Nuk është protestë, por dhunë urbane

Postuar në 10 Dhjetor, 2020 20:39

Ajo që po ndodh këto dy ditë është asgjë më shumë sesa një mishelë e urrejtjes së ligjshme ndaj Edi Ramës dhe mbarë socialistëve në pushtet, me nevojat politike të opozitës. Produkti shihet: Ministri i Brendshëm i “dorëhequr” me sebepin e duhur dhe okelion e përshtatshme.

Pse vallë ndodhi kjo? Pse ky duf çoi ujë në mullirin e Edi Ramës? Sepse nuk kishim protestë reale, por dhunë urbane që vazhdon nën drejtimin operativ të personazheve pas të cilëve nuk rend kush e që të cilët janë me profil publik falë mediave që me të vërtetë janë bërë kazani i këtij vendi.

Ajo që po shohim është një imitim emocional dhe skenik që është esenca e filmit “Jocker” me protagonist Phoenix, që vret hapur dhe provokon një rebelim anarkik në një qytet ku hierarkitë duken të paprekshme, të pasfidueshme dhe ku ato ushtrojnë me permanencën dhe palëvizshmërinë e tyre një dhunë psikologjike të padurueshme.

Në Tiranë kemi një njeri që bën çfarë do, si do dhe kur do, jo pse është i fuqishëm, por sepse ka përballë impotentë të shitur e të blerë që nuk kanë asnjë aminoacid fitues. Është frustruese në kulm të dish se zgjedhjet janë formale, se mediat shkruajnë kot, se skandalet mbyllen me para, se të duhet vetëm të ikësh e të mos flasësh, të harrosh se duhet të mendosh dhe reagosh.

Ndodh një ngjarje e tillë dhe shohim kazanë që digjen, qejflinj dhune dhe Gavroshë të veshur firmato që e bëjnë tym e zjarr. Për hir të gallatës që ka një barrikadë ndaj të Fortëve, që janë qeveria dhe bandat e saj, të qenit pakëz histori në këtë vend pa kuptim, një grafit në një mur, një i prangosur dhe i fotografuar, një hero pra i përrallës së këtij pseudoqyteti.

Kjo është mëria e Facebook-ut e shndërruar në lëmsh politik dhe kaos urban i përkohshëm që bashkon të gjithë të dëshpëruarit që duan të gjobisin sipas mendimit të tyre qeverinë. Që duan të bëjnë atentat personal ndaj arrogancës së padurueshme të Kryeministrit. 

Të tjerët, ata që duan vërtet këtë vend, janë pa gojë, pa fytyrë sepse të tillë i la Protesta që u shit dhe u arkivua. Ndaj të argëtohemi!

s.zaimi

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.