Pastrim apo pasurim?

Postuar në 19 Janar, 2012 02:00
Ardian Vehbiu

Vitet e fundit, duket sikur interesi për çështje të gjuhës shqipe është gjallëruar, po të gjykosh nga reagimet dhe komentet e lexuesve në mediat dhe forumet e debatit në Internet. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e diskutimeve sillen rreth ligjërimit të mediave, duke u bërë edhe vetë pjesë e atij ligjërimi e duke trashëguar të mirat dhe sidomos të këqijat e tij, në një kohë që elitat herë pas here i kthehen themeleve të standardit, por jo rrallë nga pikëvështrimi i një revanshizmi krahinor, që ndodh më tepër në sociologji sesa në gjuhësi, dhe që herë-herë merr ngjyra të ndezura lokaliste, siç e kemi zakon ne shqiptarët.

Masat e përdoruesve, ndërkohë, mjaftohen me pozicionime të thjeshta kundër fjalëve të huaja, të cilat janë edhe të lehta për t’u veçuar dhe sulmuar, meqë zakonisht dallohen nga pjesa tjetër e leksikut. Luftën për pastërtinë e gjuhës shqipe e gjen në çdo program kulturor kombëtar, që nga Rilindja e këtej, por shumë prej forcave vullnetare të kësaj lufte u pëlqen më shumë pastrimi sesa pastërtia, meqë edhe rehabilitohen moralisht, në mos kulturorisht, nëpërmjet qëndrimit të tyre të prerë ndaj prurjeve prej gjuhëve të tjera.

Në të vërtetë, huazimet e reja në shqipe i ndesh, para së gjithash, në ligjërimin publik të mass mediave nga njëra anë, dhe në zhargonet teknologjike nga ana tjetër. Letërsia dhe shkolla nuk duken të jenë prekur shumë prej dukurisë, çka tregon se vetë prurjet janë të natyrës sipërfaqësore; hyjnë dhe dalin së bashku me modat e ndryshme dhe stilet e paraqitjes mediatike, por fjalët vetë nuk depërtojnë deri në gjuhë, as bëhen pjesë e kodeve leksikore; por mbeten peng i ligjëratave ku janë përdorur.

Meqë shteti, me institucionet e veta kulturore, nuk është se po bën ndonjë përpjekje të organizuar për t’i vënë fre dukurisë së huazimit lirshëm, atëherë vetë fakti që shqipja, si gjuhë, nuk po preket në thelbin e vet prej kësaj dukurie, tregon se huazimi që na shqetëson sot i përket më tepër kulturës së komunikimit, sesa gjuhësisë vetë; njëlloj sikurse edhe kritika ndaj tij dhe diskutimi që e pason. Pavarësisht nga arsyet që i detyrojnë folësit publikë të sjellin në ligjërim fjalë të huaja, këto nuk i dërgon kush për të “infektuar” shqipen, as duhen trajtuar doemos si të rrezikshme ose të dëmshme.

Nga ana tjetër, vëmendja e tepruar ndaj integritetit leksikor të ligjëratës së tjetrit, qoftë ky miku yt apo një prezantues televiziv apo editorialist në një gazetë kryesore, nuk i shërben as komunikimit, as shqipes vetë; meqë e ndërpret komunikimin, e pezullon, dhe në fund të fundit e përçudnon. Është njëlloj sikur, në një restorant, të hanim për drekë kamerierët.

Nuk është e lehtë të gjesh se çfarë e ka shkaktuar këtë vëmendje të tepruar ndaj ligjërimit shqip sot, nga ana e publikut; aq më tepër që ky publik, kur vihet të shkruajë, siç ndodh rëndom në komentet e lexuesve ose në forumet online, tradhton nivele shumë të ulëta të zotërimit të shqipes. Po ata njerëz që të shkulin dhëmbët për një fjalë të huaj që “të ka shpëtuar”, kontribuojnë hareshëm në nivelimin nga poshtë të ligjërimit shqip, duke shërbyer njëkohësisht si provë se shkolla, dhe veçanërisht mësimi i gjuhës atje, kanë arritur t’i edukojnë me vigjilencën ndaj fjalës së huaj, por jo me nevojën për t’u shprehur mirë.

