Në emër të (cilit) popullit

Postuar në 01 Prill, 2019 15:50
Skerdilajd Zaimi

 

Thotë në një dalje televizive kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

PS-ja ka kontratë me popullin shqiptar. PD-ja dhe LSI-ja nuk mund të gënjejnë dot popullin. Ne do të hyjmë në zgjedhje.  Sa i takon akuzave të opozitës, mund të them se kjo opozitë nuk ka lënë njeri pa bërë me baltë.  Kjo opozitë ka baltosur deri hoxhallarë dhe priftërinj, jo më politikanë

Është një paragraf që nuk ja gjen dot kuptimin edhe aq mirë. PS-ja është pjesë e institucioneve të shoqërisë shqiptare që është autorizuar në kontratë kushtetuese për qeverisur. Populli – një nocion që nuk përcaktohet qartë – nuk lidh kontrata me parti politike, pasi sovranitetin presupozohet se e ka vetë, ndonëse një gjë të tillë e gjen të shkruajtur në ligje dhe Kushtetuta që hartohen nga pak njerëz. Jemi në terren të errët kur flasim me këtë gjuhë dhe zoti Balla, si njeri që ka mbaruar doktoraturën, duhet të tregohet pak më I kujdesshëm.

Për ta rrokur më mirë rëndësinë e këtij dallimi, mjafton që të sjellim dy shembuj: Edi Ramën dhe Erjon Veliajn.

I pari kur ishte në opozitë fliste për Popullin Opozitar. Meqenëse dështoi disa herë përballë Sali Berishës, z. Rama mendoi se termi Opozitë ishte shumë i ngushtë për llojin e betejave epike që ai kishte ndërmend. Kështu që shpiku, apo huazoi termin Popull Opozitar. Por ndaj kujt është në opozitë ky Popull? Ndaj popullit qeveritar? Absurditeti i termave të këtillë rrjedh nga fakti se ato janë artificialë dhe pak kanë të bëjnë me parimet dhe rregullat e sistemit. Ato përfaqësojnë jo kategori reale, por situata hiperpolarizimi, më së shumti emotive sesa politike, të cilat kërkojnë mjete të reja gjuhësore për të përligjur tingëllimet e çuditshme dhe epokale që pretendojnë.

Sot, në detyrën e kryeministrit z. Rama ka ndryshuar regjistrin. I vendosur përballë një opozite që po i duket e çakërdisur, kryeministri flet përherë e më shumë për një Aleancë “me njerëzit e ndershëm dhe të zakonshëm të këtij vendi”. Populli Opozitar pra është zhdukur, ai nuk përfaqësohet nga opozita, por është në aleancë me qeverinë. Populli opozitar është shndërruar në bashëkqeverisës dhe që këtej mund të shpjegohet dobësia organike e kësaj opozite e cila rrezikon të mbetet e vetme në artikulimin e problemeve themelore që po ka vendi, ndërkohë që qeveria në aleancë me ata që thamë, përbën shumicën dhe vazhdon zgjidhjen e tyre. Rrengu retorik dhe diskursiv mëton pra të rrethojë me Popull një opozitë e cila po izolohet në radikalizmin e vet të përshfaqur në dorëzimin e mandateve, pavarësisht se duhet të kujtojmë se një pjesë e madhe e këtij Populli ka ikur nga Shqipëria.

I dyti, pra z. Veliaj, si kryebashkiak i Tiranës ka një artikulim më të varfër dhe të thjeshtuar. Z. Veliaj flet me gjuhë tregu sepse dëshiron të kuptohet deri te qytetari më i fundit. Por politikisht, kryebashkiaku nuk e përdor termin Popull, që implikon shumëçka dhe sugjeron detyrimisht njohje të mirë të historisë. Zoti Veliaj flet për Shumica dhe pakica të zhurmshme. Ai e përjeton botën si të sigurtë dhe legjitime nëse me vete ke një shumicë. Paradoksi i kësaj sjelljeje nuk buron nga ndonjë gafë logjike, por nga fakti se kryebashkiaku është shkolluar dhe ka jetuar disa kohë në Perëndim, në demokracitë liberale ku pakica trajtohet si kriter demokracie. Sepse është e provuar që shumicat shpesh vendosin gabim, ndonëse kanë de facto aksionet kryesore brenda nocionit të sovranitetit. BREXIT është shembulli më domethënës, sikurse mund të jetë p.sh edhe vota e vitit 2017 në Shqipëri.

Në këtë kudër z. Balla i bie shkurt dhe flet për një kontratë që e imagjinon ai vetë pikërisht sepse mendon me kredencialet e përfaqësuesit të shumicës që flet ndaj një Pakice që duhet të rrijë urtë. Të pranojë se nuk është votuar dhe të presë deri në zgjedhjet e ardhshme. Të cilat z. Balla po na thotë se do zhvillohen edhe pa Pakicën.

Po çfarë zgjedhjesh janë këto? Dhe cila kontratë parasheh këtë sjellje? Cila kontratë legjitimon korrupsionin dhe vjedhjen? Ndoshta zotëria nuk e kupton, por në këtë mënyrë, me këtë arrogancë në të menduar dhe me këtë sjellje publike, po ndihmon që edhe vetë Vota të humbasë kuptimin dhe autoritetin si burim legjitimiteti.

Është thënë shpesh se “në emër të popullit bëhen shumë gjëra”, por ky abuzim terminologjik buron nga nevojat e një populizmi që zëvendëson dialogun real në një krizë që nuk po tentohet të zgjidhjet, por të menaxhohet. Të manipulohet për të prodhuar fitues dhe humbës virtualë të tillë që afektojnë pastaj edhe vetë “zgjedhjet” në “zgjedhje”.  

Populli flet me votë”, ja një tjetër devizë e rreme e plotësuar nga politika e miklimit: “Shqiptarëve nuk ua hedh kush”.

Në fakt populli, ashtu siç kuptohet nga këto fjali flet ndryshe. Për disa madje do të duhet të kishte folur ndryshe. Populli kur flet nuk e bën këtë në emër të një kontrate të prishur, apo që nuk respektohet, por sepse kërkon të imponojë lloje të tjera kontratash dhe rregullash. E bën këtë edhe duke ikur, ndonëse është fatale. E bën edhe duke zënë me gurë dhe duke djegur, e bën edhe me votë padyshim. Populli fsheh shumëçka, pavarësisht se sot termi në fjalë po hipotekohet në mënyrë manipulative nga shumica në pushtet. Manipulative pasi vetiu mund të pyesim: Cili popull do fliste përmes Taulant Ballës? Një komunitet ndoshta, por jo një Popull.

Lufta deklarative dhe diskursive është mirë që të kursejë dhe vetëkufizojë përdorimin e disa termave, në mënyrë që edhe këto partitë politike të vijojnë të konsiderohen “pasuri kombëtare” apo asete të çmuara.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

(cilit*)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.