Jo-ja franceze nuk prodhon krizë...as në Shqipëri dhe as në Europë

Postuar në 16 Tetor, 2019 22:27

Franca e Emmanuel Macron i tha Jo Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me apo pa arsye të brendshme të saj, për çështje gjeopolitike apo jo, duhet të pranojmë se vendit tonë i është përplasur dera në fytyrë. Macron është treguar deri në fund francez: përtej vizioneve të veta kontinentale të cilat nuk po duket se japin gjëkundi fryte, ka kujtuar edhe se Shqipëria shpërdoroi besimin e Bashkimit Europian kur liberalizimin e vizave e shndërroi në mundësi për azilkërkim.

Kjo është tepër, qoftë në planin e arsyetimit, qoftë edhe në aspektin e ndihmës që i jep krejt pa vend kryeministrit shqiptar Edi Rama, që me siguri tani e ka të lehtë të shpjegojë se ne humbëm për shkak të disponimit negativ francez.

Mirëpo kjo veto e Francës, që duhet analizuar deri në momentin ku duhet të kuptojmë se deri sa ja vlen të sakrifikojmë besimin tonë për Europën, po transformohet nga mediat e pushtetit të z. Rama në një lloj kuje me vargun bazë: Mjerë Europa se çfarë humbi!

Media vë kujen e mallkon, kryeministri qetëson duke na thënë se dielli do të lindë sërish në datën 19. Mund të pyesim: këta tallen apo e kanë seriozisht? Mos vallë z. Rama është shkëputur kaq shumë nga realiteti saqë e beson veten europianin e vërtetë të një populli europianofil?

Nëse është kështu atëherë patologjia dhe keqkuptimi kanë përparur shumë. Nëse ka një gjë që po duket qartë është se dështimi në integrimin e Shqipërisë nuk gjeneron ndonjë krizë, as humori, as politike. Ajo do të krijojë premisa për pseudokrizën retorike që mandej do të çojë në marrëveshje për progres.

Zoti Rama është autori dhe regjizori i shkatërrimit të çdo shprese në këtë vend. Ai ka korruptuar kaq shumë segmente të shoqërisë civile, ka armiqësuar mediat me opinionin dhe ka provokuar ndasi të tilla të mëdha, ka përçmuar ata pak intelektualë që gjoja kërkonin ndonjë rol publik, sa me çmime, sa me shpërblime apo punësime, saqë sot  pakkush ka mbetur në këtë vend që me të vërtetë beson në të, në mundësitë e tij dhe kërkon ndryshimin. Zoti Rama uzurpoi mediatikisht edhe vendin e politikanit europian teksa me marifete  nga më të ndryshmet mori dhe vodhi në mos përkrahjen e kancelarive europiane, vëmendjen e mediave europiane dhe dashamirësinë e burokratëve në Bruksel. Të cilët kanë përgjegjësi për këtë faull të rëndë dhe me pasoja ndaj këtij vendi.

Por përgjegjësi kanë të gjithë qytetarët, ne, që në një mënyrë apo në një tjetër pranojmë gënjeshtrën e përditshme si opsion objektiv dhe progresiv, që e shohim me heshtje ikjen e shumëkujt dhe nuk kemi arritur që të projektojmë ndonjë alternativë të besueshme për veten jashtë pushtetit, kundër tij.

Për këtë arsye ankthi i z. Rama se Jo-ja do të sjellë eventualisht ndonjë krizë, është me gjasë e kotë. Sepse tanimë pakkush beson realisht se Po-ja e mundshme të gjithë bllokut do të sillte ndonjë gjë ndryshe për qytetarët. Të cilët vijojnë të ikin dhe t’i kthejnë krahët politikës.

Ndaj lodrat e vockla të Macron të cilat z. Rama sot i quajti lojëra të mëdha nuk ngrenë peshë në jetën e qytetarit shqiptar që ja mori dorën Europës ashtu siç i do mushka drutë: duke hyrë ilegalisht, duke u përshtatur si të mundet dhe duke u dorëzuar para të vetmes fatkeqësie me të vërtetë të pashërueshme: shtetit shqiptar dhe të ashtuquajturit lidership të tij.

Comments

Submitted by Kastriot (not verified) on

Nese e kuptoj drejt arsyetimin tuaj nuk ka gabuar Makron por Komisioni Europian burokrat qe ka provuar plotesimin e kritereve nga Shqiperia. Kete doje te thoje?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.