Dorëheqje që na kujtojnë se kush janë Dhori, Mynyri, Muzaferi dhe Gudari

Postuar në 02 Janar, 2019 02:00

Mediat greke raportojnë për dorëheqjen e presidentit të Universitetit Ndërkombëtar Helenik të Selanikut, Costa Grammenos, për një arsye që në Shqipërinë e kolegëve të tij akademikë, do të dukej fare qesharake. Grammenos i kundërvihet planeve të prezantuara nga kryeministri Alexis Tsipras për binjakëzimin e këtij institucioni me tre kolegje teknike të Greqisë Veriore. Akademiku, që është president qysh prej themelimit 10 vjet më parë, mendon se një hap i tillë do të minonte reputacionin e tij duke krijuar bashkime me institucione të një kalibri më të ulët.

Gazeta greke “Kathimerini” shton se sipas disa burimeve ministri i Arsimit, Costas Gavroglou ka pranuar dorëheqjen.

Ndërkohë në Itali raportohet se ka dhënë dorëhqeqje Drejtori i Instutit Superior të Shëndetit, Walter Ricciardi, sipas të cilit qeveria aktuale italiane ka pozicione antishkencore. Sipas tij edhe deklaratat e zv. Kryeministrit Salvini për vaksinat janë të tepërta pa folur për lidhjet që shpik Salvini mes emigracionit dhe sëmundjeve.

Lajmet vijnë nga vende afër Shqipërisë, që kanë patjetër një sistem arsimor dhe universitar më të mirë sesa ne, por jo të ndonjë niveli të krahasueshëm me Europën, në rastin e Greqisë. Greqia ka ngjashmëri të shumta me vendin tonë, në strukturën sociale, ekonomike dhe në mentalitet, edhe pse duhet të pranojmë se diferencat kryesore janë tek elitat. Italia është tjetër gjë, por aty banalizimi i politikës ka mbërritur në pika të ngjashme me Shqipërinë që ka huazaur shumë nga skemat malinje të saj.

Mirëpo aktet e dorëheqjes për arsye të kësaj natyre na kujtojnë se sado të kërkojmë ngjashmëri me Greqinë apo vendet fqinje, sado të themi se jemi po njësoj me ta, morali i shoqërive fqinje me ne ndryshon. Për konicidencë, pak javë më parë ne dëshmuam sesi një kryeministër u lëshua me arrogancë në një takim me rektorë dhe dekanë duke i trajtuar ata si konviktorë të cilëve po u ndërronte dhomat. Bashkë me arrogancën e Edi Ramës doli në siëprfaqe edhe e vërteta e këtyre hajdutëve me tituj akademikë që siç u tha kanë makina edhe mbi 50 mijë euro, që janë aty prej vitesh e vitesh, që kanë kultivuar instinktin e mbijetesës dhe që mund të gëlltisin çdo kritikë dhe akuzë.

Akademikë që bëjnë biznes me universitetin, por që siç po duket edhe kësaj radhe nuk do t’u hyjë gjemb në këmbë. Shpesh thuhet se tranzicioni relativizoi shumëçka. Ky nuk është rasti për profesoratin e universitetit apo akademikët që vënë firmën në çdo parathënie, që tregëtojnë titujt dhe që pranojnë detyra në çdo kioskë që shpallet si universitet dhe që fitojnë mjeshtëri në korrupsion. Akademikë që shkëmbejnë kandidaturat: njëherë njëri kryetar e tjetri nënkryetar dhe pastaj, tjetri kryetar dhe njëri kryetar…

Është normale që përkundrejt këtyre mamuthëve, ky Grammenos të duket fare naiv, i leshtë madje dhe i dobët. Sikundër na duket të gjithëve e dobët edhe shoqëria greke pikërisht pse nuk ka të ngritur në piedestal modelin mashkullor të kriminelit dhe atij që bën ndonjë marifet. Është gënjeshtra që na mban gjallë status quonë, pasi sot ne shohim sesi reagon shoqëria greke, apo ajo e vendeve fqinj, sesi protestohet dhe për çfarë protestohet. Sesi edhe kryeministrat që janë mjeshtër të demagogjisë nuk përfliten për prokurime milionash, që i detyrojnë të bëjnë kllounin, të invadojnë edhe kohën e humorit dylekësh të show televizive të shpëlara, si e si për të ngatërruar perceptimin e njerëzve.

Kjo gjendje e mjerë është në fakt premisa e çdo radikalizimi, qoftë edhe të pak fanatikëve që dikur patjetër do të shfaqen. Ose është edhe premisa e shndërrimit të Shqipërisë në një lloj republike bananeshe, ku droga është ekonomi dhe prostituimi shërbim, çka e bën edhe regjimin juridik që masturbohet me vlera dhe referime të drejtash, të qëndrojë kaba mbi moralin e një shoqërie të dorëzuar.

