Vaksina erdhi. Tani t'i ngrihet kënga

Postuar në 01 Janar, 2021 18:23
Skerdilajd Zaimi

 

Në internetin shqip rastis të gjesh edhe një mjedis miqësor, ku njerëzia flasin me dëshirë të mirë dhe me nostalgji për një kohë të cilën mesa duket një pjesë prej nesh e kanë kthyer në orientim të asaj që është e mira.

Këngë e filma të para ’90-ës shoqërohen thuajse të gjitha me komente pozitve, me një farë respekti edhe për kohën kur janë realizuar. Në përgjithësi duket se kjo qasje ndodh për arsye të shumta, por këtu duhet të veçojmë së paku tre: e para është nostalgjia si e tillë për rininë, për një kohë ku komuniteti kishte funksione reale.

Së dyti, ajo kohë u dha njerëzve referenca të së mirës dhe të së keqes, duke kanalizuar angazhimin dhe besimin moral mbi gjërat. Tjetër punë sa të vërteta janë referencat dhe sa iluzore ishin ato.

E treta është se një arsye pse koha e regjimit komunist riciklohet në fragmente të tilla si kohë e vlerave është për shkak të një “fataliteti” historik që e gjeti rënien e komunizmit apo regjimit të shkuar me ofertën e konsumizmit si alternativë. Konsumizmi në vetvete është parë si shenjë e një krize të thellë morale edhe në Perëndim për shumë aspekte të tijat, kështu që ai nuk mund të shërbente si element strategjik në diskreditimin e një epoke.

Situata në rastin e shqiptarëve meriton studime, qoftë edhe pse një pjesë e jona janë emigrantë dhe i qasen kujtimeve me dy ndërfaqësime: një të kohës që kalon dhe e dyta të përvojës joshqiptare.

Ky grup është si të thuash konservator, ajo pjesë e shoqërisë që po koagulohet rreth idesë se ne si shoqëri kemi humbur më shumë sesa kemi fituar me lirinë e pas ‘90-ës. Sidomos në aspektin e identitetit dhe të kulturës.

Këtij grupimi me qasje kritike, i kundërvihet ose i kundërqëndron një shumicë e papritur që kanë një lehtësi të pakonceptueshme për t’iu afruar “skenës publike” duke vetëafishuar një identitet dhe pretendim që as mund të mendohet te njerëz me një minimum skrupuloziteti dhe që kanë një ide se çfarë është Publikja.

Ky grup blen dhe bën çfarë do, si do dhe kur do në hapësirën dixhitale duke tubuar dhe manifestuar  një nënkulturë e cila pajton ruralen, provincialen në karakteristikat e kapadaillëkut dhe nevojës për të thënë diçka. Kjo e thënë që nuk ka asnjë vlerë reale, është në fakt shenjë e të bërit diçka në mexhlisin dixhital, e cila do të kishte një farë vlere për komunitetet nëse do të përfaqësonte diçka.

E kotë. Teksa kërkon p.sh në internet për këngëtarë lokalë shqiptarë që kanë zërin e tyre në historikun e qyteteve apo krahinave, të del përpara një arsenal “krijimesh” të dedikuara për njerëz të ndryshëm, të vdekur a të gjallë, që postohen online për të rrëfyer kush e merr vesh kush se çfarë. Elegji, vaje, pamje, fotografi amatore, fshatrave dhe mbi tavolina mbushur me mish, Shqipëria e padukshme nga Tirana njësoj si ana e errët e Hënës, prezantohet me të gjithë mjerimin dhe jokulturën e vet në internet nën okelion e emrave “të njohur” të artit.

Janë këto ninulla të vetes, namatisje fshatçe të sedrës që nuk di ku të afirmohet në një botë që shet e blen çdo gjë. Ninulla si ato që kemi dëgjuar ndër vite: këngë për Sali Berishën, për TvKlan, për Edi Ramën, për çdo gjë të gjallë që ka diçka në dorë. Këto janë krijime me mik për “miq” që duhen, janë lapidarët e radhës për heronjtë e ditës që duhen patur sa në një xhep në tjetrin.

Edhe ky lloj arti që është në fakt një fletë e trashë dhe ende e pambaruar e kartelës psikike të një shoqërie të tërë kërkon studime të rrënjësishme. Nga ato ndërdisiplinoret ku Psiko-folkloristika është e domosdoshme.

Deri atëherë ne duhet të shpresojmë se një këngë për vaksinën duhet krijuar, kënduar e publikuar. T’ia valojmë edhe në 2021-n siç dimë vetë pa u skuqur e zverdhur se fundi i fundit një jetë kemi. Edhe atë ta hedhim sa s’është vonë në JUTUB.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Kur ske gje per te thene gjeja me e mencur qe mund te besh eshte te heshtesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.