Arroganca perandorake, një cikël i përsëritur në Histori

Postuar në 14 Janar, 2020 01:44
Fritz Stern - Columbia University

 

Historiani i madh francez dhe dëshmori i rezistencës, Marc Bloch, mendohet se ka thënë: historia është si thika: mund të presësh bukë me të, por edhe mund të vrasësh. Kjo është edhe më e vërtetë për derivatet historikë si analogjitë; ato mund të sjellin iluminim ose polemikë helmuese. Kërkesa e parë për një analogji historike të pranueshme është besueshmëria; të dy situatat e krahasuara duhet të kenë ngjashmëri të habitshme, dhe imazhi i paraardhësit historik duhet të kuptohet sa më qartë që të jetë e mundur. Kjo bëhet një supozim i pamundur kur analogjia propozohet nga përkrahës që punojnë në epokën e injorancës historike. Në ditët e sotme, politikanët dhe përkrahësit përdorin analogji në vend të argumenteve, një mënyrë për t’i rënë shkurt për mbrojtjen e politikave të dyshimta.

Ishte e dobishme që Presidenti Kenedi ishte i vetëdijshëm për analogjitë historike. Gjatë krizës së Raketave Kubane të vitit 1962, ai kujtoi se sa lehtë kombet rrëshqitën drejt Luftës së Parë Botërore në 1914 dhe sa e rëndësishme ishte t’i jepej kundërshtarit një shans për t’u tërhequr, ndërsa i shpëtohej fytyra. Kur po merrej në konsideratë pushtimi i Kubës, ai i tha Robert McNamara-s: "Më duket se mund të përfundojmë të rrënuar. Unë mendoj se duhet t’i mbajmë vazhdimisht parasysh britanikët në Luftën e Boerit, rusët në luftën e fundit me finlandezët dhe përvojën tonë me Korenë e Veriut".

Por ishte mashtrim i rrezikshëm në vitin 2003 të bëje krahasimin e pushtimit të Gjermanisë dhe Japonisë nga Aleatët në 1945 me pushtimin amerikan të Irakut vetëm për të sugjeruar lehtësinë e vendosjes së demokracisë me forcën e armëve. Djalli dhe njeriu i mirë mund ta citojnë Biblën - për qëllime të kundërta. Kjo është e vërtetë edhe për analogjitë. Disa momente historike ose persona mund të jenë unikë - përpiquni të gjeni një Abraham Lincoln, për shembull. Edhe Jagot(1) vështirë se mund të vijnë. Mund të na vijë për shtat të kujtojmë paralajmërimin-aspiratë të Jacob Burckhardt: Studimi që i bëjmë historisë nuk do të na bëjë më të zgjuar për herën tjetër, por duhet të na bëjë më të mençur njëherë e përgjithmonë.

Shtetet e Bashkuara, me pretendimin e shpeshtë për ekskluzivitet, duhet të ishin pa analogji historike, dhe në kohën e Revolucionit Amerikan, lufta për të krijuar një republikë kushtetuese ishte pa paralele moderne. Por ndërsa ky vend u bë fuqi botërore dhe, më në fund, fuqia botërore numër një, krenaria e saj e jashtëzakonshme filloi të tingëllojë boshe, dhe krahasimet me fatin e perandorive të mëparshme u bënë të zakonshme.

Me humbjen e fuqive të Boshtit në 1945, Shtetet e Bashkuara u shfaqën si fuqia lider e Perëndimit dhe pas kësaj u përballën me përgjegjësitë dhe tundimet perandorake. Në vend, "Frika e Kuqe" u bë një forcë e fuqishme politiko-psikologjike. Jashtë vendit, barrët e njëpasnjëshme të Koresë dhe Vietnamit, të cilat kërkuan flijime të jetëve dhe pasurive amerikane, u pasuan nga ngritja e një sfide krejt të re, terrorizmi ndërkombëtar, me Shtetet e Bashkuara si objektivin kryesor të tij.

