Bilanci zyrtar deri në orën 08:30: 6 të vdekur nga tërmeti

Postuar në 26 Nëntor, 2019 09:06

Autoritetet shqiptare konfirmojnë se nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit 2019 kanë humbur jetën 6 persona, 2 në Thumanë, 3 në Durrës dhe një në Kurbin.

Sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, raportohet se epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.

Bilancit paraprak i shtohen edhe të lënduarit që janë mbi 100 dhe dëmet materiale për të cilat ende nuk ka një përllogaritje.

Në Durrës raportohet të jetë shembur edhe mbikalimi I Shkozetit si dhe disa objekte.

Comments

Submitted by Termeti duhet t... (not verified) on

Respekt dhe falenderim

Paksa i sëmurë po rrija akoma shtrirë, kur bie zilja e telefonit. Me zë të tromaksur gruaja më njofton nga puna: tërmet i madh në Shqipëri! Më doli brenda sekondit jo vetëm gjumi, por edhe shqetësimet e tjera i harrova. Qënia ime e ndjeu menjëherë se nuk bëhej fjalë për ato lëkundje të deritanishme tërmeti, por duhet të ish diçka më e madhe, ajo e pritshmja prej muajsh. Në ato pak sqarime të saj më qetësoi vetëm fakti, që njerëzit e saj ishin gjallë e në rregull. Klinika dentare e të vëllait kish ikur për lesh...
U ngrita dhe ndeza menjëherë televizorin. E kalova tek interneti dhe nisa të shoh lajmet nga Shqipëria, live. Nuk kishte nevojë për komente. Në krahun tjetër hapa dhe kompjuterin, për të lexuar lajmet e gazetave. Gjithshka më mbajti e po më mban akoma ngjitur pas këtyre pamjeve dhe lajmeve mjaft të hidhura. Shyqyr që nuk kam marrë zanatin e gazetarit, mendoj si përherë në të këtilla raste dramatike, sepse unë jam pak emocional dhe nuk e mbaj dot veten...
Më gëzon fakti që shumë njerëz të thjeshtë po punojnë në këto çaste për të gjetur të mbijetuarit nën rrënoja. Largojnë gurë me duar... mjete të tjera nuk shoh... por disa tip eskavatorësh shihen në vende të ndryshme, duke u përpjekur të largojnë gërmadhat e ndryshme, diku ngrihet një shtyllë e gjërë dhe e rëndë betoni me ganxhën e eskavatorit, diku nxirret e gjallë nga rrënojat një grua e moshuar, në portën e spitalit të Durrësit vijnë herë pas here ambulancat e ndryshme....
Si çdo shqiptar tjetër ti do të doje të ishe tani aty për të ndihmuar, sepse e di që ndihma përgjatë orëve të para pas tërmetit është ajo deçizvja për shpëtimin e jetëve poshtë rrënojave. Mirpo nuk mundesh, sepse je larg, si 2/3 e këtij populli. Përveç kësaj e kupton, e di domethënë, se në të këtilla raste ndihma e njerëzve të thjeshtë vlen më pak se sa ndihma e specializuar. E di se ndihma e brigadave të specializuara për të tilla raste është mjaft efikase në shpëtimin e jetëve të njerëzve. Dhe shikon pamjet e televizorit gjithë interes dhe ankth, nëse emergjencat shqiptare kanë mjetet e nevojshme për këto raste. Por nuk dallon as qentë e specializuar për këto raste, as kamerat e vockla me kabllo të gjatë, të cilat futen nëpër gërmadha, as aparatura të tjera dëgjimi, të cilat gjithashtu futen thellë me anë kabllosh poshtë rrënojave, për të dëgjuar ndonjë rënkim dhe frymëmarrje njeriu, sheh mungese mjetesh eskavatoriste, –edhe ato që shihen nëpër mëhalla të ndryshme të Durrësit janë patjetër të firmave private të ndërtimit dhe hapjeve të kanaleve!...
Por në shqetësimin instiktiv lexon lajmet që kalojnë poshtë figurës. Italia dhe Greqia kanë nisur avionët e tyre me ndihma! Nga Kosova është nisur brigadë xheniere për të ndihmuar. Po edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi gjithashtu janë nisur skuadra shpëtimi. Më pas kryeministri jep lajmin se edhe nga Serbia janë nisur mjete shpëtimi dhe ndihmash. Të gjitha vendet tona fqinje janë treguar shpejt solidarë me ndihma konkrete. Kjo të gëzon...
Në këtë rast ti nis e numëron orët që i duhen një skuadre të tillë të mbërrijë në vendin e katastrofës natyrore. Emocionet nisin dalë e ngadalë të zevëndësohen nga llogjika e ftohtë. Nis e mendon se kur do arrijnë dhe ç’mjete kanë me vete. Është bërë ndonjë kordinim nga pala shqiptare për ti orientuar skuadrat që do të vijnë. Praktika e rasteve në vende të tjera të thotë, se koordinime të tilla janë mjaft të vështira për tu bërë. Ti ke parë se si diku në Turqi, Iran e gjetkë kanë rënë tërmete të mëdha, dhe ekipet e specializuara gjermane për të këtilla raste, THË p.sh., arrisin me mjetet e tyre të rënda në vendin e ngjarjes pas tre-katër e pesë ditësh, kur shanci i gjetjes së ndonjë fryme të gjallë ka rënë afër 0 %. Për të qeshur e për të qarë...
Për këto raste duhet që mjetet e shpëtimit të jenë gati dhe ato të nisen menjëherë! Kur këto mjete janë gati, sado të pakta të jenë për sejcilin vend, ato munden në bashkpunim me njëra-tjetrën të arrisin të shpëtojnë shumë jetë njerëzish. Nuk është nevoja për nisjen e skuadrave të mëdha, por nga një helikopter me ekipin përkatës. Janë gjashtë vende që e rrethojnë Shqipërinë, të cilat vetëm me nga një ekip emergjence të specializuar mund të nisin shpëtimin e njerëzve qysh dy-tre orë pas rënies së tërmetit. Dhe krahas tyre mundet pastaj të pasojnë edhe mjetet e rënda të shpëtimit, si ato eskavatoriste p.sh., të cilat për fat Shqipëria i ka jo me pakicë. Duhet vetëm koordinimi i tyre...
Të japësh mëndje është e kollajtë! Ti futesh punëve është e vështirë. Këto punë duhen parapregatitur dhe jo nisur në kohën e shurrës! Këtë e di dhe bufi! Jo ish-kryeministri Bufi, që lajmëronte edhe për gjashtë ditë bukë! Dhe as bufat e tjerë të Shqipërisë, të cilët do ta zgjidhin problemin e tërmeteve me anën të pagesave me detyrim të siguracioneve!.. Ah, ta lemë politikën, se për ‘të do ketë kohë më vonë!.. Tani nga larg mundemi vetëm të tregojmë admirimin dhe respektin tonë për ata që janë ndodhur në krye të punës, tek gërmadhat e pallateve dhe nëpër spitale, si dhe të falenderojmë nga zemra vendet fqinje për ndihmat e tyre të menjëhershme!... 26.11.2019

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.