Fytyra që na kujtojnë përditë se në çfarë vendi jetojmë

Postuar në 19 Shtator, 2019 22:51

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahir ka thënë sot p[as gjykimit të tij një të vërtetë: Do të ishte më fisnike të më dënonit si trafikant droge, sesa për shpërdorim detyre pse disa kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim kur unë isha ministër.

Kjo fjali shpjegon më së miri atë që ka ndodhur: Dikush me pushtet në Shqipëri nuk mund ta lejonte që Tahiri të ishte i pastër nga kjo çështje, por nuk mundej as ta dënonte seriozisht. U zgjodh rruga e mesme: një dënim sa për të larë duart dhe për të kënaqur urinë e madhe të një pjese të opinionit për të dënuar një zyrtar të lartë. Tahiri u dënua për shpërdorim detyre, ndonëse në mendjen e shumëkujt ai është ministri i kanabisit dhe trafikut të drogës.

Por gjykata shqyrton akuzën penale, jo akuzën publike dhe këtu pikëpyetjet ngrihen mbi prokurorinë që shtyu për muaj e muaj një çështje që u katandis si kokoshi një thelë. Komedinë e madhe që u luajt me këtë çështje e finalizoi gjykata e Krimeve të Rënda që u zhyt në një seancë maratonë për të nxjerrë një vendim qesharak për nga sanksioni.

Pas kësaj sage penale pa kuptim tashmë mbetet rezultati moral. A ka të drejtë kush të flasë më në emër të bindjeve të veta se ky ish-ministër ka përgjegjësi që shlyhen vetëm me dënim penal? Nuk dihet më me siguri. Drejtësia ka folur mund të thotë dikush që madje mund të na kujtojë se kemi detyrimin të kërkojmë falje z. Tahiri. Por cila drejtësi është kjo?

Çfarë prokurorie është kjo që kurdis marifete të tilla për të mbyllur qelbin e një plage që ka mbërthyer të gjithë trupin? Standardi i cinizmit që u vendos sot është një episod i pritshëm në vazhdën e degradimit dhe delegjitimimit të plotë të institucioneve të këtij vendi, që së pari e kanë privuar veten nga serioziteti për të përfunduar në rastin më të keq në inkriminim.

Sigurisht që z. Tahiri nuk duhet dënuar me gjyq publik që këtej e tutje, por ekzistenca e tij si qytetar i lirë, i çliruar nga akuzat që e lidhin me një kohë që mban vulën e tij, do t’i kujtojnë të gjithëve se në çfarë vendi jetojmë.

Një vend ku nuk ka ende përgjigje zyrtare, politike dhe morale: Kush përgjigjet për kanabizimin? I cili u pranua botërisht se ekzistonte. 

Kush e organizoi, kush përfitoi, kush u dënua, kush mbolli dhe trafikoi? Ish-ministri i Brendshëm mesa na thotë gjykata nuk ka gisht në të gjitha këto. Kush atëherë? Deri më sot nuk ka asnjë të dënuar për atë që nuk ishte një histeri kolektive për barin magjik, por një aktivitet politiko-ekonomiko-kriminal i organizuar dhe me mbrojtje të padiskutueshme. 

Re.Pu

Comments

Submitted by Tahir Gashi (not verified) on

Keto fytyra na kujtojne perdite se nuk eshte vendi i shqiptareve!
Ky vend eshte vetem per Berisha, Meta, Nano, Rama, Ciljeta, Sinani, Qamili e Janullatosi!

Submitted by Anonymous (not verified) on

Thonë se kur Haxhi Qamili me shokë u kapën dhe u dënuan me vdekje nga gjykata e krijuar nga Esati dhe me kryesues Xhelal Zogun, të vëllanë e Ahmetit, Xhikja me shpresën se do të mund t'i shpëtonte konopit, ua vuri vetë litarin në fyt shokëve të tij.
Pavarësisht kësaj, i erdhi edhe atij rradha të hidhte vallen e trekëmbëshit.
Po mendoja që me Xhiken nga Sharra, ky fshatari i Surrelit, nuk paska të përbashkët vetëm pasionin për shallvaret...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.