Roli i braktisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Postuar në 15 Tetor, 2019 15:30
Angelo Panebianco

 

E mbani mend imperializmin amerikan, "luftën e ndyrë të Vietnamit", “Jenki (amerikanë), kthehuni në shtëpi”, e të tjera si këto? Tashmë amerikanët po kthehen vërtet në shtëpi. Dhe, siç shihet në Lindjen e Mesme, është një dështim. Edhe ata që janë plakur duke kritikuar "xhandarin" arrogant të botës, e kuptojnë se, nëse vendi i xhandarit mbetet i lirë, do të ketë dhembje, pasi çdo huligan mund të bëjë dëmin që dëshiron. Donald Trump, me një telefonatë, i hapi dritën jeshile Erdoganit, "zgjidhjes përfundimtare" të lakmuar të tij në raport me kurdët sirianë, domethënë ata që kanë qenë aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik. I dorëzoi (falas) te dikush që nuk do ta falënderojë për këtë. Trump menjëherë postoi në Tuiter një gjysmë pendimi. Por, Erdoganit nuk i bëri përshtypje (Trump, ndërkohë, gjithashtu arriti të thotë: me pak fjalë, ku ishin këta kurdët ndërsa ne zbarkonim në Normandi?): operacioni ushtarak në Kurdistanin sirian po vijon dhe nuk do të ndalet derisa të arrihen synimet e diktatorit turk. Nuk ka nevojë të përziesh moralin dhe politikën, siç bëjnë shumë komentues, duke bërë deklarata të tilla si "është skandaloze, imorale, që amerikanët të braktisin kurdët". Mbi të gjitha, nëse këto komente bëhen nga disa europianë, ato janë hipokrite dhe qesharake. Mjafton të arsyetohet politikisht.

Braktisja e kurdëve është një katastrofë politike. Si zgjedhja amerikane për të bërë marrëveshje me talebanët në Afganistan. Asnjë aleat i mundshëm perëndimor, në asnjë zonë krize, nuk mund të zërë më besë. Është pikërisht resursi strategjik me rëndësi thelbësore, që ne e quajmë besueshmëri, e cila është komprometuar nga politika e Trump-it. Në një epokë, në të cilën gara mes fuqive të mëdha për sferat e influencës ka rifilluar me intensitet në shumë pjesë të botës (përfshirë Evropën), një Amerikë që vë në lojë besueshmërinë, ofron në skakiera të ndryshme, një avantazh të papritur për fuqitë autoritare, qofshin ato të mëdha (Rusia, Kina) ose të mesme (Turqia, Irani).

Pushtimi turk në proces duhet të na bëjë të reflektojmë mbi tre çështje: anëtarësimin e Turqisë në NATO, fatet e Bashkimit Evropian dhe parabolën e hegjemonisë amerikane. Sa i përket NATO-s, nuk do të jetë e mundur të pretendohet edhe për shumë gjatë që Turqia është vend anëtar si të tjerët. Dikush shpreson se herët a vonë, regjimi i inaguruar nga Erdogan do të marrë fund dhe se Turqia do të jetë sërish vendi mik i amerikanëve dhe evropianëve që ka qenë për dekada. Por nuk është aq e mundshme që ndarja e Turqisë me Perëndimin, kulturore para se të jetë politike, në emër të një kombinimi të islamit dhe nacionalizmit dhe hedhjes poshtë të trashëgimisë laike të Atatürkut (babai i Turqisë moderne), mund të përthithet sërish. Për momentin, përjashtimi i Turqisë nga NATO për shkak të një veprimi të autorizuar nga amerikanët nuk është i mundshëm. Por një ditë, në një situatë tjetër, organizata do të duhet të pyesë veten: çfarë na mban ende bashkë me Turqinë?

