Kompleksiteti i krizës politike dhe një propozim modest për zgjidhje

Postuar në 18 Mars, 2019 19:13
Jordan Jorgji - Pedagog i Studimeve Politike në Universitetin Fan S. Noli, Korçë

 

Muajt e fundit Shqipëria është mbërthyer nga një krizë e përshkallëzuar politike, e cila kulmoi me dorëzimin e mandateve parlamentare të përfaqësuesve të opozitës si dhe me kërcënimin që i njëjti akt të përsëritet edhe në nivelin e pushtetit lokal. Në ‘fushën e shahut’ janë vendosur përballë njëri-tjetrit aktorët politikë shqiptarë, të shoqëruar, sigurisht, nga faktori ndërkombëtar. Gjithashtu, në perspektivën e zgjidhjes situata bëhet e vështirë për shkak se ndërkombëtarët kanë marrë, tashmë hapur, anën e partisë qeverisëse. Këtu lindin të paktën dy pyetje me rëndësi primare që lipset të trajtohen me kujdes.

Së pari, cili është burimi kryesor i krizës politike?

Thuhet se arsyeja themelore që çoi në protestë masive Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim – ose vetë popullin sipas përfaqësuesve të këtyre partive – lidhet me sjelljen autoritariste të qeverisë aktuale dhe veçanërisht të Kryeministrit Edi Rama. Tabloja bëhet më e ndërlikuar kur shohim se protesta të ngjashme kanë shpërthyer paralelisht në vende të tjera të rajonit – konkretisht në Serbi, Mal të Zi dhe disi në Turqi – por edhe më gjerë, fjala vjen në Francë në rastin e ‘Jelekëve të verdhë’. Monopolizimi faktik i pushtetit politik nga ana e Aleksandër Vuçiç në Serbi dhe Milo Xhukanoviç në Mal të Zi këtu e disa vite me radhë (për mos thënë dekada me radhë në rastin e politikanit malazez) përbën në vetvete një situatë problematike politike, kryesisht në lidhje me pengesën që i bëhet qarkullimit të elitave si kusht substancial i demokracisë.

Nëse tablonë e shohim me kujdes, politikanët e kontestuar, përkatësisht Rama, Vuçiç, Xhukanoviç dhe Makron, janë që të gjithë përfaqësues të partive me ideologji të majtë ose socialdemokrate (të paktën në letër). Evropa po bëhet sot dëshmitare e krizës që ka pësuar ideologjia socialdemokrate dhe e lulëzimit (shqetësues deri diku) të Konservatorizmit dhe partive të ekstremit të djathtë, ndërsa ideja e integrimit evropian po gërryhet çdo ditë e më shumë. Madje, kriza e Socialdemokracisë ka shtyrë shumë mbështetës të saj të akuzojnë pa të drejtë të gjithë protestuesit e sotëm si Euroskeptikë, konservatorë, ksenofobë dhe deri me termin fashist. Ironia e fatit është se epiteti ofensiv i populistëve karshi politikanëve kozmopolitë përdoret më vonë nga vetë kozmopolitët, kur këta nuk janë në gjendje të perceptojnë se ku çalon ushtrimi i pushtetit politik prej tyre. Me fjalë të tjera, teoritë konspirative dhe antisemitizmi i populistëve plotësohen nga neglizhenca autoritariste e liberalëve për më shumë llogaridhënie. 