Një komb në mëdyshje dhe i ndarë nga epërsia amerikane pas Luftës së Dytë Botërore u bashkua me shumë analoge që ofruan politikanë dhe studiues partizanë. Nuk është çudi që shumë prej këtyre analogjive u përqëndruan në fatkeqësinë më dramatike dhe të fundit botërore dhe historike - ngritjen dhe rënien e Hitlerit dhe perandorisë së tij. Në fillim të viteve ’50, alarmistët e krahut të majtë panë te senatori McCarthy një Hitler dhe te Eisenhoëer, një Hindenburg. Në atë kohë, mendoja se kjo ishte një krahasim ziliqar dhe i rrezikshëm në atë kulturë politike amerikane, thelbësisht e ndryshme nga ajo e Gjermanisë. Por gjermanishtja ka qenë gjuha e politikës in extremis, Ëeimar simbol i vetë-shkatërrimit demokratik, Hitleri përkujtues i tiranit të gjithëfuqishëm — dhe zbutjes së tij si rruga për luftën.

Ndoshta asnjë analogji e vetme nuk është evokuar aq shpesh dhe në mënyrë të dëmshme si "Mynih." (Sa prej nesh e kujtojnë atë që ndodhi në të vërtetë?) Konferenca e Mynihut e Shtatorit 1938 ishte kulmi i përpjekjeve anglo-franceze për të përshpejtuar ose pranuar kërkesat e Hitlerit, për të njohur "padrejtësitë"e Gjermanisë në Versajë dhe të bëjnë përpjekje mbi të gjitha për të shmangur një luftë tjetër. Disa ithtarë të zbutjes - anëtarët e klasave në pushtet, konservatorët e udhëhequr keq, të cilët shpresonin të ruanin pushtetin e tyre - mund të kenë pasur një admirim të fshehtë për udhëheqësin vendimtar si mburojën e madhe antibolshevike. Ndërkohë, e majta evropiane dhe disa konservatorë realistë (Einston Churchill është shembulli heroik) këmbëngulën që Hitleri synonte hegjemoni evropiane dhe se vetëm vullneti i vendosur dhe kërcënimi i forcës mund ta ndalonin atë. Të etiketosh kritikët amerikanë të përfshirjes së përshkallëzuar në Vietnam ose Irak si "paqësorë" ose përkrahës të "Mynihut" është një marrëzi e rrezikshme, për më tepër sepse analogjia mund të errësojë rreziqet aktuale që përballen me Shtetet e Bashkuara.

Jam befasuar kohët e fundit nga një analogji krejt e ndryshme nga drama e historisë gjermane, përkatësisht katastrofa dhe fataliteti politik i udhëheqjes gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore, e mishëruar nga udhëheqësi suprem i kohës, Kajzer Vilhelm II. Kajzeri erdhi në pushtet në 1888 në moshën njëzet e nëntë vjeç, babai i tij liberal kishte mbretëruar - pa zë - për nëntëdhjetë e nëntë ditë para se t’i dorëzohej kancerit të fytit. Gjyshi i ri i Kaiserit, Vilhelm I, një monark i vërtetë prusian, kishte kryesuar mbi fitoret ushtarake që i kishin mundësuar Bismarkut të krijonte Reich-un e unifikuar në 1871. Brenda dy viteve të ngjitjes së tij në fron, Vilhelm II shkarkoi Bismarkun, një idhull i mëvonshëm i kombit, një diplomat i kujdesshëm në çështjet evropiane dhe një armik i ashpër i reformës demokratike në vend.

