Miqësi shqiptaro-amerikane? Ndoshta na duhet një term tjetër...

Postuar në 14 Shkurt, 2019 00:03

Askush nuk mund ta cenojë miqësinë me SHBA

Ky është mesazhi i thjeshtuar që po lexohet në Kosovë pas letrës së zv.ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer.

Pra shqiptarët e Kosovës kanë një mik që quhet Amerikë dhe në rastin e parë që nuk dëgjojnë një sugjerim të sajin, dikush del e thotë se po cenohet miqësia. Shpjegime të tilla të miqësisë nuk i qëndrojnë asnjë kodi zakonor dhe asnjë tradite të kujtdo populli. Mikun e falenderon për këshillën, por në fund bën atë që di vetë. Këtë na thotë mençuria popullore.

Ndoshta ata që sot flasin dhe predikojnë miqësinë SHBA-Kosovë apo SHBA-Shqipëri e kanë fjalën për një tjetër marrëdhënie. Një marrëdhënie e ngushtë padyshim, por në të cilën Kosova apo Shqipëria luajnë rolin e kolonisë politike. Që bëjnë atë që u thuhet ndonëse për formë mbahet një pamje miqësie. Do të mjaftonte vetëm diferenca në madhësinë ekonomike dhe në histori për të kuptuar se miqësia mes një vendi si Kosova dhe SHBA-së është thjesht e pamundur. Mund të ketë një idil, një dashuri nëse duam të kosovarëve për SHBA-në, por asnjëherë miqësi.

Shqiptarët dhe liderët e tyre që janë aty ku janë për fatkeqësinë tonë, përdorin shpesh terma të tillë, pasi kanë nevojë që të ndihen të mbrojtur. Ka politikanë në Shqipëri që u kanë thënë vëllezër sovjetikëve, jugosllavëve, apo së fundmi edhe turqve. Cinizmi arriti kulmin kur shpjegimi i vëllazërisë turko-shqiptare mori parasysh martesat e përziera apo diasporën shqiptare në Turqi. Në kërkimin e përjetshëm të alibisë për të qenë pas një të madhi, shqiptari është shndërruar nga shoqëri, individ në kategori social-historike. Këtë shohim sot edhe në raportet Kosovë-SHBA, kur miqtë amerikanë në të vërtetë kanë dhënë një urdhër që duhet zbatuar. Dhe kaq.

Po të hedhim sytë pas në histori do të gjejmë ndonjë shqiptar që këtyre urdhërave u ka treguar atë që duhet treguar në këto raste dhe e ka bërë këtë edhe duke e paguar shtrenjtë. Por koha kur Shqipëria banohej nga shqiptarë ka përfunduar.

E megjithatë, Shqipëria zhelane, kjo që është, edhe sot ka mundësi që ta ndihmojë Kosovën miqësisht, apo vëllazërisht nëse duam – me një përvojë të vetën për miqtë amerikanë. Ka qenë para ca kohësh në vendin tonë një ambasador  që quhej Donald Lu. Ky kishte zakonin që qeshte përherë kur dilte në televizor. Një ditë ambasadori Lu u premtoi shqiptarëve reformën në drejtësi. Në emër të kujt dhe me çfarë mandati nuk u tha. Ne të gjithë nënkuptuam se kjo reformë po na vjen nga Miqtë, apo siç u thonë këtej nga Partnerët Strategjikë. Koha iku dhe z. Lu u shqiptarizua më shpejt nga sa pritej. Ai humbi durimin për procedurën, e shihte atë si zvarritje, obstruksionizëm. Fundja demokracia për primitivë si ne është si aspirina: pije se të bën mirë!

Në fund z. Lu bëri edhe një protestë, kërcënoi me sms dhe iku. Na la pas reformën që mori në qafë Shqipërinë e ndoshta kur të vihet në zbatim do të detyrojë edhe nja 600 mijë shqiptarë të ikin por kësaj radhe duke mallkuar.

Për Kosovën mund të mjaftojë ky shembull për të kuptuar miqtë e Shqipërisë dhe atë që bëjnë atë në të mirën tonë. Ndaj edhe në këtu nuk guxojmë që të mos zbatojmë çdo këshillë të tyre, çka është edhe arsyeja pse kemi ecur mbroth këto 28 vjet. Por ndoshta është koha që miqtë t’i njohim nga sytë e t’i respektojmë, jo t’i lëmë të marrin kryet e vendit. Ose nëse na pëlqen kështu, të paktën t’u vëmë emrin që kanë e t’i lëmë pallavrat.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Miqte? Tani, si ta shpjegojme ne kete... kjo eshte ... thjesht zona influence. Kjo eshte sot miqesia!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.