Një protestë e vakët për gazetarinë dhe lirinë e fjalës

Postuar në 18 Dhjetor, 2019 21:56

Teksa në Kuvend diskutohej paketa antishpifje jashtë sallës së parlamentit protestohej për amendimet që qeveria i ka bërë ligjit të medias.

Me shalle të zi rreth gojës dhe pankarta në duar disa përfaqësues të mediave kanë protestuar përpara parlamentit për sa i përket paketës antishpifje. Kërkesa e tyre kryesore është tërheqja e ligjit pasi cenon lirinë e fjalës dhe i jep AMA-s kompetencat e gjykatës.

Paketa antishpifje synon rregullimin e funksionimit të portaleve për ta përshtatur kuadrin ligjor sipas standardeve me të cilat operojnë prej vitesh mediat elektronike. Në krahasim me numrin e portaleve që funksionojnë në Shqipëri, pjesëmarrja e protestuesve në mbrojtje të tyre ishte shumë herë më e ulët.  

Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve: “Para tre muajsh ne kemi pasur një informacion si Unioni i Gazetarëve Shqiptarë që ekzistonin rreth 800 online. Ndërkohë që një ditë më parë një përfaqësuese e parlamentit u shpreh se janë 750 të tilla. Por, kjo është një shifër relativisht e ndryshueshme. Ata që e kanë domain.al përgjithësisht janë rreth 45-48 copë të regjistruara pranë AKEP-it. Janë rreth 127 portale që përgjithësisht administrohen nga gazetarët.”

Megjithatë kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, beson se media online ka ndikim të madh në politikë aty ku nuk arrin sinjali i televizionit.

Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve: “Shumë prej online-ve në zonat periferike të vendit, apo qoftë edhe në qytete të tjera, po kryejnë funksionet e medias lokale.”

Ajo që ra në sy në këtë protestë ishte mungesa e pronarëve të mediave. Megjithatë gazetarë apo përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve thonë se janë në mbrojtje të fjalës së lirë.

Enton Abilekaj, analist: “Pronarët e mediave janë të lirë të mos vijnë këtu. Nuk janë të ftuar fare të vijnë, pronarët e mediave. Nuk është liria e fjalës së tyre, është liria e fjalës së shqiptarëve. Kjo është hapësira ku shqiptarët mund të flasin për hallet e tyre. Ajo po mbyllet sot. Nuk po mbyllet biznesi i pronarëve të medias.”

Elvin Luku, ekspert mediash: “Sigurisht që duhet të ishin dhe ata të pranishëm, sepse kjo nuk është një çështje që prek vetëm lirinë e gazetarëve. Kjo është një çështje që prek lirinë e mediave. Dhe prek sa portalet aq edhe mediat lineare, pra televizionet.”

Sipas gazetarëve, kolegët e tyre europianë e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë do të thotë “paketa antishpifje”.

Koloreto Cukali, Këshilli i Mediave: “Kur flasim me kolegë të huaj gazetarë dhe u themi çfarë po ndodh në Shqipëri, u tregojmë situatën e medias në Shqipëri, thjesht nuk mund ta besojnë. Domethënë, është thjesht një realitet i pabesueshëm për kolegët tanë perëndimorë. Ne kemi vetëm një televizion në Shqipëri, që është “ERTV”, të gjithë të tjerët, vetëm marrin sinjalin që andej. Më beso, të huajve nuk dimë si t’ua shpjegojmë, se nuk e kuptojnë këtë gjë.”

Elvin Luku, ekspert mediash: “Këto dy drafte nuk censurojnë vetëm lirinë e medias dhe të gazetarëve. Këto dy drafte censurojnë edhe të drejtën e qytetarëve. Pse? Sepse krijohet Këshilli i Ankesave që është në AMA, ku në momentin qytetari që ka një ankesë i drejtohet Këshillit të Ankesave. Nëse ky këshill vlerëson se kjo ankesë është e pabazë, ajo e rrëzon duke mos i lënë mundësi qytetarit që të shkojë në gjykatë

Protestës së gazetarëve iu janë bashkuar disa studentë të gazetarisë, ish-deputetë të partive politike si dhe një grup përfaqësuesish nga Lëvizja VetëVendosje në Tiranë.

TvT

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mire 800, 1000, apo 5000 faqe interneti mund te kontrollohen, apo ndaj ndonjeres te behet ankese, po jane 7-8 milion shqipfoles qe komunikojne perdite ne weiber, whatsap, facebook, instagram, twiter, etj., e te cilet merren me gjithfare thashethemnajash e shpifjesh! Kush ka nge ti ndjeke te gjitha?! Edhe po u be nje ankese, sa ta gjeje AMA ku ajo gjindet, dhe sa te bej kerkesen ne gjykate apo ne faqen perkatse, shpifja ka ikur me tej dhe ajd te mbahet! Ligje koti!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.