Humbja e Perëndimit në Ballkan zëvendësohet nga kllounada e antirusizmit të elitave të korruptuara

Postuar në 30 Tetor, 2019 16:57

Ndikimi rus po vjen, por ai vetëm në mënyrën si e përshkruajnë politikanët shqiptarë ka pak gjasa të ndodhë. Në të gjitha analizat që bëhen së fundmi, sidomos për tërheqjen e SHBA nga Siria, nënvizohet se largimi krijon vakuum që do mbushet. Dhe fuqitë që e mbushin atë janë ato që kanë kapacitet, mes të cilave më afër nesh janë Rusia dhe Turqia.

Çështja është se për publikun shqiptar kjo temë adresohet në formën e një konfirmimi dhe stërkonfirmimi të servilizmit ndaj SHBA që mund të quhet edhe revolucioni i lëpirjes në Ballkan. Lidhur me një episod të fundit të kësaj shfaqjeje, takimi “Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor” ka reaguar ambasada ruse në Tiranë, e cila thjesht është tallur me politikëbërësit e Tiranës.

Jemi njohur me fjalimet e mbajtura nga folësit e konferencës «US Policy in the Western Balkans», si edhe me planet e parlamentarëve shqiptarë për miratimin e rezolutës për “ndërhyrje të huaj”. Sa herë që jemi akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Tiranës, ne kemi pritur me padurim të paktën edhe një provë për këtë. Por, miqtë tanë shqiptarë nuk kanë mundur të paraqesin as edhe një provë. Është fatkeqësi që autoritet shqiptare trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” ekzistuese në politikën e brendshme, nga të cilat ne qëndrojmë larg. Është për të ardhur keq që e gjitha kjo po ndodh dukshëm nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve (ah po, kjo nuk quhet ndërhyrje në punët e brendshme).

Akoma më keq, pasi kemi dëgjuar argumentet e autorit të rezolutës, z. Ervin Bushati për një farë virusi, me anë të të cilit rusët mund të "infektojnë" gjithë kompjuterët në rajonin e Ballkanit, u bindëm për analfabetizmin kompjuterik të krijuesve të kësaj “vepre”.

Me këmbëngulje u rekomadojmë të lexojnë librin “Siguria Ndërkombëtare e Informacionit” të sapobotuar në Rusi të një prej specialistëve më të mëdhenj të MPJ-së ruse në këtë fushë

thuhet në reagimin e ambasadës.

Mesazhi që vjen nga ky qëndrim është në fakt një: një vend duhet të marrë seriozisht veten që ta marrin seriozisht edhe të tjerët. Por që politika shqiptare të marrë seriozisht Shqipërinë ka rezultuar një ndër sfidat më të vështira historike në shtetndërtimin tonë.

Dikur rokada e ndikimit në rajone të caktuar do të quhej si Dialektike. Sepse në fakt ligjësia që vepron në kësi rastesh bazohet mbi raportin e forcave që nuk toleron asnjëherë. Lidhur me rrezikun rus, apo ndikimin rus në Ballkan, po flitet edhe në Perëndim. Por përpara sesa të flitet për ngjyrime të këtij ndikimi, për termat malinj dhe beninj, rekomandohet të bëhet një analizë reale. Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, e cilësuar si gazetë elitare shkruan se në Ballkan, Perëndimi ka humbur. Sepse Bashkimi Europian

nuk ofron më një perspektivë të besueshme për zgjerimin

Praktika historike mëson se pak vende kanë verbërinë e Shqipërisë kur vjen puna për të mbijetuar në xhunglën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Pak ditë më parë, kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria është e dënuar të jetë në krah të Amerikës, mirëpo entuziazmi duhet mbështetur me vepra. Investimet amerikane mungojnë thujase fare në Shqipëri, apo edhe në Ballkanin Perëndimor. Pak muaj më parë, kreu malazez Millo Gjukanoviç do të deklaronte se duhen para dhe jo llafe.

