt, për të cilin organizohet një tender me fonde nga një kredi e butë, të cilin e fiton një bar kafe që ka eksperiencë në menaxhim krizash. Ofiqari nuk humbet kohë, por i fut përpilimit të një rregull të ri, a një procedure, a një ligj të ri, a një sistem informatik, sipër dhe çdo lëmshi ekzistues, dhe problemi zgjidhet.

Rezultati? Ende mbas 25 vitesh kemi pak orë në ditë ujë të pijshëm, kufizime energjie, ushqime të pakontrolluar, mjekësi mjerane, akoma pa asnjë kompani konkurruese në rajon; por ama kemi disa individë që janë nga më të pasurit në rajon. Mungesa e kërkesës për cilësisë ja lë derën hapur  abuzimit, dembelizmit, korrupsionit, subjektivizmit. Në një fushë që njoh mirë, informatika, në tender apo zgjedhje, ajo që merr në fund varet nga standardet për cilësinë që janë përcaktuar. Nëse këto standarte janë të mjegullta, ose stil i lirë, përfundimi është një zgjidhje shumë më e keqe për lekët që paguan. Në gjuhën e shtetit quhen para të thjeshta. Natyrisht në ketë mënyrë fitohet mirë dhe të gjithë janë të lumtur (përveç taksapaguesve sigurisht). 

Fatkeqësisht problem s’është vetëm ky; në fund të fundit taksapaguesit e kanë pësuar vazhdimisht dhe gjasat janë që do vazhdojnë ta pësojnë për sa kohë nuk reagojmë. Mosangazhimi në punë me standard, pengon krijimin e aftësive dhe trajnimin e personelit në vend. Humbja e aftësisë për të konkuruar në rajon është një efekt anësor me shumë kosto. Kam frikë që kjo mejhane që kemi gatuar, pa standard dhe kërkesë cilësie, përveç pasurimit të shkurtër të disa aktoreve, që zakonisht identifikohen si njerëz që kanë punuar 1-2 vjet në shtet, ngasin makina të bukura, kanë vila në Lalëz e Qerret, dhe mbi të gjitha, janë shumë krenarë për arritjet e tyre, në terma më afatgjatë do të na marrë të gjithëve në qafë.

Jo larg nesh, Serbia, është në gjendje të lëvrojë zgjidhje teknologjike në çmim shumë konkurues. Kjo i bëri faktor si fillim në Lindje, përfshirë edhe Rusinë; tani ata konkurojnë edhe në qendër të Evropës, Azi dhe Afrikë. Le të kthehemi te korrupsioni. Sa gjasa ka që në shtëpinë tënde, një marangoz të japë rryshfet e ti ta marrësh në punë për të rregulluar rubinetin si hidraulik? Kur prekemi drejtpërdrejt, cilësia është kriteri kryesor në përzgjedhje. Në të njëjtën mënyrë, në momentin që kërkesa për cilësi rritet, aftësitë që duhen për të lëvruar një zgjidhje zhvillohen, edhe hapësira për abuzim ngushtohet. Korrupsioni ndoshta nuk zhduket, por ulet, respektivisht vidhet me pak, dhe ajo që është me e rëndësishme, bëhet punë. 

Zejtarët e çative të gurta në Korçë, në të kaluarën ishin shembull i cilësisë dhe i bënte të fitonin punë (projekte) në mbarë rajonin. Shumë nga ato çati ekzistojnë edhe sot. Një punë e bërë mirë ka më pak kosto operimi dhe mirëmbajtjeje, qoftë kjo rrugë, shkollë, shërbim publik, sistem informatik etj.. A mungon në Serbi korrupsioni? Absolutisht jo. Çfarë i bën me konkurues është ofrimi i punëve cilësore (ose me cilësi të pranueshme) me një çmim më të ulët. Si efekt anësor pozitiv, çdo projekt me standarde më të larta cilësie, në perëndim sjell në vend aftësi të reja; natyrisht edhe paguhesh për këtë. Në shkallë më globale, kjo ndodh edhe në Kinë, Indi. A ka korrupsion India, Kina? Ndoshta ka më shumë se çdo vend. Atëherë si konkurrojnë në gjithë boten?! Duke ja dalë të arrijnë një raport kosto-cilësi në produktet që krijojnë, të mjaftueshme për t’i bërë konkurent në çdo anë të botës. 