Kuptohet se shkaku i krizës nuk ka se si të jetë vetëm kombëtar, edhe pse secili vend disponon tiparet e tij të veçanta që kanë çuar në nxitjen e krizave politike përkatëse. Megjithatë, një prej burimeve kryesore të pakënaqësisë që po manifestohet dukshëm në disa vende radhazi është fenomeni i mungesës së përfaqësimit të qytetarit. Në kundërshtim me ‘Κontratën Sociale’ të elaboruar nga Thomas Hobbes dhe Jean-Jacques Rousseau, përfaqësuesit e demokracive përfaqësuese sot nuk zgjidhen demokratikisht nga zgjedhësit dhe nuk japin më llogari te këta të fundit. Globalizmi dhe karakteristikat e tij kanë çuar këtu e dy-tre dekada më parë në tkurrjen e shtetit-komb dhe në reduktimin e polaritetit ideologjik të masave. Një nga rezultatet më të ndjeshme të këtij ndryshimi të konsiderueshëm shoqëror është edhe kriza identitare e individit-qytetar përballë shtetit-komb dhe strukturave tradicionale që shprehin shtetet-kombe, si Bashkimi Evropian apo NATO. Këtë e pamë me presidentin amerikan Donald Tramp, i cili ashtu si edhe paraardhësi i tij Barak Obama, valëvitën përballë masave flamurin e rrjeteve sociale dhe të kompanive të mëdha financiare. E shohim, gjithashtu, tek përfaqësuesit kryesorë të BE-së, të cilët preferohen të vijnë dhe të zgjidhen nga radhët e teknokratëve dhe sektorit bankar, paçka se shtetësia evropiane njihet në dimensionin e saj politik qysh prej Traktatit të Mastrihtit. Këtë fenomen e shohim edhe në vendet me më pak demokraci liberale, siç është Rusia, Turqia apo shtetet e Ballkanit. Këtu, udhëheqësit respektivë monopolizojnë sektorët e burimeve kryesore ekonomike – karburante, telekomunikacione, banka – dhe shpesh herë shpalosin flamurin e pseudo-patriotizmit. Rezultati: manipulimi i opinionit publik dhe shtrembërimi i demokracisë liberale.

Sipas Giovanni Sartori, një prej politologëve më të dëgjuar, demokracia liberale lidhet drejtpërsëdrejti me procesin e lirë të votimit dhe në të njëjtën kohë me formimin e lirë të opinionit publik. Përkundrazi, demokracia pseudo-liberale e sotme ka çuar në eklipsimin e mekanizmit të polaritetit ideologjik dhe përplasjes së alternativave, duke i zëvendësuar këto me narcizmin e rrjeteve sociale dhe financimin manipulues të opinionit publik. Nuk është e rastësishme që diskursi politik ‘i majtë – i djathtë’ në Shqipëri është transformuar gjatë viteve të fundit në një diskurs semplicist të formës së ‘tepsikracisë’ (nocion i përdorur ndjeshëm pas vitit 2016). Konservimi i pushtetit politik në terma autonome – pra, pa pasur nevojë për kundër-balanca politike – çon midis të tjerash në ‘ndryshkjen’ e qarkullimit të elitave. Si rezultat, vendet ballkanike qeverisen (de facto) prej të njëjtëve personalitete këtu e dekada me radhë.

Përtej manipulimit të opinionit publik përmes formave të cituara më sipër, llogaridhënia e demokracisë liberale shtrembërohet për shkak të prioriteteve ekonomike-financiare në dëm të sferës publike. Është e nevojshme të theksohet se ‘publikja’ përbën tiparin më themelor të ekzistencës së kombit demokratik.  Madje, eklipsimi i politikes dhe publikes nga ekonomikja nuk është plotësisht i kontrollueshëm nga institucione të paanshme shtetërore, të legjitimuara dhe kontrolluara prej votës popullore. Përkundrazi, i shërben prioriteteve të ngushta të lidershipit, të pakonsultuara paraprakisht me komunitetin e interesuar. Më konkretisht, plane të ndryshme urbanistike që prekin drejtpërsëdrejti jetën e përditshme të qytetarit apo më keq akoma të komunitetit, nuk ‘miratohen’ nga vetë komuniteti dhe përfaqësuesit e tij, por imponohen nga ‘lart-poshtë’. Këtë fenomen do t’a quaja ‘investitokraci’, duke dashur të vë në dukje (me fjalë më të thjeshta) prioritetin që ka forca e parasë dhe e çimentimit karshi ndjeshmërive komunitare.

