Po niveli i gazetarisë a mund të "vetërregullohet"

Postuar në 20 Janar, 2020 17:59

Debati për paketën antishpifje u përqendrua në kufizimet e supozuara ligjore që qeveria i vendos lirisë së fjalës. Apo lirisë së shtypit. Dhe ka ende interpretime të ndryshme mbi këtë fakt. Kryeministri u mbrojt duke thënë se me anë të ligjit po vendoset një masë mbrojtëse për ata që janë viktima të shpifjes dhe abuzimit me lirinë. Ai shkoi më tej. Në bisedën me gazetarë – të cilët i përzgjedh vetë – me rastin e marrjes së drejtimit të OSBE-së, z. Rama ironizoi duke thënë se gazetarët që sot kundërshtojnë ligjin nuk e kanë lexuar atë. Ndaj ai do të ofronte salla leximi. 

Ky është i njëjti kryeministër që deri para disa kohësh e quante median kazan, duke arsyetuar se e kishte me mënyrën e funksionimit, jo me emra të caktuar. 
Kryeministrit nuk i takon të mbajë qëndrime të tilla që polemizojnë me profilin e punës së medias, pasi së pari ai duhet të polemizojë për akuzat direkte që I bëhen. Megjithatë, z. Rama e ka një pikë të fortë me vete dhe këtë duhet ta njohim: Injorancën e gazetarëve. Dhe nëse do të shohim te raporti mes pushtetit dhe medias një betejë të vazhdueshme, injoranca e kësaj të fundit është avantazh për të parin. 

Po të heqim armët kimike dhe rastin e DH Albania-s, media shqiptare nuk I ka kushtëzuar asnjë vendimmarrje tjetër pushtetit të tanishëm, në kuptimin e ndryshimit të një vendimi. Nuk e ka bërë një gjë të tillë as opozita ndaj kjo situatë na ilustron se lloji i betejës që i hapet pushtetit bazohet më tepër në idenë e zhurmës sesa prezantimit të fakteve. Kjo ka rëndësi për arsye se sa më mirë dhe saktë të ndërtohet akuza, aq më të vështirë e ka pala e akuzuar të manovrojë dhe të shmanget. Dhe aq më e detyruar është Prokuroria të marrë në konsideratë hetimin kryesisht. 
Këtu nuk po futemi në logjikën e gjobave që vepron përherë në lajmet të shumta dhe që në fakt e kanë njollosur në mënyrë të pakthyeshme një brez gazetarësh. 

 

Po qëndrojmë tek injoranca e cila manifestohet edhe te defiçencat serioze në kulturën e përgjithshme, që është premisë e patjetërsueshme për ata që punojnë në media. 
Para disa ditësh botuam në ResPublica një shkrim të përkthyer për përdorimin e drogës në periudhën e nazizmit. Është ndër ato shkrime që bashkojnë kërkimin me sensacionin kur paketohen në vitrinat e mediave online. Kjo temë është përcjellë shpesh në mediat shqip. Në një shkrim me titull: “Ja çfarë droge merrte Hitleri”, publikuar në disa media në vitin 2015, shkruhet ndër të tjera se: 


Kaq e befasishme është siguria me të cilën shtohet togfjalëshi “krahina e Vehrmahtit”, saqë detyrohesh për siguri të kërkosh në Google nëse mos vallë ka patur një krahinë të tillë me të vërtetë. 

Mund të hamendësohet se ky përkthim është futur aty me Google Translate dhe është lënë bruto duke ekspozuar një nivel kulture dhe mënyrë pune që nuk ka lidhje me gazetarinë. Niveli shihet te fakti se punëtori pas pc-së thjesht nuk e di se çfarë është Vehrmaht, ndonëse tani e tutje Google shqip e nxjerr edhe krahinë. 

 Nga ana tjetër ai merr copy-paste materiale që i duken me interes sepse ka garën me klikimet dhe as kujdeset ta redaktojë përmes Google të paktën. 

