Një “Jo”pro Tsiprasit mes debatit tonë provincial

Postuar në 04 Korrik, 2015 15:13
Andi Bushati

Që kur kryeministri grek Aleksis Tsipras shpalli mbajtjen e një referendumi dhe i kërkoi popullit të tij ta mbështesë me një “JO” të fortë për të vazhduar bidedimet me Trojkën ( FMN-në, Bankën Qëndrore Europiane dhe Komisionin Europian), kjo ngjarje po shihet me interes të madh edhe në Shqipëri. Ajo po ndiqet me vëmendje jo vetëm për ndikimin që ky precedent i Europës moderne ka mbi ekonominë tonë, mbi bankat greke që ende ruajnë rreth 16% të aseteve në sektorin bankar shqiptar, mbi remitancat që sjellin emigrantët shqiptarë që pothuajse janë përgjysmuar në tetë vitet e fundit, por edhe për jehonën që ajo po merr nëpër botë. Në faqet online shkrimet për referendumin grek janë ndër më të klikuarit, ndërsa në emisionet e mbrëmjes po i jepet hapësirë gjithnjë e më e madhe argumentave se pse grekët duhet të votojnë “Po”. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Po të ndjekësh ata pak ekspertë shqiptarë që flasin për krizën greke menjë herë të krijohet ideja se në komunikimin për këtë ngjarje, që mund të ndryshojë Europën e së nesërmes, ka një trushplarje të frikshme të ndikuar nga ideologjia dominuese e Brukselit. Thënë në mënyrë të thjeshtëzuar, në mediat tona është vizatuar klisheja e grekut tipik, që ditën ngrohet në diell dhe natën shkon në buzuqi, që jeton në bollëk me borxhet e marra prej më shumë se 30 vjetësh nga Europa, që del në pension që 45 vjeç dhe që pastaj shkon të jetojë nëpër ishuj. Këtij vizatimi karikatural i shtohen edhe paaftësia e një vendi për të ngritur shtet, për të mbledhur taksat, për të luftuar korrupsionin galopant, për të zgjedhur një klasë drejtuese pa klientelizëm, për të mos krijuar diferenca aq të frikshme mes familjeve të mëdha që ndërtojnë anije dhe posedojnë media dhe të rijve të papunë numri i të cilëve sot ka arritur deri në 25%.

Pas këtij portretizimi të shtrembëruar vijojnë pyetjet: Po pse atëherë Europa duhet ta ndihmojë Greqinë? A nuk u ngopëm me mitin e djepit antik të demokracisë? A nuk i duhet thënë mjaft logjikës që përdori dikur ish presidenti francez Valéry Giscard d’Estaing, kur këmbënguli për pranimin e Athinës në BE-në e sotme (1981) duke thënë shprehjen e famshme: “Nuk mund ta lëmë Platonin të presë”? Pse sllovakët apo bullgarët, që nuk janë më të pasur, duhet të vazhdojnë të paguajnë për të ndihmuar Greqinë? Pse taksapaguesit gjermanë apo francezë duhet të investojnë pa fund për Athinën? Si kanë paturpësinë këta grekë të kërkojnë falje të re borxhesh? Si guxon një kryeministër i pacipë si Tsipras t’i quajë autoritetet e BE-së si shantazhues dhe një ministër financash me ego të pashoqe si Varufakis, t’i konsiderojë praktikat e trojkës që jep paratë si terrorriste?

I gjithë ky mentalitet dhe të gjitha këto pyetje burojnë nga teoritë ultra liberale që mbizotërojnë kontinentin e vjetër prej 30 vjetësh. Ato janë rrjedhojë e një mendësie që kapitalin financiar e vendos mbi njeriun e punës, që mosprekjen e fitimit të bankave e vendos mbi viktimat që vetvriten nga skamja, që shifrat e buxhetit i mbivlerëson përpara shkatërrimit të kohezionit social, që Europën e teknokratëve e vendos mbi Europën e solidaritetit.

Por e çuditshmja është që kjo optikë mbisunduese është përcjellë e plotë, pa ngjyrime dhe pa kundërthënie edhe në mediat tona. Me kompleksin proverbial të shqiptarëve ndaj atij që duket më i madh, më mbisundues dhe më i fuqishëm, në mjedisin tonë janë fashitur pothuajse totalisht zërat autoritarë që kanë një optikë krejt të ndryshme për krizën greke. Pothuajse janë përjashtuar nga debati ynë lokal të gjithë ata që mendojnë se politikat e kursimit të ndërmarra nga Trojka kanë qenë një dështim. Se ato sollën rritjen e papunësisë me 25%, rritjen e nivelit të borxhit (në krahasim me GDP-në) nga 117% që ishte në vitin 2008, në afro 180% sot.  Se ato sollën rradhat e gjata të njerëzve që qëndrojnë para fondacioneve bamirëse për një pjatë supë, gremisjen e shumë familjeve nën nivelin e varfërisë dhe shtimin tragjik të numrit të vetëvrasjeve.

