Cila "drejtësi" po e privilegjon sërish Saimir Tahirin?

Postuar në 07 Prill, 2020 14:40

Para disa ditësh u shpërnda në media një njoftim zyrtar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e Apelit, sipas të cilat gjyqi me të pandehur z. Saimir Tahiri do të mbahet me datë 9 prill 2020. Caktimi i kësaj seance gjyqësore duket disi i çuditshëm nisur nga fakti që fillimisht Këshilli i Lartë Gjyqësor me vendimet nr. 127, datë 10.3.2020 dhe nr. 128, datë 24.3.2020, ka vendosur pezullimin e veprimtarive të gjykatave të të gjitha juridiksioneve. Rezulton se gjithashtu sipas njoftimit të datës 7.4.2020, Këshilli ka konfirmuar vijimin e pezullimit deri më datë 22 prill 2020.

Në vendimet e mësipërme, situata përjashtimore kur lejohet zhvillimi i seancave gjyqësore, janë ato që kanë të bëjnë me masat e sigurimit personal (respektimi i nenit 28 i Kushtetutës), si edhe raste të tjera të ngutshme që vlerësohen nga vetë gjyqtari. Në rast se seanca do të zhvillohet, kjo do të thotë që gjyqtarët e çështjes kanë vlerësuar se ajo paraqet një rast të ngutshëm, rast që nuk mund të presë. Por këtu për një transparencë më të mirë të veprimtarisë gjyqësore, në njoftimin që vetë Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e Apelit ka shpërndarë, minimalisht duhej të sqaronte se përse ky rast u konsiderua i ngutshëm. Ky sqarim duhej për të kuptuar se çfarë e dallon rastin e z. Saimir Tahiri në raport me raste e tjera që presin radhën për t´u gjykuar nga kjo Gjykatë.

Pra, vërtet z. Tahiri është shpallur fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë, por dënimi i tij është pezulluar dhe ai është dënuar me vënien e tij në shërbim prove. Po kështu ky vendim, duke qenë se palët kanë bërë ankim, nuk mund të ekzekutohet ende. Kjo do të thotë që z.Tahiri është në gjendje të lirë dhe nuk mbahet i ndaluar apo i burgosur diku. Atëherë, cila është arsyeja e ngutshme, kur ka plot individë të tjerë që janë në kushtet e masës së sigurimit me arrest me burg? Çfarë e diferencon rastin e z. Tahiri nga rastet e tjera?

Nga ana tjetër, pavarësisht njoftimeve të KLGJ-së, rezulton se është miratuar dhe Akti Normativ më fuqinë e ligjit nr. 9, datë 25.3.2020 ¨Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19¨, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 50, datë 25.3.2020.

Sipas nenit 3 pika 1 të këtij akti, rezulton se:

Seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, të planifikuara pranë të gjitha gjykatave, shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID19

Pra, në këtë rast pezullohen të gjitha proceset, përfshirë dhe ato penale. Rastet përjashtimore përcaktohen në pikën 3 të nenit 3 të këtij akti dhe konsistojnë sa më poshtë: 

a) Në çështjet administrative, me objekt gjykimin e masave të sigurimit të padisë, në rast se gjykata vlerëson se shqyrtimi pas afatit të përcaktuar në nenin 2, të këtij akti normativ, mund të shkaktojë një dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;

Çështja e z. Tahiri nuk rezulton që të jetë me natyrë administrative, për rrjedhojë kjo pikë nuk gjen zbatim.

b) Në çështjet familjare, me objekt gjykimi kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë dhe birësimin, masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim, si dhe në ato çështje civile në të cilat, përjashtimisht, gjykata vlerëson se shqyrtimi i vonuar i tyre mund të shkaktojë dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;

Çështja e z.Tahiri nuk është cështje me karakter familjar, pra ndarje nga bashkëshortja, detyrim për ushqim, kujdestari fëmijësh etj. Për rrjedhojë dhe ky rast nuk gjen zbatim për çështjen e tij.

