Lufta e dytë e '20-ës

Postuar në 11 Shtator, 2020 23:43

Pas detit Shqipërisë po kërkojnë t’i marrin edhe identitetin. Në krye një beteje të vockël por me fitim të kësaj “lufte” është vënë Auron Tare, një personazh tipik i tranzicionit. 

Sapo është marrë vesh se Parku i Butrintit do te menaxhohet për 10 vjet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim ka nisur vala e dytë e "patriotizmit".

Butrinti ka nevojë për përmirësim, ka nevojë për administrim, për koncept. Por, në asnjë mënyrë nuk mund t’u jepet të huajve për menaxhim. Së bashku me profesor Neritan Cekën kur kemi qenë bashkë në një debat, ne renditëm një seri arsyesh pse nuk mund t’i jepet një fondacioni privat. Nëse do ndodhë, atëherë ne do kemi për shembull, një fondacion grek që mund të marrë Tepelenën, një fondacion turk që mund të marrë Krujën. Nëse ka nevojë për PPP në fusha të ndryshme , në trashëigminë kulturore është e rrezikshme për disa arsye, por më kryesore është identiteti, nuk mund t’u jepet të huajve. Por, nuk kemi model tjetër në Evropë. Duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund t’ia dorëzosh trashëgiminë tënde kulturore një kompanie të huaj

thotë Tare.

Ky lloj parashtrimi ka disa probleme duke nisur që nga varfëria në të shprehur e dikujt që i është futur detit me këmbë. Të kundërshtosh dhënien privatit të një siti arkeologjik është një e drejtë shprehjeje, por kjo jo domosdoshmërisht e bën atë “koncept”. Per Butrintin ka një koncept që quhet Plani i Menaxhimit, tjetër punë cilësia e tij. Nuk po na thuhet nëse ka diçka korruptive aty, thjesht se pas planit ka të huaj. 

Së dyti z. Tare deklaron se këto pjesë të trashëgimisë kulturore nuk mund t’u jepen të huajve dhe nis e bën shembuj me nëntekst nacionalist duke cenuar edhe atë pak besueshmëri që jep një figurë si ai në media. 

Butrinti nuk përfaqëson kurrfarë lidhjeje apo reference për identitetin kombëtar shqiptar. Të jemi seriozë dhe të mos e katandisim debatin në nivelin e Marin Memës. Butrinti është dëshmi e një qytetërimi antik mesdhetar, pasuar nga një vijimësi e gjatë ku ka patur përherë vulën e perandorive që e shfrytëzuan dhe e administruan.

Suksesi i Butrintit në planin e menaxhimit lidhet me të huajt dhe ka njerëz që e dinë rolin e Fondacionit Butrinti në promovimin e tij.

Të kemi parasysh se po flasim për një sit që është pasuri botërore, që i flet historisë së të tjerëve më shumë sesa historisë sonë dhe na duhet të pranojmë një rol të të huajve.

Ne jemi një vend që krenohemi me pasuritë arkitektonike të të huajve të cilat i nacionalizojmë në ndërgjegje duke u vënë një flamur sipër. Por historia është po kaq serioze sa edhe karagjozllëku ynë që ka zararin e vet dhe ajo na e ka gjetur vendin.

Për cilat arsye atëhere nuk duhet të jenë të huaj? Sepse mbeten pa pjesë specialistët shqiptarë? Duhen argumente të tjera për ta mbështetur këtë pretendim por që në çdo rast do të ishte luftë e humbur. Shqiptarët e Auronit e kanë patur Butrintin dhe ata dhanë aty kompensim prone e më vonë një leje ndërtimi për lokal. 

Ca më keq kur e sheh zonën në tërësi dhe kupton se çfarë mynxyre është të biesh në dorën tonë. Kush udhëton drejt Butrintit mund ta dallojë me sy të lirë ndryshimin radikal, dramatik në peizazh sapo kalon Ksamilin dhe marrëzinë e tij urbanistike.

