Po tani çfarë do t’i japin Serbisë?

Postuar në 11 Korrik, 2020 22:05
Skerdilajd Zaimi

 

Sot në disa media është qarkulluar i përkthyer shqip një shkrim i publikuar në gazetën serbe “Danas” mbi diskutimin e gjatë diplomatik për shkëmbimin e teriritoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Një nga vlerësimet e këtij shkrimi është edhe fakti se ideja në fjalë është serbe dhe se ajo i është prezantuar publikut serb si zgjidhje e problemit të Kosovës në 10 vitet e fundit. 

Sipas mendimit të Goran Miletiçit, Drejtor për Organizatën europiane Civil Right Defenders, deklarata e Xhon Boltonit nuk është befasi për askënd, në mënyrë të veçantë jo në Serbi, sepse përfaqësuesit e pushtetit në dhjetë vitet e fundit e kanë paraqitur këtë model si thelb të zgjidhjes edhe të asaj që është në përputhje me idenë e Presidentit të Serbisë sipas së cilës, “Serbia duhet të marrë diçka”

thuhet në shkrim. 

Pra ideja që është diskutuar me palën shqiptare është serbe, një opsion për zgjidhje i Serbisë dhe ajo ka avancuar në tryezën e dialogut diplomatik duke zëvendësuar dialogun e mëparshëm që e sheh pajtimin si pjesë të emëruesit demokratik. 

Në këtë kuptim, pala shqiptare ka pranuar të dëgjojë dhe të marrë në konsideratë një variant që asaj nuk i jep asgjë veç…njohjes nga Serbia. Për çfarë vlen kjo njohje në kushtet kur marrëdhëniet tregëtare mes dy vendeve janë zhvilluar normalisht? Sigurisht që ajo është e dobishme, por këtu çështja shtrohet për të vlerësuar nëse a vlen që një akt nga Serbia të blihet me lëshimin e një pjese të territorit? 
Mesa duket jo. Sepse krijimi i një precedenti të tillë në Kosovë do të krijonte kushtet optimale për të vepruar njësoj në Qipro dhe në Ukrainën Lindore.

Ndoshta kjo është arsyeja që Europa në përgjithësi e diskreditoi dhe e sabotoi këtë Pazar duke rihapur rrugën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e duke zëvendësuar fjalën Njohje me Normalizim. Ky normalizim ka ndodhur dhe nënkupton bashkëjetesë dhe kontakt të vazhdueshëm. Këtë duhet ta pranojë përfundimisht Serbia për të normalizuar më në fund edhe regjimin e vet psikik si një vend që nuk meriton asgjë më shumë se të tjerët në këtë rajon. 

Oferta serbe duket se kishte cilësi të spektaklit politik përderisa ngjit në administratën amerikane. Por ky është një problem I pritshëm. E papritur është sjellja e Thaçit dhe Tiranës zyrtare të përfaqësuar nga Edi Rama. Serbisë i është ofruar anëtarësimi në BE në këmbim të pjesëmarrjes në dialog dhe normalizimit, ndërkohë që ShBA nuk ofronte asgjë por imponoi një presion të njëanshëm që çoi deri në largimin me puç të Albin Kurtit nga detyra e kryeministrit. Pra parimi “Serbia duhet të fitojë diçka” kishte brenda dy zgjidhje: BE-në dhe tolerimin e neutralitit ushtarak të Serbisë e së fundmi, me bekimin e Thaçit dhe dakordësinë e Edi Ramës edhe opsionin e zhvatjes së një llokme territoriale. 

Pse u tolerua Serbia deri në këtë pikë? Kjo mbetet e paqartë, por procesi ndaj Thaaçit shpjegon shumë gjëra. Sikundër deklarimet e fundit në Serbi na zbulojnë se jo të gjithë në fqinjin tonë verior janë dakord me këtë opsion. Po kryeministri i Shqipërisë pse u investua në një skenar që e sabotonte pajtimin serbo – shqiptar dhe e vinte Kosovën në pozita poshtërimi? Një shpjegim është se politika e jashtme e vendit tonë lëviz sipas interesave të lobeve të caktuara të huaja që i japin garanci dhe mbrojtje njërit politikan apo tjetrit. 