Kërkesën për ta pasur gjuhën të pastër, qoftë edhe duke i pikasur dhe larguar fjalët e huaja nga ligjërimi, ose duke botuar dhe formalizuar lista të zeza fjalësh që duhen zëvendësuar, e kanë afruar ndonjëherë me shovinizmin dhe racizmin; çka mbështetet edhe nga fakti i njohur historik se diktaturat e të gjitha ngjyrave, që nga fashizmi italian e nazizmi gjerman, e deri te totalitarizmi enverist në Shqipëri, e kanë pasur për merak të madh pastrimin, ose policimin e leksikut në ligjërimin publik. Ksenofobia, ose frika ndaj gjithçkaje të huaj, ka luajtur një rol në këto lëvizje; sikurse edhe dëshira për ta thjeshtuar mendimin, duke larguar nuancat dhe fjalët me kuptim të pezullt. Nga kjo pikëpamje, lëvizja për pastrimin e gjuhës, sidomos kur nxitet dhe drejtohet nga institucionet qendrore, ka diçka nga rekrutimi ushtarak, qethja dhe veshja e tjetrit me uniformë, ecja me hap të rregullt dhe marshi; ose gatitja e gjuhës për “luftë”.

Mirëpo në rrethanat e kulturës shqiptare sot, e vetmja luftë që do të duhej të ndërmerrnin dhe të mbanin gjallë institucionet dhe qytetarët vetë, do të ishte ajo për përdorimin sa më të larmishëm të shqipes në fusha dhe në stile të ndryshme, ose përpjekja për pasurimin e gjuhës nëpërmjet përdorimit intensiv dhe pasurimit të mendimit shqiptar – gjë që nuk arrihet duke shënjuar, me laps të kuq, fjalët e huaja në një artikull gazete, as duke sugjeruar zëvendësimet e tyre.

Për shkak të lëvrimit të pakët dhe të njëanshëm, shqipja ka mbetur shumë prapa gjuhëve madhore europiane, sidomos në nivelin e komunikimit abstrakt dhe diturak, në çështje të etikës dhe të filozofisë dhe të besimit, të mendimit politik dhe historik, të sociologjisë dhe të psikologjisë. Ata që thonë se shqipja “është gjuhë shumë e pasur”, ose “i ka të gjitha mjetet...” etj., gënjejnë haptazi – bashkëfolësit e tyre ose veten; meqë gjendemi shumë larg atij niveli, kur ligjërimi ynë të mund të shprehë atë larmi mendimi dhe individualitetesh që e ndesh në gjuhët e tjera, të kulturave të cilat po duam t’i ndjekim dhe t’i bëjmë tonat; dhe nuk ka ndonjë gjë për t’u habitur këtu, po të kemi parasysh se shqipen kemi filluar ta shkruajmë dhe ta lexojmë seriozisht vetëm në fund të shekullit XIX; se universitetin e parë, për shqiptarët, e kemi krijuar në vitin 1957, ose vetëm gjysmë shekulli më parë; dhe se periudha e botimeve më të shumta dhe të shumëllojshme, për një publik më në fund të alfabetizuar, përkon me periudhën e një diktature të ashpër totalitare dhe moniste, që luftonte sistematikisht çdo shfaqje të intelektualizmit, të pluralizmit dhe të pavarësisë së mendimit.

E vërteta është që shqipja, sikurse çdo gjuhë tjetër, i ka mundësitë (potenciale) që të përpunohet dhe të ngrihet në nivelet intelektuale më të larta të mundshme; me kusht që përpunuesit e saj, pavarësisht nga fushat ku veprojnë, të jenë të po atyre niveleve të larta. Pastrimi i leksikut shqip, i parë si qëllim në vetvete dhe si ushtrim gjimnastikor i një retorike të thjeshtë kombëtariste në rrafshin e ligjërimit të mediave, i shërben para së gjithash varfërimit të mendimit, thjeshtimit arbitrar të koncepteve dhe të arsyetimeve, dhe përpunimit të një lloj ligjërate publike e cila të ketë larminë dhe pluralitetin e një kompanie ushtarësh të rreshtuar për paradë ose për betejë.

Sado paradoksale të tingëllojë kjo, shqipja do të përfitonte shumë më tepër sikur përpjekjet për pasurimin e leksikut dhe vënien në qarkullim të fjalëve pak të njohura ose të mbetura pa të drejtë në hije, të përqendroheshin në shkollë; në mënyrë të tillë që, si ligjëruesit, ashtu edhe publiku e tyre, të fitonin shprehitë e nevojshme për t’iu referuar më pas një fondi shumë më të pasur fjalësh shqipe se ato që zotërohen sot; ndërsa krejt diskutimet meta-gjuhësore, për origjinën dhe biografinë e fjalëve të përdorura në ligjërim, të braktiseshin si kundërprodhuese, sa kohë që ato e zhvendosin vëmendjen nga përmbajtja e ligjëratës drejt formës së saj gjuhësore.

