Vërejtje për keqraportimin e mediave

Postuar në 09 Korrik, 2020 15:52

Sot në media është publikuar një shënim i President të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Mons. George Frendo. Tema e shënimit është ngjarja e bujshme e Kombinatit ku humbën jetën nënë e bijë dhe në të lakohet keqraportimi i mediave përmes disa vërjetjeve me shumë vend.  

Besimet zyrtarisht e njohura në Shqipëri, domethënë ai Mysliman dhe ai i Krishterë, besojnë në jetën pas vdekjes dhe në ngjalljen. Por besimi ynë në ngjalljen na ngarkon me më shumë përgjegjësi rreth respektin për jetën dhe mënyrë si të jetojmë derisa jemi ende në botë.

Ne besojmë se jeta është dhuratë nga Zoti, dhe, si çdo dhuratë nga Zoti, duhet të përdoret me përgjegjësi, sepse Zoti shpërblen njeriun varësisht nga si e ka përdorur këtë dhuratë, që është jeta.

Kjo do të thotë gjithashtu se asnjëri nuk ka të drejtë të vrasë një person tjetër, madje as të vetëvrasë. Vetëvrasja është mëkat.

Kam lexuar shumë, këto ditët, në gazetat, fjalën “vetëflijim”. Ky është një eufemizëm krejt i gabuar. Kujt bëhet “flijim” në vetëvrasje? Sigurisht jo Zotit, i Cili i ka komunikuar jetën atij personi si dhuratë, dhe ky e ka hedhur poshtë.

Kujt bëhet “flijim” pra? Familjarëve? Kam pasur raste të njohë familje brenda të cilave kanë pasur një vetëvrasje.

Për sa shumë kohë kanë mbetur të tronditur, të frikësuar, të rraskapitur. Pra le të jemi të sinqertë e të flasim troç. Është absurd të quajmë vetëvrasjen “vetëflijim”

shkruan ndër të tjera Frendo që vetë është maltez në origjinë dhe kujdeset pra që të sqarojë keqkuptimin terminologjik që përhap media.

Gabimi me termat dhe kuptimin e fjalëve shqip në raport me nomenklaturën ku aplikohen është I zakonshëm në median shqipe. Ndaj edhe media këtu mirëkuptohet sidomos kur njeh edhe nivelin e gazetarisë.

Mirëpo vërejtja tjetër e Frendos nuk mund të ketë alibi.

Së fundmi dëshiroj të them se është bërë një padrejtësi me Kishën Ungjillore kur disa gazetarë kanë identifikuar sektin e Dëshmitarëve të Jehovait (e themeluar në vitin 1870 nga Charles Russell) me Kishën Ungjillore. Edhe pse këta përdorin Biblën, por e interpretojnë në mënyrë shumë të çuditshme, krejt e ndryshme nga mënyra si e kuptojnë Kishat.

Dhe edhe pse përmendin Jezusin, por e interpretojnë Jezusin krejt në kundërshtim me mënyrën sesi Kisha e ka kuptuar dhe shpallur që nga koha e apostujve deri më sot

shkruan ai.

Këtu kemi të bëjmë me dështim të plotë të zinxhirit të raportimit të lajmit deri në transmetimin e tij, pasi nga gazetari që i kap lajmet me vesh në kafene te shfaqja e tij ka disa filtra. Që paskan dështuar. Në këtë kuadër është e udhës të pyetet se kush po na raporton në këtë vend? Mirë për tendera e prokurime dalin aty – këtu dokumenta, por për tema kaq delikate si kjo e fesë, kërkohet kujdes. Por kujdesi është gjëja e fundit për të cilën i ha meraku gazetarët.

Comments

Submitted by gazetar (not verified) on

shume mire e ka sqaruar. Me vjen keq per nivelin e gazetareve qe u treguan injorante ne pershkrimin e lajmit ne fillim te ngjarjes. ne shkolleen e gazetarise duhet te kete nje lende per fete.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.