Një tjetër rast më i freskët. Doli para disa ditësh lajmi se një ministër në Brazil ishte shkarkuar se kishte përcjellë në fjalimin e vet pasazhe nga fjalimet e Gëbelsit. Në një redaksi emri u lexua si Gibels shoqëruar me pyetjen: çfarë është ky? 

Kush punon në media e di që “gazetaria online” mbulohet kryesisht nga operatorë të diplomuar në gazetari, të cilët në pjesën më të madhe nuk dinë mirë anglisht dhe përfaqësojnë ndoshta nivelin më të ulët të gazetarisë në këto tri dekada. 

Patjetër që kultura e përgjithshme nuk është kusht i panegociueshëm për të filluar punë në gazetari, apo më saktë në media. Por ama përgjegjësia e publikimit e kërkon patjetër një gjë të tillë. Dhe këtu ne mund të vëmë re dështimin e shkollës së gazetarisë, ku gëlojnë mijëra të rinj dhe nga ana tjetër faktin se defiçencat e vënë në dukje nuk relatohen me specializimin e mediave online. Një gazetar që punon reporter në një tv informativ e ka më të lehtë t’i shpëtojë gabimeve të tilla sepse bën raportim thuajse në kohë reale për ngjarje që mbulohen me pamje dhe zë. Në median online, mangësi të tilla do të asimiloheshin më mirë nëse do të kishte specializim të tyre. P.sh në një media me drejtim mirëfilli ekonomik, nuk është humbje e madhe nëse gazetari nuk ka dëgjuar gjë për Reis Malilen apo për Xhaferr Ypin. Ndaj problemi i nivelit del në pah më shpejt dhe në mënyrë më flagrante në gazetarinë e shkruar, forma më aktive e së cilës këto kohë është ajo online. 

Ata gazetarë që dalin e kundërshtojnë qeverinë flasin për vetërregullim. Po si ta vetërregullosh këtë situatë ku mbi 700 portale operojnë me dy njerëz pas ekranit dhe qarkullojnë materiale të vjedhura përditshmërisht? Që nuk dinë të lexojnë një dokument dhe që nuk kanë as kohën dhe as vullnetin e një redaktimi minimal? 

Problemi kryesor këtu është cilësia e shkollës dhe injoranca mbi historinë nuk shfaqet vetëm në Shqipëri. Gazetaria i është nënshtruar logjikës së fast-food, ku vlen shpejtësia dhe klikimi. Por ky ligj i pashkruar kërkon në fakt cilësi të tjera nga ato që teorikisht të jep universiteti, ndaj arsyeja e mbajtjes së degës së gazetarisë është provuar praktiisht dhe teorikisht e pajustifikuar. 

 

Sot thuhet se me Tekonologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit çdo njeri është gazetar. Por kjo nuk ka sesi të jetë e vërtetë. Sot çdo njeri ka mundësi të raportojë në kohë reale, pra të jetë e shumta një reporter i ngjarjes, por jo gazetar. Sepse gazetar është fjalë e rëndësishme e një profesioni të rëndësishëm që si çdo gjë në vendin tonë është keqkuptuar dhe shndërruar në han për këdo që nuk di dhe nuk mundet të bëjë ndonjë gjë tjetër. 

Tolerimi i injorancës në këtë nivel, harresa, fshirja e materialit, modifikimi, të gjitha këto janë instrumente që mbulojnë një realitet prej getoje në median online shqip, për të cilën nuk ka kurrfarë rëndësie liria. Dhe të cilën sot z. Rama – një individ i inkuadruar në kulturën, apo shprehitë kulturore të sistemit që lamë pas – e ka të lehtë ta tallë dhe përçmojë, por që në cilësinë e kryeministrit do të duhet ta shihte  ndryshe. Meqenëse betejën për universitetin e ka personale. 

Por sa mund të shpresosh përgjegjshmëri nga një shqiptar me karrige dhe me celular në dorë 20 orë në ditë?

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Jeni treguar te permbajtur me pershkrimin e nivelit te "gazetareve". Eshte tmerresisht i dobet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.