Agjentë të të gjitha llojeve, Bashkohuni! (Ish-presidenti nuk ka folur ende me emra)

Postuar në 16 Nëntor, 2020 22:18

Lulzim Basha ndodhet së fundmi në shënjestrën propagandistike të kryeministrit me akuzën e çuditshme se ka punuar për shërbimet e huaja në përpilimin e dosjes kundër Hashim Thaçit. Në bindjen e opinionit se Basha është agjenti që i bëri hatanë Thaçit janë angazhuar edhe gazetarë të ndryshëm. Mirëpo kjo puna e akuzave për agjentë është e vjetër.

Më poshtë po sjellim një shkrim të revistës “Mapo” të vitit 2012 ku ish-presidenti Bamir Topi citohet se akuzon për ekzistencën e agjentëve të shërbimeve të huaja në Shqipëri. Gazeta më e lexuar “Tema” ka bërë me atë rast një interpretim të vetin për komentet e z. Topi sjellë në një shkrim të gazetarit Lorenc Vangjeli. Vallë janë evidentuar këta agjentë, apo vazhdojnë ende të llafosen lart e poshtë me popullin për hallet e Shqipërisë?

Nuk dihet ende, por ja kjo është një Temë interesante që kërkon investigim e që përveçse të mban më të lexuarin, të bën edhe të lexueshëm.

***

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Katër vjet më parë, ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi dha një deklaratë të jashtëzakonshme: një gazetar i njohur shqiptar, nën urdhrat e shërbimit të fshehtë serb, kishte tentuar të dëmtonte vizitën e Kryetarit të Shtetit në Kosovë. Nuk tha emra, por ishte e lehtë për këdo që kishte sado pak informacion që të krijonte identikitin e gazetarit kontravers që i ngjan një penduli që shkon nga e majta ekstreme tek e djathta ekstreme, ku ndodhet tani së fundi. Madje edhe i shpërblyer me një funksion të rëndësishëm në strukturat shtetërore. Por sa më e madhe zhurma që ngre akuza, aq më e thellë është heshtja që e pason atë. Dhe më e tmerrshme se akuza e zotit Topi, ishte mosreagimi total i vetë organizmave të shtetit. Në të gjitha hallkat e interesuara të shtetit duke nisur nga Prokuroria e duke përfunduar tek kryeministri i vendit. Që për më shumë, në shkurt të këtij viti hodhi firmën e tij për ripunësim mbi emrin që ndodhet në dosjet e agjentëve shqiptarë që punojnë për llogari të Beogradit.

Katër vjet më pas, Bamir Topi e mban mend mjaft mirë deklaratën e tij të dikurshme: “Po, është e vërtetë çfarë kam thënë atëherë dhe është e vërtetë që ai individ – mos ma kërkoni mua emrin e tij – ka disa muaj që është shpërblyer me një post të lartë dhe paguhet si funksionar i shtetit shqiptar”, thotë Topi. Në rrugëtimin e tij nëpër Shqipëri që po kryen për llogari të forcës së tij politike, zoti Topi rikujton një tjetër deklaratë të fortë të hershme, të cilën e ripërsërit me të njëjtin pezm: “Njerëz me dosje ka dhe në parlamentin shqiptar, janë mes atyre që ngrenë kartonat, që prodhojnë ligje dhe ekuilibrojnë balancat politike”.

Çfarë mund të ndodhë tjetër përtej këtij paralajmërimi që të shkundë pluhurin e heshtjes që bie në mënyrë të çuditshme sa herë që media dhe vetë politika tentojnë të hedhin dritë mbi këtë çështje? Asgjë! Edhe pse historitë me spiunë janë një nga çelësat e ndryshkur që mund të shpjegojnë shumë mistere të historisë së shkuar dhe sidomos, të historisë moderne të Shqipërisë në këto dy dekadat e fundit të pluralizmit. Kësaj ane të kufirit dhe asaj ane të kufirit të banuar po nga shqiptarë.

