Po nëse Gjykata Kushtetuese do rrëzonte vettingun? Përgjigja mund të vijë nga rasti ukrainas

Postuar në 30 Tetor, 2020 19:00

Presidenti ukrainas Vladimir Zelenskiy ka depozituar së fundmi një projektligj për shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese për shkak se kjo e fundit rrëzoi një draft të tijin kundër korrupsionit. Gjykata çmoi se ligji në fjalë shkel Kushtetutën dhe në këtë kuadër presidenti ka kundërvepruar me kërkesën për shkrirje. Kreu i Gjykatës, Alexander Tupitsky ka deklaruar se një akti i tillë ka shenjat e një grushti shteti.

Drafti i Zelenskiyt ka shenjat e një grushti shteti. Ai u sajua brenda një nate dhe ka tiparet e një grushti kushtetues në Ukrainë. E deklaroj këtë me përgjegjësi, sepse është në shkelje të klauzolës 149 të Kushtetutës

tha Tupitsky.  

Ai ka vijuar më tej me një pyetje provokuese teksa ka shtruar për diskutim që shkrirja e Gjykatës të bëhet edhe me një urdhër presidencial, “pa e përfshirë Parlamentin”.

Është një njeri që mori këtë përgjegjësi. Nuk ka nevojë që të lidhet kjo përgjegjësi me përgjegjësitë kolektive që nuk bëjnë askënd përgjegjës

ka vijuar Tupitsky.

Ai ka lënë të kuptohet se ide të tilla përmes të cilave parashikohet ndër të tjera edhe pezullimi i anëtarësisë së Gjykatës janë hedhur në qarkullim nga kreu i Komitetit Kombëtar të Reformave, Mikhail Saakashvili, ish-president i Gjeorgjisë dhe një personazh i pazbërthyer mirë në synimet e veta.

Ligji i debatuar dhe që ka provokuar këtë krizë kushtetuese parashikonte ndër të tjera që subjektet e tij të përpilojnë deklarata elektronike, ai i jepte fuqi agjencive kundër korrupsionit të marrin, kontrollojnë dhe publikojnë deklaratat si dhe të mbikëqyrin mënyrën e jetesës së subjekteve, duke mos injoruar kontrollin financiar. Ndërkohë që Gjykata ka çmuar këto vërejtje dhe ka vlerësuar antikushtetueshmërinë e ligjit, nga Agjencia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit vjen akuza se vendimi në të vërtetë lidhet me zbulimin e të dhënave false në deklarimet e dy gjykatësve. Por vendimi i gjykatës e detyroi agjenicë të ndërpriste aksesin në regjistrin elektronik të deklarimeve zyrtare të zyrtarëve duke çuar kështu Zelenskiyn në një zgjidhje të paprecedentë.

Situata është thuajse identike me atë që kemi dëshmuar në Shqipëri. Në thelb Gjykata ukrainase ka rrëzuar një draft për vettingun që i jep përparësi kontrollit mbi të drejtat e individit, në emër të luftës kundër korrupsionit. Një operacion radikal që reduktohet në politikë kuadri në sistemin e drejtësisë. Edhe në Shqipëri Gjykata Kushtetuese u thirr të shqyrtonte kushettueshmërinë e ligjit për vettingun dhe e cilësoi atë kushtetues, sipas të dhënave pas sigurimeve të shumicës se anëtarët nuk do të prekeshin.

Në dallim me Ukrainën, në Tiranë gjykatësit pasi dhanë votën pro ligjit dolën nga sistemi dhe sot kemi një vend pa Gjykatë Kushtetuese. Në Ukrainë është Presidenti që po kërkon ta shkrijë gjykatën, ndërkohë që në Shqipëri Presidenti bëri protestë për mbrojtjen e gjykatës, aq sa më në fund manovratori i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i keqpërdoruri Dvorani u nxor me ceremoni jashtë loje.

Ne mund të pyesim tani nisur nga analogjia e situatës: nëse Gjykata Kushtetuese shqiptare do të shpallte antikushtetues ligjin për vettingun, a do të procedonte shumica aktuale me mënyrën e Zelenskiyt? Nëse sheh draftin e përgatitur së fundmi për ligjin organik të presidentit të Republikës, bindesh se po: plani rezervë ka qenë shkrirja e gjykatës duke e shpallur atë si një kancer për shqiptarët. Dhe kjo provohet lehtësisht nga mënyra sesi u votua reforma në drejtësi: me një sms. Dhe zgjedhjet madje u zhvilluan me një parti, ato madje u njohën si demokratike nga miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Demokracia i trajton mirë delet, por ajo nuk vjen me to.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje situate nuk zgjidhet vetem me konstantime! E para, GjK eshte nje lloj institucioni i vecante, me disa atribute organi; ajo ka zevendesuar -si te thuash- Presidiumin e Kuvendit Popullor te dikurshem, i cili vendoste vulen mbi ligjet qe aprovonin deputetet. Si e tille, GjK duhet te ekzistoje pergjithmone, ndaj dhe anetaret e saj do te ishte mire te zgjidheshin direkt nga populli, per nje mandat 9 e me shume vjet, apo nga nje Asamble Kombetare.
Ne USA -sip edhe e pame para pak ditesh- anetaret e GjK, apo ndryshe (!) GjL, apo ndryshe Supreme Court, zgjidhen nga presidenti. Ne anen tjeter keta gjykates caktojne kush fiton zgjedhjet, apo vendime te ndryshme te presidentit. Edhe atje bllokohen nganjehere disa probleme, por si nje trupe mafiozesh arrijne dikur kompromise prapa syve te publikut. Shumica e ligjeve te botes anglo-saksone bazohet ne kompromisin! Ne shumicen e rasteve keto kompromise arrihen prapa dyerve!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.