Problemi i identitetit egjiptian, një vështrim nga brenda

Postuar në 03 Mars, 2020 15:19
Luqman El-Masry*

 

Pasi rrëzuan monarkinë me grusht shteti në korrik 1952, pushtetarët e rinj ushtarakë të Egjiptit riformuan identitetin e saj. Mbretëria e Egjiptit u bë Republika Arabe e Egjiptit, duke hedhur një hap tjetër drejt panarabizmit. Kjo përqafim i identitetit panarab pati efekte të kundërta në terma afatgjatë, që penguan përparimin e vendit, ndërsa ndikuan në mënyrë drastike në mënyrën se si egjiptianët e shohin veten, fqinjët e tyre dhe botën.

Unë jam egjiptian dhe kam disa pyetje që mund të krijojnë siklet.

Si ra Egjipti nga statusi i një qytetërimi të madh që dikur mahniste botën, në një pozitë krejt të parëndësishme. Cilat parime dhe vlera mbrojnë egjiptianët? Çfarë na përcakton ne si komb? Cilët janë faktorët që kanë përcaktuar bindjet dhe besimet tona? Pse i shohim palestinezët si miq dhe izraelitët si armiq? Pse kemi një partneritet strategjik me SHBA-të, megjithëse rreth gjysma e egjiptianëve beson, siç bëjnë shumica e arabëve, se SHBA-të janë shtet i keq që komploton me Izraelin kundër tyre? Ne kemi një traktat paqeje me Izraelin, por shumë prej nesh ndajnë mendimin se vizita në atë vend konsiderohet një akt tradhtie. Pse themi një gjë dhe bëjmë një tjetër?

Egjipti është në gjendjen aktuale për shkak se populli egjiptian përqafoi një identitet që i ishte imponuar - një gjendje e panatyrshme dhe e pashëndetshme marrëdhëniesh me jashtë. Ne mbajmë një lidhje të fortë për të njëjtët njerëz që na e shkatërruan pothuajse plotësisht mënyrën tonë të jetesës, duke e kthyer Egjiptin në një hije të asaj që ka qenë dikur.

Nëse egjiptianët duan të rimarrin respektin e botës dhe do të hedhin themelet e një komuniteti të shëndetshëm, të drejtë, do të na duhet ta rishpikim Egjiptin nga e para. Kjo do të nënkuptojë rishikimin e aleancave tona. Ne duhet të braktisim identitetin panarab të imponuar nga sunduesit tanë ushtarakë. Për më tepër, ne duhet të hedhim poshtë bindjet dhe besimin që na u imponua gjatë shumë viteve të okupimit arab.

Skocezët nuk e quajnë veten anglezë. Afrikanët perëndimorë, vendet e të cilëve dikur kanë qenë të pushtuara nga Franca nuk e quajnë veten francezë, megjithëse, njësoj si ne, ata flasin gjuhën e kolonizatorit të tyre. Pse egjiptianët identifikohen si arabë, pavarësisht provave faktike për të kundërtën, përfshirë analizën e fundit të ADN-së që tregon se ne nuk jemi më shumë se 20% arabë?

Historia, konteksti dhe efektet e pushtimit arab islamik dhe pushtimit të Egjiptit rreth vitit 640 të erës sonë përbën material të mjaftueshëm për të marrë doktorata të shumta në shumë fusha studimi. Sidoqoftë, dëmi që i është bërë Egjiptit nga përqafimi i detyruar i një identiteti, arab mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet zbërthimit të disa faktorëve.

1. Një besim i vazhdueshëm në teoritë e komplotit

Teoritë e komplotit janë të shumta në botën arabe. Megjithëse fenomeni nuk kufizohet vetëm në atë botë, askund tjetër nuk është më i përhapur. Hulumtimet e fundit tregojnë se njerëzit janë më të prirur të besojnë në teoritë e komplotit kur ndihen të pafuqishëm dhe nën kërcënim - një gjendje e mendjes, integrale për panarabizmin, që zbaton nocionin e dyfishtë se Perëndimi dhe Izraeli janë gjithnjë duke komplotuar kundër arabëve dhe se, për shkak të mbështetjes së perceptuar të Perëndimit për Izraelin, nuk ka shumë gjëra që mund të bëhen për këtë.

