Mbi konfliktin në Egje dhe mënyrat e zgjidhjes së tij

Postuar në 24 Dhjetor, 2019 13:53
Dr. Theodoros Tsakiris - Universiteti i Nikozisë

 

Sfida e paprecedentë që i vendos Greqisë marrëveshja mes Turqisë dhe qeverisë libiane të Fayez al-Sarraj, ka sjellë si pasojë një përpjekje të re për të kuptuar motivimet turke nga tre kënde të ndryshme. 

Së pari është qasja ekonomike dhe e i sheh veprimet e Turqisë si një përpjekje për të fituar të drejtën e shfrytëzimit në depozitat hidrokarbure. Për ta thënë me fjalë të thjeshta, ne mund ta përmbledhim këtë temë në thënien “të gjitha luftërat bëhen për naftën” që na çon në logjikën pasuese se një shpërndarje e këtyre burimeve do të shmangte konfliktin. Mënyra me të cilën ky lloj diskutimi përvijohet në Greqi priret të fryjë fantazitë e miliarda barrelave naftë që do të fshinin borxhin publik thuajse brenda natës. Ndaj ka kuptim pra që Turqia të dojë që ta ndajë këtë “thesar” energjetik; pra nëse ne i japim një pjesë të tortës asaj, përmes negociatave dypalëshe, ajo do të na lërë të qetë. Kampionët e kësaj qasjeje, që i nxjerr të gjithë të fituar, e shohin atë si një opsion që mund të negociohet. Por ky nuk është rast për dy arsye bazike:

  1. Nëse do të pranohet ndarja e burimeve nën kërcënimin e dhunës me dikë që shantazhon për diçka që nuk e ka, pse duhet ai mandej të respektojë fitoren që erdhi vetëm si pasojë e zemërgjerësisë së tij? Ai do të përdorë të njëjtën taktikë shantazhuese, atëherë kur ta mendojë vetë të arsyeshme, që të të marrë gjysmën, atë që nuk i ke dhënë ende. Ai do të të lërë me iluzionin e një kompromisi të vlefshëm, funksional me të cilin mund të blejë qetësinë tënde mendore për disa vite, por në fund ajo çfarë do të të lërë është indinjata e një personi që vret veten me armën e vet kur të tjerët po e kërcënojnë ta vrasin. Kështu duhet të jenë ndjerë çekosllovakët një vit pas Marrëveshjes së Munihut me Hitlerin në vitin 1938.
  2. Zona që përkufizohet nga kërkesat turke përgjatë shelfit kontinental grek mes Kastellorizos, Rodit dhe Lasithit në Kretë, është më e paeksploruara në Europë në termat e kërkimit sizmik. Nuk ka patur asnjë shpim eksplorues që të ketë kuptim si dhe nuk janë mbledhur të dhëna sizmografike për dekada me radhë, sepse askush nuk e ka konsideruar këtë si zonë me interes. Askush nuk po komploton për të fshehur diçka sepse askush nuk di gjë se çfarë mund të ketë në këtë zonë në terma të rezervave hidrokarbure. Për këtë arsye, agresioni i Turqisë nuk mund të shpjegohet me motivime të interesit energjetik kur asetet nuk janë të njohura.

Qasja e dytë përqendrohet te ligji dhe ka një prirje për ta parë agresionin e Turqisë me sytë e një përballjeje në sallë gjyqi. Ligji ndërkombëtar përbën themelin e politikës së jashtme të Greqisë. Megjithatë, nëse nuk kemi fuqinë parandaluese për ta mbrojtur atë, ne nuk mund të mbrojmë as edhe veten duke e invokuar atë për arsyen e thjeshtë sepse përputhja me ligjin ndërkombëtar nuk është automatike.

Fakti se marrëveshja mes Turqisë dhe Sarrajit në Libi, është e pavlefshme, e paligjshme dhe iracionale, nuk do të thotë se ajo nuk bart rrezikun e politikës së faktit të kryer. Kjo mund të shmanget jo thjesht me argumente ligore por kyesisht përmes forcës sonë ajrore që do t’i bënte argumentet tona ligjore shumë më efektive. Ndërkohë, aleancat tona të fuqishme duhen shumëfishuar, por asgjë nuk e zëvendëson për asjë prej faktorëve të mësipërm të fuqisë nacionale. Qëndrimi i Francës, Egjiptit dhe Izraelit do të jenë kyçe në këtë rast.

