Një maternitet shtetëror, një institut shëndeti dhe një Komisioner për të Drejtën e Informimit

Postuar në 03 Nëntor, 2019 15:42

Dy muaj më parë, në faqen e Institutit të Shëndetit Publik u publikua një studim, i cili analizonte shkallën e kontaminimit në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Kërkimi shkencor që mban autorësinë e tre ekspertëve të Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive evidenton rrezikun e infeksioneve në repartin e obstetrikës dhe gjinekologjisë. Sallat operatore të maternitetit, inkubatorët dhe maskat e bebeve kanë rezultuar të kontaminuara me mikrobe të E.Coli dhe Stafilokok Aerus. Kjo do të thotë rrezik infeksioni për bebet e porsalindura, nënat, personelin mjekësor, por edhe vizitorët në spital.

Pasi rezultatet e këtij studimi u pasqyruan në një kronikë të Tema TV, buletini nr 1, në të cilin ishte përfshirë studimi, u hoq nga faqja e Institutit të Shëndetit Publik. Megjithatë, URL-ja e dokumentit në fjalë ka mbetur, si provë e asaj që ka qenë aty por është hequr.    

Interesimit të Tema TV në lidhje me gjetjet e kërkimit shkencor, drejtoresha e maternitetit iu përgjigj me indiferencë. Jashtë kamerës, ajo tha se nuk ka marrë dijeni për ekzistencën e kërkimit shkencor që është kryer në institucionin që ajo drejton. 

Studimi shkencor origjinal, të cilin Tema TV e disponon, mban emrat e tre autorëve: Zahide Sulejmani , Eugena Erindi dhe Vera Beca. Të kontaktuar në lidhje me gjetjet e punës kërkimore që kanë kryer, edhe ata refuzuan të përgjigjen.

Tema TV iu drejtua Institutit të Shëndetit Publik, me anë të një shkrese në të cilën kërkoi informacion në lidhje me buletinin ku është përfshirë studimi i kryer në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. 

Pas mungesës së përgjigjes, Tema TV iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili më datë 14 tetor 2019 informoi se ka kryer inspektimin përkatës pranë ISHP-së dhe ka konkluduar se për vitin 2019, ky institucion nuk ka botuar asnjë buletin.  Mbi përgjigjen e koordinatorit të informimit në ISHP, Komisioneri e quan të mbyllur hetimin administratitv për këtë çështje, pavarësisht provave të TemaTv se buletini ka qenë botuar dhe se ai është fshirë.

Gënjeshtra dhe anashkalimi institucional thellohen edhe më tej, kur përveç përgjigjes së Komisionerit, vetë ISHP, në përgjigje të një kërkese tjetër të televizionit, thotë diçka ndryshe. Sipas saj, inspektimi i kryer nga Komisioneri është ende në shqyrtim ndaj edhe me këtë rast refuzon vënien në dispozicion të akteve të kryera. 

Po kështu ISHP refuzon pa ndonjë argumentim juridik të vërë në dispozicion librin e Protokollit ku shënohet urdhrat dhe aktet e tjera të institucionit.  

Kujt na mbetet t’i besojmë në të tilla kushte? ISHP-së që ka publikuar një raport, ekzistencën e të cilit e mohon?

Drejtoreshës së maternitetit që duhet të përgjigjet për gjetjet e raportit?

Autorëve të studimit që ngrenë supet?

Apo Komisionerit për të Drejtën e Informimit, që pas inspektimit të kryer, thotë se për vitin 2019 nuk është botuar asnjë buletin?

Në fakt mbetet t’i besojmë buletinit vetë të cilin e disponojmë dhe e kemi shkarkuar nga faqja e ISHP-së dhe të cilin të gjithë mund ta lexojnë në adresën: http://www.tematv.al/images/buletini-1-2019-full-pdf.pdf?fbclid=IwAR1ajqZaLGuvHko6R7XcnQJZFU0T5_8M_8IyLMhXpTecuSWQl24vTnuPF0U

Për të kuptuar kushtet higjeno sanitare ku lindin fëmijët shqiptarë…

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.