Rrëshqitja në kolaboracionizëm

Postuar në 25 Dhjetor, 2018 16:58
Prof. Xhelal Gjeçovi

Kthimi në atdhe i eshtrave të Mit’hat Frashërit dhe ceremonitë që iu rezervuan në këtë rast, turbulluan ujërat dhe ndezën debate, që treguan qartazi se opinioni, edhe pas kaq vitesh, vazhdon të jetë i ndarë në vlerësimin e kësaj figure komplekse, me një veprimtari e trashëgimi të pasur në disa fusha të aktivitetit shoqëror e kulturor, por dhe me probleme, jo të pakta, në fusha e momente të tjera prove për vendin, të gjitha këto në harkun e dy periudhave nga më të rëndësishmet, por dhe më të debatuara në Historinë e Shqipërisë, Pavarësisë dhe Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Megjithatë, nuk besoj se kishte njeri që të kundërshtonte kthimin e eshtrave e në këtë rast dhe vlerësimin që i takon, që meriton. Ajo që shkaktoi diskutime e reagime ishte teprimi, kalimi i masës, siç e kane zakon shqiptarët, minimizimi i problemeve dhe retushimi i anëve të errëta, për t’i bërë makiazh të panevojshëm, praktika për të cilat është akuzuar regjimi i kaluar e qe, në këtë rast, u përdorën në dritë të diellit, në sy të opinionit publik.

Kryeministri Edi Rama mendoj se gaboi shumë rëndë me këtë gjest zyrtar që bëri, duke kryer një “vetëvrasje” politike, pasi ai është ndërkohë edhe kryetar i Partisë Socialiste, një parti që në themelet e organizimit dhe të statutit të saj ka ruajtjen dhe nderimin për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Se pse e bëri ai këtë gjest vetëvrasjeje duke nderur kreun e kolaboracionizmit shqiptar, duket e pajustifikuar ngado që ta marrësh. Jo vetëm se ishte pragu i festës së çlirimit dhe veteranët e Luftës Antifashiste u distancuan menjëherë nga ky gjest, duke e manifestuar këtë në ceremoninë e vendosjes së kurorave në Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë. Por duhet të kujtojmë se pas disa muajsh do të zhvillohen zgjedhjet vendore, ndërsa viti i ardhshëm është viti i 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. A do të jetë i besueshëm Edi Rama gjatë vitit të ardhshëm kur do të dalë t’u kërkojë votat shqiptarëve, kur e di fare mirë se votuesit e Partisë që ai drejton aktualisht janë veteranë e pasardhës të veteranëve të asaj lufte heroike dhe shpëtimtare për Shqipërinë. Pyetja e parë që votuesit do t’i bëjnë Edi Ramës mendoj se do të jetë kjo: Ju, zoti kryetar e kryeministër, jeni me Luftën Antifashiste apo me bashkëpunëtorët e saj? Jeni në binarët e së majtës tradicionale apo keni rrëshqitur edhe ju në kolaboracionzëm?

Nga ana tjetër, mendoj se përkeqësimi i situatës politike në Shqipëri kohët e fundit lidhet drejtpërdrejt apo tërthorazi pikërisht me këtë sjellje prej kolaboracionisti të Edi Ramës. Në rastin konkret, kolaboracionizmi i kryeministrit ka të bëjë sa me qëndrimin e tij ndaj së kaluarës, aq dhe me bashkëjetesën e tij politike dhe ekonomike me oligarkët që mendojnë vetëm për xhepat e tyre, por kurrsesi për popullin…

***

Në fakt, qëndrimi i mbajtur ndaj kësaj figure, nuk duhet të na çuditë, pasi sinjale e shenja janë dhënë edhe më parë, edhe atëherë kur vlerësohej lufta e nderoheshin dëshmorët, por jo udhëheqësit e Luftës, sikur ajo të kishte qenë një luftë kaçakçe, e disa çetave, pa ide e pa ideale, me udhëheqës qe kacafyten mes vedi, për pushtet e pasuri.