Le të pyesim p.sh meqë jemi tek universiteti: Për çfarë arsyesh mund të japë dorëheqjen Dhori Kule apo Mynyr Koni? Për asnjë arsye, përveçse telefonatave të duhura.

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Kush e ka bere kete shkrim, nuk e njeh mire nivelin arsimor universitar te Greqise. Eshte nga me te miret ne Evrope. Disa fakultete jane elite edhe ne rang nderkombetar dhe synohen shume edhe nga studente amerikane dhe kanadeze. Te gjitha fakultetet jane me konkurs dhe hyjne me te miret. Greket qe nuk hyjne dot ne universitet greke, shkojne per studime ne vendet e tjera si Itali apo Gjermani.

Submitted by Fillestari (not verified) on

Jo, universitetet greke nuk jane nga me te miret ne Europe. Sipas ARWU (Academic Ranking of World Universities), universiteti me i mire ne vend eshte Universiteti Kombetar Kapodistrian i Athines qe ndan rangun 310-400 ne bote. Edhe indeksi QS jep pak a shume te njejtin rezultat (po ky universitet me i mire ne Greqi ne rangun e 446 ne bote). Universiteti Aristotel i Selanikut ne vend te dyte etj. Keto universitete jane midis rangun te 150-200te ne Europe.
Pergjithesisht brenda Europes universitetet me te mira jane ne Britani dhe ne Zvicer (kujdes, jo te gjitha universitetet ne keto vende jane te mira, se ka plot te nje niveli te ulet edhe atje). Nder vendet e Europes Jugore, Politekniku i Milanos eshte me nivel me te vleresuar (i 156-ti ne bote).

Submitted by keno kotorri (not verified) on

Te jesh brenda 500 me te mireve do te thote qe je universitet I mire, dmth real. Edhe seleksionimi me konkurs real eshte nje garanci niveli. mos u ngaterroni me ato te USA e UK e tj. qe jane ne rreshta e para,....jane tjeter bote.
As dhe mos ma mburrni ata qe mbarojne ne keto vende ne universitete e kolegje te humbura.
Ne Amerike te pyesin; "ku ke punuar" "çfare di te bësh"; dhe jo si ketu ke ke mik ...per ke voton e a jep no I Lek.

Submitted by Albi_I (not verified) on

Mos i fryni kesaj fryme.

Mynyri, e sidomos Dhori, jane vertet njerez te keqinj. Dhori ishte sekseri kryesor i Rames per te kaluar ligjin famekeq. Ama duke kaluar fajin te keta, ashtu sic po ben dhe krimbi Tao Muka ndaj qindra e mijera pedagogeve te tjere, po i sherbeni Rames nen strategjine e zakonshme qe fajin e kane te tjeret. Kjo eshte ajo qe ai do, gjetja e nje faji teknik diku tjeter, ndaj te cilit ai nis nje fushate. Keshtu enderron ta "kape protesten".

Fajet fillojne siper, ne koke, te ai qe miraton ligjet dhe rregullat.

Submitted by redaksia on

Ketu nuk ka fryme. Shkrimi merr shtyse nga dy akte ne vendet fqinj. Nga ana tjeter, nese Kule dhe Koni jane njerez te pushtetit, doreheqja e tyre ne kontekstin e protestes se studenteve do te ndihmonte me shume interesin publik sesa fortifikimi i tyre pas tij. Heshtja e profesoreve gjate protestes eshte e dyshimte dhe lidhet sa me friken tone konstante si shoqeri, sa me mungesen e lirise per te protestuar, aq edhe me integritetin e profesoreve. 

Per me teper qe profesorati duhet te reagonte qysh ne fillim me miratimin e ligjit duke e bere problem ate. E kunderta madje i intereson Rames. Jane keta profesore qe mbajne ne kembe sistemin dhe ne fakt pergjigjen per zbatimin e ligjit ne fjale te cilin as edhe ata qe jane kunder nuk e kane sqaruar njehere te vetme se ku e ka problemin kryesor. 

Ne fund duhet shenuar e doreheqja eshte akt personal edhe pse publik. Ajo lidhet me nje klime, nje vendim, apo edhe nje politike te caktuar duke shpallur raportin moral dhe etik qe ke me detyren dhe profesionin. Kur kjo nuk eshte e detyruar nga rrethana te tjera. Ndaj cdo akt doreheqjeje do te ishte i shendetshem. Sa per verejtjen se zhvendoset vemendja kjo nuk qendron dhe as qe do te duhet te ishte problemi i medias. Ne nje proteste studentesh pritet normalisht artikulim, qartesi objektivash dhe persistence. Nese protesta eshte vertet gjenuine dhe pas saj qendrojne ata qe e dine vertet se ku duhet te shkoje universiteti, ndaj saj nuk ka asnje rrezik as per izolim, as per diversion. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.