c) Në çështjet penale, që lidhen me vleftësimin e arrestit në flagrancë ose ndalimit, caktimin, verifikimin e kushteve e të kritereve të caktimit dhe nevojat e sigurimit, zëvendësimin, revokimin, bashkimin ose shuarjen e masave të sigurimit të “arrestit në burg” ose të “arrestit në shtëpi”, kur të arrestuarit, të pandehurit ose mbrojtësit e tyre kërkojnë që të vijohet me shqyrtimin e tyre, si dhe në çështjet penale që lidhen me caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”;

Çështja e z.Tahiri është çështje themeli dhe jo çështje e masave të sigurimit personal apo të sigurimit pasuror. Ai do gjykohet nëse është fajtor apo jo dhe në këtë fazë nuk mund të merren këto masa, pra si fazë konsiderohet e kaluar. Për rrjedhojë dhe ky rast nuk gjen zbatim për çështjen e tij.

ç) Në çështjet penale, në të cilat afatet e kohëzgjatjes maksimale të paraburgimit, sipas pikës 6, të nenit 263, të Kodit të Procedurës Penale, mbarojnë gjatë periudhës së pezullimit;

Z. Tahiri nuk është në kushtet e paraburgimit, ai po gjykohet i lirë. Për rrjedhojë dhe ky rast nuk gjen zbatim për çështjen e tij.

d) Në çështjet penale të një natyre urgjente, për shkak të nevojës së sigurimit të provës, sipas nenit 316, të Kodit të Procedurës Penale. Urgjenca vlerësohet nga gjykata që shqyrton çështjen;

Në rastin e z. Tahiri nuk po kërkohet asnjë sigurim prove, pra dhe në këtë rast nuk kemi asnjë urgjencë. Për rrjedhojë dhe ky rast nuk gjen zbatim për çështjen e tij.

dh) Në çështjet penale në ngarkim të të miturve në konflikt me ligjin, kur ndaj tyre është zbatuar masa e arrestit apo e ndalimit, sipas nenit 15, të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;

Z. Tahiri nuk është një i mitur. Për rrjedhojë dhe ky rast nuk gjen zbatim për çështjen e tij.

e) Në çdo çështje tjetër penale ku i pandehuri është i paraburgosur ose është duke vuajtur dënimin me burgim, në rast se i pandehuri ose mbrojtësi i tij kërkojnë vazhdimin e gjykimit.

Siç e kemi përmendur z. Tahiri nuk është i paraburgosur, ai është i lirë. Për më tepër nuk është duke vuajtur ndonjë dënim me burgim. Edhe sikur vendimi i tij të ekzekutohet ai do të jetë në shërbim prove. Për rrjedhojë dhe ky rast nuk gjen zbatim për çështjen e tij. Në tërësi asnjë nga rastet përjashtimore, dukshëm nuk përfshin rastin e Saimir Tahirit. Pra, vetëm bazuar në këtë Akt Normativ me fuqinë e ligjit, i cili prevalon ndaj cdo akti apo parashikimi që ka bërë KLGJ (përfshirë edhe parashikimin për gjykimin e rasteve të ngutshme), kjo çështje ka ndalim për t´u gjykuar.

Nga sa më sipër lind pyetja se çdo të bëjë Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e Apelit? Do të mbyllë sytë, do të konsiderojë sikur ky Akt Normativ me fuqinë e ligjit nuk ekziston? Do të konsiderojë sikur jemi përpara nevojave të ngutshme, por pa sqaruar se përse ky rast ishte i ngutshëm në raport me rastet e tjera? Po Inspektori i Lartë i Drejtësië do ta hetojë në këtë rast? Apo ndoshta gjithçka është paravendosur?

E nderuar Gjykatë, neni 18, pika 1 e Kushtetutës përcakton se ¨Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit¨.

Prandaj ju lutem na sqaroni se përse z. Saimir Tahiri është i privilegjuar në këtë rast...

Comments

Submitted by arqile (not verified) on

Sa te kete maskarane kryeminister per mos pagim korenti ben burg nje fukara ky palacua qe eshte zv kryetar i droges se kryetar eshte rugac EDI RAMA nuk do bej se ka gjykaten.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.