Vilhelmi II u bë udhëheqësi i një vendi që ishte në prag të zotërimit evropian. Deri në vitet 1890, Gjermania perandorake ishte bërë fuqia më e madhe në kontinent, më e fortë në aspektin ekonomik dhe ushtarak dhe e barabartë ose me epërsi mbi të gjithë në përparimet shkencore dhe teknologjike. Por pushteti gjeneron opozitë dhe fqinjët e Gjermanisë, të alarmuar nga kjo rritje e paparashikueshme, filluan të krijojnë aleanca mbrojtëse kundër tij. Kujdes suprem do të ishte e kërkuar nga ana e Gjermanisë për t’i përmbushur këto sfida, por Vilhelmi u përpoq të mishërojë atë fuqi në personin e tij dhe ta përqendrojë atë brenda vetvetes. Ai u shfaq në skenën botërore si një udhëheqës i guximshëm dhe kërcënues, ndërsa në vendin e tij shpërfaqi fuqinë absolute, duke besuar se ajo ishte paracaktuar në mënyrë hyjnore. Ai kishte përçmuar një parlament, fuqitë e të cilit ishin përcaktuar në një kushtetutë për të cilën ai mburrej se nuk e kishte lexuar kurrë. Ai ishte inteligjent, mbase edhe i talentuar dhe i impresionuar nga progresi teknologjik, por i pamësuar dhe impulsiv.

Ai u mrekullua nga pushteti dhe u gëzua u dashurua me uniformën (nganjëherë i ndryshonte ato çdo ditë). Në prirjen dhe ekstravagancën e tij, ai ishte thellësisht joprusian. Duke pasur parasysh pozicionin e tij në Evropë - jo aq sa të rrethuar politikë si kushëriri i tij mbretëror në Britani, Mbreti George V, dhe jo gati aq i plotë në sundimin e tij si kushëriri i tij rus, Car Nikolla II, mbi një vend shumë më pak të zhvilluar - ai ishte unik , dhe kështu karakteri i tij thellësisht i ndërlikuar, i josh historianët. Dëshmitë e botuara së fundmi, të nxjerra nga ditarët e kohës së luftës dhe letrat e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, përforcojnë fuqimisht figurën e perandorit dhe të metat e tij private që deformuan kështu në mënyrë decizive politikën e tij publike.

Ai iu kushtua fjalimeve bombastike, pasi paralajmëroi rekrutët e sapobetuar se, nëse i urdhëronte ai, ata do të duhej të qëllonin edhe prindërit e tyre. Ai dha urdhra befasuese për ushtarët që largoheshin në kohën e Rebelimit të Boksierit(2) se ata duhet të ngjallnin frikë siç kishin hunët kohë më parë. Ai i neveriti kritikët liberalë. Dhe ai foli disproporcionalisht për kombet e huaja, veçanërisht për Britaninë e Madhe. Disa nga këto kishin të bënin me anglofobinë e tij; ai nuk i zinte besë aspak nënës së tij, vajzës së Mbretëreshës Victoria. Sidoqoftë, edhe më keq sesa deklaratat e tij arrogante, bombastike, ai mbështeti ministrat dhe personelin ushtarak që kërkuan një ushtri gjermane gjithnjë e më të madhe - dhe, më keq akoma - një flotë deti të fuqishme që përfundimisht ai të bëhej aq i fortë sa për të mposhtur marinën britanike. Detajet e qeverisjes që ai neglizhoi, ndërhynë në shmangiet e tij. Ai dëshironte të mbretëronte, dhe ai kënaqej me oborrin e tij të madh - mbi dy mijë vartës nga gjeneralë deri në shërbëtorë e deri tek kopshtarë, të cilëve nganjëherë ai do t’u bënte shaka të pa kripë dhe lojëra ofenduese.

Që nga fillimi, anëtarët e enturazhit të tij u bënë disa njohës të shqetësuar të paqëndrueshmërisë dhe shëndetit të tij mendor. Ai kishte pasur një lindje jashtëzakonisht të komplikuar, dhe momentet e privimit nga oksigjeni mund t’i kenë dëmtuar trurin. Kur ishte i ri, ai mori një infeksion kronik të veshit të mesëm, që disa gabimisht mendonin  se mund të shkaktonte çekuilibrim mendor. Të tjerë panë një takt të zhvilluar nga vaniteti i pakufi. Disa nga vartësit e tij bënë gjykime më të ashpra. Kështu, Admirali Tirpitz - kampion fatlum i marinës gjithëpërfshirëse - mendonte se Vilhelmi e kompensonte pasigurinë e tij të brendshme me retorikë të ashpër dhe luftarake. Burrëria brutale ishte një tipar kryesor i personalitetit të Vilhelmit. Më 1903, Tirpitz vuri në dukje më tej, "Gjëja e trishtuar dhe shqetësuese në lidhje me këtë monark të talentuar është që për të pamja tregon substancë."

