Shkruhet akoma kështu...

Postuar në 12 Prill, 2019 13:50

Kush ka jetuar vitet e fundit të regjimit monopartiak në Shqipëri, do kujtojë se propaganda e kohës, e tharë nga çdo kuptim pse e shkëputur nga realiteti, fliste dhe shkruante për arritje të mëdha. Këto arritje kumbojnë ende sot në arkeo-maksimën ironizuese të Enver Hoxhës: nga fitorja në fitorje. Mirëpo ndryshimi i regjimit nuk do të thotë se shoqëria shqiptare ka përqafuar modelin kritik. Jo. Këtu kritika të bën me një palë, në varësi të palës së bashkëbiseduesit. Megjithatë ka një standard realizmi që nuk kapërcehet për të mbetur objektiv. Në këtë kuadër opinione si ky i prof. dr. Ago Nezha për Erjon Veliajn, ngjajnë si të shkruara enkas si sprovë e kujtesës së stilit të dikurshëm. Pak Startre dhe Niçe dhe dalim aty ku duam: Lum si ne që kemi Erjon Veliajn. Lexojeni këtë paragraf nga ky profesor doktor:

Unë do ta quaja fatlumturin e kryeqytetit që erdhi në postin e kryetarit të Bashkisë, që s’ka të krahasuar me asnjë nga paraardhësit e opozitës. Por jo vetëm unë, por ka edhe shumë miq të mitë të djathtë që ma kanë shprehur konsideratën e lartë për kryebashkiakun vizionar, punëtorin e palodhur, njeriun që flet me vepra, duke ja ndryshuar fytyrën qytetit në të gjitha lagjet e Tiranës…

Të pranosh të vërtetën është mençuri. Të pranosh jo të vërtetën për hir të konformizmit politik do të thotë t’i kundërvihesh dhe të tradhtosh me ndërgjegje ndjenjat dhe arsyen logjike. Realiteti është i prekshëm. Me punën e tij të dallueshme Erion Veliaj po tregon dita-ditës se po të jesh i pajisur me ide të qarta, me sedër profesionale, me ambicie për vendin dhe qytetin tënd, i dashuruar pas të përparuarës vendase dhe atë botërore, mund t’ia ndryshosh fytyrën një vendi

Ndoshta edhe vetë Veliaj, diku aty në zyrën e vet skuqet lehtë kur lexon këto radhë, pasi mirë punën që ia njeh vetes si atribut, por vizionin dhe dashurinë për të përparuarën, ai po I rrok tani që i paska si cilësi dhe virtyte.

Më poshtë Nezha sjell edhe përvojën e vet, mbresat e tij për kryeqytetin tonë të ndriçuar nga Veliaj:

Ne që shkelin përditë Tiranën, e para katër vjetëve kemi harruar se aty ku ngriheshin malet me plehra, ku balta dhe pluburi ishte kozmetika e përditshme, ku po të ecje trotuareve thyeje këmbët, ku nëpër lagje doje çizme të dilje nga shtëpia…dilje nga shtëpia, sot janë ngritur pallate ecën në trotuare të shtruara, ka kënde lodrash, lulishte e parqe çlodhëse, me drita llamburitëse, që e hijeshojnë bukur Tiranën dhe që ka marrë fytyrën e një qyteti europian. Dhe gjithë kjo punë, këto ndryshime janë bërë në breshërinë e opinioneve dhe sulmeve të opozitës, për tu frenuar, penguar, denigruar dhe sakrifikuar, vetëm e vetëm se i përkiste një qeverisje të majtë

Shikoni se çfarë thotë z. Nezha për drejtimin e bashkisë nga z. Basha:

Mençurisht e shprehu një miku im intelektual i Partisë Demokratike dhe bashkëkrahinor i Bashës, që më tha se Basha u harrua, se nuk u kurorëzua për asnjë vepër në krye të Bashkisë

Pra ndryshimin epokal në Tiranë e solli z. Veliaj, që trashëgoi mesa duket malin me plehra dhe rrugët e prishura të Edi Ramës, pasi siç po na thotë Nezha, Basha thjesht nuk bëri asgjë: ai ndenji pa prishur e pa ndrequr.

Komedia e këtyre shënimeve bën përpjetë akoma, kur profesor doktor Ago Nezha merr rolin e pedagogut që ia nënrendit kritikën dhe akuzën mediatike dhe politike që i bëhet një falsifikatori dhe një abuzuesi si z. Veliaj nihilizimit të shoqërisë, injorancës dhe indoktrinimit. Pra z. Nezha dhe ai si puna e tij duan Shqipërinë, të bukurën, të mirën, të tjerët janë thjesht ta paditur, apo qorra. Ndaj z. Nezha, njësoj si partizanët e filmave që lëshoheshin me Urra përpara në sulm, e sugjeron dhe interpreton rikandidimin e z. Veliaj një privilegj për qytetarët e Tiranës. Por më shumë se kaq. Ai si një profesor babaxhan i rekomandon z. Veliaj se përtej përgjegjësisë si kryebashkiak, ka një përgjegjësi edhe më të madhe: Ai duhet të përligjë përgjegjësinë e genit lab, që shtron detyra ku e ku më të vështira sesa këto që z. Veliaj ka kryer me sukses deri më tani.

Sikur Shqipëria të kishte në krye të bashkive të vendit, disa Erion Velia Shqipëria do kishte fytyrë tjetër, me profil të theksuar demokratik e perëndimor….

Në mandatin e dytë Erion Velia duhet të tregoj edhe gjenin lab se historia përjetësohet me figurat ndritura të kombit kur lavdinë e tyre e derdhim në statuja e monumente madhështore, që prekin syrin dhe ndërgjegjen e njerëzve. Tirana është e ç’veshur nga prezenca e përjetësimit të njerëzve të shquar që kanë bërë histori jo vetëm në lëmin e patriotizmit por edhe në fushën e artit, kulturës dhe shkencës. Veliaj modelin e eksperiencës e ka tek fqinji ynë Maqedonia Veriore që i ka mbushur sheshet me monumente e statuja të njerëzve të shquar të kombit. Është koha të luftojmë me ndërgjegje brenda vetes sonë dhe të reflektojmë pozitivisht. Jemi para dilemës se kur do arrijnë të duan të mirën para së keqes, të bukurën para të shëmtuarës, të përparuarën para të prapambeturës, patriotizmin para tradhtisë, para thumbimit të arrëzës, mjaltin e bletës. Kur të çlirohemi nga këto komplekse, kur të ç’veshim dhe hedhim poshtë pelerinën e varfërisë shpirtërore e mendore, vetëm atëherë do emancipohemi dhe do të bëhemi qytetarë të Europës

Shpresojmë vetëm që edhe z. Veliaj të jetë vënë në siklet nga ky shkrim. Do uronim madje. Do dëshmonte se i ka mbetur një fije objektiviteti dhe serioziteti, por edhe inteligjece, pasi shkrime të tilla vetëm bëjnë dëm. Gjithkujt. 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ky Ago Nezha eshte nje produkt i regjimit monopartiak koke e kembe, ish-instruktor ne KQBRPSH, tipik aparatçik turko - sovjetik. Si dreqin eshte bere doktor - profesor vetem nje zot e merr vesh. Lali Eri ka nevoje per kesi freskberesish, nuk e marr vesh vete Agoja cfare fiton, apo i sterforcohet "gjeni i labit"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.