Taulant! Po për çfarë i duhet doktoratura Taulantit?

Postuar në 17 Janar, 2019 11:24

Detektivi i plagjiaturës Taulant Muka, ka raportuar së fundmi se një sërë deputetësh si Taulant Balla, Niko Peleshi apo Lefter Koka kanë gënjyer me diplomimin e tyre apo me doktorimin. 

Media të ndryshme kanë rendur për të përgënjeshtruar këto akuza duke publikuar online diploma e dëftesa, si e si për të shërbyer me idenë se këta që janë në politikë nuk janë të denjë të na përfaqëojnë sepse nuk kanë haber nga zhvillimet e reja. 

Kjo qasje për riakademizimin e jetës politike nuk është e re në Shqipëri. Edhe në kohën e regjimit komunist, apo edhe pas tij, një ndër pikat e forta të karakteristikës ishte shkollimi. Sa më shumë me dhjeta, aq më shumë simpati dhe shanse. 
Dhe Shqipëria në fakt u drejtua nga profesorë. Në më shumë se 100 vjet shtet, Shqipëria u drejtua në shumicën e kohës nga profesorë që kanë marrë diplomat më të mira e megjithatë rezultati ka qenë një komedi e përparimit e ndonjëherë edhe dramë. 
Besimi se shkolla lidhet me një vullnet të mirë të njeriut dhe me punë të arrira më mirë, vjen nga poshtë dhe lidhet me një edukim të thellë të shoqërisë shqiptare, por i cili ka degraduar në një sjellje formale me shkollën. 

Shkollimi apo shkollimi i avancuar është i domosdoshëm në drejtimin e sektorëve të caktuar ku dijet e reja përputhen me nevoja menaxhimi dhe krijimi platformash zhvillimi. Ku edhe kontrolli kërkon njohje profesionale. 

Politika nga ana tjetër është tjetër gjë dhe nuk dihet pse vijon keqkuptimi se aty duhen vetëm burra me një sërë titujsh shkencorë. Ligësi, zili apo naivitet, këtë ja lëmë Taulant Mukës ta gjejë e ta çojë përpra edhe si tezë doktorature. Por fakt është se politika lidhet me angazhimin, përfshirjen dhe ambicien. Taulant Ballës edhe sikur të kishte shkollën më të mirë në botë, nuk do t’i kishte hyrë në punë në avancimin në politikë, as edhe në ambicien e tij të parealizuar për t’u bërë ministër i Brendshëm. As Lefter Kokës nuk i hynë shkolla në asnjë ekuacion të suksesit të vet si biznesmen dhe si kryebashkiak. Niko Peleshit jo e jo që krijon përshtypjen se ecën me parimin: tymi drejt në shtëpinë time. Pastaj pse t’u biem në qafë këtyre zotërinjve të nderuar: kur vallë kemi dëgjuar që të tre këta të fshihen pas titujve shkencorë, shkollimit apo akademizmit? Asnjëherë. Kjo është garë e tjetërkujt.

Çfarë beteje është atëherë kjo e plagjiaturës? Ajo nuk mund të ndahet nga rezultati në punë i këtyre njerëzve, qoftë edhe nga kontrolli i akteve që kanë firmosur, sikundër Ilir Meta apo Pandeli Majko që nuk kanë bërë asnjë punë tjetër veç politikës, nuk do gjykohen nga dështimi akademik, por nga roli politik. 

Ndoshta zoti Muka me zellin e tij nuk e di, për shkak se ka qenë jashtë vendit, se në Shqipëri ka akademikë të vërtetë që firmosin peticione partish, intelektualë me tituj realë që i fshihen angazhimit publik, që bëjnë çmos të flasin sa më pak e të harrohen. Kjo është krizë e përgjithshme jo vetëm në Shqipëri, ndërkohë që edhe studentët të cilët e përzunë doktorin e vërtetë Taulant Muka, nuk dinin të artikulonin më shumë se disa pankarta “të lezeçme”. 

Sa për ilustrim: ndaj Taulant Ballës ka tanimë dy lloj denoncimesh. Një se ai është i lidhur me krimin – Taulant Gjura i Berishës – dhe një tjetër se na paska vjedhur doktoraturën. Mirëpo as njëra as tjetra nuk bën def për Ballën. Ai ka ca talente të tjera, ca cilësi për të cilat çdo politikë, edhe ajo në vendet nordike, ka shumë nevojë. Ndoshta nuk duhet që zotëria të ketë kaq shumë vizibilitet publik, ndoshta do i duhet të përmirësojë notat- lekë ka pavarësisht tarifave. Por ai nuk del nga politika për plagjiaturë. Kjo betejë false nuk qëllon në shenjë. Ajo thjesht i jep protagonizëm Taulantit shkencëtar pa kontribuuar realisht për ndonjë të mirë publike.

Shaptilografisti

Comments

Submitted by John (not verified) on

Eshte e qarte se injoranti i ben reklame injorances, dhe i shkolluari i ben reklame shkolles.

Submitted by redaksia on

Taulant Balla dhe Niko Peleshi mund te jene cdo gje, por injorante jo. Mund te kene falsfikuar etj., por nuk quhen injorante. Perkundrazi, injorance p.sh eshte edhe keqkuptimi me termin injorant. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.