Kriminterni - gangsterët dhe Kremlini

Postuar në 22 Janar, 2019 17:16
Mark Galeoti

Në shtator të vitit 2011, dy çeçenë të dyshuar si të përfshirë në shpërthimet vetëvrasëse të janarit, në aeroportin “Domodedovo” të Moskës, që la pas 37 të vdekur, sapo ishin larguar nga xhamia e Stambollit pas faljes së të premtes, bashkë me një shokun e tyre, kur u qëlluan për vdekje. Sipas një akuze të cituar në një prej gazetave kryesore turke, prokurorët kishin identifikuar dy prej vrasësve që ishin rusë që punonin për Shërbimin Federal të Sigurisë(FSB), i cili sipas prokurorëve, po luftonte grupet çeçene në Turqi, përfshirë ata me lidhje me kryengritjen çeçene kundër Moskës.

Por raportime të mëvonshme nga BBC-ja identifikoi një prej të dyshuarve si anëtar të botës kriminale të Moskës; një tjetër rus i dyshuar për vrasjen e militantëve çeçenë në Turqi në vitin 2015, gjithashtu i afërt me krimin e organizuar, sipas BBC-së, akuzohej nga autoritetet turke se punonte për shërbimet ruse të inteligjencës.

Duke nisur sidomos nga viti 2014, ka patur një sërë rastesh që sugjerojnë se Moska po përdor krimin e organizuar si mbulim për “aspektet e errëta” të politikës së vet të jashtme. Përtej rasteve specifike të trajtuara në këtë shkrim, ky vlerësim bazohet në një masë të madhe në diskutimet me zyrtarë perëndimorë, sidomos në biseda të shumta gjysëm të strukturuara me shtatë zyrtarë europianë të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

Hollësitë e bëra publike janë shpesh të pakta sa kohë hetimet për krimin e organizuar dhe gjyqet që pasojnë, priren të zgjaten dhe hollësitë e tyre mbahen sekret derisa procesi të përfundojë. Megjithatë, brenda komunitetit të sigurisë në Europë ka një konsensus mbi faktin se ka patur me siguri një rritje të përdorimit të kriminelëve në funksion të synimeve të politikës së jashtme ruse.

Ndërsa në kohët e Bashkimit Sovjetik, policia politike e Kremlinit kishte dëshirë për të rekrutuar kriminelët si asete kur kishte nevojë, shkalla dhe qasja që mesa duket është adoptuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ndryshuar.

Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Perëndimin në periudhën post-Maidan, Kremlini ka adoptuar përherë e më shumë një qasje që është quajtur si “gjendja e mobilizimit”. E vetëdijshme për pushtetin më të madh ekonomik, ushtarak dhe atë që quhet pushteti i butë të Perëndimit, Rusia po shfrytëzon çdo alternativë të vlefshme në politikën e jashtme, që nga oligarkët nacionalistë te mediat subversive.

Gangsterët nuk bëjnë përjashtim dhe në vend se të identifikojë sjellje të papranueshme të tyre, siç bënte në të shkuarën, Kremlini – me raste – ka bërë kërkesa specifike ndaj atyre gangsterëve që i nënshtrohen presionit të saj.

Praktikat e Rusisë në këtë fushë janë po ashtu të ndryshme nga ato të shumicës së vendeve të tjera. Bashkëpunimi i qeverisë me kriminelët në ndjekjen e qëllimeve të politikës së jashtme, nuk është unik për Moskën dhe kushdo mund të shohë në shembujt e SHBA-së që shkojnë nga bashkëpunimi me Mafian në vitin 1943 për pushtimin e Siçilisë te marrëveshjet e Iran-Contras të viteve 1985-1987 me trafikantë të drogës.

Gjithësesi, për të qenë të ndershëm, këto janë raste shumë të rralla dhe të realizuara tipikisht në kontekstin e luftërave, të hapura apo të padeklaruara. Por ka një dallim të madh me Rusinë që duket se po angazhon gjerësisht lidhjet me krimin e organizuar në një kohë që është formalisht paqe, çka reflekton konceptin e Moskës që e sheh përplasjen e tanishme gjeopolitike me Perëndimin si një betejë politike ekzistenciale të ngjashme me luftën.