Një tjetër shpjegim është mendësia e pazarit e praktikuar në raportet mes shteteve dhe ambicia e rolit mbishtetëror të njëri e tjetrit njësoj si në rastin e Marrëveshjes së Prespës. Por koha do zbardhë edhe arsye të tjera, padyshim. Ajo që ne sot dimë me siguri është se kjo ishte një marrëveshje e nengociuar nën rrogoz, sa më larg syve të opinionit publik shqiptar dhe në këmbim të interesit personal të disa njerëzve. Aq sa u fol hapur për preferencën e ShBA ndaj Europës. Sot është kjo e fundit që po kërkon rolin e vet dhe për vende si Serbia e Kosova është e tepërt të luhet edhe me unionin në fazën e tanishme. Është e vërtetë që Kosova u mashtrua për liberalizimin e vizave, me pa të drejtë, por kjo nuk i jep kujt të drejtë te eksperimentojë të ardhmen e saj.

Sot letrat kanë dalë mbi tryezë dhe nëse Europa merr rol drejtues në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës ne duhet të shpresojmë të paktën për një gjë: aty kanë nxjerrë jashtë Tiranën zyrtare që gatan gjellët më të ndyra të kësaj bote sepse është servja më e paskrupullt e kujtdo që paguan. Le të mbajë rolin e këshilltarit të Thaçit që është tanimë një president republike nën akuzë, që po mbron veten me imunitetin e shtetot që përfaqëson, e që presupozohet se duhet ta mbronte e nderonte. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Por edhe pas 1 milion artikujve te Zaimit dhe mijra te tjerve, mbetet serish pyetja: si do te arrihet njohja e Kosoves nga Serbia? Kesaj pyetje Zaimrat dhe mijra artikuj te tjere "patriote" nuk u pergjigjen! Nuk ofrojne asnje lloj opcioni. Por as nuk thone hapur, troc e qarte, se nuk na intereson njohja e Serbise! Sepse pak ketij qendrimi, (nese e parakuptojme si zyrtar), eshte Kosova ajo qe mbetet e izoluar pa u integruar ne strukturat europiane dhe boterore, pasi Serbia dhe miqte e saj vene veton per cdo gje!
Ne shqip kesaj i thone: na rrofsh per vere! (Se dimrim e hodhem vete!) Eshte per te ardhur keq nga gjithe keto artikuj pa mendim e te ardhme!

Submitted by redaksia on

Nuk ka negociate me cdo opsion ne tavoline. Ka disa gjera qe nuk negociohen dhe kjo dihet. Zoti Thaci kaloi nga shkembimi ne delimitim per te ardhur sot me Hotin qe flet per njohje. Serbia po zhvendos fokusin drejt interesit ekonomik dhe kerkesa e saj per territor ngjan pragmatike. Ndaj leshimi i presupozuar ndaj saj eshte i pakuptimte. Ju thoni se nese nuk vjen njohja e Serbise, Kosova izolohet. Nuk eshte keshtu sepse marreveshjen e shkembimit te territoreve nuk e bllokuan artikujt tane, por nje pjese e fuqive te medha. Keshtu qe Serbia ka ne dore te bllokoje e shumta nje vend ne OKB por jo rrugen e Kosoves qe tashme e ka zene korrupsioni dhe hajnia. Edhe njehere qe ndodhi, ne rastin e propozimit te Minishengenit, veshtire se mund te fajesohet Serbia.

Kosova per disa cedoi ndaj Malit te Zi ne kembim te liberalizimit te vizave. Ne fund e mashtruan ne keqbesim. Ky lloj negociimi nuk ka te ardhme vec per historite personale te njerit e tjetrit. Dhe nuk duket se te shkembimi  e territoreve ka ndonje mendim dhe opsion perderisa ajo origjinalisht eshte nje ide serbe, qe edhe si e tille deshmon terheqje te Serbise pasi konfirmon paaftesine e saj per ta mbajtur Kosoven edhe ne kulmin e fuqise se saj. 

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me procese te bllokuara nuk ecet perpara. Kjo vlen per serbine dhe Kosoven, por -perderisa ju thoni: Serbia eshte me e koncentruar tek aspektet ekonomike- kam frike se ky bllokim do kete me pasoja negative per Kosoven.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.