Roger Waters, Saimir Pirgu dhe gomat e djegura të Lushnjes

Postuar në 03 Mars, 2019 13:18
Skerdilajd Zaimi

 

Këto javë të nxehta për Venezuelën ka dalë në pah polarizimi ndërkombëtar për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj qeverisë së Maduros. Diktator, i korruptuar, akuzat janë të njohura. Por çështja është te politika e intervecionizmit që aplikon ShBA sa herë i intereson. Ka dyshime madje se kjo që ndodhi ishte sponsorizuar nga jashtë. 

Një ndër njerëzit që ka dalë kundër çdo ndërhyrjeje është Roger Waters, themelues i grupit të njohur Pink Floyd i cili ka bërë thirrjen e qartë: larg duart nga Venezuela! Ai madje ka dalë kundër një koncerti bamirësie të organizuar nga miliarderi Richard Bransen që synon të krijojë fonde për njerëzit në Venezuelë. Waters thotë se koncerti nuk ka të bëjë fare me këtë gjë, por me krijimin e idesë se në këtë vend ka shumë probleme dhe mbi këtë premisë të nxitet konsensusi për ndryshimin e regjimit. 

Waters është një emër i famshëm, Pink Floyd as që kanë nevojë për prezantim, por qëndrime të tilla sërish mund të kenë kosto. Është shumë i njohur rasti i Mel Gibson që thuhet se u izolua për komentet e shpeshta antisemite, ndërkohë qe mikut të tij, Gary Oldman iu desh të kafshonte gjuhën për këtë çështje në një intervistë të vitit të kaluar. 

Le të ulim disa marshe dhe të vijmë në Shqipëri, Republika e Imazhit. Në një intervistë të vetën tenori Saimir Pirgu ka thënë ndër të tjera:

Keq më vjen, por ky perceptim i mediave të huaja të sinkronizuara sikur në Shqipëri është Mesjetë. U bënë 20 vjet që e teprojnë. Është përgjegjësi e politikës shqiptare. Dhe flas të të gjitha krahëve politike që keto gjëra të mos përsëriten. Sepse imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë shumë i rëndë. Dhe do më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rekuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë

Tenori përputhet me kryeministrin e ndoshta me ministrin e Jashtëm, që në këtë rast as nuk dihet mirë kush është: bëni si të bëni, mbahuni kaps, se na prishet imazhi. Me aq sa kuptojmë, z. Pirgu po na thotë se shfaqjet e tij në botë janë një politikë edhe për rritjen e imazhit të Shqipërisë, por këtë as ja ka kërkuar njeri dhe as nuk dihet nëse e ngatërron audiencën e huaj. Zoti Pirgu nuk është një shqiptar i shquar që u bë tenor, ai është një tenor i njohur që rastisi të jetë shqiptar. Ku implikon karrierën e tij situata politike e Shqipërisë? 

Është për të ardhur keq të shohësh këtë lloj niveli dhe këtë lloj “angazhimi”. Nëse z. Pirgu është naiv, atëherë mund t’i themi shiko punën zotëri dhe suksese kudo! Nëse ka bërë qokën e pushtetit, atëherë mund t’i themi, merr teserën e PS-së, nuk ka asgjë të keqe nga rreshtimi politik. Zotëria nuk bën as njërën dhe as tjetrën. Po na tregon se punon si agjent marketingu. Punë e tij dhe aspak e Shqipërisë e cila duhet të shohë sesi “bijtë” e saj kujdesen për makiazhin dhe nuk dinë të ndajnë – si kolegët e tyre në botë – angazhimin nga shërbimi ndaj pushtetit. Por ndoshta i biem në qafë zotërisë që mbase nuk ka ndonjë ide të qartë politike. 

Prononcimi politik i njerëzve të artit vjen përherë me interpretime. Në rastin e Shqipërisë, hera e fundit kur qëndrimi personal i njerëzve publikë nuk e përgënjeshtroi respektin për ta dhe dinjitetin e tyre ishte viti  1997 kur p.sh edhe një folëse e RTSH si Tefta Radi, bëri thirrje modeste për qetësi. Por ky apel nuk ka asgjë vanitoze sepse nuk lidhet me rreshtime dhe implikime politike dhe çka është më e rëndësishme: nuk është i porositur. 

Nuk ka lidhje as me vizitat me tufa lulesh të aktivistëve milionerë të shoqërisë civile në grevën e urisë së deputetëve të PS-së, as me peticionet e “intelektualëve” që stiste Sali Berisha.

Është ai prononcim, personal, qytetar dhe civil si në rastin e Waters. Të thuash gjëra që mund të faktohen si gabim nuk ka ndonjë të keqe, sepse kjo nuk të prek dinjitetin. Dhe këtu është puna. T’i gjesh vendin dinjitetit paska qenë shumë e vështirë. Të luash partiturat politike ta kompromenton imazhin që aq shumë e paske merak e më komikja, e unifikoke me imazhin e mbarë vendit. 

Ndaj, le ta ndihmojmë Saimirin: të blejmë ca bileta online që ta kompensojmë për gomën e djegur para PRLAMENTIT.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.