Kriminterni

Disa elementë të bashkëpunimit të shtetëror me rrjetet kriminale mundet që, njësoj si në rastet e sipërpërmendura të amerikanëve, të shihen në konfliktet ushtarake, të shpalura apo jo: në Ukrainë p.sh, gangsterët lokalë në Krime ofruan ndihmë teksa e ashtuquajtura forcë e “vullnetarëve për vetëmbrojtje”, krahas famëkeqëve “jeshilë të vegjël” dhe disa forcave që luftonin në krahun e separatistëve me mbështetje ruse në Donbas, përfshijnë figura të krimit të organizuar.

Raste të tjera që përfshijnë lidhje të dyshuara shtet-krim, favorizojnë dhe nxisin interesat ruse jashtë vendit më lehtësisht. Për shemull, pas zhdukjes nga Qiprua të financierit të dyshuar të agjentëve “të fjetur” rusë me bazë në SHBA, pas arrestimit të tij në vitin 2010 aty, disa zyrtarë amerikanë dhe europianë të kundërzbulimit më thanë se ata besojnë se grupet kriminale ruse të përfshira në trafikun njerëzor, e kontrabanduan atë fshehtazi në Rusi, apo gjetkë në Greqi, me synim nxjerrjen e tij jashtë nga Shërbimi i Zbulimit të Jashtëm Rus(SVR). Në të gjitha rastet e akuzave të parashtruara në këtë artikull, Rusia ka mohuar se bashkëpunon me kriminelë.

Megjihatë, aktivitetet kryesore kriminale që u kërkohet bandave të performojnë në Kriminternin e ri rus, priren të përfshijnë qoftë misione të inteligjencës, apo gjenerimin e chernaya kasa(parave të zeza - para të cila nuk kanë lidhje të provueshme me shtetin rus, por që ndihmojnë për pagimin e disa prej projekteve të tij. Dyshimet e shprehura nga një numër i shërbimeve europiane të sigurisë është se këto fonde më pas shkojnë për financimin e figurave të dobishme politike apo mediave të ndryshme.

Rrjetet kriminale të pastrimit të parave mundet po ashtu që të “pastrojnë” fondet operacionale të “agjencive të inteligjencës”. Sipas një specialisti nga Guardia di Finanza italiane, ose ndryshe policisë financiare, kjo tenton të përfshijë operacione në shkallë të vogël përmes individëve, llogarive bankare jo të mëdha, skema shumë përfitimëshe si ajo e viteve 1998-1999 të New York, apo “laundromat” i viteve 2008-2014, dokumentuar së fundmi nga Projekti për Raportimin mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.

Për shembull, pas rrëmbimit në kufi të oficerit estonez të sigurisë Eston Kohver, nga një komando e FSB-së(Rusia i mohon akuzat pavarësisht të dhënave të pamohueshme prej rojeve tëveta kufitare), shërbimet estoneze të sigurisë më thanë se gangsterëve të trafikut të cigareve që ai kishte hetuar, u ishte dhënë leje kalimi për transportin në kufirin rus.

Në këmbim, u shprehën ato, anëtarët e bandës kryenin mbikëqyrje në zona dhe mbi individë me interes për Moskën(siç bëjnë trafikantë të tjerë) si dhe kthenin një pjesë të fitimeve të veta në llogari bankare të FSB-së, që përndryshe as që do të binin në sy.

Sipas një oficeri bullgar të sigurisë, një rast i ngjashëm, që duket se ka ngecur që në vitin 2017, kishte të bënte me kontrabandistë që punonin përmes portit të Varnës, e që sillnin drogë dhe mallra të fallsifikuara nga Odesa. Këta ishin disa ukrainas që punonin për një bandë me bazë në Rusi dhe një hipotezë rreth tyre ishte se ata jo vetëm që mbanin Moskën të informuar rreth Odesës përmes kontakteve me komunitetin rus në Varna, por që nga viti 2016, “taksoheshin” në një pjesë të fitimeve për fondet e chernaya kassa përmes llogarive të kontakteve të tyre në Varna. Por besimi i tij, megjithëse vetëm spekullim, ishte se kjo bëhej në këmbim të një shkalle mosndëshkueshmërie për gangsterët kryesorë në Moskë.

