Implikimet serioze të një Akti Normativ

Postuar në 16 Mars, 2020 15:02

Së fundmi në kuadër të masave të cilat synojnë mbrojtjen e popullisë së Republikës së Shqipërisë nga COVID-19 nga ana e Këshillit të Ministrave është miratuar edhe Akti normativ me fuqinë e ligjit nr.3, datë 15.3.2020 ¨Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19¨. Ky akt është botuar menjëherë në formatin elektronik të Fletores Zyrtare nr.37, datë 15.3.2020. Është e paqartë, por mendojmë se është edhe e pamundur që të jetë botuar po brenda datës 15 mars edhe në format fizik (hard copy) të Fletores Zyrtare.

Pavarësisht kësaj rezulton se ky Akt Normativ ka dalë si një ligj i plotë dhe jo plotësues i bazës ligjore ekzistuese e cila synon që të rregullojë veprimtarinë e organeve shtetërore. Ligji bazë që rregullon këtë situatë është dhe mbetet ligji nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”. Këtij ligji i janë bërë disa ndryshime me Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr.2, datë 11.3.2020.

Por mesa duket këto ndryshime nuk kanë qenë përsëri të kënaqshme dhe është vepruar me miratimin e Aktit Normativ nr.3/2020. Megjithatë siç e përmendëm, ky akt ka dalë si një ligj i plotë dhe jo si plotësim i ligjit nr.15/2016. Në këtë drejtim kirjohet që në fillim konfuzioni se si do zgjidhet situata kur e njëjta marrdhënie do të rregulllohet nga këto dy akte. Vetë Akti Normativ nr.3/2020 synon ta zgjidhë këtë situatë në nenin 6 të tij pikat 2 dhe 3, norma që kanë këtë përmbajtje:

2. Zbatimi i këtij akti normativ, për kohëzgjatjen e periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, ka përparësi ndaj dispozitave të akteve të tjera lidhur me masat administrative.

3. Në çdo rast, ky akt normativ nuk përjashton aplikimin e legjislacionit në fuqi për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive apo akte të tjera ligjore, për aq kohë sa nuk janë në kundërshtim me dispozitat e këtij akt.

Formulimi i mësipërm, tregon se ky akt do të ketë përparësi, megjithëse parashikimet ligjit nr.15/2016 mbeten në fuqi, mjafton që të mos kundërshtojnë këtë Akt Normativ. Kjo zgjidhje me “përparësi” dhe me “mos kundërshti”, në fakt tregon për një zgjidhje të shpejtë dhe jo të pëlqyeshme. Kjo sepse nëpuënsit e ndryshëm që janë ngarkaur me zbatimin e tij, duhet që të bëjnë krahasimin midis këtyre dy akteve dhe të vendosin së pari nëse ka përplasje midis këtyre akteve dhe së dyti prevalencën e këtij akti normativ mbi ligjin bazë. Po kështu edhe vetë qytetarët që u drejtohen këto dy akte ligjore do të kenë të njëjtën problematikë.

Pra si nëpunëist ashtu edhe qytetarët nuk do e kenë të qartë gjithmonë se cili është akti i zbatueshëm, ligji nr.15/2016, apo Akti Normativ nr.3/2020. Në këtë mënyrë zbatimi i sigurisë juridike, veçanërisht i parashikueshmërisë së normës, qartësisë së saj dhe pritshmërisë së ligjshme vihet në dyshim të fortë.

Gjithashtu ky Akt Normativ, bie në kundërshtim edhe me teknikën legjislative. Thelbi i këtij akti është neni 3 i cili në 16 pika të tij parashikon sanksione administrative të ndryshme ndaj qytetarëve dhe personelit mjekësor. Por vetë ky Akt Normativ nuk parashikon masat, ai parashikon shkeljen e këtyre masave. Masat në fakt janë pjesë e parashikimeve të ligjit nr.15/2016.

Për më tepër Manuali për Hartimin  e Ligjeve (2010) parashikon këtë radhë për renditjen e normave:

1. Titulli

2. Preambula dhe baza ligjore

3. Dispozitat që përcaktojnë qëllimin dhe fushën e zbatimit të ligjit

4. Përkufizimet

5. Dispozitat lidhur me procedurat administrative

6. Dispozitat e vlerësimit

7. Dispozitat për nxjerrjen e akteve nënligjore

8. Dispozitat e sanksioneve

9. Dispozitat e shfuqizimeve

10. Dispozitat për ligjet që prekin ligje të tjera

11. Dispozitat kalimtare dhe ato të kalimit të afatit

12. Dispozitat për hyrjen në fuqi

Në rastin e këtij Akti Normativ, qartazi këto rregulla nuk ndiqen dhe nuk parashikohen, për më tepër kur masat merren në kuadër të një ligji tjetër, ndërsa ndëshkimi për shkeljen e tyre vjen në kuadër të këtij akti normativ.

Një tjetër aspekt intersant që përmbys edhe llogjikën e këtij ligji është edhe referimi në Kodin e Procedurave Administrative për shqyrtimi dhe dhënia e masave administrative që parashikon ky Akt normativ (neni 4, pika 5). Vetë Kodi kërkon një procedurë strikte e cila ka si synim, identifikimin e palëve dhe njoftimin e tyre (neni 42), dhënien akses tek dosja (neni 45), dhënien e së drejtës për t;u dëgjuar, mundësine komentave gjatë procedurës (neni 47), detyrimin për t;iu përgjigjur komenteve (neni 48), rregulla mbi provën dhe barrën e saj (nenet 80 e vijues), etj.

Ndjekja e këtyre rregullave qartazi nuk është zbatuar deri më sot dhe vështirë se mund të ndiqet, nisur edhe nga emergjenca e cila deklarohet me të madhe. Për më tepër, megjithëse parashikon dënime administrative që kalsifikohen si kundravjatje administrative, nuk ka asnjë referim tek ligji i vitit 2008 “Për Kundravjatjet Administrative”, i cili ka parashikime të qarta për konstatimin e kundravajtjes dhe dënimin e saj.

Tjetër aspekt janë prekja e mediave aduiovizuale dhe e sistemit postar. Të dyja këto aktivitete kanë legjislacionin e tyre rregullues si edhe entet përkatëse që i monitorojnë (AMA dhe AKEP). Në këtë rast i gjithë legjislacioni i tyre bëhet nul dhe vlerësimet për to mund të jepen edhe nga Policia e Shtetit (neni 4). Pra policia ndërhyn në zyrat postare si edhe në ambjentet e mediave dhe ka të drejtë të gjobisë dhe dënojë për pjesëmarrje personash, pavarësisht sistemit të kontrollit dhe të sanksioneve që parashikojnë ligjet respektive të posaçme të fushës.

Për rrjedhojë rezulton se nga një vështrim i shpejtë, ky Akt Normativ, shkel parimin e sigurisë juridike, nuk ndjek rregulat e teknikës legjislative, ndëshkon shkeljen e masave që merren sipas një ligji tjetër ku edhe aty ka sanksione të tjera, si edhe e bën të diskutueshme zbatimin e normave të Kodit të Procedurës Administrative, për më tepër edhe kur në mënyrë të cuditshme shmang referimin në ligjin për kundravajtjet administrative.

Re.Pu

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Teorikisht, cdo kushtetute dhe ligje te ndryshem parashikojne per raste te jashtzakonshme nxjerrjen e dekreteve dhe akteve/normave legjislative, te cilat kane efekt te pjeseshem mbi ligjin dhe jane vetem per kohe te perkohshme. Ky ligj i ri nuk ka pse te quhet ligj, por duhet te jete nje akt normativ i perkohshem.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.