Edhe gazeta zvicerane vë në dukje se vetëm një javë pasi BE-ja refuzoi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kryeministrja serbe firmosi marrëveshje të tregëtisë së lirë me Unionin Euraziatik. Dhe e bëri këtë ndonëse BE-ja ka paralajmëruar Beogradin që të mos ndërmarrë këto veprime.

Një ditë pasi Brnabiç hodhi këtë firmë, presidenti Aleksander Vuçiç bëri atë që e di mirë se duhet bërë: deklaroi se integrimi në BE është interesi strategjik i Serbisë. Meqenëse Europa do llafe, atëherë pse të mos ja dhurosh ca të tilla?

Si vepron ndikimi që priret të hedhë rrënjë mirë?

Gazeta zvicerane shkruan se Rusia ka ndikim në vendet sllavo-ortodokse, pra përjashtohet Shqipëria ndërkohë që Turqia ka ndikim në vendet myslimane. Ja një detaj që ka më shumë vlerë se rezolutat e Ervin Bushatit, matrioshkës së vockël antiruse në Tiranë:

Linjat ajrore turke mbulojnë më mirë se çdo linjë tjetër rajonin, ndërkohë që telenovelat turke janë skajshmërisht popullore, pavarësisht të gjitha animoziteteve historike…

shkruan gazeta.

Pra Perëndimi ka humbur ndikimin kulturor në një kohë që ishte në pozitat e monopolit. Edhe pse shifrat e tregëtisë nuk sugjerojnë se Rusia dhe Turqia do të zëvendësojnë shpejt BE-në, fakt është projekti europian më së paku do të kushtojë më shumë në të ardhmen. Në para, energji dhe kohë. Dhe BE-ja nuk po heq dorë nga mbështetja për një elitë politike që lejoi të rritej vetë e cila është specializuar në këtë lloj automatizmi të padobishëm që i përshtatet humorit të Brukselit, por në drejtim vazhdon e sillet si në sulltanat.

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Eshte per te qare dheardhur keq se sa poshte ka rene ky vend nga servilosja e qeverise karshi Perendimit. Eshte ne varferi si pasoje e shkaterrimit te industrise dhe te bujqesise qe neni 501 i reformes se tokes nuk lejoi pronaret e ligjshem te krijonin ferma te medha, por toka u nda ne pjese te vogla ku fermeret mund te ushqehen por kurre nuk do te pasurohen.
Perendimi, perendimi qe nuk investon, nuk pranon dhe nuk ndihmon asnjehere deri ne keto 30 vite. Por, nuk lejon gjithashtu qe shtetet e lindjes te investojne ne kete vend, njesoj sic ben me Afriken, kontinent qe kur, Kina dhe Rusia investojne, ky i pari hidhet pupthi dhe u terheq veshin politikaneve te korruptuar atje qe te mos nenshkruajne marrefeshjet.

Deri me sot, hajdutet nepushtet qe jane super miliardere, hajdutet ne media dhe VIPAT qe qarkullojne ne to i kemi peshqesh nga Brukseli dhe Washingtoni.
Megjithate, faj kane edhe masat qe trushplarja ka arritur ne kulm, ku akoma mendojne se ne Perendim hane me luge floriri. Deri me sot, vetem Serbia ka lejuar pa i penguar investimet e Kines, Rusise dhe Turqise po ashtu edhe ato te Korese ne vend. Shqiperise edhe nje aeroport te6dyte nuk po ia lejojne sepse gjermanet me linjat e tyre nuk Jane ngopur mire duke zhvatur miletin shqiptar.

Shqiptaret e duan vendin e tyre dhe patriotizmin e tregojne duke treguar e krijuar armiq tek fqinjet qe i rrethojne, por nuk shohin e nuk kuptojne se qysh krijohet e ndertohet shteti.
E ka mire Serbia qe thote se "shqiptaret nuk bejne shtet"!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.