Zoti Rama ndalo ndërtimet, jo mediat!

Postuar në 29 Nëntor, 2019 16:15

Çfarë është emergjencë në këto ditë ku Durrësi dhe Thumana u ngjajnë zonave të bombarduara dhe ky pikëpyetjet mbi sigurinë e ndërtesave që kanë mbetur në këmbë janë të mëdha? Tani që mjegulla e raportimit po qartësohet, harta e dëmeve në ndërtesa po zgjerohet edhe në Tiranë, Shijak, Kavajë e Laç.

Lëkundjen e njëpasnjëshme të pastërmetit me gjasë kanë shkurtuar jetëgjatësinë e shumë objekteve të tjera të neokapitalizmit që nuk dihet mbi ç'kritere janë vlerësuar dhe vijojnë të vlerësohen si të sigurta.

Ajo që bie në sy është se përveç disa betonfabrikateve të kohës së komunzimit, të pabanueshme janë shpallur edhe ndërtime të viteve të fundit që e kanë suvanë ende të freskët apo që nuk kanë marrë ende hipotekën dhe vulën e Artan Lames. Ky i fundit ka dhënë leje legalizimi pa hesap për shumëkatëshet apo vilat karakteristike shqiptare 2-3 katëshe të pas viteve 90 ku padyshim bëjnë pjesë dhe një numër objektesh të dëmtuara nga tërmeti dhe ndoshta dhe objekt dëmshpërblimi.

Të vijmë te shqetësimi i kryeministrit mbi raportimet e mediave për tërmetin dhe paralajmërimin për mbyllje me forcë. Përtej abuzimeve është e kuptueshme që zoti Rama nuk dëshiron të ekspozohet si një qeveri që nuk ka asnjë kontroll mbi territorin dhe për më tepër mbi agjencitë që çertifikojnë urbanistikën e Shqipërisë që ai drejton.

Vetë kryeministri ka folur për mangësi në këtë drejtim duke propozuar madje ngritjen e një Komiteti Kombëtar për Ndërtimin. Nevoja për një instrument ligjor shtesë në këtë drejtim në fakt nuk ka të bëjë më shumë me mungesën e legjislacionit sesa me zbatimin e tij. Është i njëjti handikap që demostrohet me vite si tipologji e tranzicionit. Ligje kemi, por vuajmë nga zbatimi i keq i tyre.

Propozimi i zotit Rama mund të shihet edhe si një alibi për të shmangur përgjegjësitë direkte që derivojnë nga cilësia e kryeministrit si Kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit. Lejet e miratuara nga ky Këshill mbajnë firmën e tij dhe çdo rast korruptiv si në Këshillin Kombëtar të Terriorit ashtu edhe në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit do ishte i pamundur pa mirëkuptimin e kryeministrit. Aq më tepër që shumica qeverisë tani kontrollon të gjitha Bashkitë dhe këshillat bashkiakë dhe çdo leje ndërtimi apo dhe inspektim në fund të ndërtimit është nën varësinë e qeverisjes vendore.

Përpara se të kërcënojë mediat apo të procedojë dezinformuesit on line, kryeministri është mirë të japë një shembull tjetër. Të stopojë ndërtimet që po kryhen, nga shkallaret më të vogla deri te grataçelat  rishtare për të riaktivizuar një mekanizëm të gjerë kontrolli dhe inspektimi mbi sigurinë e objekteve që po ndërtohen. Përgjegjësitë në këtë drejtim mund të jenë të shumta dhe mund të prekin të gjitha nivelet e hierarkisë.

Të inspektojë çdo objekt ndërtimi aktualisht në ndërtim e sipër duke qenë se dëme të mundshme të shkaktuara nga tërmeti i të martës mund dhe të fshihen me pasoja të mëdha në një të ardhme jo të largët.

Të pezullojë dhënien e hipotekave apo legalizime për objekte që janë ende pa certifikatat e pronësisë dhe të paralajmërojë në fund të këtij procesi procedim penal për këdo që shkelur ligjin dhe në një farë mënyre ka cënuar sigurinë kombëtare duke vënë në rrezik jetën e mijëra njerëzve. Të pezullojë shpronësimet për interes ndërtimesh deri sa të krijohen kushtet për të bërë një ekspertizë të plotë të situatës ku ndodhemi.

Të mos realizojë asnjë dëmshpërblim pa verifikuar shkeljet e mundshme ligjore në çdo objekt të dëmtuar. Gjendja e jashtëzakonshme është një instrument shumë i mirë por zor se e kanë menduar për qytete ku shkelja është normë. Nëse shteti (pra shqiptarët) do të paguajnë atëherë ky tërmet s'do të vlejë për asnjë prej gabimeve të tranzicionit, që aq shumë kryeministri Rama na i përmend çdo herë që provon të bëj shtet...

Në të kundërt, lufta me dezinformuesit on line apo raportimet mediatike që nuk i pëlqejnë e kategorizon zotin Rama në Don Kishotin e një tjetër marrëzie që nuk e meritojmë në situatën dramatike ku jemi.

http://www.tematv.al/2019/11/29/zoti-rama-ndalo-nd-rtimet-jo-mediat

Shënim i Redaksisë TvT

 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Kete gje Rama-Veliaj & Co. nuk mund ta bejne, sepse nga ndertimet u derdhen ne arken e shtetit miliona euro! Ndertimet ne Shqiperi duheshin bllokuar me kohe, apo te minimizoheshin sa te ishte e mundur, per gjithe ato arsye qe jane thene e sterthene sa here! Dhe te shikohej investimi ne sektore prodhues te induetrise se lehte, panvarsisht se te ardhurat ne arken e shtetit do te ishin per disa vjet jo aq te larta!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.