Intervista/ Xhevat Lloshi: "Këshilli Ndërakademik, “jeniçeri” me prapavijë politike që kërkon shkatërrimin e shqipes standarde. Ja pse dështoi"

Postuar në 12 Gusht, 2015 00:06
Leonard Veizi

A ka ardhur koha që gjuha shqipe, ajo e normuar, standarde apo letrare quajtur ndryshe, të mos mbahet më e presuar nga vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit që u zhvillua 43 vite më parë? Kësaj pyetje mund t’i japin përgjigje vetëm gjuhëtarët, madje jo dokushdo prej tyre, por ata që janë marrë prej vitesh me një punë thellësisht shkencore në këtë lëmë. E meqenëse gjuha cilësohet dhe si pasuri kombëtare, çdo gjë që bëhet mbi shpinën e saj ka një kosto jo të vogël...

…Megjithatë deri tani asnjë gjë nuk ka ndodhur. Por, dilema është në mes gjithsesi. Zyrtarisht, në Shqipëri e trevat përtej kufirit, njihet gjuha e standardizuar në vitin 1972. Ndërsa në botimet e përditshme, ç’është e vërteta ndeshesh me gjithfarë deformimesh, që e bëjnë “gjuhën e ëmbël e me vlerë” të Naimit, krejt të shëmtuar e ndonjëherë pa vlerë. Një “ë” më shumë apo një “ë” më pak duket se vendos fatin e të gjithë fjalorit. Ndërkohë një Këshill Ndërakademik që rreket prej vitesh të bëjë ndryshimet që kërkon koha, nuk ka arritur të imponohet aq sa një Kongres i ri Drejtshkrimi të shfuqizojë shqipen e “vjetër”. Xhevat Lloshi, profesor-doktor në fushën e gjuhësisë dhe një prej delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, ka një qëndrim krejt të kundërt, madje fort të rreptë me atë çka ka prodhuar deri tani Këshilli Ndërakademik. Gjatë një interviste për “ResPublika” studiuesi i njohur thotë se Këshilli në fjalë, as më pak e as më shumë se në vend të “pararojës” shkencore, është plotësisht me prapavijë poltike:

ResPublica - Çfarë institucioni është Këshilli Ndërakademik për Gjuhën shqipe?

Përmbysja e diktaturës ushtarake, që sundoi gjatë mbi shqiptarët, u krijoi ndjenjën e lirisë aq të dëshiruar, por të një lirie, e cila mori trajtën e anarkisë. Kjo gjendje u shfrytëzua dhe u manipulua sipas interesave të grupimeve të ndryshme, ndërmjet tyre edhe të atyre, që përfaqësonin rryma me synime të vjetra antishqiptare. Në këto rrethana u ushqye ideja, se duhej shpartalluar gjithçka e ndërtuar më parë, rrjedhimisht edhe gjuha e normuar prej Kongresit të Drejtshkrimit më 1972.

Në fillim me ngut, u shpreh kërkesa për t’i përmbysur vendimet e atij forumi mbarëkombëtar dhe nëpërmjet një kongresi të tretë, të kalohej edhe te një anarki gjuhësore. Dëshmia më e qartë është e ashtuquajtura Deklaratë e gjuhëtarëve të Shkodrës, e cila është një mashtrim i përpiluar prej David Lukës, sepse deklarohet që e kanë nënshkruar 420 gjuhëtarë, ndërsa çdo njeri i arsyeshëm e kupton, që nuk mund të kishte 420 gjuhëtarë në Shkodër më 1992. Më pas u bë një propagandë e shfrenuar po me këtë frymë, ndërsa duke parë dështimet e saj, u përpunuan taktika të tjera, por pa e ndryshuar strategjinë përçarëse. Në veçanti duhet vënë në dukje, se u gjet një grup i vogël njerëzish edhe në Prishtinë, i cili ishte i gatshëm ta shkallmonte frymën e Konsultës aq vendimtare të Prishtinës të vitit 1968 dhe të hapte rrugën për realizimin e synimeve serbomadhe të kahershme për ta përçarë kombin shqiptar edhe nëpërmjet sajimit të dy gjuhëve të ndryshme. Pa u zgjatur në këtë histori të trishtë për kulturën shqiptare, mund të thuhet se pas shumë rropatjesh, kjo rrymë gjeti shtigjet për të marrë forma akademike.

