Fraksionistët e fundit të Partisë

Postuar në 09 Tetor, 2020 12:01

Partia Socialiste ngjan të jetë sëmundja më e rëndë sociale në Shqipërinë e sotme. Ajo qëndron në themel të neurozave të opozitës që shkojnë nga ulërimat për revolucion, te pazari i zakonshëm dhe lëpirja, apo edhe mallkimet. 

Lulzim Basha zëre se nuk ekziston. Ai ka zënë folenë e Partisë Demokratike prej nga ku sheh i çuditur botën që është e shqetësuar, kur për vete ndihet rehat. 

Sali Berisha godet nga Facebook prej nga ku njëherë bubullin sikur do bëjë qametin, njëherë tjetër bën denonciatorin e një herë tjetër shantazhuesin. Po të mbledhësh serialin e skandaleve të publikuara prej tij, do të duhet që të ishin rrëzuar 20 republika. 

Ilir Meta, presidenti, nuk duket mirë. Diçka ka ndodhur në kokën e kreut të shtetit që njëherë turfullon duke parlajmëruar vetëvrasje dhe dekoruar atentatorë, njëherë tjetër buzëqesh pa teklif duke na kujtuar se dje ishte dje e sot është sot, por duke na shtuar dyshimin se vallë çdo të jetë nesër për të!!!

Është e qartë se vendi i tërë po përjeton një lloj skizofrenie politike bashkuar me një depresion shoqëror të thellë, kur struktura më e paepur ngjan të jetë Cosa Nostra shqiptare, PS-ja, e cila është e tillë thjesht dhe vetëm për faktin se në ADN-në e saj është integruar prej kohësh parimi: Poshtë nesh Shqipëria. 

Mjafton ta bësh këtë moralin tënd dhe çdo gjë e përjeton pa stres. Nuk ka dështim, turp, skandal, shkelje ligjore, poshtërim që të prekë njerëz si Erjon Veliaj, Taulant Balla, Elisa Spiropali apo Damian Gjiknuri. Ata i prek vetëm lëvizja nga karrigia e partisë. Si vallë ta luftosh këtë bacil kaq rezistent? 

Përkundrazi, stresi i kundërshtarëve sezonalë të saj është stresi i dikujt që kupton se loja është përherë me të njëjtin të cilin nuk ka kurajo ta vrasësh. Jo se ata janë më të mirë, janë thjesht më të paorganizuar, më të paaftë për të vënë rend në mendimet e tyre dhe për të kuptuar se PS-ja bën pjesë tek ajo kulturë politike thuajse botërore e një të majte që e trajton opinionin publik dhe e manipulon atë nga pozitat e një kishe laike. Shikoni sesi fasada civile dhe liberale e saj rekruton me lehtësinë më të madhe të ashtuquajtur intelektualë dhe opinionistë që janë në krye të zhurmës mediatike. Është një rend të cilin ajo e kalëron e për të cilin të paktën në vend si ky yni nuk ka ndonjë kontribut.

PS-ja e sotme është bunkeri i fundit i Shqipërisë, pse ishte në fakt bunkeri i vetëm real në këtë vend ku mileti ndërseu veten ndaj çdo gjëje, vetëm ndaj të keqes reale jo. 

Një e keqe që mban çelësin e normalitetit politik përmes manipulimit dhe vetëmanipulimit duke zhvilluar kështi perceptime të deformuara që na i bëjnë të duken sot opozitarët e mësipërm si një lloj mërgate qyqesh, si zuzarë që kanë humbur drejtimin.

Aq e molepsur është klima politike, saqë me lehtësinë më të madhe ne kemi pranuar, ose shohim se ajo që thirret si shumicë e heshtur, hesht me të vërtetë para korrupsionit të PS-së që e lexon ndoshta si ndarje pasurie dhe eksitohet e tërbuar para korrupsioit të Metës dhe Berishës. Kuptohet kur ky korrupsion nuk ka lidhje me ta. 

Ne po jetojmë një kohë dhe në një vend ku mirëqenia jonë nuk është sintezë me rendin dhe ligjin, me sistemin, por me humorin politik të një partie të vetme që sot është pronarja më e madhe në vend.

Në këto kushte e vetmja opozitë reale nuk është asnjë prej aty dështakëve të mësipërm, por vetëm ajo që premon çmontimin e këtij subjekti kriminal që ka përgjegjësi historike në këtë vend.

Comments

Submitted by Selimi (not verified) on

Nga momenti qe thua se politika boterore e se majtes manipulon opinionin atehere e kemi kollaj, i heqim me ligj partite e majta dhe jetojme te gjithe te lumtur e te gezuar. Beson se Sala nuk don ta beje kete? Apo nuk ka dashur. Po, ke te drejte monizmi eshte me i mire se pluralizmi, me kusht qe te qeverise vetem ai sala jot. Komunist i qelbur

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.