Me një mision të ri politik, Bamir Topi, edhe pse nuk e thotë shprehimisht, le të kuptohet se spastrimi i vendimmarrjes politike dhe publike nga njerëz me hije të së kaluarës, është pjesë e ambicies së tij. Si një nismë që nuk nis tani, por e ka një nga fillesat që në vitin tashmë të largët 2006. Në atë vit, nga pozita e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Topi përgatiti një projektligj për hapjen e dosjeve. “Ishte një projekt i përbashkët me homologun tim socialist të kohës, Pandeli Majko, por që nuk mundi të shndërrohet në ligj. Tre vjet më pas, një tjetër projekt që dukej se në formë synonte të njëjtën gjë, por në thelb nuk zgjidhte asgjë, u konsiderua si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe u hodh poshtë. Më parë, lustracioni kishte marrë kritika të forta nga gjithë aktorët ndërkombëtarë që mbikëqyrin reformat në Shqipëri dhe shoqëria civile”, thotë Bamir Topi. Që në bisedën e tij të gjatë me JAVA le të kuptohet se një nga premtimet e forcës së tij politike është shmangia përfundimisht e këtij ankthi dhe makthi që ka zënë politikën. Me histori të vjetra dhe të reja dosjesh, me ustallarë të regjimit të vjetër komunist apo homologë të kundërzbulimeve të huaja. “Ka ardhur koha e madje është shumë vonë për të bërë transparencë, për të nisur një fillim të ri në këtë drejtim”, premton Bamir Topi, që në këtë veprim sheh edhe një vokacion të së djathtës që ai tenton ta përfaqësojë.

Informacioni

Në postin e kreut të shtetit, informacioni që merr për shkak të detyrës, është një nga shenjat më të dukshme të pushtetit. Dhe në pesë vjet, Presidenti i Republikës ka marrë për shkak të detyrës një lumë informacioni që në pozitën e tij të re në krye të një partie të sapokrijuar, merr një rëndësi të posaçme. Sipas kushtetutës, Presidenti i Republikës jep gradat ushtarake më të larta, emëron ambasadorët e Republikës së Shqipërisë, emëron drejtorin e SHISH, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Në të gjitha këto pozita kyçe, figura morale e njeriut mbi emrin e të cilit Presidenti vë firmën në dekret, është mjaft e rëndësishme. Edhe e shkuara. “Në këtë vendimmarrje mjaft delikate, Presidenti e ka për detyrë dhe detyrim që të konsultohet me institucionin që mban arkivin e të dhënave për personin që do të promovohet. Ky arkiv, kjo bazë të dhënash, ndodhet në SHISH. Dhe SHISH ka për detyrë dhe detyrim që ta japë këtë informacion. Ai është informacion i klasifikuar. Pra, nëse personi del i pastër, procedura vijon normalisht, në të kundërt, ajo duhet të ndërpritet. Rasti kur kandidati ka probleme, pra, kur në të shkuarën apo në të tashmen e tij rezultojnë implikime agjenturore, nuk është e thënë që të bëhet publik. Të paktën këtë parasheh ligji”, thotë Bamir Topi.

 

“Eshtë bërë një gjë e tillë rast pas rasti në këto 20 vjet të politikës pluraliste në vend”? Bamir Topi, vetëm pak muaj mbasi u largua nga karrigia presidenciale, refuzon me mirësjellje të japë një përgjigje direkte. Pohuese apo mohuese. Por deklarimet e tij se “Edhe në Kuvend ka njerëz me dosje”, nuk le asnjë shteg për hamendësim. Në rastin më të mirë, një kontroll i tillë është bërë në mënyrë selektive dhe vullnete më të forta se morali, dikë e kanë lejuar të kalojë gardhin, dikë tjetër jo!

Edhe për motivet se pse ka ndodhur kështu, Topi ka një përgjigje të gjatë, e cila fillon në pikën më të mirë me naivitetin e mungesën e vullnetit dhe shkon deri tek kryerja me dashje dhe vullnet i akteve të tilla.

Po kryeministrin kush e kontrollon?

Neni 96 i Kushtetutës përcakton se: “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend”. Këtë thotë Kushtetuta. Por dhe këtu ka një “të çarë në gardh”. Në kushte teorike, mjafton propozimi i një partie apo koalicioni partish që ka shumicën në Kuvend që një individ të bëhet kryeministër. Sërish në kushte teorike, ky individ mund të ketë probleme serioze në të shkuarën e tij. Mund të ketë probleme të të njëjtës natyrë edhe në të tashmen e tij dhe të mbetet peng i tyre. Historia shqiptare, në një mënyrë apo një tjetër, raste të tilla nuk i ka konsideruar përjashtim. Ndoshta po aq sa Kastriotët, ky vend ka njohur edhe Hamzatë. Të paktën tek ata që e kanë drejtuar dhe në emër të pushtetit të tyre, kanë bërë çdo lëshim tek të tretë. Sidomos nga ato lëshime që binin në kurriz të vendit.