Butrinti është madhështor pikërisht sepse aty nuk duket kund turiri unë psikologjik, neuroza jonë e goditjes primitive mbi mjedisin dhe çmenduria e ndërtimeve kuturu dhe pa asnjë kriter tjetër veç fitimit. E pra, Butrintit ne sot i admirojmë profilin qytetërimor të tij që ja kanë dhënë ata që e gatuan dhe do të humbisnim shumë nëse do lejonim që ta shndërronim atë në një shëmbëllim të Kamzës. 

Butrinti ka qenë i yni vetëm 75 vjet, ndaj të tregohemi më të përulur me historinë sepse aty atë e kanë bërë të Tjerët.

Halli i Auronit dihet ku është por kjo ndërhyrje nuk ka të bëjë me intelektualin nga Nivica që po bën luftën e vet të ’20-ës, por me lehtësinë e kapjes dhe përdorimit të nacionalizmit edhe për çështje që kanë nevojë për pak kujdes. Minimumi do të ishte një argumentim real në kundërshtimin e planit, pasi po të jetë për aftësi dihet se joshqiptarët janë më të përgjegjshëm.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Sipas nje shkrimi tek DITA para dy-tre ditesh, Butrinti nxjerr rreth 1 milion euro ne vit. Nga leket e nxjerra prej vizitorve, vetem 30% shpenzohen per personelin dhe mirmbajtjen e tij; pra 70% eshte fitim neto qe shkon ne arken e shtetit. Kur ky kompleks arkeologjik nuk ka probleme financiare, por mund te kete probleme te tjera, perse duhet ti epet privatit, aq me teper atij te huaj?!? Sepse shteti shqiptar don t'ia dhuroje keto leke te huajve? Apo nuk ka njerez Shqiperia me fantazi dhe projekte zhvilluese te zones ne fjale?!...

Submitted by redaksia on

Zoteri apo zonje! 

Qeveria shqiptare ka porositur apo miratuar nje Plan Menaxhimi qe parashikon edhe kete aspekt. Dhe ka menduar qe kete gje ta bejne te huaj. Mund te kete arsye politike, interesa te ngushta te njerit apo tjetrit, mund te jete vizion, apo edhe strategji per te mos lejuar per 10 vjet tjetersime. 

Zoti Tare nuk flet per dokumentin ne teresi dhe qasjen e qeverise, por ndalon te nje hollesi, e cila ka rendesine e vet padyshim, por qe ka nje tingellim te rreme ksenofobik te fshehur pas merakut se po na iken identiteti. Me keq akoma, per ta blinduar tezen e tij per veshet e njerezve qe jetojne duke bere shqiponjen, ben aludime per greke e turq qe neser, ne emer te kesaj papergjegjshmerie, mund te na marrin Krujen. 

Ky nuk eshte argumentim qe pritet nga nje "ekspert" qe sepse ka nje sjellje te bezdisshme te dikujt qe i njeh vetes te drejta ekskluzive per te folur per Butrintin, pak a shume si Fatos Klosi per sherbimet sekrete.

Ky eshte nje opinion i lidhur keq, po shume keq dhe trashe duke u kapur pas fijes se barit qe jane te huajt. 

Dhe jo, Shqiperia nuk ka njerez me fantazi dhe projekte zhvilluese te zones ne fjale, qe eshte komplekse sepse Butrinti sic mund ta dini eshte unik per raportin qe krijon me peizazhin, natyren dhe drejtimin ekonomik te rajonit aty. Mund te tingelloje paragjykuese gjithe diten, por na mjafton pervoja me Saranden dhe Ksamilin per te kuptuar nevojen uleritese qe zona e Vivarit dhe Butrintit megjithe lumin Pavllo dhe vijen bregdetare deri ne Konispol te jepet e gjitha zone koncesionare vetem te huajve. Kuptohet me garanci te forta. Mundesisht mbi 250 vjet rresht dhe me kontrate te parevokueshme. E bukura qe ka mbetur duhet karantinuar nga shqiptaret, e dhimbshme ta thuash por keshtu eshte. Me ne fund erdhi dicka e mire nga Tirana edhe pse duhet pritur se ndonje marifet ka edhe aty. 

