Disa komente mbi qëndrimin e kryegjykatësit të Shqipërisë, z.Ilir Meta.

Postuar në 07 Prill, 2021 12:33

Dje u publika në media një letër e Presidentit të Republikës drejtuar në mënyrë individuale të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Qëllimi i letrës ishte kritika që i bëhej vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese në vendimin e saj nr.9, datë 1.3.2021, në të cilin Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e paraqitur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kundër disa pikave të nenit 50 të Ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Letra në thelbin e saj kritikon pesë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët sipas Presidentit nuk ditën të lexonin siç duhet normat kushtetuese, si edhe kritikon mosthirrjen e tij si subjekt i interesuar në gjykimin kushtetues. Më pas u tregon atyre kuptimin e vërtetë të këtyre normave, lavderon qëndrimin e “shkëlqyer” të dy gjyqtarëve të mbetur në pakicë, si edhe në përfundim e mbyll me faktin që ligji që nuk u shfuqizua prej tyre, do të ndryshohet nga Kuvendi në legjislaturën e tij të ardhshme.

Duke parë këtë qëndrim të Presidentit, nuk mund të mos konstatohen disa gjëra.

Konstatimi i parë është hipokrizia e Presidentit të Republikës. Kështu, ligji nr.68/2017 është botuar në Fletoren Zyrtare nr.113, datë 22.5.2017 dhe për rrjedhojë rezulton që të ketë hyrë në pjesën më të madhe të tij në fuqi më datë 6 qershor 2017. Ndërsa nenet 23, 25, pika 1, 55, 56, 57, 58, 59 dhe  60, të  këtij  ligji, kanë hyrë në fuqi në datën 1 janar 2018.

Z.Ilir Meta bëri betimin e tij me datë 24.7.2017, pra që nga ajo datë ka marrë detyrën e tij si President i Republikës. Një nga kompetencat e tij si President, në bazë të nenit 134, pika 1, gërma “a” është që të vinte në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Në përputhje me nenin 50, të Ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, Presidenti kishte afat dy vjet nga hyrja në fuqi e ligjit nr.68/2017, pra deri më datë 6 qershor 2019 për ta kundërshtuar këtë akt juridik në Gjykatën Kushtetuese.

Në fakt, nëse do ta kishte kundërshtuar që në fillim, Presidenti mund të kishte marrë dhe përgjigje nga Gjykata Kushtetuese në atë kohë, pasi kjo e fundit doli jashtë funksionit për shkak të procesit të vetingut vetëm nga gjysma e dytë e vitit 2018. Por gjithashtu mund të ishte çuar më mbrapa, siç u kundërshtua ligji i Teatrit apo edheVKM për kalimin e pronësisë së Teatrit. Asnjë nga këto veprime nuk u bë nga Presidenti i Republikës. Ai mbajti një rol pasiv, megjithatë tani gjen kurajon edhe të kritikojë Gjykatën Kushtetuese.

Ankesa që ai do kishte bërë, do të shmangte dhe ngatarresën me thirrjen e Presidentit si subjekt i interesuar. Në fakt, një kërkesë e tillë u paraqit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit duke argumentuar se dhe Presidenti kishte dhënë pëlqimin e tij, si edhe se Presidenti ka një rol të rëndësishëm në procesin ligjvënës. Këtë pretendon dhe Presidenti në letrën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, rol të rëndësishëm në procesin ligjvënës si edhe faktin që ai është subjekt i pakushtëzuar dhe mund ta vërë vetë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

Në fakt asnjë nga këto argumente nuk qëndron. Kështu e para, Shqipëria është një republikë parlamentare dhe jo presidenciale (neni 1, pika 1 e Kushtetutës). Për rrjedhojë, Presidenti nuk ka një rol determinues në procesin ligjvënës. Pra, ai nuk ka të drejtë nisme legjislative, nuk shqyrton projektligjet si edhe nuk voton për to. Ligji quhet i miratuar kur vendos Kuvendi dhe jo kur shprehet Presidenti. E drejta e tij për të ushtruar veton pezulluese, pra për ta rikthyer dhe njëherë ligjin për rishqyrtim në Kuvend, nuk i jep ndonjë rol të veçantë në procesin ligjvënës. Kështu ka rezultuar që, sipas nenit 85 të Kushtetutës, dekretet e Presidentit të Republikës, në shumicën e tyre, të mos pranohen nga Kuvendi dhe dukshëm roli i tij është mbyllur me kaq.

Nga ana tjetër, pozita procedurale e kërkuesit (subjektit që kërkon shfuqizimin e një akti juridik) me atë të subjektit të interesuar (subjekti që ka nxjerrë aktin ose preket prej tij) nuk janë e njëjta gjë. Për këtë dallim, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese është mjaft e pasur dhe specifikon qartësisht dallimin midis tyre.

