Kisha e rreme e "progresistëve"

Postuar në 14 Qershor, 2019 02:06
Skerdilajd Zaimi

 

Përpara me njerëzit e mirë të këtij vendi!

Me këtë mesazh thuhet se u është drejtuar dje pas seancës plenare kryeministri  Edi Rama deputetëve të Partisë Socialiste që miratuan rezolutën kundër Presidentit të vendit.

Përpara drejt çfarë të ardhmeje? E bën këtë pyetje kryeministri? Cilët janë njerëzit e mirë të këtij vendi? Ata që votojnë PS-në, që mallkojnë Sali Berishën, që nuk reagojnë fare, nëpunësit e administrates? Padyshim që këta janë qytetarë të Shqipërisë, por një kryeministër qeveris të gjithë. Jo vetëm të mirët.

Një kryeministër e ka për detyrë të flasë me gjuhën e pajtimit dhe konsensusit, mirëkuptimit dhe përfshirjes, jo të llogores. Njerëz të mirë ka edhe mes atyre që dalin në protestë, që hedhin gurë ndaj godinës së qeverisë, që shajnë dhe bërtasin. Nuk ka rëndësi manifestimi i pakënaqësisë, apo instrumentalizimi i saj, sepse kjo është normale në politikë. Rëndësi ka pakënaqësia në rritje, e dukshme, e prekshme edhe tek indiferenca dhe apatia politike, tek ikja nga vendi, te pezulltia e një pjese të shoqërisë në varfërinë dhe ngecjen në vend. Janë simptoma alarmuese se një pjesë e shoqërisë refuzon çdo "kontratë" sepse ka humbur shpresën.

Këto patjetër që kanë qenë prezente edhe më parë se viti 2013, por pas vitit 1992, 2013-a ishte viti i parë që një pjesë e shqiptarëve dhanë një votë shprese. Një votë për ndryshim. Sot ajo është shndërruar në votë dëshpërimi, që jep rezultate matematikore, por jo politike. Luli, Berisha dhe Meta janë armiq të qytetarisë politike shqiptare, asaj që kontrollon mjetet e përpunimit publik, që ka ekonominë, qytetari kallpe që u krijua dhe u trashëgua nga nomenklatura e viteve të fundit të regjimit të Enver Hoxhës.

Te ky lloj solidariteti sektar do kërkuar sëmundja sistemike që nuk lejon që arsyeja dhe nevoja të konvertohet në mesazh elektoral. Ta potencojë rotacionin si normë racionale, jo si zgjidhje në situata ekstreme.

Kultura politike e socialistit shqiptar po e gjymton më shumë se çdo gjë tjetër të ashtuquajturën demokraci në vendin tonë. Nuk ka vepër, akt publik, moral, penal, nuk ka tradhëti po të duam, që një kryetar i PS-së të bëjë dhe për këtë të ndëshkohet brenda saj.

Zoti Rama është shembulli se sado e keqe të jetë zgjidhja e ardhur nga lart, ajo nuk prodhon asnjë kosto. Zoti Rama mori tepsinë e pushtetit me disa garanci që janë realisht problemi jonë: atë e votojnë të gjithë socialistët dhe familjet e tyre, ndërkohë që demokratët e braktisën në masë z. Basha. Mund të duket si dobësi, por kjo sjellje e kushtëzuar e elektoratit është tipar qytetarie, kurse sjellja e ngurtë, konservatore dhe inerte, është dëshmi e një bizantinizmi që po i merr frymën Shqipërisë.

PS-ja ka nevojë të marrë në pyetje kulturën e saj politike, të korrigjojë mënyrën sesi i afrohet pushtetit, sesi rekruton dhe sesi e ushtron pushtetin. Kjo është një parti që është në luftë të heshtur civile me një pjesë të madhe shqiptarësh që kanë lirinë e mendimit prevalente përkundrejt apelit të mbyllur për solidaritet. Partia Socialiste përbëhet nga njerëz të administratës që e kanë pjesë të brendshme bindjen, tipar që sfidon gjallërinë e një shoqërie të hapur dhe që demokratizohet.

Shikoni sesi socialistët shqiptarë nuk kanë bërë zë kur z. Rama ua mori liritë politike që kishin krijuar përmes një serie institucionesh. Ata nuk shohin asgjë problematike që kryetari i tyre zhbëri zgjedhjet në parti, që përzë rivalët me militantë, qofshin këta edhe rivalë mediatikë.

Shikoni sesi z. Rama që predikon demokraci dhe liri, nuk pranon në asnjë mënyrë të diskutojë tema si listat e mbyllura, sistemin zgjedhor, apo të debatojë hapur për mënyrën sesi po shpërndan pasurinë kombëtare. Sesi në qeverisjen e tij çdo lloj nuance sociale u zhbë.

Një lider i vërtetë, i cili ka me të vërtetë vizion dhe fiton drejtimin me garë nuk duhet të ketë frikë, as të mbrojë projektin e vet me mjete statutore dhe vertikalizim të pushtetit personal, duke arritur që kulturën e sektit ta mobilizojë si domosdoshmëri për stabilitet dhe solidaritet. Nëse do të kishim të bënim me një njeri, nuk do të ishte edhe kaq shqetësuese, por në këtë rast kemi të bëjmë me një strukturë. Që mendon, beson te mitet e veta të brendshme, që i ka vjedhur shqiptarëve si pronë të vetën Luftën Nacionalçlirimtare, që e ndërton elitarizmin e dukjes te stigmat sociale të propaganduara kaq gjatë dhe duke inkuizuar të vërtetën e këtij vendi. Nuk është e vështirë që sot të gjenden fijet e shumta që lidhin deputetët, ministrat, drejtorët kryesorë me njerëz të regjimit të Hoxhës. Por askush nuk reagon dhe nuk flet, sepse realisht në atë parti besojnë vetëm te pushteti.

Kultura e saj ka infektuar imagjinatën politike të një pjese të njerëzve që perceptojnë qytetarinë dhe elitën aty ku qeveris krimi dhe amoraliteti. Te dukja dhe marketingu, jo te vlerat. Dhe ky është korrupsion i thellë që e pengon shumëkënd të shohë qartë rrezikun që vjen.

Është jashtë çdo dyshimi se është kjo fibër që përshpejtoi amalgamimin e llojit politik të z. Rama me atë parti, që kërkonte dikë që t’ia vriste demokracinë aksidentale të pas ’90-ës, që edhe ashtu për ironi, u stigmatizua dikur si kaos i krijuar nga liberali Nano.

Është një parti që ka hesape të mëdha për të larë me Shqipërinë. Dikur me vrasjet dhe internimet për bindjet, me shpronësimet dhe sot vjedhjen e pronës, mbuluar me mitet e luftës dhe zhvillimit. Është kisha e rreme e një vendi që nuk po e rrok dot se indulgjencat e saj duhen refuzuar për të shpëtuar të ardhmen.

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Brilliant!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.