Kryeministri, por dhe politikanët e tjerë kurrë s`kanë guxuar të përmendin emrin e Enver Hoxhës, Komandantit të Përgjithshëm dhe bashkëpunëtorëve të tij, që i udhëhoqën shqiptarët në të vetmen luftë të fituar përfundimisht gjatë gjithë historisë së tyre, duke e shpëtuar vendin nga copëtimi e nga asimilimi. Këtë beri, për fat të keq, kësaj here dhe presidenti i republikës që, zakonisht, në prononcime publike sidomos tregon qetësi e maturi të admirueshme. Por, kësaj here, për çudi deklaroi në mënyrë të përsëritur, se kam nostalgji për luftën, e jo për Enver Hoxhën, një pohim që, të paktën ditën e çlirimit, duhej kursyer.

Ndërkohë që Edi Rama, në prag të ditës së çlirimit dhe në vitin e Skënderbeut u servir shqiptareve Mit’hat Frashërin, sikur të ishte i ati, Abdyli i famshëm, e jo i biri, e kundërta e tij, që ndryshe nga ai, iu kundërvu luftës çlirimtare dhe u rreshtua në një krah me okupatorët e huaj. A thua akoma mendohet, se veprime të tilla shërbejnë si certifikatë rinovimi e distancimi nga komunizmi; mos i rren mendja politikanet tanë se vërtetë bota demokratike i pret me ndonjë farë kërshërie e interesi qëndrime të tilla, kur dihet që hesapet me ta, ajo i ka mbyllur me kohë?

Në vend që të preokupohen e të mendojnë si do t’i vejë halli këtij vendi, ku, siç shprehej një autor këto ditë, Azem Hajdari ka shtatoren më të madhe se Ismail Qemali; si do të dilet nga ky qerfull, nga kjo situatë, e krijuar nga politika, ndodh ajo që s’pritej, zullumit të krijuar i shtohet dhe një zullumqar tjetër, themeluesi i të parës organizatë kolaboracioniste në vend. I zënë ngusht, pa argumentet e duhura, që të justifikojë angazhimin në këtë çështje, kryeministri, diku nëpër rreshta, thekson se ai nuk ka vrarë njeri, një mbrojtje e dobët kjo, për një figurë si Mit’hati, edhe sikur pohimi të ishte i vërtetë.

Mirëpo, ka jo pak dokumente që tregojnë të kundërtën, tregojnë anën tjetër të kësaj figure.

Në gjyqin ndaj bashkëpunëtorëve të fashizmit, të zhvilluar menjëherë pas lufte, njëri nga ministrat e kabinetit Mitrovica, përfaqësues i Ballit, ndër të pakët me reputacion në publik, pavarësisht rrugës që ndoqi, pyetjes së Prokurorit të Përgjithshëm, se a ishte në dijeni Mit’hati dhe a ishte dakord ai, që të bëhej masakra e 4 shkurtit, ku brenda një nate u vranë të masakruar 84 qytetarë të Tiranës dhe rreth pesëqind të tjerë u syrgjynosën në burgje e kampe naziste dhe shumica, nuk u kthyen më të gjallë?, Ai iu përgjigj: Sigurisht zotëri, asgjë nuk behej pa miratimin e pa urdhrin e tij. Ai caktoj Kadri Cakranin, bashkëpunëtorin e vet më të besuar, komandantin e përgjithshëm të forcave të Ballit, që bashkë me ministrin famëkeq nazist Xhafer Deva, të udhëheqin operacionin dhe të mbajnë lidhje e ta informojnë për ecurinë e veprimeve të parapara.