Një Konferencë e nëntorit 2002 u bëri thirrje dy qeverive për krijimin e një Këshilli, i cili do të jepte rekomandime normative për problemet e gjuhës standarde.

Disa prej atyre që e përpunuan këtë thirrje, me naivitet politik nuk e kuptuan se kishin rënë pre e një fushate propagandistike, nga e cila me të vërtetë ishin tutur. Për ta dëshmuar se përsëri ishim përpara një mashtrimi, mjafton të dëftehen dy data. Më 27 tetor 2004 dy akademitë shqiptare morën vendimin për të ngritur Këshillin Ndërakademik për Gjuhën  Shqipe. Kurse vetëm dy vjet më pas Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë Shqipe u shkëput nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, u krijua Qendra e Studimeve Albanologjike dhe qëllimisht u gjymtua rëndë deri në asgjësim ekipi i gjuhëtarëve, që hulumtonin shkencërisht shqipen. Vërtetimin më të mirë e shqiptoi para pak ditësh vetë kryetari i tashëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili nxori në pah se Qendra e Studimeve Albanologjike nuk merret me asnjë farë shkence, por me dhënie mësimi.

ResPublica - Ju ngulni këmbë se ky Këshill nuk ka bërë një punë të mirëfilltë shkencore në gjuhësi?

Përfundimisht, Këshilli Ndërakademik është pjellë e një sulmi të kamufluar politik kundër shqipes standarde. Në të marrin pjesë një varg njerëzish të trembur nga mundësia se kushedi çfarë përndjekjesh të reja do të pësonin (dhe vërtet dikush i pati ca pasoja); disa të tjerë janë kameleonë të gatshëm për të kameleonuar kurdoherë; të paktët janë naivë, madje e quajnë veten të nderuar që ose i begenisin ose se po fitojnë rolin e protagonistëve, por prapa të gjithëve vepron me synime kokëngjeshura grupi agresiv kundër shqipes standarde. Ky Këshill e ka bërë veshin të shurdhër kundrejt mendimeve që i janë thënë qartë prej gjuhëtarësh “të përjashtuar” si në vitet më të zeza të diktaturës ushtarake. Në këto kushte Emil Lafe, një prej studiuesve më të njohur për çështjet e drejtshkrimit, me ndihmesa të veçanta në botimet themelore për këtë fushë, u tërhoq prej këtij Këshilli.

Pas një shqyrtimi të gjerë të punës së këtij Këshilli, Rahmi Memushaj në një libër të vitit 2013 ka ardhur në përfundimin: “si një organizëm që më shumë po i sjell dëme sesa i bën shërbime shqipes dhe kombit shqiptar, duhet zhbërë”.

Ky Këshill është një sajesë e shëmtuar politike, e cila pengon rëndë përparimin e kulturës dhe të studimeve gjuhësore, për të cilat duhen institucione të mirëfillta shkencore, siç i kanë të gjitha vendet e Europës ku duam të hyjmë, madje i kanë me tradita shekullore. Shteti shqiptar e ka për detyrë të përgatisë një ligj për ringritjen e një institucioni shkencor, që t’i kushtohet tiparit themelor të kombit, pasurisë së madhe që përfaqëson shqipja jonë.

ResPublica - Këshilli Ndërakademik ka marrë përsipër të bëjë ndryshime në gjuhën standarde apo gjuhën letrare, të sanksionuar nga Kongresi i Drejtshkrimit më 1972?

Ky Këshill ka marrë përsipër të fusë pyka në gjuhën standarde dhe, pasi të nisin të çarat, ta zhbëjë ca nga ca.

