Kemi nevojë për President, jo për dikë që sillet si kaposhi i farës

Postuar në 12 Shtator, 2019 00:16

Dje qytetarët e Shqipërisë prisnin që në konferencë për shtyp të dilte Presidenti i Republikës për të sqaruar zhvillimet e fundit politike. 

Ajo që ndodhi ishte krejt tjetër. Në konferencë për shtyp doli Ilir Meta, i cili nga zyra e Presidentit, në cilësitë kushtetuese të Presidentit afirmoi synimet personale politike si çështje me interes shtetëror, duke rikonfirmuar sjelljet e veta publike. 

Duhet thënë se z. Meta ka luajtur përherë me këtë dualitet: dobësinë institucionale ka synuar ta mbushë apo kompensojë me burrërinë e e vetëshpallur të Ilirit. Dobësinë e LSI-së e kompensoi me kacavjerrjen e Ilirit mbi tavolinën e Jozefina Topallit. 

Dobësinë e peshës së vet në zgjedhjet e vitit 2013 e kompensoi me kërcënimet nga Laçi ku ishte vrarë një anëtar e partisë së vet. Sot z. Meta nuk ka dalë si president, ai thjesht u ka kujtuar disa personave se president është Ilir Meta: 

Dua t’jua rikonfirmoj edhe një herë se do të punojmë bashkë deri më 24 korrik 2022.  Nuk ka asnjë shans dhe asnjë mundësi që Presidenti Ilir Meta të dalë nga kjo zyrë deri më 24 korrik 2022. Është betuar, do të mbrojë rendin kushtetues, demokracinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë në interesin e popullit shqiptar

tha ndër të tjera ai. 

Duket se Ilir Meta beson më shumë te vetja, te deliri i tij sesa të forca dhe përgjegjësitë e institucionit që drejton. Ai mesa duket e di shumë mirë se përballë ekzekutivit nuk mjafton presidenti, por duhet edhe diçka nga kredencialet personale. 

Është kjo arsyeja që ky njeri, që siç thuhet lart e poshtë nëpër Kushtetutë përfaqëson përmes detyrës, unitetin tonë si popull, apo si shoqëri në rast se nuk jemi as popull, e kaloi verën duke bërë bufoneri që shpjegohen vetëm me statusin e tij intelektualo-politik. 

Njëherë duke ecur në mal, një herë me brekë të shkurtra në plazh, një herë duke u mburrur se është nga Skrapari, pak më tutje duke luajtur zbutësin e maces dhe së fundmi duke bërtitur në stadium, të gjitha episode të koduara bajatërisht e që duket se i shiten lexuesit të preferuar: kryeministrit Edi Rama. Të cilit i thuhet se presidentin mund ta tallësh dhe rrëzosh, por jo Ilir Metën. 

Kemi hyrë kështu në terrenin e një lufte prej banditësh që shantazhojnë njëri-tjetrin jo me kufizimet kushtetuese dhe ligjore, por me potencialin e ekspozimit publik përmes përdorimit të mjeteve apo materialeve ekstra ligjore dhe kushtetuese. Jemi në terrenin ku nuk shohim më kryeministrin përballë presidentit, por dy banditë që e dinë vetëm ata se për çfarë po kërcënohen. Të sqarohemi: këta mund të jenë edhe qytetarë model, por mjetet me të cilat luftojnë përkufizojnë banditizmin politik të tyre. 

Nga kjo pikëpamje është paradoksale dhe qesharake në kulm ta shohësh Presidentin të kapardiset dhe krekoset si kaposhi i farës, vetëm pse quhet Ilir Meta dhe është nga Skrapari, duke zbuluar psikologjinë e një beu të mirëarmatosur përkundrejt një tregëtari tinzar si Edi Rama që paguan taulantët e kazasë për të llapur kundër nallbanit nga fshati. 

Është krejt e pavend loja e burrërisë në këtë kuadër. Të dy këta, por edhe ndonjë tjetër që pretendon burrëri apo statusin e të fortit, nuk e luajnë dot Burrin siç po përpiqen. Sepse fjalët e Burrit nuk i merr era, kurse këta jo vetëm që i merr era, por më e keqja është se kanë marrë erë dhe kundërmojnë keq që të gjithë. 

Këta nuk përfaqësojnë ndonjë vizion për vendin, ndonjë besëlidhje për të ardhmen, por interesat e krimit dhe korrupsionit të cilat pak kanë lidhje me Fjalën dhe Burrërinë. Në Shqipëri këtij arketipi i kanë gjetur fjalën Burrë - Kurvë. 

A janë këta të tillë? Këtë do ta sqarojnë historianët, ata të vërtetët, por ajo që na sugjeron intuita dhe që pranohet gjerësisht është se në këtë vend jo vetëm që nuk ka Burra, por as edhe nuk ka nevojë për ta. 

Sa për këtë Ilir Metën mund të themi vetëm se nuk është ai që hiqet, edhe sepse nuk di, por edhe sepse nuk ka bythë të jetë. E ka lënë çehrja dhe logjika në baltë disa herë për shkak se burrërisë kur i mohon mençurinë, rezulton të jetë…ta gjejë Presidenti se Iliri është mësuar me ushtrime force. 

Është një bast që e ka me veten, nuk ja ka kërkuar kush. Mençuria do kërkonte një sjellje tjetër nga dikush që pati fatin të jetë Presidenti i një vendi. Por Mençuria shkon dora dorës me Burrërinë, të dyja të syrgjynosura nga ky vend. 

Re.Pu

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Ju pershendes per kete analize, keni merite te madhe si analistedhe gazetare.
Ky individ qe poston fotografi dhe video te terenit shqiptar nuk na ka postuar kurre foto e video nga Mali Tomorit ku babezia e tij e ka shkaterruar me guroret. Ky bashibozuk kujton se Shqiperine e ka prone personale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.