Nga kjo pikëpamje, Kushtetuta ngjan e mangët dhe në mos pengon Hamzain të ngjitet “në fron”, nuk është se i jep ndonjë avantazh Kastriotëve. E njëjta situatë është dhe me gjithë kabinetin e kryeministrit, pavarësisht se filtri për ta, është më i imët se ai për shefin e tyre. Dhe nis që në momentin e kandidimit për deputet. Të paktën kështu ka qenë. Të paktën kështu shpresohet të jetë.

Ajo çfarë ndodhi në qershor të këtij viti, me kandidatin e maxhorancës për President, zotin Artan Hoxha, në fakt është më shumë se një dramë personale dhe një zhgënjim apo betejë personale. Zoti Hoxha u ndesh me akuzën për përfshirje të tij në strukturat e ish-sigurimit të shtetit në moshën e adoleshencës dhe kaq mjaftoi që ai të japë dorëheqje nga kandidimi për të tentuar të marrë dhe njëherë në dorë fatin e tij: pastërtinë e të shkuarës së tij. Por me legjislacionin aktual, Hoxha nuk mund të sigurojë legalisht asnjë fije letër për të vërtetën e tij.

Dekreti për kreun e SHISH

Ndër shumë debate të nxehta për shkarkimin nga detyra të drejtorit të SHISH Bahri Shaqiri dhe emërimin e pasardhësit të tij Visho Ajazi Lika, një prej tyre ishte dhe ai që kishte të bënte me vetë Likën. Kush ishte ky njeri? Cila ishte e shkuara e tij përtej CV-së mbresëlënëse si njeri i shkencës, por dhe si zyrtar i lartë i shtetit shqiptar? Fillimisht si pjesëtar i SHIK-ut famëkeq të gjysmës së parë të viteve 90’? Dhe mbi të gjitha, çfarë kishte ndodhur me të në një frakturë të errët të jetës së tij, për plot dhjetë vjet që ai ndodhej në Kanada në emigracion?

Në propozimin e kryeministrit dhe dekretimin e Presidentit nuk mund të ketë asnjë të dhënë të tillë. Por në të njëjtën kohë, nuk ka asnjë të dhënë që edhe kryeministri, edhe presidenti të kenë kontrolluar mbi pjesën “sekrete” të jetës së njeriut që po i besonin sekretet e shtetit. As kryeministri dhe as presidenti nuk mund të japin një përgjigje nëse dinë se çfarë ka bërë zoti Lika në këto dhjetë vjet të jetës së tij larg Shqipërisë. E saktë është vetëm që ai gëzon shtetësi të dyfishtë, shqiptare dhe kanadeze dhe se për të marrë pasaportën e vendit të madh të Amerikës së Veriut, atij i është dashur të betohet për besnikëri ndaj Mbretëreshës Elisabetë e Anglisë. Deri këtu, nuk ka asnjë të keqe, fundja britanikët janë në mes të aleatëve më dashamirës së vendit dhe kanadezët edhe pse larg, numërohen tek miqtë e sinqertë të Shqipërisë. Problemi është se spekulimet që mund të ngrihen përtej këtij caku, mund të jetë të pafundme. Spekulime që nisin që me gjobat për parking të gabuar të zotit Lika në Kanada e deri tek punë të tjera të liga në ekstrem. “Më së paku naivitet”, këtë emër meriton nguti i kryeministro-presidencial për të pushtuar edhe SHISH-in dhe për ta lënë atë nën kontroll të një dore të pakontrolluar. Ose të kontrolluar vetëm politikisht.