Unë e kuptoj dëshirën dhe nevojën e shtypit për të gjetur tema, të cilat ngjallin interesimin e lexuesve. Mbështes në veçanti përpjekjet për hulumtime të dukurive, të cilat lidhen me korrupsionin, me shpërdorimin grabitqar të pasurive të vendit, me degradimin moral të njerëzve nëpërmjet vesit, bixhozit, drogës etj. Por nuk e quaj të pranueshme, që tema e gjuhës shqipe të bëhet fushë për sensacione gazetarie. Ka disa gjëra, të cilat mund të quhen, si të thuash, të shenjta për ndërgjegjen e kombit. Në rast se dëshironi të bëni hulumtime, atëhere përse nuk shtroni pyetjen: Çfarë janë këta akademikë? Përse gazetarët friken nga shqyti i tyre akademik? A e dini se një prej tyre u tërhoq, nga frika se mos i dilte në shesh që kishte gënjyer për moshën? A e dini se një tjetër ka marrë afër dyqind milionë lekë të vjetra për të bërë një libër? A e keni lexuar Parathënien e Fjalorit me emrat e bimëve e të kafshëve, ku e kam vërtetuar se një Fjalor për emrat e bimëve, i botuar më 2003 nga akademitë e të dy kryeqyteteve shqiptare, është një turp i plotë për shkencën shqiptare? A e dini se një akademik nga Kosova, për t’i bërë bisht faktit, që në shkrimet e mjaft njerëzve kanë depërtuar serbizma të panevojshëm, e ka shmangur nevojën për t’u marrë me këtë dukuri, duke thënë se, punë e madhe, ju në Shqipëri e keni mbushur shqipen me italianizma dhe me greqizma. Kjo është thjesht një rrenë. Unë i jap 50 vjet kohë këtij gjuhëtari, që të studiojë gjithçka është shkruar shqip gjatë 50 vjetëve të dyta të shek. XX në Shqipëri dhe të gjejë qoftë 50 greqizma të tillë, për t’i barazuar me gjithë serbizmat e po këtyre viteve. Shkurt, a e dini se shumica e këtyre akademikëve nuk do ta kishin merituar këtë titull në asnjë vend të Europës?

Rrjedhimisht, përpara se të interesoheni se çfarë detyrash ka marrë përsipër një Këshill i tillë, si gazetarë të vërtetë shqyrtoni përbërjen e tij.

ResPublica - Ju si pjesëtar i Kongresit të Drejtshkrimit, sa jeni në dijeni të asaj që kërkon ky Këshill? A është marrë dhe mendimi juaj?

Unë bëj pjesë në ata që janë shpallur armiq klasorë ose kulakë në fushën e gjuhësisë. Armiqët dhe kulakët e kanë vendin në internim dhe jo t’u merret mendimi. Ata me vendosmëri enveriste përjashtohen edhe nga shumë veprimtari shkencore, mbi të cilat kanë vënë kthetrat këta jeniçerë. Gazetarët le të hulumtojnë se si tashmë janë përçarë në mënyrë të pandreqshme bashkësitë e pedagogëve dhe të studiuesve në këtë fushë dhe se si organizohen veprimtari, ku pala tjetër nuk qaset te dera si në ditët më të zymta të së kaluarës te ne dhe në Kosovë. Nuk e vini re, se përçarja nuk është diçka që do të shfaqet në të ardhmen, por është praktikë e zakonshme vazhdimisht gjatë këtyre vjetëve? Në të vërtetë, këto gjëra duhet t’i vëzhgojnë e t’i ngrenë përpara opinionit publik pikërisht gazetarët dhe jo unë, që jam pjesë e problemit.

ResPublica - Këshilli është mbledhur disa herë dhe ka bërë propozime konkrete, por deri tani asgjë nga ato që janë thënë, nuk janë vënë në zbatim. Përse ka ndodhur kjo?