Politika e jashtme gjermane nga 1890-1914, për të cilën Kajzeri mban përgjegjësi zyrtare, arriti kulmin me një seri dështimesh dhe pengesash. Shumë ua lanë fajin këtyre gabimeve për kapriçion dhe dëshirën e Vilhelmit për prestigj, shqetësimin e tij për dinastinë dhe vanitetin personal dhe dështimin e tij për të vlerësuar interesat e vërteta kombëtare të Gjermanisë. Mbizotëronte një ton i rreptë ushtarak, i mbështetur nga interesa të mirëorganizuara që panë përfitime ekonomike te më tepër armatim.  Këta “lobistë” menduan se të huajt fitojnë mbrojtje ndaj reformave politike demokratike në vend, të cilat paraqesin një kërcënim ogurzi për fuqinë anakronike të asaj që shpesh është quajtur një kompleks agraro-industrial-ushtarak. Maks Veber, një avokat pasionant i ambicieve dhe përgjegjësive të Gjermanisë në mbarë botën, theksoi në vitin 1906, "Shkalla e përbuzjes me të cilën kombi ynë ndeshet gjithnjë e më shumë jashtë (Itali, Amerikë, kudo!) - dhe me drejtësi" është çështja vendimtare. Nënshtrimi ynë ndaj këtij regjimi të këtij njeriu po bëhet gradualisht një çështje fuqie me rëndësi 'botërore' për ne. ... Ne po bëhemi 'të izoluar' sepse ky njeri na sundon në këtë mënyrë dhe sepse ne e tolerojmë atë dhe e justifikojmë. "[Theks i shtuar.] Ky nuk ishte një pikëpamje e pazakontë midis konservatorëve të vërtetë, megjithëse në rastin e Veber-it, ajo u shpreh vetëm në korrespondencë private, duke u bërë publike vetëm pas një interviste skandaloze që Kajzer i dha “Daily Telegrafit”, në 1908.

E megjithatë ata ishin të gabuar, të paktën pjesërisht. Sundimi i Vilhelmit nuk ishte absolut, pasi sjellja e Gjermanisë gjatë Luftës së Parë Botërore e bëri këtë të qartë. Në fillim të korrikut 1914, pas vrasjes së arkidukës austriak, Kaiseri nxiti austriakët. Deri në fund të muajit, ai nuk mund t'i ndalonte vartësit e tij të nisnin një luftë sipas diktateve të strategjisë ushtarake - Planit të famshëm Schlieffen - dhe jo arsyes politike. Sapo kishte filluar lufta, Vilhelmi u bë Lord i Luftës Supreme, dhe funksioni i tij kryesor duhej të ishte gjykimi midis elementëve rivalë në qeverinë e tij. Në vend të kësaj, konflikti civilo-ushtarak u thellua. Ushtria gjermane gjithnjë kishte një mentalitet shtet-brenda-shtetit, dhe, në këtë rast, si ushtria, ashtu edhe udhëheqësit civilë, ishin të ndarë.