Pyetja e dytë ka të bëjë me Evropën. Është për t’u shpresuar, por jo shumë e besueshme, që Bashkimi, në këtë krizë, do të mohojë bindjen e përhapur: atë sipas së cilës një Evropë e bashkuar politikisht nuk do të ekzistojë kurrë. Asnjë unitet politik nuk është me të vërtetë i mundur, nëse ata që duhet të bashkohen, nuk mund të jenë të besueshëm kur bëhet fjalë për të garantuar sigurinë e tyre. Sulmi turk ndaj kurdëve i jep avantazh asaj që mbetet nga Shteti Islamik dhe nuk është e vështirë të imagjinohet se, nëse ajo organizatë do të ngrejë kokën përsëri, nëse, për shembull, qindra luftëtarë të huaj do të kthehen të lirë, Evropa do të jetë përsëri një objektiv, një zonë lufte, një vend plot armiq për t’u goditur me atentate njëra pas tjetrës. Në të njëjtën kohë, ne duhet të merremi me kërcënimin e Erdoganit (që  tashmë u ka marrë shumë para evropianëve) se mund të shkarkojë tre milionë e gjysmë refugjatë në vendet e Europës, nëse guxojmë ta fyejmë. "Të fajësosh dhe të dënosh" nuk ka dobi. Duhen kundërmasa. Por mos i tregoni opinionit publik evropian përrallën sipas të cilës do të mjaftonte një embargo për shitjen e armëve Turqisë. Në përgjithësi, do të shohim nëse kjo krizë do ta detyrojë Bashkimin Europian të pajiset me "vizionin gjeopolitik" që nuk e ka pasur kurrë dhe mjetet e vullnetin për ta mbështetur atë. Ose nëse, siç ka gjasa, shumë pak do të ndryshojë. Për momentin le të mbajmë parasysh se, siç mendonte Makiaveli, "profetët e paarmatosur" nuk kanë të ardhme politike.

Në fund, lind pyetja e parabolës së fuqisë amerikane. A është e pashmangshme rënia e saj? Mbase po dhe mbase jo. Amerika vijon të jetë një shoqëri shumë më dinamike dhe më e aftë për inovacion sesa fuqitë e tjera të mëdha (përfshirë Kinën: nuk është e sigurt që në një afat të gjatë, një shoqëri e mbyllur mund t’ia kalojë vërtet një shoqërie të hapur). Dhe kjo mund të vijojë t’u leverdisë Shteteve të Bashkuara edhe në garën ndërkombëtare. Por edhe nëse pranojmë që rënia amerikane është e pakthyeshme, është e sigurt që koha e procesit mund të përshpejtohet ose vonohet nga zgjedhjet e administratës. Trump, me politikën e tij “Amerika e para”, po përshpejton procesin, ka goditur institucionet që kanë mbështetur hegjemoninë amerikane që nga periudha e pasluftës, ka minuar besueshmërinë e Amerikës. Të gjitha këto për interes të fuqive autoritare. Në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. Nuk është e thjeshtë të jesh optimist për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Kandidati që mishëron më së miri vazhdimësinë e politikës amerikane, Joe Biden, është i madh në moshë dhe jo shumë karizmatik; dhe zgjedhjet paraprake në gjirin e demokratëve mund të favorizojnë disa ekstremistë të krahut të majtë. Në rast të tillë, Trump do të rizgjidhej triumfalisht. Siç ka qenë gjithmonë rasti për armiqtë e imperializmit amerikan, jenkit (amerikanët) kthehen në shtëpi. Të shpëtojë kush të mundet. 

/Corriere della Sera/TemaTv

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Dhe mbetemi serish ne dilemen e fund-shekullit XIX dhe fillim-shekullit XX, nese nje Turqi e forte myslimane anon nga krahu fanatik e radikal dhe i kundervihet me gjithfare menyrash Europes, apo nje Rusi e forte pan-sllave mbetet e pandalshme ne Bosfor? E kesaj dileme i shtohet edhe ajo e reja, mos imperializmi i ri kinez -tashme akoma i bute- behet nje dite i ashper dhe i eger? Dhe dilema e pare humbet vlere, dhe kemi ripozicionim te ri te Rusise dhe Turqise karshi Europes, si mbrojtese te kesaj te fundit? Ne kete rast problemi kurd spostohet ne stratosfere...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.