Atëherë ne përse luftojmë me kaq vendosmëri vetëm Korrupsionin, edhe pse nuk kemi shumë rezultate? Si mundet që cilësia mungon komplet nga fjalimet e kokave të mëdha? Duke konsideruar politikanet si individë me inteligjencë mbi mesataren, atëherë nuk ngelet shpjegim përveç që është më e lehte të angazhohesh në një luftë epike me krimin dhe korrupsionin. Të rrisësh standardin dhe cilësinë kërkon energji, përmirësim në të gjithë shtresat e shoqërisë, edukim trajnim, investime afatgjata. Krahasimi më i mirë që më vjen në mendje është kura e një sëmundjeje me antibiotik; nëse kura zgjatet e keqja fiton imunitet dhe trupi në përgjithësi dobësohet. Edhe ne si vend, kemi të paktën 25 vite në antibiotik. Në anën tjetër të rritesh cilësinë është të parandalosh duke jetuar shëndetshëm, të shkosh në palestër, të rrish me njerëz pozitivë.  E dyta do kohë, nuk prodhon lajme të bujshme dhe është më e vështire. Çdo politikan që ka dy pare mend to të zgjidhte të luftonte korrupsionin, e të dilte në intervista për shtyp si Jul Çezari. Askush nuk do të zgjidhte të merrej me telat, ujërat e zeza, ligjet, cilësia e punëve, etj..

Comments

Submitted by IT (not verified) on

Po ne RB a ka cilesi? Se ai sistemi sikur iken shpesh offline...Apo mungojne paret aty? Apo e ke bere si ai shembulli i marangozit ;)

Submitted by e pashe e pashe (not verified) on

Ne fillim duhet te percaktosh termin Cilesi e me pas ta analizosh ne konteksin e pergjegjesise qe lidhin autorin me rezultanten e munguar (sipas teje). Meqe nuk ke bere asnje nga keto po te kthej nje pergjigje relative: Ne Reiffeisen Bank ka me shume cilesi se cdo kishte po te mos drejtohej nga nje njeri i talentuar dhe i mprehte si ky djali.

Submitted by GB (not verified) on

Great article. Rroftë iliir dhe vilistat e Qerreti e Lalzit. Popull dele

Submitted by Beni (not verified) on

I vërtet si shkrim. Rroftë iliri dhe bark derret e Lalzit dhe Qerreti. Fajin e ka ky popull dele

Submitted by MN (not verified) on

Artikull shume interesant. Duket qarte emancipimi i artikullshkruesit. E pergezoj pasi keto jane tema per te cilat duhet diskutuar sot ne menyre qe njerezit te kuptojne se si mund te ndrtojme mireqenie ne vendin tone. Nga leximi i artikullit une shikoj tre ceshtje:
1. cilesia e produkteve/sherbimeve te ofruara,
2. a eshte cilesia i vetmi parameter dhe cilat duhet te jene parametrat mates te problematikes/zgjidhjes ne Shqiperi dhe
3. korrupsioni dhe informaliteti - ne shkrim nuk shikohen si problem paresor por dytesor.

Te treja keto ceshtje vlejne per tu diskutuar. Une jam dakord me faktin se nje nder problemet tona eshte mungesa e cilesise se produkteve dhe sherbimeve. Ne nje krahasim qe une i kam bere ketij fakti kam dale ne perfundimin se ne ofrojme sherbime ne nje nivel 60% krahasuar me pjesen lindore te BE dhe 30% krahasuar me BE (ose midis 40% dhe 50% krahasuar me mesataren e BE). Une kete e shikoj si nje mundesi per tu permiresuar. Per me teper per faktin qe shqiptaret ne BE ofrojne sherbime te nivelit te BE.
Nga ana tjeter mendoj se po kaq i rendesishem eshte kostoja pasi ajo ta ben produktin jo fizibel edhe kur produkti qe dorzohet eshte cilesor (Rruga e Kombit eshte nje shmbull),
Persa i perket korrupsionit ai eshte si krimbi qe e ha mollen ngadale nga brenda dhe ashtu pa e kuptuar ajo demtohet totalisht edhe pse nga jashte duket e bukur. Nje nder arsyet pse ne Shqiperi eshte lulezuar korrupsioni eshte fakti qe ne deshirojme makuterisht te behemi te pasur brenda pak kohesh ne menyre qe ti shijojme produktet si "pasha"llare" dhe kjo arrihet vetem me korrupsion. Shikoni mardhenien dogane/tatimor-tregetar me korrupsion te dy behen te pasur i vetmi qe e peson eshte qytetari, mardhenia tenderues tender-marres............)

Mendoj se keto jane temat qe duhet te trajtojne mediat pasi jane shume frytedhenese ne kontekstin afatgjate per ekonomine dhe mireqenien e vendit/vendallinjve dhe jo e lagu, s e lagu PD LSI apo PS.

Bravo artikullshkruesi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.