Pas një shpalljeje që lartësonte unitetin kombëtar - duke bashkuar kombin e pafajshëm përballë sulmeve të huaja, Vilhelm u vendos në Selinë e Lartë, larg Berlinit. Megjithëse gjeografikisht ishte afër frontit, ai ishte i në mënyrë të rehatshme larg nga çdo respekt tjetër. Ai ishte më shumë se kurrë i varur nga kokat e kabineteve të tij ushtarake dhe civile. (Ditaret dhe letrat e tyre janë botuar kohët e fundit.) Deri në fund të shtatorit 1914, pas Betejës së Parë të Marne-s dhe dështimit të Planit të Schlieffen, disa nga këshilltarët e tij e kuptuan që shanset për një fitore ushtarake ishin të pakta dhe argumentuan nevojën për negociimin e paqes. Por deri në atë kohë, madje kancelari civil ishte angazhuar për qëllime ekstravagante të luftës, që ngritën iluzionin për negocimin e paqes. Kreu i kabinetit ushtarak, gjenerali ultrabesnik Hans Georg von Plessen, theksoi se, "Kajzeri ishte përsëri në pikën më të ulët të nervave të tij, pa besim në të ardhmen, pa vetëbesim."

Që nga atëherë, gjendja mendore gjithnjë e në ndryshim e Kajzerit u bë një çështj dominuese në zhvillimin e luftës. Publikisht ai shprehu besimin e tij në fitoren totale, por privatisht, ai përjetoi momente pasigurie dhe dëshpërimi. Publikisht ai shpalli pafajësinë e kombit, ndërsa privatisht ai dënoi mizoritë gjermane të kryera në Belgjikë. Duhej të merreshin vendime të vështira, duke përfshirë edhe atë nëse do të shpallej luftë me nëndetëse, duke siguruar kështu hyrjen e Shteteve të Bashkuara në luftë. Megjithëse fati i vendit të tij (dhe i Evropës) varej nga mënyra se si ai i mori këto vendime, Kajzeri u informua vetëm në mënyrë jo të rregullt, ndërsa këshilltarët e tij e mbanin larg në mënyrë sistematike nga lajmet e këqija. Në qershor 1917, Gjeneral Plessen vuri në dukje, "Çdo gjë e pakëndshme është e shtypur dhe gjithçka e dobishme është e ekzagjeruar jashtëzakonisht shumë. Këtë stil struci ai e quan optimizëm, dhe kushdo që nuk bashkëpunon në këtë vetë-mashtrim, ai e quan pesimist. Asnjëherë gjatë kësaj lufte nuk pyeti madje, edhe me një rrokje të vetme, për humbjet tona”. Në të njëjtën kohë, Kajzeri e konsideroi luftën si një luftë midis së mirës dhe së keqes, dritë kundër errësirës:" Zoti e do këtë luftë dhe ne jemi instrumente të Tij", tha ai.

Pas tre vitesh masakrash të paimagjinueshme, Vilhelmi ishte kthyer në instrumentin e një diktature ushtarake të drejtuar nga Field Marshal Paul von Hindenburg dhe Gjenerali Quartermaster Erich Ludendorff, të cilët ai ishte detyruar t’i emëronte dhe fuqia e të cilëve, pothuajse e pakufizuar, mbështetej në kërcënimet e tyre për dorëheqje, gjithnjë të gatshme. Ata gëzuan besimin e klasave qeverisëse të Gjermanisë dhe ishin të vendosur të refuzonin çdo kompromis, duke e vendosur gjithmonë besimin e tyre në një nxitje tjetër që do të sillte qëllimin gjithnjë të pakapshëm të fitores totale. Konservatorët e moderuar ishin të zjarrtë në shqetësimin e tyre për vendin, njerëzit e të cilit po bëheshin gjithnjë më të uritur dhe gjithnjë e më të dëshpëruar për t'i dhënë fund masakrës. Një forcë e re politike, Partia Atdhetare, u bashkua në mënyrë të bujshme dhe me sukses për fitore totale, ndërsa luftonte në të njëjtën kohë kundër "armiqve të brendshëm". Ata përgojuan kritikët e politikave të kohës së luftës si subversivë që ndihmojnë armikun. Mes këtij shovinizmi të ashpër, antisemitizmi u rrit në mënyrë eksponenciale. Socialdemokratët u ndanë midis grupit të vjetër, të ftohtë që ende shpresonin për një reformë politike graduale dhe "Socialistëve të Pavarur", të sapoformuar, që kërkonin fundin e menjëhershëm të luftës imperialiste.