Shikoni nje shembull nga dashuria shqiptare per atdheun. Ne Sarande eshte shkaterruar ne menyren me zoologjike te mundshme ai qe quhej Plazhi i Vjeter apo Pllakat qe niste nga porti deri ne gjirin e Limjonit. Kane mbetur sot reliev origjinal vetem 75 m qe ndodhen diku ku ishte pika kufitare. Shkaterimi ka nisur nga viti 2002 e pas, vit kur qeveria mori nje Vendim qe e shpallte Monument Natyre. Dhe ky vendim eshte vendosur sot ne nje tabele qe i ngjan atij dordolecit qe tremb gllarot. Sepse shteti shqiptar eshte nje dordolec i historise. 

Fantazi mund te kesh gjithe diten, por pergjegjshmeri ke valle? Po pak dashuri ke per vendin qe te mos e trajtosh si domen shokesh e kusherinjsh? Pervoja na thote qe JO. 

Lutja me e madhe e nje pjese te madhe sarandiotesh qe jane lindur e rritur ne ate qytet - zoti Tare ka privilegjin e jashtezakonshem per qenien humane te jete nga Tirana - eshte qe Saranda te lihet sic ishte. Me besoni; ka qene shume e bukur. Ka qene shume e vecante dhe me shije. Ashtu modeste sic ishte.

Zoteria e ka shijuar si pak te tjere dhe nese do kishte pak ndergjegje dhe dashuri(ndjese se eshte nga Tirana - do bente pak llogari morale) per ate vend dhe Butrintin duhet te lobonte qe te bllokohej cdo gje qe vjen nga Tirana. Sepse vetem e ndot ate vend. E shkaterron. Shikoni cfare po ben turiri kryeministror me bulevardin e qytetit. E shkallmoi pa pyetur njerezit qe kane nje jete aty. Sepse ai ka vizion dhe vizionet revolucionare shqiptare kane fatura te tilla. 

Pertej shakase: shkrimi merret me qasjen folklorike te ketij zoterie nderkohe qe vetebesimi qe manifeston e mvesh me detyrimin per oponence serioze. Sa per te huajt, ti themi gjerat sagllam: edhe ne ate Sarande qe as ka qene qytet para viteve '70, por nje liman dhe pazar delesh, te huajt ia dhane fizionomine, shenjat e identitetit. Ne shqiptaret beme Kodren, e cila sa nisi ishte pa uje. Pastaj preme 2 km pisha nga Marina deri te fabrika e Miellit sepse ashtu ia tha radakja ndonje idioti ne komitetin e kohes, me vone nisen ndertimet prane varrezave ku sot ka hotele me disa yje, perkundruall varreve pa yje fare, per te vazhduar me cmendurine e rruges se peste e te gjashte qe jane vija asfalti qe gjerperojne mes nje grumbulli betoni. 

Jo. Shqiptaret e ketij brezi nuk besohen se mund te bejne pune te mira ne kete drejtim. Dhe nje arsye per ta kuptuar kete eshte cilesia e diskutimit te zoterise. 

PS: Ju lutem mos harroni gjurmen origjinale te ministres se Kultures ne Butrint. Bar caffe, courtesy of Mirela Kumbaro, profesor doktor, perkthyese, qytetare den babaden. E te Tjera, e te Tjera do thoshte poeti qe nuk jeton me. 

Submitted by auron (not verified) on

e nderuar redaksi.

me qe e sollet si histori suksesi mbrojtjen e pejsazhit te parkut te butrintit dhe rasti i Ksamilit si deshtim i zhvillimit urban. Lindj pyetja kush e ruajti te pa prekur pejsazhin historik te Butrintit? etj etj?

auron

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.