Atëherë, a mund të thuhet se Mit’hati s`ka vrarë njeri? Po udhëheqësit, siç dihet nuk vrasin me dorën e tyre, por me urdhrat që u japin forcave të tyre, siç u veprua dhe në masakrën e 4 shkurtit. Dokumentet, siç u tha, por dhe rrëfimet e bashkëpunëtorëve na sjellin në një pamje tjetër të kësaj figure, Mit`hatin e vërtetë, që pa iu dridhur, as dora dhe as zemra, urdhëron, sa herë që ia kërkonin komandat gjermane, që forcat e tij t’u bashkohen reparteve naziste në ekspeditat ndëshkimore që ato ndërmerrnin ndaj njësive partizane dhe popullsisë civile që i mbështeste. Mit’hat beu duhet gjykuar, jo vetëm nga shkrimet, por dhe nga veprimet e nga urdhrat e dhëna për të goditur bashkëkombësit e tij, qe i përkisnin krahut tjetër, që me një gur, siç thotë populli, të vrisnin dy zogj; të pakësoheshin apo dhe te likuidoheshin kundërshtarët, por të fitohej dhe admirimi e besimi i autoriteteve të pushtimit. Është i çuditshëm zelli me të cilin ushtarët e Mit’hat beut godisnin pas shpine apo dhe nga çdo pozicion ku i vinin gjermanët, bashkëfshatarët e tyre. Këtej oshëtinte dhe thirrja e Çajupit, e dale nga shpirti i tij, i vrare e i dërmuar nga ç’po shihte e përjetonte: “Po cfare je tuj ba, more beu i ynë”?, “po a je shqiptar, more beu i ynë?”

Sjellja e ushtarëve të Mit’hatit, ka shkruar De la Roka, autor i njohur italian, ishte e tmerrshme, e pa imagjinueshme, qe s’i bënin as vetë gjermanët. E, kjo shkaktonte shpesh reagimin e vet figurave të Ballit, ose afër tij, bashkëpunëtoreve të ngushtë të Mit’hatit. Në korrik 43 është Ali Këlcyra, që në një letër drejtuar Mit’hatit nga Gjirokastra, i alarmuar shkruan: Forcat e Nexho Bejlerit, komandant i një çete balliste, na kanë turpëruar, pasi kanë marrë pjesë në një operacion të forcave italiane kundër njësive partizane të zonës dhe, pas përfundimit të operacionit, kanë terrozizuar e masakruar fshatarët, pasi, ata simpatizojnë Nacionalçlirimtaren”.

Në periudhën e pushtimit gjerman, është V.Risilia, prefekt i qarkut të Vlorës, që në një raport drejtuar Mit`hatit e informon për reprezaljet, plaçkitjet e përdhunimet, që ballistët bënin ndaj fshatarëve. Sjellje të tilla, thekson prefekti, ulin prestigjin e organizatës që ju drejtoni, prandaj është e nevojshme marrja e masave nga ana e juaj, që akte të tilla të mos përsëriten, përndryshe do të detyrohemi ta bëjmë ne, me forcë, pasi nuk mund të lejojmë prishjen e rendit e të qetësisë publike. (AQSH Raport i V. Risilisë, prefekt i Vlorës, drejtuar Kryetarit te Ballit Kombëtar).

Po si reagonte Mit`hati ndaj ngjarjeve dhe informacioneve te tilla? A mori ndonjë masë ndaj krerëve ballistë të Gjirokastrës e të Vlorës; a u ktheu përgjigje Këlcyrës dhe Risilisë? Asnjëra nga këto nuk ndodhi. Ishte në stilin e tij, ishte porosi e tillë që të heshtej ndaj rasteve të tilla, derisa të shuhej jehona e të kalohej lumi pa u lagur. Në këtë mënyrë statuskuoja dhe unitetin falso ruheshin dhe ballistët vazhdonin prapësitë e krimet pa iu hyrë gjemb në këmbë.

Natyrisht, nje politikan mund të mos i dijë faktet që dinë historianët, por ata besoj i dinë raportet e luftës dhe udhëheqësve të saj me aleatët, respektivisht misionet e tyre ushtarake. Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij, e jo Mit’hati me të vetët, ishin njerëzit e besuar për misionet aleate, me të cilët ata punuan; u respektuan e u çmuan. Nuk ishte e rastit që në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946, aleatët thërritën Enver Hoxhën që të përfaqësojë e mbrojë interesat e Shqipërisë e jo Mit’hat Frashërin apo Ahmet Zogun. E, këto raporte nuk përcaktoheshin nga njohjet e simpatitë personale. Jo, ishte lufta, që ata i kthyen shpinën, që bënte diferencën, që ua mohoi këtë të drejtë, për t’ia kaluar e besuar kryeministrit të Shqipërisë së Re, pasi në vitet e luftës qe rreshtuar përkrah aleatëve në ballafaqimin më të vështirë qe ka njohur historia e njerëzimit, me agresorët nazifashistë.