Ndërkohë, Kajzeri, i Plotfuqishmi ose Allerhöchster, siç thërritej, vazhdoi të mbahej larg nga e vërteta dhe u bë edhe më i largët me realitetin, sepse rrethi i tij i ngushtë i frikësohej kolapsit të tij nervor. Siç pranonte gjenerali Plessen, “Perandori ka nevojë për diell.” Dhe kështu ai u mbajt larg sa më shumë që të ishte e mundur nga çdo errësirë, një veprim i lehtësuar nga besimi i tij te pagabueshmëria e tij; në fund të fundit, ai ishte instrumenti i Zotit, kështu që providenca e lironte nga çdo faj. Edhe në këtë, ai mishëronte kombin e tij; megjithëse vetëmashtrimi i Vilhelmit ishte sui generis, mashtrimi i popullit të tij kontrollohej me kujdes nga mendjemadhësia dhe shtypja zyrtare, aq më efektive për t’u fshehur në shkallë të gjerë. Të gjitha kombet pjesëmarrëse në luftë e zbukuruan të vërtetën, por asnjëra nuk ishte aq e suksesshme në mënyrë shkatërruese sa Gjermania nën Hindenburg dhe Ludendorff.

Për Kajzerin, diversionet do të zinin herë pas here vendin e realitetit. Shefi gjithnjë besnik i kabinetit ushtarak, Moritz Freiherr von Lyncker, theksoi në maj 1917: "Fatkeqësisht është e vërtetë që ai shkëputet nga shumë gjëra dhe preferon ngushëllimin e tij para atij të të tjerëve. Ai gjithmonë ka qenë i tillë, edhe para luftës. Ai është, në fund të fundit, shumë i dobët dhe i fortë vetëm për mbrojtjen e interesave të tij personale, mbi të gjitha një ekzistencë të lehtë dhe sa më shumë të jetë e mundur të pashqetësuar ... Ai nuk është në lartësinë e detyrës e madhe - as me nervat e tij, dhe as me intelektin.” 

Në pranverën e vitit 1918, pasi bolshevikët kishin nënshkruar një paqe kartagjeniane të diktuar nga gjermanët, një fitore gjermane dukej aq e mundur saç ishte dukur në gusht 1914. Por deri në gusht 1918, forcat aleate kishin hyrë Brenda vijës gjermane, dhe Ludendorff i habitur, nga frika e një shembjeje të papritur të ushtrisë së tij, kërkoi që qeveria civile e sapokrijuar t'i dërgonte një kërkesë të menjëhershme Presidentit Woodrow Wilson për armëpushim. Wilson u përgjigj se Aleatët nuk do të negociojnë me Kajzer-in. Bisedimet vazhduan ndërsa gjermanët e uritur dhe të lodhur filluan të kërkojnë largimin e Kajzerit. Në fillim ai nuk pranoi. "Unë nuk kam ndërmend të braktis fronin tim për shkak të disa qindra hebrenjve, disa mijëra punëtorëve," tha ai më 3 nëntor 1918, ndërsa gjermanët dolën në rrugë me tërbim.

Kajzeri në fund mërgoi në Holandë - jo me dëshirën e tij, por sepse udhëheqësit e ushtrisë këmbëngulën që ai të largohej. Ndërsa u largua, ai fajësoi "Ludendorff, Bethmann dhe Tirpitz për humbjen e luftës",nga ana e tij një triumvirati i konsumuar nga urrejtja ndaj njëri-tjetrit. Deri në vdekjen e tij në mërgim në 1941, Kajzeri përhapi helmin ku mundi: Hebrenjtë duhej të fajësoheshin, ashtu si edhe socialistët, - vetëm ai kishte të drejtë. Duke reflektuar dhe inkurajuar ndjenjat e shumë gjermanëve, ai pa te Hitleri njeriun e ri të zgjedhur nga providenca, një shpëtimtar pas tradhtisë që kishte shkaktuar humbjen e Gjermanisë.