Kjo do t’i vinte fre edhe dukurisë, të rrezikshme në vetvete, të dobësimit të statusit të fjalëve, ose të vetë normës leksikore; dobësim që ka të bëjë me idenë se zgjedhjet tona të fjalëve janë vetvetiu të diskutueshme, dhe se kritika ndaj këtyre fjalëve dhe propozimet për zëvendësimin e tyre me të tjera më të përshtatshme janë pjesë normale e komunikimit publik. Të gjitha ato “sëmundje” foshnjore të leksikut ligjërimor, që kanë të bëjnë me huazimet e reja, neologjinë (ose krijimin e fjalëve të reja) dhe përshtatjen kuptimore ose riciklimin e fjalëve ekzistuese (e cila çon në mbingarkesën e këtyre fjalëve), kanë të bëjnë, në analizë të fundit, me dobësimin e normës dhe, për pasojë, të vetë sigurisë gjuhësore të ligjëruesve. Me pak fjalë, kjo e fundit do të thotë që folësit të mos i gjejnë dot më fjalët e përshtatshme për të formësuar dhe përcjellë, në krejt pasurinë e vet, mendimin që kanë në kokë dhe, për hir të koherencës, u drejtohen pastaj klisheve ose frazave të gatshme, duke iu dorëzuar përfundimisht trysnisë së jo vetëm gjuhës së Tjetrit, por edhe idealit të tij gjuhësor. Një publik që e lë veten në duart e klishesë gjuhësore është një publik që jo vetëm nuk komunikon mirë, por edhe nuk mendon mirë; dhe nëse mendimin e kemi të gjymtuar, ose të rrafshuar tej mase, atëherë as për gjuhën tonë nuk do të arrijmë të mendojmë dot si duhet.

Comments

Submitted by Ilir Meta (not verified) on

Përshëndetje Ardian

Duke qëne se jam dashamirës i përdorimit te gjuhës shqipe në të gjitha fushat ku ajo shkruhet dhe flitet, sa herë që shikoj emrin tuaj në mbi ndonjë shkrim në gazetë apo kudo tjetër, e lexoj shkrimin me kureshtje sepse e parandjej që do të trajtosh tema që lidhen me historinë,kulturen ose gjuhesinë tonë.

Në këtë shkrim dhe shkrime të tjera të tuat shikoj gjithmonë që je kritik ndaj gjuhes tonë dhe duke bërë krahasim me gjuhet e tjera (pa i përmëndur se cilat janë) e nxjerr në shumicën e rasteve atë si një gjuhë te papërpunuar dhe me mangësi të mjeteve shprehëse. Zakonisht kur u referohesh gjuhëve të tjera, përmënd gjuhët e mëdha Evropiane ( të mëdha janë vetem 3-4 gjuhë, se të tjerat janë pothuaj në të njëjtën madhësi me gjuhën shqipe) të cilat, sidomos në nivelin e komunikimit abstrakt dhe diturak, në çështje të etikës dhe të filozofisë dhe të besimit, të mendimit politik dhe historik, të sociologjisë dhe të psikologjisë janë shumë të përparuara në krahasim me gjuhën shqipe. Unë ketu jam dakort me ju por kjo vjen për arsye të zhvillimit më të shpejt dhe më të përparuar teknologjik të këtyre vëndeve që flasin këto gjuhë të mëdha, dhe sigurisht që zhvillimi dhe përparimi teknologjik do të sjellë detyrimisht lindjen e fjalëve të reja dhe pasurimin e përparimin e gjuhës përkatëse.

Por unë kam mendimin  që pasurimi i gjuhës dhe ngritja e nivelit të saj në përdorimin e përditshëm lidhet dhe me mësimin e gjuhës shqipe në shkollat shqipëtare e cila lë për të dëshiruar sepse po të shikosh gazetat dhe televizionet tona, kanë punësuar gazetarë, shumica e  të cilëve e kanë kryer shkollimin e tyre mbas viteve 90 (pa llogaritur ata që vijnë nga jashtë) . Mbas ketyre viteve mësimi i gjuhës shqipe në shkollat dhe universitetet tona, lë shumë për të dëshirur  dhe unë mendoj se kjo është një nga arsyet kryesore që niveli i përditshëm i përdorimit të gjuhës shqipe nga gazetarët shtypit mbarë shqiptar është shumë i ulët përsa i përket pastërtisë së gjuhës dhe varfërisë së mendimit të shprehur. Ëshët e njohur botërisht se nuk mund të shprehesh mendimin në nivele të larta intelektuale në një gjuhë, nqs nuk e zotëron atë gjuhë në mënyrë të shkëqyer.

Por unë mendoj se për të përmirsuar gjendjen duhet një angazhim më i madh i profesionistëve të fushës dhe shtetit njëkohësisht për të vendosur rregulla dhe ligje të cilat të detyrojnë organet tona të shypit që të punësojnë redaktorët letrarë dhe gjuhësorë në çdo organ shtypi ose botimi që hidhet në treg për një masë madhe lexuesish, që para se të botohen të marrin miratimin e tyre.