Kjo tragjedi sociale, më e tmershme se një luftë, solli pesë muaj më parë rrëzimin e elitave të korruptuara në pushtet, familjeve të mëdha që udhëhiqnin në Athinë që prej rënies së diktaturës së kolonelëve në vitin 1974 dhe ardhjen në qeverisje të radikalëve të majtë Syrizas.  Por edhe pas këtij ndryshimi radikal, këtej nga anët tona vazhdohet të raportohet vetëm qëndrimi i shkaktarëve të tragjedisë greke. Rrallëkush flet se ish drejtori i FMN-së, DSK, pranoi gabimet e këtij fondi në trajtimin e krizës greke. Rallëkush pohon se pothuajse të gjithë ekonomistët botërorë pohojnë njëzëri se borxhi grek, me këtë rritje të ulët ekonomike të shkaktuar nga masat e kursimit, është praktikisht i pashlyeshëm. Rallëkush përmend se të njëjtët propozojnë një rishikim të këtij borxhi dhe ulje të tij si të vetmen zgjidhje të krizës. Rallëkush kujton se Gjermania e pasluftës filloi ringritjen e madhe 30 vjeçare, vetëm pasi në fillim të viteve 50 iu falën borxhet që i kishte lënë trashëgim diktatura hitleriane. Pakëkush pyet se nuk ka pse të mos ndiqet një politikë e tillë ndaj Athinës, ndërkohë që dëmi që ajo i ka shkaktuar Europës as nuk mund të krahasohet me atë çka i bëri Fhyreri.

Kjo mënyrë e të parit të gjërave ka bërë që në Shqipëri të flitet pak për faktin se miliardat e eurove që thuhet se u janë dhënë Greqisë, në të vërtetë u kanë shkuar bankave. Ato nuk kanë qenë ndihmë për qytetarët grekë, por ndihmë që të mos lejonin cënimin e sistemit bankar.  Ajo ka bërë të mbeten të padëgjuar zëra autoritarë si nobelisti Paul Krugman, si një nga ekonomistët më në modë të ditëve tona, Tomas Pckety, si eruditë të kalibrit të Jacques Attali, që i kanë dhënë të drejtë shumë prej pretendimeve të qeverisë Tsipras.

 Pra shkurt, këtej nga anët tona kemi dëgjuar vetëm një pjesë të së vërtetës se përse Aleksis Tsipras, nuk u tregua një frikacak, por në të kundërt një demokrat par exellece, kur ju drejtua popullit të tij, për t’i përligjur ose jo me referendum politikat shtrënguese të kreditorëve. Pesë muaj më parë ai nuk mori një mandat të plotë qeverisës, grupimi i tij Syriza vërtet fitoi, por ai nuk arriti mbi 50% të preferencave të publikut, ndaj për një vendim të madh si ky, ai duhej t’i drejtohej popullit që të shprehej me votë, duke i kërkuar edhe njëherë mbështetje, për të mos ta shtrënguar lakun mbi shtresat e varfra, mbi pensionistët, mbi të rinjtë e papunë. Kërkesa e tij erdhi pas 5 muajsh bisedimesh sfilitëse, ku njerëzit e Syrizas flisnin për qytetarin grek, kurse përfaqësuesit e Trojkës shqetësoheshin për Greqinë si ndërmarrje, ku të parët flisnin për disa dhjetra euro që i duheshin një njeriu për minimumin jetik, kurse të dytët për miliardat që kërkonin bankat, kur njëra palë fliste për mosshtrenjtimin  e ushqimeve, ilaçeve dhe energjisë, ndërsa pala tjetër për ekzigjencat e ministrit gjerman të financave, Wolfgang Schaüble.  Në fakt, kjo përballje kulturore është edhe shkaku i vërtetë se pse po shkohet tek ky referendum. Sepse në thelb të tij është konfrontimi i dy mendësive: nga njëra anë ata që mbrojnë optikën e njerëzve në nevojë dhe nga tjetra ata që mbrojnë atë të bankierëve, të sistemit, të teknokratëve dhe burokratëve të tij.  

