Hajnia në këto anë ka folur përherë Shqip

Postuar në 12 Prill, 2019 12:44

Ish-diplomati dhe studiuesi Shaban Murati shkruan sot në gazetën “Dita” për situatën e krijuar sipas tij nga i ashtuquaturi “toptan-Pazar” në raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Zoti Murati e konsideron tërheqjen e qeverisë së Tiranës për VKM-në e pronave në bregdet dorëzim, shenjë inferioriteti dhe pasojë të strategjisë së Nikos Kotzias për përfshirjen në diskutime të të gjithave çështjeve, “të qena e të paqena” në diksutimin me Shqipërinë. Kështu, sipas Muratit, është krijuar një lidhje kushtëzuese mes problemeve të ndryshme duke sjellë humbje vetëm për vendin tonë.

Siç dihet preja tyre që ndjekin zhvillimet politike, z. Murati përgjithësisht trajton aspekte të politikës së jashtme. Ndaj të shtrosh për diskutim një aspekt social siç është vjedhja në ditën me diell e pronave nga qeveria shqiptare, është pak e tepërt dhe e pakuptimtë. Sikundër është po ashtu e padobishme që problemin e krijuar me pronat dhe të kthyer në element të imponuar të politikës së jashtme, ta vendosësh në kontekst repike me z. Murati.

Pasi në parim studiuesi në fjalë i përmbahet në arsyetim një bindjeje të kthyer gati në reflesk të pakushtëzuar se kur themi Serbi, Rusi dhe Greqi, por ndonjëherë edhe Francë, nënkuptojmë detyrimisht një hile apo armiqësi ndaj shqiptarëve.

Megjithatë në një pikë z. Murati ka të drejtë: qeveria është tërhequr. Ka futur bishtin në shalë. Sigurisht ajo është si puna e atij qenit që pasi e godet njëherë me ndonjë hu kokës, tërhiqet duke kuisur dhe pa lehur, sepse pret të kafshojë sapo të ketë rastin. Por nëse ky është një poshtërim të cilin diplomati në fjalë e konsideron të papranueshëm, për ata që kanë pronat e tyre në Bregdet, ku z. Rama, ky patriot dhe polemizues gravurash po do t’ua rrëmbejë njësoj siç bën me pronat e shumëkujt edhe në Tiranë,  ndërhyrja e qeverisë greke është e mirëpritur.

Përpara se ta përjetojmë vendin tonë si raport me fuqi apo shtete të huaja, kemi detyrimin ta analizojmë atë në raport me të ashtuquajturën kontratë sociale që ka me ne si individë. Cili qytetar apo cili komunitet normal do të angazhohej, mobilizohej apo do të rendte pas Republikës së hajdutëve dhe spiunëve? Apo Republikës së Kokainës, deri më dje konsideruar Burgu më i madh në Europë? Pakkush. Ose ata që përfitojnë.

Një shtet që nuk ofron minimumin e sigurisë dhe të respektit për disa të drejta që vende të tjera I kanë mbyllur me kohë, nuk ka pse të ketë si hipotekë të përjetshme besimin e njerëzve. Shteti është nocion relativ. Dhe në një vend ku të gjithë vjedhin të gjithë, askush nuk ka të drejtë të moralizojë.

Shqipëria nuk vuan edhe aq nga gabimet në politikën e jashtme edhe pse aty patjetër që gabime mund të ketë. Shqipëria është një vend ku shqiptarët janë armiqësuar me njëri-tjetrin edhe për shkak të kësaj narrative shterpë që e kërkon shkakun përherë gjetkë dhe jo brenda. Që na rrëfen përherë si të ruhemi nga grekët dhe nga sllavët, kur mbi krye kemi ata që dinë vetëm të vjedhin. Sepse punë ka, por profesionistët janë për vjedhje.

Kur ta njohim publikisht këtë realitet, do ta kemi përfshirë atë në analizat tona; atëherë edhe qasja ndaj të huajve do të ndryshojë. Ndoshta do të jetë më realiste dhe jo kaq selektive. Edhe pse dallimi në qasjet që shqiptarë të ndryshëm kanë për shtete të ndryshme, apo kombe fqinje, reflekton përvojat e ndryshme historike që rajonet dhe komunitetet shqiptare kanë dhe që ende nuk janë shkrirë në një narrativë të vetme. Kjo duhet theksuar mire në mënyrë edhe me termin “interes shqiptar” të mos manipulohet, për sa kohë brenda vetë këtij shteti ka përherë komunitete të margjinalizuara. Siç ka edhe mendime të paragjykuara dhe akuzatorë vullnetarë. 

Sigurisht që do të ketë përherë njerëz të shquar, intelektualë vetëmohues, aktivistë të palëkundur që do jetojnë me thirrjet “oh sa mirë me qenë shqiptar”, apo duke bërë shqiponjën me duar. Por këta janë pakica. Elita. Shumica sheh deri te pragu i shtëpisë dhe fëmijët e vet dhe do bëjë gjithçka t’i mbrojë ato nga hajnia që në këto anë me thënë të drejtën ka folur përherë Shqip.  

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Sakte!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.