Për vlerësimin, mos vlerësimin, siç duhet të luftës flet dhe qëndrimi ndaj veteranëve, të cilët, kur Mit’hati me shokët e vet luanin poker e ndiqnin radiot e huaja ne kafe “Kursal”, pasi mendonin se ata do t’ua sillnin në pjatë pushtetin, veteranët e sotëm, që shumica s’i kishin mbushur ende të njëzetat, rripeshin maleve, me kokën në torbë, për t’i sjellë vendit lirinë e rivendosur pavarësinë.

***

Preokupimi i qeverisë socialiste në të gjithë këto vite ka qenë plotësimi i detyrimeve ndaj të dënuarve e persekutuarve dhe nuk është bërë keq, pavarësisht se në radhët e tyre, kanë përfituar dhe jo pak kolaboracionistë, që nuk u takonte e nuk e meritonin.

Po, ku është kujdesi për veteranët?,sic tregohet kudo në vendet demokratike; ku është trajtimi, të paktën si në vendet rreth nesh, përfshi dhe Kosovën, nje shtet i ri, me njëmijë halle? Këto nuk janë grimca qe përdoren për të ilustruar një shkrim apo për të shuar kureshtjen, por një problematikë që duhet parë e trajtuar me seriozitetin që meritojnë.

Këto grimca siç mund t’i konsiderojë ndonjëri, përbëjnë një mendim, një filozofi nga e cila duhet shkëputur sa më parë, që t’i qasemi e t’i përshtatemi realitetit historik, të jetuar e jo të imagjinuar. Imagjinatën t’ua leme shkrimtarëve. Ajo nuk u shkon, as politikanëve dhe as historianëve. Vlerësimet e bëra për Mit’hatin, duheshin menduar mirë, pasi përbënin një hap që krijonte një precedent, një risi për të majtën, në qëndrimin ndaj kësaj kategorie. Për këtë arsye, para se të procedohej duhej konsultuar më së pari me njerëzit e ditur brenda Partisë Socaliste, që s’i kane munguar e s’i mungojnë as sot, siç është prof. Servet Pëllumbi etj., e jo “këshilltarët” prapa perdes, të njohur për pikëpamjet medemek liberale. Ky moment, të paktën duhej shfrytëzuar për të sjellë mesazhet e paqes e të paqëtimit të njerëzve, që të shërbente për të ulur “armët”, që shoqërojne çdo vit afrimin e datës se çlirimit. Por, kjo nuk arrihej duke u sjellë Mit’hatin dhe as duke sulmuar ata, qe me baltosjen që i bënë, sipas kryeministrit, paskan penguar vlerësimin e kësaj figure e sot duhet të ulin kokën e të kërkojnë falje. Kësisoj, kryeministri e humbi shansin për të shfrytëzuar këtë moment delikat, të krijuar nga vetë ai, për kapërcimin e ndasive e forcimin e unitetit, aq të nevojshëm dhe në ditët tona.

Një autor i njohur bënte thirrje që kryeministri të mos bjerë në pozitat e paraardhësit e të mos veprojë si ai. Ndërsa unë do të shtoja se nuk duhet mbështetur as te këshilltarët që ëndërrojnë, që një ditë të shohin në qendër të Tiranës shtatoren e një fashisti të vetëdeklaruar, si Pater Anton Harapi, të abandanuar dhe nga vetë Vatikani, për përzierjen në politike dhe pranimin e postit që i ofruan nazistët, duke e vënë kështu në siklet dhe Selinë e Shenjtë.

Mua më çudit fakti që shoqata e institute fantazmë, të krijuara vetëm për të bërë para e politikë, arrijnë të fitojnë konkurse e të miratojnë projekte, me fonde jo të pakta, që s’i fitonin në qeverisjen e kaluar, kur dihet fare mirë përse përdoren. Kurse ministrja socialiste, duke theksuar, pak si shpesh,pa qene nevoja e pa ja kerkuar kush, se lufta paskësh qenë luftë civile, i inkurajon të vazhdojnë të punojnë të qetë, të bëjnë detyrën, të përbaltin luftën dhe ata që sakrifikuan e dhanë jetën për çlirimin e atdheut.

