Shënim: Tualeti i Stresit dhe i Zefit që nuk po shkundin ministrin Tahiri

Postuar në 03 Nëntor, 2015 13:52

Në fillim Stressi pastaj Zefi. Dy arratisje sa të bujshme aq edhe skandaloze nga komisariatet e Tiranës që po vënë në pozita qesharake Policinë e Shtetit dhe drejtuesit më të lartë të zinxhirit komandues të saj, duke nisur që nga Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri e deri tek efektivët që ngrohin furgonët “Hunday” të policisë.

Stressi apo Arkimed Lusha arriti të arratisej nga ambjentet e Komisariatit duke kapërcyer dyer e dritare, ndërsa Bledi Zefi u kërkoi policëve të shonte deri në tualet për të rreshqitur pastaj në liri edhe pse sapo ishte kapur. Nuk janë të vetmet ngjarje që po vënë në diskutim profesionalizimin dhe seriozitetin e punës së policisë, por gjithsesi janë dy rastet më flagrante ku mesa duket policia ruan vetëm pulat dhe ekspozon uniformat e reja të qepura për policinë e shtetit.

Në fakt ata që e kanë bërë më shumë objekt humori dhe batutash policinë e shtetit janë drejtuesit aktualë të saj, ministri Tahiri dhe kryeministri Rama që janë tallur me policinë e Saliut, për të cilën kanë thënë shpesh se ka qenë e tradhëtuar nga brenda. Populli i besoi dhe policinë e shtetit e mori në duar qeverisja e majtë me premtimin për të bërë shtet. Po a mund të merret seriozisht një shtet, ku të kërkuarit arratisen nga qelitë e komisariateve me planin për të shkuar deri në tualet?

Por përveç anës komike policia në këto dy vjet ka shfaqur edhe mangësi që nëse nuk quhen tradhëti ngarkojnë me përgjegjësi drejtues të lartë të policisë në aksione ku kanë humbur jetën efektivë të saj. Efektivi i Reneas, Ibrahim Basha u vra në një aksion në Lazarat për të cilin janë ngritur shumë pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes së policisë me mjete të pablinduara, ndërsa shefi i Ndërhyrjes së Forcave të Shpejtë në Shkodër po ashtu mbeti viktimë para pak javësh në një operacion për arrestimin e një personi. Edhe për këtë kanë nisur hetimet për të parë si është zbatuar plani operacional. 

Megjithatë politika vazhdon të trumbetojë suksese të policisë në një kohë që edhe mbi ministrin Tahiri ngrihen hije të lidhjes së tij me persona të inkriminuar. Dëshmia më e fortë është ajo e ish-shefit të Antidrogës në Fier, Dritan Zaganit që e ka akuzuar për shitjen e makinës vëllezërve Habilaj të akuzuar për përshfshirje në trafiqe. Ministri nuk e mohoi, madje pranoi se makinën të cilën ua kishte shitur kuëshërinjve të largët Habilaj e kishte përdorur gjatë pushimeve.

Çfarë përgjegjësish ka ministri për arratisjet, vrasjet e policëve në krye të detyrës apo dhe për pazaret e makinave me kushërinjtë, kur Stresi dhe Zefi e nxorrën jashtë loje policinë vetëm duke i gënjyer me nevojat për t’u shkundur në tualet? Ndoshta ka ardhur koha që edhe ministri Tahiri të shkundet nga detyra që mesa duket nuk e bën dot megjithë tonin e lartë të zërit që shfaq herë pas here. Përndryshe dita kur Sali Berisha deklaronte se dëgjoi për Gërdecin kur ndodhi shpërthimi vijon edhe sot me Tahirin, Ilir Beqen, Edi Ramën e vargu që vjen pas. 

l.mitro

 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ne kete fotografi te pakten, ky ka fizionomine e nje debili te rregjur qe s'ka argument qe e mposht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.