Ligji për pastërtinë e figurave

Viti 2008 do të kujtohet veç të tjerash edhe për tentativën për të miratuar një ligj për “Pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”. Versioni i fundit i tij i miratuar në Kuvend, sipas vendimit të gjykatës Kushtetuese dhe kritikave të forta të ndërkombëtarëve, rezultoi të ishte i papajtueshëm me Kushtetutën. “Nisi mirë, por u prish rrugës”, kujton Aleksandër Biberaj, ish-deputet i PD-së dhe një nga autorët e ligjit. “Në fund, qëllimi i ligjit pothuaj u reduktua në krijimin e hapësirave për largimin disa gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk i pëlqenin kryeministrit”, thotë Biberaj. Ai kujton edhe debatet e nxehta që e kanë shoqëruar shkrimin e projektligjit, një nga versionet e të cilit ndëshkonte vetëm “…funksionarët publikë të zgjedhur e të emëruar për periudhën 24 tetor 1944 deri në 31 mars 1991 që kishin  marrë pjesë në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit si dhe drejtues apo punonjës operativ, legal e ilegal apo bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit…”.

Biberaj kujton se ka pasur përplasje të forta sidomos për një kategori tjetër, atë të bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja sekrete. Sipas tij, eksperienca e vendeve lindore, sidomos atyre baltike dhe Polonisë, e orientonte një ligj të natyrës së tillë më së shumti tek agjentët e huaj. Në Shqipëri një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. “Agjentët shqiptarë të shërbimeve të huaja kanë një specifikë të veçantë në krahasim me ata që ish-Sigurimi i ka përdorur brenda për brenda vendit. Ata kanë punuar kundër interesave kombëtare të vendit dhe për këtë duhet të ishin e të jenë edhe më të ndëshkueshëm. Por e gjeni kush ishte kundër vendosjes së tyre në ligj? Kush tjetër përveç Sali Berishës”, thotë Biberaj.

Tre spiunë

Të shtunën e shkuar, JAVA publikoi identikitet e tre agjentëve të fuqive të huaja, dy nga të cilët kishin qenë anëtarë të komisionit për ndarjen e detit me Greqinë. Nuk u dhanë emrat e tyre sepse në mungesë të ligjit, çdo përmendje mund të konsiderohej si nxjerrje e të dhënave personale. Por këtu nuk ka asnjë sekret. Shumëkush i di emrat e tyre, duke nisur që me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. I cili edhe në këtë rast, si në shumë raste të tjera, zgjodhi heshtjen për t’ju përgjigjur këtij skandali ulëritës.

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Keta, soji i Topave dhe Tupaneve qe te gjithe jane agjente.
Kush nga keta politikane ketu e 30 vjet, ka bere perpjekje qe fatet e atdheut dhe te popullit t'i udheheq vete?! Pa ia lene ne dore ose marre rekomandime dhe ide nga Brukseli, Uashingtoni, Beogradi, Roma, Athina e Ankaraja.

Jane keta dhe deputetet qe shkojne dhe raportojne neper Ambasada cdo plan , perpjekje ose marreveshje te qeverise me shtete apo pale te huaja, sepse qe te gjithe kur hyjne ne parlament apo zyre te qeverise me se pari iu jane betuar padroneve te tyre te akredituar ne Shqiperi si Diplomat.
Keta e kane ne gjeneze, te trasheguar nder shekuj. Me katolik se Papa, me turk se vete turku yuruk, me grek se vete greku, me komunist se vete Marksi, me amerikan e me francez se vete keta te fundit.
Kane shitur nderin e tyre, kane mohuar fene e prinderve, kulturen e tyre, emrin dhe traditen qe ata ia kane dhene. Vetem per nje post, jane me besnik se sa qeni Hatchiko, ja karshi popullit por karshi padronit.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nuk jam aspak dakord qe Kastrioti te kete perparesi ndaj Hamzait. Fundja e njejta familje jane. Cna tregon histori me spiune kot. Sipas gjithe daulleve te cilaveju i bini me zell na del qe ne shqiptaret e shesim vendin dhe me sa diket jemi te vetmit pasi te njejten gje nuk e degjojme te ndodhe me fqinjet tane. Pra eshte gjithmone nje shqiptar " i pabese" (mundesisht kryeminister) i cili shet pjese te shqiperise. Kryeministri fqinj eshte ai qe blen dhe eshte patriot i flakte. Te vjen per te vjelle. Prandaj nuk bejme hajer, se vetem nje qeveri e ndyre dhe diktatoriale na e mbyll gojen. Atehere po veme shpirtin ne paqe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.