Është rasti t’u kujtoj ithtarëve të luftës civile, se në fillim të tetorit 44, kur lufta ishte në kulmin e vet dhe ballistët qaheshin se po goditeshin nga lufta civile e shpërthyer nga komunistët, Sekretari Amerikan i Shtetit Cordell Hull, në një deklaratë lëshuar enkas bënte me dije se “Luftë Civile në Shqipëri do të kemi vetëm pas largimit të trupave okupatore, nëse nacionalistët do të nisin luftën me armë kundër komunistëve, për të mos lejuar ardhjen e tyre në pushtet dhe për të marrë vetë pushtetin në vend”. Kjo do të thoshte që mos spekuloni me çështjen e luftës civile dhe mos e përdorni për të justifikuar braktisjen e luftës dhe bashkëpunimin me okupatorin, sepse ndryshe, siç i paralajmëronte dhe gjenerali Uilson, komandant i shtabit të forcave aleate të Mesdheut, do të gjykoheni e ndëshkoheni si kolaboracionistë.

Pikërisht, kjo ndodhi me Mit’hat Frashërin dhe nacionalistët e tjerë, që nuk dëgjuan paralajmërimin e aleatëve, nuk hoqën dorë deri në fund nga aleanca dhe bashkëpunimi me gjermanët, e, për këtë arsye, në mbarim të luftës, do të korrnin atë që mbollën vetë, do ta shihnin veten në kampet e përqendrimit, të ngritur nga aleatët për bashkëpunëtorët e fashizmit.

Dua ta mbyll këtë pjesë të shkrimit, duke theksuar se vlerësimet e bëra nga Sali Berisha për A.Zogun, në 100-vjetorin e pavarësisë dhe tani nga Edi Rama për M.Frashërin, nuk kanë ndonjë vlerë për historinë. Historia nuk ndikohet e nuk shkruhet bazuar në opinionet e politikanëve, prapa të cilave fshihen interesat apo, më së paku simpatitë e tyre, që nuk përkojnë me faktet e me përfundimet e shkencës historike, siç ndodh dhe në këtë rast, me këtë figurë. Bustet e përmendoret, që kanë mbushur sheshet e qyteteve, të ngritura për kolaboracionistë, të shtyrë nga motive e interesa politike, apo bazuar në simpatitë e njerëzve me pushtet, janë akte politike, pa ndonjë vlerë historike. Dhe si të tilla, siç janë vënë, një ditë dhe do të hiqen, për t’u vendosur aty ku e kanë vendin. Jam shpresëplotë, se kjo do të ndodhë, në mos sot, nesër, nga brezi i ri i politikanëve e historianëve që do të jenë çliruar nga kthetrat e politikës dhe interesat e tjera, që kanë krijuar këtë zallamahi, pasi dhe me të vdekurit, është dashur të bëhet politikë, siç u bë sëfundmi me kreun e Ballit.

Dita

Comments

Submitted by bimmi (not verified) on

E tmerrshme!
Historianet enveriste, staliniste kane hapesire pafund ne mediat shqiptare. Mire mediat e ekstremit te majte, si gazeta e nderuar dhe e respektuar "DITA", po ky lloj historianesh gjen vend ne te gjitha mediat shqiptare.
Thone: por, kjo eshte liria e shprehjes...
Shume bukur. Ama, duhet te imagjinoni historiane hitleriane, ne Gjermanine e sotme, apo ne cdo vend tjeter te Perendimit, qe te kene te njejtin privilegj, sic e kane historianet staliniste dhe enveriste ne Shqiperi! A mundeni dot?!
(P.S: Diktatori shqiptar eshte cilesuar, zytarisht, nga Perendimi si Hitleri shqiptar.)

Submitted by Genti (not verified) on

A e kemi caktuar ne, zyrtarisht, Hitlerin si Enver Hoxhen e Gjermanise? Jo. Ta kishim caktuar edhe ne, atehere mund ta shkruaje kete ne fund, perndryshe referimi jot nuk ka vlere sepse permban servilizem ndaj vleresimeve zyrtare te te huajve dhe nenvleresim ndaj Shqiperise.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.