I arratisuri politik

Postuar në 23 Shkurt, 2019 13:04
Bard Camaj

Një herë e një kohë Lulzim Basha dinte të paktën të bënte për të qeshur. Videoja emblematike që kundërshtarët e tij politikë i nxorën në një kulm fushate, në të cilën shfaqej sozia duke gërhitur në zyrë, ngjiti në publik më shumë se arritjet apo mosarritjet e Bashës si kryetar bashkie. Tani duket sikur edhe atë aftësi për të mos u marrë seriozisht e ka humbur. Të merr malli nganjëherë për atë fytyrën e qeshur vesh më vesh, me atë thellukën karakteristike në mjekër që ia nënvizonte edhe më shumë buzëqeshjen, kur sapo ishte shpallur kryetar bashkie. Çudi, se si ndërkohë që ai u premtonte qytetarëve që do ti qëndronte larg konfliktit të politikës, kur zotohej që me zgjedhësit e vet do të komunikonte kryesisht me punë, ne gënjenim veten që më në fund krahu i djathtë i politikës kishte zbuluar shtegun e duhur.  

Edhe rrinë e teorizojnë pastaj ca mendje të mëdha duke thënë që nuk është pushteti që korrupton, atë që ka qenë gjithnjë i korruptuar. Menjëherë sa një politikan e kupton sa i rëndësishëm është bërë papritur, vesi i zakonshëm është që fytyra i merr një hije gjithnjë e më të murrëtyer, qimja gjithnjë e më e kreshpëruar, retorika gjithnjë e më eliptike dhe konfliktuale, gjuha e drunjtë dhe e kriptuar gjithnjë e më e shkëputur nga realiteti. Dhe është kjo shkëputje që i bën hedhjet e përsëritura pa parashutë të politikanëve tanë, nga qielli i pavdekësisë në truallin e ashpër të gjërave që nuk shkojnë, akoma më të dhimbshme. Ja çfarë ndodhi dy ditë më parë: Brenda më pak se dyzetetetë orëve fluturuam nga sublimja në banalitet, një flurudhë gjyleje që u nis nga prononcimet për rrëmbimin e fateve të kombit në dorë me frymëzimin e vetë Zotit, tek mekjet e zërit ndërsa mjaullitej në bulevard himni kombëtar. Një anticlimax i tillë nuk ishte parë ndonjëherë kësaj ane, një shkrehje erektile pa ejakulacion, një krisje arme në errësirë me fishekë manovre.

Duhet ta kishim parashikuar këtë shfryrje e squllje dramatike, shenjat i kishim aty përpara, dhe ne të paaftë për ti lexuar. E ç'mund të bënte më shumë Lulzim Basha, me pasurinë e trashëguar qyl nga prindi i tij politik? Hiçmosgjë, përvec se ta shpërdoronte! Ç'të bënte me një parti të shpëlarë nga intelekti, e paaftë të mendojë perveçse nëpërmjet kokës së themeluesit të vet. Një parti ku nuk mbin bari. Një parti lebroze, sifilitike, të lodhur e të këputur nga mëkatet e tetë viteve pushtet. Ishte i pritur dhe i natyrshëm vërshimi i karaduzave, qejflinjve e leshkove, predikuesve të rrenës dhe zelotëve të zhvatjes së fondeve publike, në boshllëkun e krijuar nga largimi i drejtuesve tradicionalë. Dakord, mund ta kishte kontrolluar disi, por në fund të fundit, se mos ishte Basha që pyetej për këto gjëra. Aty nuk të linin të flisje, të gjithë të trullosur, teksa brohorisnin disfatën në 2013. Edhe të pyesje çfarë dite kishte qenë dje, të urdhëronin ta qepje halen. Partia Demokratike më shumë se sa një përshkrim i një identiteti politik dhe e një tradite, çdo ditë që shkon mund të lexohet vetëm si pseudonim. Ata që e kritikojnë Bashën për mungesë lidershipi, si një shpresë e humbur apo si dështim, pa të drejtë i kërkojnë llogari për një gomar pothuaj të ngordhur që nuk ecën, të cilin më parë ia kanë shitur për Bucefal.