Këshilli është plotësisht me prapavijë poltike, prandaj ecuria e tij nuk varet nga çështjet gjuhësore, por drejtpërdrejt nga dallgëzimet partiake në Shqipëri. Synimi i këtyre jeniçerëve ka qenë, që të arrinin të gjenin mbështetjen e plotë shtetërore dhe pastaj sajesat e tyre gjithashtu t’i impononin në rrugë shtetërore. Sepse në këtë fushë të vësh në zbatim propozimet, do të thotë t’i bësh me ligj e me forcë administrative. Por nuk e kanë gjetur atë mbështetje, që kujtonin se do ta kishin me lehtësi, sepse pavarësisht prej gjynaheve të politikanëve tanë, këta e kanë pasur nuhatjen se këtu puna mund të shkojë në një tronditje të thellë, si në rastin e piramidave të parave. Me gjithë mend këta agallarë të rinj kujtojnë se do të ndryshojnë veprat tashmë të botuara të Eqrem Çabejt, të Ismail Kadaresë, të Sami Frashërit, të Rexhep Qoses e të shumë e shumë njerëzve të tjerë të nderuar të penës shqiptare dhe befas, me një ligj, do ta bëjnë të duket e vjetëruar kultura e shkruar shqipe e sotme?

ResPublica - Çfarë pasojash sjellin në gjuhën shqipe ndryshimet që kërkohen herë pas here?

Për fat të mirë, ndryshime herë pas here nuk kanë ndodhur. Po të lejohet që të ndodhin, pasojat do të jenë të vajtueshme. Pa u zgjatur, po përmend dy raste. Do të duhej që herë pas here të ndryshohej emetimi i kartëmonedhave për lekun tonë. Është një absurditet i vërtetë financiar. Një karagjoz nga Prishtina, kur e kam shprehur këtë mendim, është përpjekur të më kundërshtojë në një gazetë, duke sjellë si shembull monedhën euro. I gjori ai, nuk e ditka se kartëmonedha europiane nuk ka asnjë lidhje me drejtshkrimin e shqipes! Së dyti, pështjellimi do të ishte i përhershëm në sistemin tonë arsimor, duke nisur që me abetaren, po sidomos duke ua bërë çorbë mendjen mësuesve dhe duke i kërkuar Ministrisë së Arsimit shpenzime marramendëse për t’i rikualifikuar arsimtarët dhe gjithë të tjerët. Besoj se mjafton kaq.

ResPublica - A ka ardhur koha që gjuha shqipe të përmirësohet?

Përmirësimi i gjuhës është dukuri e pandërprerë dhe, po të flasim për kohë, jemi me shumë vonesë, që vëmendjen kryesore t’ia kushtojmë pikërisht kësaj ane. Një nga dëmet e veprimtarisë zhbërëse të Këshillit Ndërakademik është edhe zhvendosja e vëmendjes në punë të paqena, duke penguar përparimin në rrugën e duhur. Një nga kinse argumentet e këtyre akado-këshilltarëve është se duhen bërë përmirësime, meqë na qenka i vështirë përvetësimi i gjuhës standarde.

Gjuha standarde mësohet, ajo nuk thithet me qumështin e mëmës. Për këtë nevojitet punë. Madje për të mësuar drejtshkrimin e mjaft gjuhëve të tjera europiane kërkohet një mund shumë më i madh se për shqipen. Shkurt, ata që i duan tani menjëherë ndryshimet në emër të lehtësimit, janë përfaqësues të dembelisë dhe paaftësisë, janë kundër zellit dhe zotësisë, janë kokëtrashë kundër mendjehollësisë.

Edhe pika tejet e fryrë për tingullin “ë” është një sajim djallëzor. Këtë tingull e kanë gjuhë që nga anglishtja e deri te turqishtja, që nga frëngjishtja e deri te serbishtja, në përputhje me sistemin e tyre fonetik. Zgjidhjet për ta paraqitur atë me shkrim janë të ndryshme, sipas rrugës së gjatë historike të këtyre kulturave.

Së fundi. Nocioni i përmirësimit mund të merret me shumë kuptime dhe prandaj do të kërkohej shumë vend për ta trajtuar.

ResPublica - Cilat janë problemet reale, me të cilat ndeshet sot gjuha shqipe?