Kjo gjendje e paracaktuar u bën egjiptianëve një dëm të madh. Bindja se të ardhmen e vendit nuk e kemi në dorë, dhe se politikat shtetërore janë thjesht një reagim ndaj një kërcënimi ekzistencial të jashtëm (të mbështetur nga një "kolonë e pestë" egjiptiane), nuk është asgjë më shumë se një justifikim i leverdisshëm për dështimin tonë për të arritur diçka që ia vlen, që nga "Revolucioni i Korrikut 1952". Merrni për shembull, bindjen e përhapur mes egjiptianëve për shpifjet antisemitike “Protokollet e Pleqve të Sionit”. Në vend që të punojnë për të krijuar një komunitet demokratik, të shëndetshëm, egjiptianët kënaqen me bindjen se ata janë viktimat fatkeqe të një grupi djallëzor "të tjerësh", që kanë organizuar takime të fshehta për të vendosur të ardhmen e tyre së bashku me atë të gjithë botës. Pse të përpiqemi ta formojmë të ardhmen e vendit tonë vetë? Fuqitë e errëta të rreshtuara kundër nesh janë shumë të mëdha. Gjithë çfarë mund të bëjmë është të lutemi dhe të shpresojmë se nuk do të dalë shumë keq. I tillë është vullneti i Allahut.

2. Standarde të dyfishta

Arabët zbatojnë standarde të ndryshme në situata të ndryshme, siç u vjen për shtat. Kolonizimi islamik i Egjiptit përmendet nga myslimanët dhe egjiptianët si Fatah, ose "hapje", që nënkupton se nuk ka pasur pushtim me forcë, por përkundrazi një përqafim paqësor dhe i mrekullueshëm i islamit. Në mënyrë kategorike, ata refuzojnë të pranojnë se islamizimi i shumë vendeve, përfshirë Egjiptin dhe të gjithë fqinjët e tij të Afrikës së Veriut, ishte rezultat i kërcënimit ose zbatimit të dhunës. Në të njëjtën kohë, të njëjtët njerëz akuzojnë Izraelin dhe hebrejtë se po përpiqeshin të "judaizonin" rajonin, madje edhe përpara vendosjes së shtetit të Izraelit.

Ikona panarabe më e aftë në zbatimin e standardeve të tilla të dyfishta ishte Presidenti Gamal Abdel Nasser. Ai mbajti fjalime të zjarrta të zjarrta kundër Perëndimit dhe komploteve të tij të pretenduara për të shkatërruar Egjiptin - ndërsa nxori dekretet presidenciale për të shkatërruar tempujt dhe monumentet e lashta egjiptiane dhe për t’ua dhënë SHBA-ve, Britanisë dhe shteteve të tjera perëndimore. Ai mbajti ligjërata para popullit egjiptian për nevojën për të sakrifikuar gjithçka që e konsideron të shtrenjtë për liri dhe pavarësi, ndërsa burgos mijëra që ishin fajtorë se nuk binin dakord me të (dhe ekzekutimin e shumë prej tyre).

3. Një histori dështimesh

Një profesionist evropian i mbrojtjes më tha një herë se ai gjithmonë e ka konsideruar mistifikues faktin se BE dhe NATO janë më të afta të punojnë së bashku sesa shtetet arabe. Për dallim nga arabët, vendet anëtare të këtyre organizatave nuk ndajnë të njëjtën gjuhë dhe kanë një histori të vonë të luftërave shkatërruese - megjithatë ata në një farë mënyre arrijnë të bashkëpunojnë me sukses.

Të rinjtë egjiptianë sot e kuptojnë këtë dhe e pranojnë hapur që panarabizmi është një dështim. Megjithëse është në interesin e arabëve që të punojnë së bashku në mënyrë produktive dhe ka një potencial të madh të qenësishëm në një bashkëpunim të tillë, ata janë provuar të paaftë për t’ia dalë me sukses dhe kjo për shumë arsye.