Kombinimi i të tre fenomeneve të përmendura më lart, pra krizës së përfaqësimit, tepsikracisë dhe investitokracisë, e ka tjetërsuar demokracinë liberale (ose, të paktën rrugën për të shkuar drejt saj) në pseudo-demokraci liberale, dhe më tej akoma në demokraci anti-liberale. Pikërisht, ky proces dinamik kontribuon në shpjegimin e krizës komplekse dhe shumë-dimensionale të liberalëve në shumë vende, të cilët fajësojnë populistët për shtrembërimin e demokracisë liberale, ndërkohë që janë vetë ata që po ndihmojnë populistët nëpërmjet distancimit të qytetarit nga përfaqësimi politik.

Së dyti, si mund të zgjidhet kriza aktuale në Shqipëri?

Lënia e mandateve përbën një lëvizje ekstreme të opozitës shqiptare, paçka se shqetësimi i saj për shkeljen e demokracisë është i mirë-kuptueshëm. Gjithashtu, nuk ka kuptim të thuhet se opozita nuk pyet më për qëndrimin dhe presionin e faktorit ndërkombëtar, pasi vetë lëvizja radikale e braktisjes së mandateve ka pasur si qëllim kryesor tërheqjen e vëmendjes të ndërkombëtarëve, pra ndërkombëtarizimin e krizës politike të një vendi të vogël dhe periferik si Shqipëria.

Një lëvizje më e matur mund të ishte për shembull, braktisja e mandateve të një pjese të rëndësishme të krerëve lokalë, duke kërcënuar gradualisht për mos-pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme lokale (këto janë më afër në kohë) dhe të mos kalohej direkt në ekstrem, pasi zgjedhjet e rregullta parlamentare zhvillohen dy vite më vonë. Qëndrimi radikal i opozitës shqiptare, përveç se nuk e ndihmon faktorin ndërkombëtar të negociojë një zgjidhje të qëndrueshme, përbën një precedent të rrezikshëm për demokracinë liberale të vendeve në tranzicion. Me fjalë të tjera, nëse kjo do të kthehej rutinë në një mekanizëm të presionit politik, duke e detyruar pozitën të ‘bëjë prapa’, nuk ka asnjë garanci – pavarësisht pritshmërive – që demokracia të jetë më e konsoliduar. Në vende ku shteti i së drejtës dhe të drejtat e njeriut janë akoma të pakonsoliduara, pra ku mungojnë ‘valvulat e sigurisë’, lëvizjet radikale, edhe pse mund të synojnë të shërbejnë si mjete presioni ndaj mungesës së demokracisë, nuk garantojnë perspektivën se ndryshimet e rivendikuara çojnë automatikisht në ndërtimin e bazave të qëndrueshme të shtetit modern.

Duke u mbështetur në sa u tha më sipër, një propozim modest për zgjidhjen e krizës politike mund të jetë krijimi i një qeverie të re të Parisë Socialiste, të përbërë nga figura të pakontestuara dhe jo deputetë. Paralelisht, nga ana e opozitës, mund të zëvendësohen të gjithë ish-deputetët në parlament me kandidatët e radhës të listës. Kjo alternativë gjithë-përfshirëse, përveç se do të ‘qetësonte gjakrat’, do të ndihmonte në qarkullimin e elitave dhe në demokratizimin e partive kryesore. Më tej akoma, fryma e kompromisit mund të shërbejë për ndryshimet e duhura në kodin zgjedhor që zgjedhjet e mëtejshme të zhvillohen me lista të hapura – duke i lënë në dorë bazës fuqinë për të legjitimuar dhe kontrolluar – dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshme në reduktimin e mos-ndëshkueshmërisë.

Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë tri formula kryesore: 1) politika është kompromis, 2) negociatat dhe kompromisi zhvillohen atëherë kur palët e përfshira bëjnë tërheqje nga disa prej pozicioneve të tyre paraprake, 3) nuk ka asnjë garanci që ekstremet çojnë në normalitet afatgjatë.

Comments

Submitted by prova (not verified) on

Ja vlen te hidhet ne diskutim sepse ka nje analizë logjike duke treguar që prezantohet nga nje Profesor, i dijshëm dhe i kënduar në perëndim... Bravo Jordan!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.