Ka një shqetësim në rritje mes zyrtarëve europianë të sigurisë se paratë e krimit po shpenzohen për të krijuar stacione të mundshme dëgjimi dhe posta takimi për shërbimet ruse. Një officer gjerman i kundërzbulimit më tha se një numër pronash në Gjermani dhe Europën Veriore ishin blerë nga kriminelë, e megjihatë ato përdoreshin rrallë.

Emëruesi i përbashkët ishte se “të gjitha janë afër, disa herë me pamje nga portet strategjike, bazat dhe aerodromet”.  Spekullimi i tij ishte se kriminelët i kishin blerë ato, por shërbimet ruse të spiunazhit – veçanërisht shërbimet ushtarake, që dikur njiheshin nën siglën GRU – do t’i përdorin ato për qëllime të vetat…

Në të njëjtën mënyrë, Kremlini prej disa kohësh ka punësuar hakera që i shtohen fushatës së vet në internet për shkatërrim dhe spiunazh. Përherë e më shumë, në vend të të ashtuquajturve “hakera patriotikë” – entuziastë më tepër sesa të aftë – ata po punësojnë kiberkriminelë, disa prej të cilëve rekrutohen drejtpërdrejt në shërbimet qeveritare, por më shpesh inkuadrohen për efekt pagese apo për të shmangur burgun. Ata janë përdorur për të thyer sisteme të huaja dhe sipas disa ekspertëve të sigurisë, ata mundet gjithashtu të përdoren për nisma që sjellin të ardhura, sërish me synim rritjen fondeve të chernaya kassa.

E shkuara

Në epokën sovjetike Kremlini i përdorte aktivisht kriminelët për të çuar përpara interesat e veta. Ishte i gatshëm që të paguante, armatoste dhe strehonte terroristë që vepronin në Perëndim dhe KGB-ja kultivonte matrapazë të tregut të zi dhe spekullatorë monedhave të forta që jepnin dhe merrnin si informatorë me turistët perëndimorë. Në të vërtetë, Çeka, policia e parë politike e bolshevikëve, rekrutonte banditë dhe gangsterë për nevoja të vetat dhe më vonë, vory, anëtarë të nënkulturës kriminale, u bënë faktor kyç në drejtimin e Gulagëve.

Pas kolapsit sovjetik, gjithësesi, kontrolli i centralizuar komunist mbi një aktivitet të tillë, u shpërbë dhe një tjetër kontroll, që mjegullonte kufijtë mes elitave kriminale, politike dhe ekonomike erdhi në fuqi. Kjo ishte sidomos e dukshme në Shën Petersburgun e viteve ’90 ku Putin shërbeu si zv.kryetar bashkie. Pjesë e portofolit të tij duket të ketë qenë edhe menaxhimi i marrëdhënies së autoriteteve me botën e nëndheshme dhe të fuqishme të qytetit, sidomos grupimi Tambovskaya, diçka që shtë zbërthyer shumë mirë nga shkencëtarja politike Karen Dawisha. Putin duket se pati sukses në shkëmbimin e mundësive ekonomike me bashkëpunimin kriminal. Kur Putin u zgjodhj president në vitin 2000, ai e solli këtë mësim në nivel kombëtar. Në fakt, krimit të organizuar iu bë një ofertë: mos sfidoni apo mos e vini në siklet shtetin dhe nuk do të trajtoheni si armiq të shtetit. Kjo nuk do të thotë pandëshkueshmëri absolute: policia dhe gjykatat i vijuan ende përpjekjet e tyre kundër gangsterëve dhe madje edhe bosë të krimit u arrestuan nëse nuk iu përmbajtën kësaj linje. Gjithësesi kjo situatë përfaqëson një kontrast social që shumë prej gangsterëve e kishin të vështirë ta pranonin, pasi i kishin mbijetuar një dekade luftë bandash dhe pasi kishin akumuluar pasuri që donin t’i ruanin.