Gjithashtu përsa i përket pastërtisë së gjuhës nga përdorimi i fjalëve të huaja, unë mendoj se është gjithashtu detyra e gjuhëtarëve dhe njerzëve që merren dhe janë të angazhuar përditë me gjuhën dhe letërsinë të përditësojnë prurjet e reja nga gjuhët e mëdha  dhe ti përshtasin me gjuhën shqipe.

Sigurisht që ka dhe fjalë që nuk mund ti përshtatim ose shqipërojmë sepse duhen përdoru në origjinal, por në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar përdorimi i fjalëve të huaja kur egziston fjala e duhur shqipe.

Submitted by Anonim (not verified) on

Zoti Ilir,

Pretendoni se jeni dashamirës i përdorimit të drejtë të Gjuhës Shqipe. Vetëm në keto rreshta keni 19 gabime, vlerësuar këto me një shikim. Atëherë, pse vlen komenti juaj?

Submitted by Gjergji (not verified) on

Edhe ju z. Anonim megjithese keni shkruar vetem nje rresht keni gabuar. Sintagma Gjuha Shqipe sic e keni shkruar ju nuk ka ortografine e duhur. Po u fillua keshtu, pra, nuk mbarohet kurre. Gjuha sherben per komunikim dhe nese kumti percillet sakte, shpejt e pa medyshje, qellimi eshte arritur.

Submitted by Pjerin Kodra (not verified) on

Varfrimi i shqipes vjen, veç te tjerash, edhe nga kembengulja e vete gjuhetareve, nje konservatorizem i pa perligjur, per te mos permiresuar normat e drejtshkrimit te vendosura ne vitin 1972, qe per motiove ideologjike lane jashte nje pasurit e te tere te shqipes.

Lexova nje shkrim tek rrokum.tv, replike ndaj nje interviste te zonjes Jargaqi, dhe me beri pershtypje qe jane lene jashte nga Fjalori i Gjuhes Shqipe fjale qe nuk i ka toskrishtja dhe ne vend te fjales shqip eshte perfshire fjala turke apo greke.

Silleshin shembuj qe i njoh edhe une personalisht, pse i perdorim perdite. Keshtu, ne fjalor ndeshim fjalen turke "çiban" dhe eshte perjashtuar fjala shqipe "birth"; eshte perfshire fjala turke "abrash" dhe eshte perjashtuar fjala shqipe "i permiellte".

Pra varfrimi i shqipes fillon pikerisht aty ku duhet te ishin themelet e pasurimit te saj, ne institucionet gjuhesore - simbas mendimit tim, akoma ne "istikamet" e vitit 1972.

Kemi nevoje per nje gjuhe me te lehtesuar, me te zhdervjellte, çka nuk mund te realizohet me ngurrtesimin e saj atavik, pa rene ne mekatin e ballafaqimit te dy dialekteve, qe do te ishte nje mediokritet.

Submitted by arnaut (not verified) on

Pjerin, nese po sugjeron qe fjalet "turke" ciban apo abrash te zevendesohen me ato "shqiptare" kjo me duket pikerisht ajo qe po kritikon Vehbiu. Por nese po sugjeron qe te dyja format e fjales te mesohen e te perdoren, sipas tradites se krahines apo atyre qe jane mesuar te perdorin njeren apo tjetren forme, kjo besoj se eshte me vlere.

Une tani po e marr vesh qe "cibani" na qenka turk... per mua kjo fjale eshte aq shqip sa dhe fjala "kafe"

Submitted by dikush (not verified) on

Z. Vehbiu, per sa kohe shkruani ne nje faqe qe lexohet nga nje publik i gjere, nuk mund te ankoheni per nivelin e komenteve. Per mendimin tim, idete tuaja mbi gjuhen shqipe do te kishin nje impakt me te madh sikur t'i diskutonit ne konferenca/blogje me koleget tuaj gjuhetare. Po u be e modes qe specialistet e nje fushe te diskutojne tek Respublica ceshtje me natyre teknike, nuk eshte cudi qe neser ose pasneser te lexojme ketu ndonje shkrim mbi vetite kimike te sulfatit te bakrit.

Submitted by Anonim (not verified) on

Turp për shumë gazetarë dhe operatorë të shumë televizioneve (ne fakt të të gjitha televizioneve), që me artikuj të plotë apo me titra në ekrane, shformojnë Gjuhën Shqipe si mos me keq. Nuk janë vetëm fjalët e huaja që po e dëmtojnë Shqipen, por janë paaftësia dhe karagjozllëku i shqiptarëve, që po e dëmtojnë atë.

Submitted by visara gashi (not verified) on

duhet nje pastrim sepse fjalet e huaja mund te zevendesohen edhe me nje fjale tjeter shqip.
por pse s'e bejme ne kete ?pse na pelqen te flasim me fjale qe s'i perkasin shqipes?

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shume bukur

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.