Kajzer, për një kohë të gjatë, simboli i arrogancës dhe agresionit gjerman për Aleatët - siç ishte për shumë gjermanë, - u vlerësua si personazhi negativ kryesor i Luftës së Madhe. Kryeministri britanik, David Lloyd George, zhvilloi fushatën e tij elektorale të vitit 1918 me parullën "Varje për Kajzerin". Vilhelmi kishte të metat e tij të tmerrshme dhe ai operoi në krye të një sistemi politik me të meta. Por, në fund të fundit, dështimi i tij kryesor ishte se braktisi përgjegjësinë që kishte dhe u dha pushtetin ushtrive dhe ushtarakëve civilë, të quajtur gabimisht konservatorë, sepse vizioni i tyre ishte një riorientim rrënjësor i sistemit shtetëror të Evropës. Skifterët e vërtetë, Ludendorff dhe aleatët e tij pan-gjermanë, nuk synonin asgjë më pak se hegjemonia botërore, ndërsa Vilhelm u bë pothuajse një alibi për njerëzit që ishin edhe më të paqartë se ai ende posedonte fuqi më të madhe. Në librin e tij mahnitës për shembjen e Gjermanisë, botuar në 1924, Charles de Gaulle numëron «defektet e zakonshme për këta njerëz eminentë: shijen karakteristike për ndërmarrjet e papjekura; pasionin për të zgjeruar pushtetin e tyre personal me çdo kusht; përbuzje për kufijtë e shënuar nga përvoja njerëzore, logjika e shëndoshë dhe ligji. "Por nën to ishte një borgjezi gjermane pozitive, e cila, sipas Maks Veber, në një frazë që rezonon prej dekadash, nxiti të hidhej "poshtë paaftësia dhe frika”.

Kombi ynë nuk është si Gjermania perandorake, dhe sado të mëdha rreziqet tona, ato nuk mund të krahasohen me tmerret e asaj kohe. Por mund të vijë një mësim i largët nga një vend, sunduesit e të cilit në luftë, duke u grindur midis tyre, shkaktuan dëm të paimagjinueshëm për popullin e tyre dhe për botën, me mendjemadhësinë, fshehtësinë dhe paranojën e tyre.

Pasojat e udhëheqjes së tyre - të forcuara siç ishin me pretendimet e udhëzimit hyjnor, të rrethuar në shovinizëm dhe të forcuar nga manipulimi dinak i frikës së përhapur - u shfaqën plotësisht vetëm më vonë, pasi njerëzit e një kombi të dëmtuar u kthyen kundër njëri-tjetrit, pothuajse duke u argëtuar me ndarjet dhe urrejtjet e tyre të thella politike dhe morale. U desh një katastrofë më e keqe, një plagë historike botërore, për t'u dhënë një mësim këtyre njerëzve të prekur nga kjo gjë. Për analogji të largët, edhe ne mund të nxjerrim mësim nga rreziqet dhe marrëzitë e arrogancës perandorake.

1- Jago – Personazhi negativ në “Otellon” e Shekspirit. 

2- Në vitin 1900, në atë që u bë e njohur si Rebelimi i Boksierit (ose Kryengritja e Boksierit), një organizatë sekrete kineze e quajtur Shoqëria e Grushtit të Drejtë drejtoi një kryengritje në Kinën veriore kundër përhapjes së ndikimit perëndimor dhe japonez atje.

Burimi: Lapham's Quarterly

Përktheu për ResPublica: Gazmira Sokoli

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Sot nuk nxjerr njeri mesim nga marrezite perandorake, perkundrazi, marrezite perandorake jane futur tek cdo njeri, dhe paqja ekziston vetem nga frika e sejcilit tek sejcili!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.