Çfarë fituam nga shmangia e zjarrit të 8 qershorit?

Postuar në 09 Shtator, 2019 14:06

Presidenti i Republikës Ilir Meta u tha sot shqiptarëve se më 8 qershor do të digjej Kuvendi i Shqipërisë. Se qysh e tek, si e kur është përcjellë ky informacion shumë delikat sipas standardeve të normalitetit, këtë kreu i shtetit nuk e tha. Ai tha që do i vihej zjarri të shenjtit Parlament të Shqipërisë.

Pas këtij haberi politik në media mësynë analizat e radhës: Meta duhet të çonte para drejtësisë përgjegjësit. Ja një alamet kapjeje me stil i lajmit politik. Pyetja është: cilët ishin përgjegjësit? Apo ata që mendohej se do të digjnin parlamentin? Po si t’i bësh përgjegjës këta për atë që mendojnë?

Janë pyetje ndoshta naive por që të kujtojnë një kohë kur në Shqipëri dënoheshe për biografi, për mendimet, paramendimet e të gjitha si këto.  Kjo mendësi sundon ende, kuptohet si instrument i asaj “lojës më të madhe” që synon t’ia ngecë opozitës. Nga ana tjetër duhet të shihet me sy të ftohtë ky alarmi i presidentit. Zjarri i mundshëm në Parlamentin e Shqipërisë me gjasë nuk do të bënte ndonjë dëm aq të madh sa duket.

Së pari burrat e shtetit që jetojnë e punojnë aty nuk do ishin brenda. Ata dihet se jeta i ka shkathtësuar që të mos kapen gafil dhe pse jo edhe sikur të ndodhte, dinë edhe sesi të arratisen nga vrima. Së dyti për godinën. Siç është bërë e njohur në media, z. Rama pat marrë nga Erdogan premtimin për financimin e një Parlamenti të ri në momentin që dha dakordësinë për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë aty pas selisë aktuale të Kuvendit të Shqipërisë. Premtim që nuk u mbajt sepse siç mund të kuptohet, z. Erdogan është më i zgjuar sesa duket  nga premtimet që bën. Por me këtë rast, pra me rastin e djegies, ndoshta do bënte punë ajo fjala e urtë se “lypja ka faqen e zezë po s’të lë pa gjë”, dhe ndoshta z. Rama do i nxirrte ndonjë lekë mikut të tij të Bosforit.

Asgjë nuk fituam nga mençuria e Metës për të shmangur zjarrin dhe me siguri që nuk do humbiste shumë vendi nga zjarri i mundshëm i 8 qershorit. Është djegur edhe Roma, edhe Londra dhe sërish janë ato qytete që janë. E rëndësishme dhe moral është që zjarri të mos jetë mani dhe qëllim në vetvete. Të tjerat i kuron koha.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Zjarri nuk ka pse te duket ne parlament, kur ajo fare ndertese -dikur aq madheshtore edhe e bukur- sot duket si nje kasolle para xhamise se pushtuesit te ri te Shqiperise, Erdoganit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.