Ndoshta më kryesorja mes tyre është se figurat kryesore që mbrojnë një front të bashkuar arab (nga Nasser, te Hafez Asad, deri te Saddam Huseini, deri te Muammar Qaddafi) ishin diktatorë të pamëshirshëm, aftësitë udhëheqëse së të cilëve ishin ekzagjeruar në masë të madhe. Nasser tani po vihet në lojë gjerësisht në mediat sociale dhe është përshkruar nga shumë të rinj si një njeri që “e shkrep armën kot". Ai ka bërë shumë zhurmë, por ka humbur çdo luftë apo fushatë të rëndësishme ushtarake në të cilën është përfshirë.

Ekziston gjithashtu problemi që egjiptianët nuk duan të mbeten në hije nga ndonjë entitet tjetër arab. Disa studiues egjiptianë argumentojnë se Republika e Bashkuar Arabe (UAR), siç u quajt bashkimi jetëshkurtër egjiptiano-sirian (1958-61), do të thoshte që, për herë të parë që nga themelimi i Egjiptit antik rreth vitit 3150-3100 p.e.s., vendi pushoi së ekzistuari. Pasaportat egjiptiane të lëshuara gjatë asaj periudhe nuk i referoheshin Egjiptit. Ndërsa disa i lavdërojnë ato kohë, duke argumentuar se ato ishin ditët e mira të vjetra të unitetit, për dallim nga epoka zhgënjyese moderne e ndarjes dhe konfliktit, shumica e njerëzve - veçanërisht të rinjtë e mijëvjeçarit të ri- janë ose indiferentë ndaj këtij uniteti ose plotësisht janë të pavetëdijshëm për të. Dhe, sidoqoftë, argumenti që UAR përfaqësonte një bashkëpunim të suksesshëm arab, lehtësohet me faktin se jo vetëm ishte një bashkim jetëshkurtër, por u dëmtua nga mosmarrëveshjet e brendshme dhe përpjekjet e secilit vend për ta dominuar atë. Lart të provuarit të potencialit të madh të unitetit panarab, UAR është dëshmi se panarabizmi është një projekt i dështuar.

Ndërsa Egjipti gradualisht heq dorë nga panarabizmi i tij, do të kërkohet një zëvendësues për të mbushur vakumin. Është momenti ideal për Izraelin dhe kombet perëndimore që të hartojnë një strategji që u bën të mundur egjiptianëve të komunikojnë me fqinjin e tyre hebre dhe Perëndimin pa frikën se do të ndëshkohen nga aparati i tij i sigurisë, që nuk bën lëshime. Ndërsa egjiptianët mësojnë për botën rreth tyre, ata do të vlerësojnë vlerat që mbrojnë të drejtat dhe dinjitetin e njeriut. Kjo, nga ana tjetër, do t'i bëjë ata shumë më të prirur të lidhen me vende si Izraeli, qytetarët e të cilave janë përgjithësisht më të lumtur dhe më të sigurt dhe të drejtat e tyre mbrohen nga sundimi i ligjit.

*Luqman El-Masry është pseudonimi i një analisti egjiptian të inteligjencës dhe politikës, i specializuar në konfliktin arabo-izraelit. Ai ka qenë i përfshirë në procese dhe iniciativa për vendosjen e paqes dhe ka punuar me politikanë të njohur në të gjithë rajonin.

Burimi: BesaCenter

Përktheu për ResPublica: Gazmira Sokoli

Comments

Submitted by Dypakaveli (not verified) on

Kete fryme vetem shqipetaret e kane sjelle ne kohen e Rilindjes Kombetare para e pas saj, prandaj medoj qe duhet forcuar lobi shiptar per te perafruar nje dinasti te re, per tu perfaqesuar ne "nje ere te re te ardhshme".

Submitted by Anonymous (not verified) on

Egjyptianet Jane illyro Pellazge. Duhet t'i besojne ketyre perrallave per te ngopur barkun e tyre Bosh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.