Në këtë kuptim, “JO”-ja që kërkon Tsipras është një “JO” për Europën e së nesërmes. Është një “JO” për një BE më solidare, më bashkëpunuese, më pak cinike dhe më pak të varur nga interesat e elitave të saj. Ajo nuk është vetm një thirrje për mbrojtjen e grekëve në nevojë. Ajo është shumë më tepër se kaq. Ajo është apel për një Europë të pasuruar me vlera të reja. Ndaj fitorja e saj është një sfidë historike.

Gjasat  janë që ajo të ndodhë, po aq sa dhe e kundërta e saj. I gjendur i vetëm përballë të gjithëve, që kërkojnë me çdo çmim kokën e tij (liderët europianë, kreditorët, banka europiane që imponon kontrollin e kapitaleve, elita e korruptuar greke dhe mediat klienteliste të vendi të tij) Aleksis Tsipras edhe mund të dështojë.  Por ky nuk do të ishte thjesht një dështim për të. Ai do të ishte së pari dështimi i Greqisë, ku nuk do të ishte çudi që të ngriheshin forca ekstremiste të djathta si Agimi i Artë. Ai do të ishte edhe dështimi i Europës, që pavarësisht se ç’profetizojnë ultraliberalët e së djathtës gjermane, do të humbte një shanc për të dëgjuar zërat për më shumë barazi, solidaritet dhe bashkëpunim që i vijnë nga periferia jugore e saj. Në këtë kuptim sado të duket kontradiktore një ‘Jo” pro Tsiprasit këtë të dielë, është një “Po” për një Europë më të mirë nesër. Për Europën e Syrizas, Podemosit dhe të indinjuarve që ndoshta nuk do të bëhen kurrë shumicë, por do të shërbejnë për të korigjuar Europën e sotme. E në këtë sfidë të madhe, një “Jo” pro Tsiprasit do të jetë një e mirë edhe për pasurimin e debatit tonë provincial. Një mësim për ta përcellë atë jo vetëm si eko trushplarëse të ideologjisë mbisunduese të Brukeslit, por me të gjithë shumëngjyrshmërinë e tij.

Lapsi.al

Comments

Submitted by klodiAN (not verified) on

<p>Hahaha Bushati te gajas. Po miliardat qe harxon Greqia per arme pse nuk i ze ne goje Bushati. Perse i duan ja ka bere ndonjehere pyetjen vetes analisti? Per te mos fol per axhenden proruse te hapur, para dhe pas ardhjes ne pushtet si te Ciprasit dhe te Kamenos. Duhet te jete e vetmja gje e perbashket qe kane nje parti e ekstremit te majte me nje tjeter te ekstremit te djathte. Po mire ja plotesuan deshiren Greqise dhe ja falen gjithe borxhet, po kush e garanton Gjermanine apo Hollanden se Spanja nuk do ndjek te njejtin kurs, se tek e fundit dhe ata demokraci jane, pse te mos ta pyesin dhe ata popullin, o popull spanjoll a do ti te besh sakrifica per te paguar borxhet? Si mendon analisti se do pergjigjen, po Italia... Po kur e mendon pse duhet ti paguaj Kosova borxhet kur shifrat e papunesise dhe varferise i ka ku e ku me te larta se Greqia. Po dreqi e mori Bushat po per Shqiperine s&#39;te kemi degjuar te dalesh ne ekran e te thuash mos i paguani kestet e borxheve po rrisni pensionet apo asistencen...</p>

Submitted by Lira (not verified) on

<p>Z. Bushati, Urime</p><p>Eshte e vetmja analize reale qe kam lexuar ne shqip ne kete vendin tone provincial.</p><p>Te gjithe shqiptaret qe jane pro &quot;POs&quot;, flasin pa patur patur haberin se cfare Troika i ka kerkuar Greqise (te shnderroje vendin ne kapitalist te eger). Perndryshe, nuk do te llomotitnin sic po bejne. &nbsp;Per ne shqiptaret duhet te kete vetem nje shqetesim: Po fitoje PO-ja, kushte te tilla mizore ndaj popullit do te na vihen edhe ne kur te vija dita e pagesave te borxhit</p>

Submitted by Eshte Thirrja e... (not verified) on

Kujtohen qe Partia Komuniste Greke
ka qene shume me e fuqishme se ajo e qerpiceve te Tiranes, por Greqka, per fat te padashur, mbeti Perendim,kurse Tirana u be Lindje!
Mbase bijte realizojne "Ballkani i Ballkanasve"!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.