E ardhmja

Modeli i shtetit mobilizues presupozon që të gjitha organizatat dhe individët mund të lidhen me interesat kombëtarë: është më shumë mobilizim sesa totalitarizëm. Përderisa ka pak gjasa që përplasja gjeopolitike aktuale me Perëndimin të lehtësohet për sa kohë në Kremlin është Putini, apo modeli i tij i rishpikur, një përdorim i tillë i kriminelëve si mjet i menaxhimit shtetëror – ndonëse është përgjigje ndaj një sfide specifike – do të vijojë.

Deri më tani praktika është kufizuar në Europë, por kufizimet e përhapjes së saj më tej janë me gjasë më shumë situacioniste sesa strukturore.

Krimi i organizuar euroaziatik” në SHBA, për të përdorur një term të FB-së, është tipikisht multietnik dhe katë ngjarë të dominohet nga armenët, gjeorgjianët, uzbekët apo rusët. Është op ashtu, më pak i lidhur drejtpërdrejt me rrjetet ruse dhe për pasojë më pak i ekspozuar ndaj presionit të Kremlinit.

Gjithësesi, ka botë virtuale të kriminalitetit, që nga pastrimi i parave te krimi kibernetik, në të cilat gjeografia është më pak e rëndësishme. Në maj të vitit 2018 p.sh, një haker kanadez me origjinë kazake u dënua në Kaliforni sepse punonte për FSB-në ruse. Më tej akoma, gangsterët rusë janë më shumë të lidhur me botën e krimit në Amerikën Latine(ku shkëmbejnë kokainën me heroinën afgane) sesa me ata në SHBA dhe mund të shtyhen në rrjete të tjera më në veri.

Edhe kështu, kërcënimi duhet mbajtur në kontekst. Gangsterët janë agjëntë jo komodë dhe pabesueshëm – ata janë rekrutuar si më pak efektiv në këmbim të mundësisë për të mohuar çdo lidhje. Kremlini do të preferonte të përdorte më shumë asetet e veta konvecionale klandestine kur të mundej dhe kriminelët thjesht do të ishin një aset ndihmës, kur kapacitetet e tyre janë veçanërisht të përshtatshme, apo kur burime të tjera janë të mbingarkuara.

Përveç kësaj, sa herë që shtete mendojnë se mund të përdorin kriminelët, ata priren po ashtu të hapen për shfrytëzim reciprok. Me korrupsionin si një problem serioz për sigurinë dhe shërbimet sekrete ruse, ka prova – sipas policisë kanadeze - të këtij kundërveprimi – që nga përdorimi i aseteve kibernetike shtetërore për përfitime private, te astetet e shërbimeve e zbulimit ushtarak që janë përdorur për mbledhjen e informacionit për gangsterët rusë në botë. Këtu dhe tani, ky neksus krim-shtet është qartësisht një dhimbje koke e shtuar për perëndimin, por në terma afatgjatë mund të kthehet në një problem po kaq serioz për vetë Rusinë.

Burimi: The Moscow Times

Përkthimi: ResPublica

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

E verteta ne kete teme ka qene gjithnje e qarte. Qeverite (shtetet), qysh nga koha e romes e deri me sot kane mbajtur e mbajne lidhje me kriminele e banda te ndryshme. Kete e bejne permes pak nenpunesve te tyre, si bie fjala police, doganiere, zyrtare, etj., por qe te gjithe keta jane informatore te shtetit. Ndryshon nder te gjitha shtetet vetem masa e lidhjeve me keta kriminele e banda, disa shtete mbajne vetem pakez lidhje, e disa me shume, ne disa dekada mbajne me shume lidhje e ne disa dekada te tjera me pak. Kete e di gjithkush, por fakte me emra dalin pak ne mejdan.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.