Më konkretisht, Presidenti nuk mund të merrte pjesë në këtë gjykim pasi së pari e kishte shpallur ligjin, së dyti nuk kishte bërë vetë kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe së treti, norma e kundërshtuar nuk kishte të bënte me kompetencat e Presidentit. Kështu që ky vendim mëse i drejtë i Gjykatës Kushtetuese, kritikohet nag Presidenti, i cili në gjithë këtë histori nuk ka asnjë rol.

Përsa i përket dallimit midis gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku një pjesë kritikohen dhe një pjesë lavdërohen, tregon një qasje që në çdo vend me standarde demokratike do të ishte e paimagjinueshme. Në fakt siç e ka thënë dhe vetë Gjykata Kushtetuese vendimet e saj janë të padiskutueshme dhe të detyrueshme (vendimet nr.21/2010, nr.10/2021 etj), kështu asnjë institucion përfshirë dhe Presidentin e Republikës, nuk mundet që t’i diskutojë ato, por duhet që vetëm t’i pranojë. 

Në ndryshim nga ky rol kushtetues i tij, Presidenti i Republikës merr kurajon t’i thotë Gjykatës Kushtetuese që ka gabuar, duke pretenduar në thelb se e njeh Kushtetutën më mirë se gjykata dhe në thelb duke marrë rolin e kryegjykatësit në vend, që gjykon dhe vetë Gjykatën Kushtetuese.

Këtë veprim, ai nuk mund të bëjë për disa arsye, por më kryesorja është që neni 124 i Kushtetutës ngarkon Gjykatën Kushtetuese të zgjidhë mosmarrëveshjet kushtetuese dhe të bëjë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Pra, ky rol është i Gjykatës Kushtetuese dhe jo i Presidentit, i cili thjesht duhet t’u bindet vendimeve të saj.

Nga ana tjetër, Presidenti nuk ka as formimin e një juristi, ai ka studiuar për ekonomi. Pra, një profesion që kurrsesi nuk mund t’i japë të drejtën të vlerësojë një vendim gjyqësor, aq më tepër një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por gjithashtu rezulton se Presidenti i Republikës nuk e ka ushtruar asnjëherë as profesionin e ekonomistit. Ai si punë të parë ka atë të deputetit. Pra, një person që asnjehërë nuk ka ushtruar profesionin për të cilin ka studiuar, merr përsipër të vlerësojë profesionistët e një fushe tjetër. Qartazi, qëndrimi i tij është absurd dhe jo logjik.

Në këtë pikë e shohim të nevojshme që të ndalemi te debati midis Mbretit të Anglisë, James I, me juristin dhe gjyqtarin e famshëm Edward Coke, që i përket çështjes Case of Prohibitions EWHC J23 (KB) të vitit 1607. Në këtë debat, Mbreti në mënyrë të qartë kërkoi që një çështje e caktuar të vendosej siç kërkonte ai, duke qenë ai i vetmi autoritet ligjvënës dhe gjyqtari më i lartë i mbretërisë. Këtij qëndrimi, gjyqtari i famshëm Edward Coke iu përgjigj:

Derisa Mbreti të fitonte njohuri të mjaftueshme të ligjit, ai nuk kishte të drejtë ta interpretonte atë; Një njohuri e tillë kërkon zotërimin e një arsyeje të fortë dhe intelegjence të lartë ... e cila kërkon studim dhe përvojë të gjatë, përpara se një person të mund të arrijë njohjen e saj.   

Ndarja edhe në këtë rast është e qartë: nga njëra anë kemi një trupë gjyqësore të vlerësuar nga një procedurë kushtetuese si të aftë për të intepretuar Kushtetutën dhe nga ana tjetër kemi një President që pretendon se është vetë organ ligjvënës dhe kryegjykatësi më i lartë i vendit, duke tentuar në fakt ta dërgojë Shqipërinë edhe përpara vitit 1607.

 / Respublica /

Comments

Submitted by Shkurt e Qarte (not verified) on

Mesoni gjuhen shqipe meqe jetoni ketu:
KUSHTETUTA
Neni 162
1. Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i
kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës
dhe ligjeve.
........
2.....
Neni 163
Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon:
a) veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të
personave të tjerë juridikë shtetërorë;
b) përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet
e pushtetit qendror dhe atij vendor;
c) veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët
shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur
huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti.
TE TJERAT JANE PERRALLA.
Nese nuk keni mesues, ju rekomandoj Lindita Nikollen te ju afroje nje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.