Sevdaja për dhunën po përsërit manipulimin e 2013-ës

Postuar në 12 Dhjetor, 2020 22:42

Dhuna urbane e turnit të dytë, e cila prej disa ditësh është prezente në disa qytete, ka ngazëllyer një pjesë të shoqërisë shqiptare. Ose më mirë asaj pjese që është e angazhuar publikisht kundër qeverisë dhe Edi Ramës. Këtu nuk është çështja të shqyrtojmë motivet, por të kuptojmë premisat politike dhe sidomos pasojat.

Ne po shohim urrejtje të madhe që ka shpërthyer në një konsensus relativ për dhunën iracionale. Për këtë e ka përgjegjësinë një njeri i vetëm: Edi Rama. I cili vetëm urrejtjen meriton 100% në këtë botë. Por kjo urrejtje pa kokë e pa tru, që kujton se te dhuna ka materializuar shpresën e ndryshimit, është shumë e dëmshme sot. Sepse ne nuk jemi në vitin 2011, 2012 dhe as 2013. Ne jemi në vitin 2020, kur edhe ata më naivët e kanë kuptuar se çfarë politike drejton këtu. Si vallë sot manipulohet njësoj:  atëherë emri Berisha, sot një akuzë pa përmbajtje dhe me sens alarmant se po vendoset diktatura?

Dhuna që sot vetëcelebrohet në iluzionin e forcës, në të vërtetë ndihmon me spektaklin e rremë përsëritjen e atij manipulimi të hidhur dhe me shumë pasoja të vitit 2013. Që do të thotë: nëse Edi Rama do të rrëzohet për një vrasje për të cilën nuk ka përgjegjësi direkte, ky do të ishte aksidenti final i të ashtuquajturës demokraci shqiptare. Sali Berisha u largua nga pushteti me votë, por për arsyet dhe mesazhet e gabuara dhe përmes një pazari që është më i pistë sesa e gjithë qeverisja e tij. Asokohe shumëkush mbylli sytë, madje e miratoi me zell këtë Pazar duke parë nga e ardhmja. Por cila e ardhme është ajo që vjen duke minuar fushën e veprimit të çdo drejtësie dhe llogaridhënieje?

Është pikërisht e sotmja që jetojmë të gjithë. Një e sotme ku flitet për të nesërmen e ndryshimit, duke harruar se çfarë ndodhi këto 8 vjet.

Po shpresohet që këtë operacion lufte ta kryejnë në emër të një vrasjeje me përgjegjësi personale në kuadër të një ballafaqimi ku nuk flitet për koncesionet, vjedhjen, korrupsionin, trafikun. Njësoj si në vitin 2013, kur z. Rama siguronte socialistët e tij dashur se duhet “t’ia linin atij përgjegjësinë e marrëveshjes me Metën”. 

Sot njerëzia lumturohet me dhunën në rrugë sepse kujton se ajo po frikëson Edi Ramën, po e dobëson atë. Ndoshta, por kjo dhunë nuk hap rrugë për drejtësinë, për largimin e tij në emër të mesazhit për kontroll, hetim dhe gjykim për korrupsionin. Lumturohet sepse urren, por nuk po do të kuptojë se po e ndihmon politikën të mbyllë ato çështje që nuk do donte kurrë të hapeshin. Pa folur për turpin e madh të gjoja protestës në emër të personit të vrarë dhe drejtësisë për të. Pa folur edhe më tej se dhuna, mbështetja e saj publike kanë fytyra me identitet politik. 

Edi Rama duhet të ikë urgjentisht. Por ai duhet të ikë për arsyet e duhura në mënyrë që nesër rotacioni eventual ta ketë stresin e hetimit të tij, jo ta injorojë atë pikërisht sepse ne jemi vazhdimisht budallenj. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Kur flet per te pandehur ai ka nje emer. Quhet Edi Rama. Kur flet per pergjegjesine ajo eshte e politikes. Me tej arsyetimi mjegullohet edhe me shume tek zgjidhja (alternativa). Po deri aty ti nuk guxon te shkosh. Te thuash qe ne duhet te zgjedhim ne alternative te Edit-Lulin sikur peshtjellohet muhabeti. Ne kuptimin e mirefillte te peshtjellimit. Nga ai peshtjellim qe ti bien zorret ne fyt. Sepse me pare ai zoteria alternativ duhet te spjegoje cilat arsye mjekesore e penguan per dy vite rresht te shkonte ne prokurori (ku ai mezi po priste te shkonte dhe te sqaronte pozicionin e tij te nje njeriu te pafajshem) per 200 milion euro. Jane 240.000.000.000 leke. Nuk ja del dot te numerosh zerot. Po ju a keni shpirt qe incentivoni nje krokodil si ai? A nuk ndkeheni pergjegjes per cfare i ofroni popullit. Edi Rama ha mish njeriu prandaj nuk duhet votuar nuk eshte me argument.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.