Përsëri jemi përpara një nocioni shumë të gjerë dhe për ta rrokur këtë, po shënoj se vetë gjuha është një dukuri gjithëpërfshirëse shoqërore. Pyetja në këtë rast do të ishte e mira të ngushtohej për anë të caktuara. Po cek shkurt nja dy gjëra.

Për gjuhën e veprimtarisë shtetërore-administrative problemi më i ngutshëm është të përcaktohen modelet e akteve dhe shkresave, bashkë me terminologjinë e sferës përkatëse. E kam përsëritur disa herë, se duhet përgatitur një libër si ai, p.sh. për frëngjishten, që të botohet e të ribotohet dhe të jetë i detyrueshëm për punonjësit e të gjitha llojeve të zyrave. Menjëherë pas Pavarësisë shqiptarët e ditur kanë botuar libra të kësaj natyre. Pavarësisht nga cilësia e tyre, ata i kanë shërbyer kohës dhe është e pafalshme për ne që nuk e bëjmë dot sot.

Për gjuhën e shkollës është e detyrueshme që mësuesit të flasin e të shkruajnë sipas normës letrare. Mjaft më me mësues, të cilët është turp t’i dëgjosh kur flasin vetë në klasë dhe si pastaj do të mësojnë prej tyre nxënësit?

Për përkthyesit dhe gazetarët nevojitet të përdorin çdo ditë fjalorët, që tashmë janë gjithnjë e më të mirë. Ata e kanë kërkesë profesionale që ta zgjerojnë njohjen e visarit leksikor të shqipes. Gjuha jonë tashmë ka një pasuri të vërtetë për t’iu përgjigjur gjuhëve të tjera. Mirëpo puna ka arritur deri aty, sa mjaft veta e shohin në ekranin e kompjuterit fjalën “active’ dhe e lënë po njësoj edhe në tekstin shqip! Ose merrni foljen “konsideroj”, të cilën me një mosnjohje të plotë të kuptimit në kontekstin përkatës, e përdorin aq shpesh sa të vjen nakati.

ResPublica - Dua të ndalem tek diversiteti kulturor e dialektor i shqipes…

Larmia kulturore dhe dialektore e shqipes është një dukuri historike objektive. Në të gjitha punimet e mia prej shumë vjetësh për stilistikën kam ngulur këmbë, që kjo larmi është një fushë tjetër e pasurisë së shqipes, e cila duhet njohur sidomos nga shkrimtarët, publicistët, përkthyesit dhe mësuesit. Ndërkaq, mëshimi i anës dialektore sot është përsëri në hullinë e sulmit tinëzar kundër gjuhës standarde. Askush nuk pengon sot dikë që të përdorë variantin gjuhësor të parapëlqyer prej tij. Është lexuesi, i cili vendos ta shijojë një tekst ndryshe nga gjuha standarde ose ta lërë mënjanë. Agallarët e rinj të jeniçerëve, që duan medoemos të jenë protagonistë të pakundërshtueshëm, duan që dialektet të ngrihen në shkallën e varianteve të detyrueshme, me synimin që më pas të dalin përsipër. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast në gjuhët europiane, madje për ne, gjuhëtarët, është i njohur fakti se të folmet dhe dialektet pak nga pak rrëgjohen dhe kështu na rrëgjohet edhe një fushë e hulumtimeve tona. Përzierja e pashembullt demografike e periudhës së fundit e ka prekur fort tablonë dialektore të shqipes dhe ne e quajmë se është koha e fundit, që duhen shpëtuar mjaft gjëra me vlerë prej gjuhës së gjallë. Me keqardhje e them se vetë po shkoj drejt të tetëdhjetave dhe e shoh se nuk ndesh më në fjalë të panjohura nga goja e “pleqve”.

 

Intervistoi: Leonard Veizi

 

Comments

Submitted by Llazar (not verified) on

Nje interviste e realizuar bukur me profesorin e nderuar, studiuesin dhe gjuhetarin e Xhevat Lloshi.

Submitted by oballa@hotmail.com (not verified) on

Me vjen mire qe keta studiues e mbrojne gjuhen standarte, perndryshe do te ishte bere lemsh. Nuk luhet me gjuhen

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.