“Nuk arriti të shkëputej nga hija e Berishës”- kritikojnë,-“nuk ia doli të krijojë një identitet të vetin politik”- a thua që kjo të ishte po aq e lehtë sa një lojë fjalësh. Po të distancoheshe nga Berisha, anyja thyhej më dysh, pa hapur mirë velat për në det. Kompromisi me të kaluarën e palavdishme ishte kushti që një organizëm në gjendje komatoze të mbahej gjallë në reanimacionin post-elektoral të vitit 2013.

Jemi mësuar të themi, kur qeveria bën ndonjë zullum, "Jo, ky rekord poshtërsie është e pamundur të thyhet", por asnjëherë nuk prisnim që një rekord i ri do të vendosej ende në adoleshencën e këtij viti të ri, kësaj radhe, në lëmin e budallallëkut. Po ta mendosh mirë, natyrisht që duhej të ndodhte. Një njeri i zënë në qoshe të ringut, pa asnjë mjet real kundërpërgjigjeje, natyrisht që do të rrëshkiste në irracionalitet. Një drejtues partie nën presionin e jashtëzakonshëm të realitetit, i pamundur për tu përballuar disi, zgjedh skizofreninë si një mjet arratisje, paranojën si justifikim për armiqësinë me të gjithë, izolimin total si akuzë publike ndaj qytetarëve që nuk arrijnë ta ndjekin në lëvizjet e tij gjithnjë e më të paparashikueshme.

Në këtë orë të pabesë që i ka ardhur Shqipërisë, do të na nevojitet një gotë për të mbytur melankolinë. Do të ishte me vend të ngrinim një dolli funeralesh, një gjest tragjikomik do të ishte i përshtatshëm, ndërkohë që opozita bën hara-kiri me shpresën që kundërshtarët e saj po aq të diskredituar do të ndihen në faj dhe kështu do të heqin dorë vullnetarisht nga pushteti: Lavdi dhe admirim për gjithë kaçakët trima që i lozin të gjitha fishat njëherësh në ruletën e jetës e të fatit. Me kusht që pasojat e veprimeve të tyre ti paguajnë ata vetë, dhe jo ndjekësit e magjepsur nga thirrjet e dëshpëruara të një kamikazi që s’ka asgjë për të humbur,për betejë finale. 

Comments

Submitted by Arber (not verified) on

Nuk është koha te merresh me Lulzim Bashen o Bard Camaj. Sado negativ te jete ai, nuk eshte ai qe po na qeveris. E keqja eshte Edi Rama qe po sundon nuk po qeveris, qe po grabit cdo pasuri te atij vendi, qe po jua shperndan taksat tona nje grushti njerezish afer tij, qe krimin e veshi me pushtet sepse aty mbahet. Ne qofte se te paguan per kete ajo është akoma me keq, mos ju bej paterice nje njeriu qe eshte ne pushtet per kaprico jo per te sherbyer per ty per mua per te gjithe ne.

Submitted by Bard Camaj (not verified) on

Ne lidhje me dyshimin që unë paguhem për keto që shkruaj, mund të referoheni ne shkrimet që jane publikuar ne këtë faqe me heret. Ndoshta do të pakesohen keto dyshime. Ndersa ne lidhje me temen mund të argumentohet pa fund. Di që zgjedhja mes dy të keqijave të asaj me të vogles nuk ka funksionuar, kemi 29 vjet që e perserisim këtë eksperimet, dhe rezultati është po ai. Basha mua me duket investim i deshtuar, dhe këtë nuk e them aspak i gezuar. Perkundrazi. Shpresoj ta kem gabim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.