Kjo qasje legalo-centrike apelon për një veprim të menjëhershëm pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë përmes një marrëveshjeje arbitrimi dhe rifillimin e bisedimeve në mënyrë që të arrihet kjo marrëveshje. Kjo qasje nuk arrin t’u përgjigjet megjithatë një serie pyetjesh që e bëjnë këtë opsion jopraktik si të tilla:

  • Pse duhet të pranojë Turqia një marrëveshje arbitrazhi të cilën e ka refuzuar me kokëfortësi ta firmosë që në vitin 1976, veçanërisht kur balanca e forcës është qartazi më në favor ta saj sesa ishte në vitin 1976, apo 1987?
  • Pse do të çojnë në marrëveshje bisedimet kur kanë dështuar ta bëjnë një gjë të tillë në 20 vitet e fundit, kohë gjasë së cilës ato ishin një formë e simuluar negociatash?
  • Kërkojmë një zgjidhje paketë për Egjeun dhe Mesdheun Juglindor, apo duhet ende të përcaktojmë kufijtë e jashtëm të shelfit kontinental grek – që është në fakt baza e linjës sonë të engociatave – siç kemi bërë në Jon dhe detet libiane që nga viti 2011?
  • Me çfarë matje konkrete të ujërave territoriale do të shkojmë në Hagë? A do të përpiqemi të fitojmë ndaj Turqisë me idenë e rekursit legal duke pranuar – siç bëri qeveria e Costas Simitisit në vitet 2002-2004 – se ujërat territoriale greke janë më pak se 6 milje detare në pjesë të Egjeut?
  • A mund ta shohë Turqia përpjekjen për të nisur negociatat si shenjë dobësie dhe të ecë përpara me zbatimin e marrvëshjes së vet em Sarrajin duke dërguar anije të kërkimit sizmik në zonat e diskutuara?

Qasja e tretë, ajo e Realizmit Tukiditian, e sheh agresionin turk se buron nga disekuilibri në raportin dypalësh. Duke vëzhguar veprimet e Recep Tayyip Erdogan, Tukiditi do të rekomandonte që Greqia të drejtohej menjëherë në Gjykatën e Hagës. Ai do të nënvizonte se Libia ndodhet shumë larg për Forcat e Armatosura Turke dhe se Turqia jo vetëm nuk ka një mundësi kundërveprimi ndaj avionëve grekë, Mirage, por ka të njëjtin tip të F-16-s si Greqia, ndonëse të drejtuar nga ekuipazhe inferiore si pasojë e pastrimit që pasoi grushtin e shtetit të vitit 2016. Ai do të na kujtonte se Greqia ka një flotë superiore nëndetësesh krahasuar me Turqinë dhe se këto mjete kanë avantazhe të qarta taktike në teatrin e Mesdheut Juglindor për shkak të afërsisë me portet greke.

Ai do të këshillonte formimin e një fronti të përbashkët me Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shumicën e shteteve të Ligës Arabe që do të njihnin një qeveri të ardhshme libiane nën, ose përfshirë gjeneralin Khalifa Haftar, me të cilën do të duhet të firmosim marrëveshjen tonë të Zonave Ekskluzive Ekonomike.

Së fundmi, ai do të na rekomandonte që të thellojmë mbrojtjen dhe të intensifikojmë parametrat energjetikë të marrëveshjeve tona të bashkëpunimit me Qipron, Egjiptin dhe Izraelin, duke përvijuar kufijtë e jashtëm të shelfit tonë kontinental në Mesdheun Juglindor deri në pikën ku fillon delimitimi i Qipros dhe atëherë – pas dakordësimit për ZEE-në me Egjiptin – t’i drejtohemi Gjykatës së Hagës, duke e ftuar Turqinë të bëjë të njëjtën gjë.

Burimi: Kathimerini

Përkthimi dhe titulli: ResPublica

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Neqoftese marrveshja e tanishme Turqi-Libi eshte e demshme dhe e perjashton Greqine mjafterisht nga kjo zone detare per kerkime gazi-nafte, edhe nje marrveshje Greqi-Libi qe perjashton teresisht Turqine nga kjo zone mesdhetare per kerkime nafte-gazi, eshte po ashtu e demshme. Forca e armeve nuk ka pse llogaritet ne keto raste fare, ne te kundert i bie qe Amerika lidh marrveshje me Izraelin dhe ata marrin pastaj te drejten e kerkimit ne te gjithe detin mesdhe, si me te forte nga Greqia dhe Turqia sebashku!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.