Protesta dhe qorrat e politikës që oksigjenojnë të Sëmurin e Surrelit

Postuar në 09 Dhjetor, 2018 15:46

A do të arrijë PD-ja të mbledhë ato 200 mijë vota që humbi në vitin 2017? Davaja e Edi Ramës dihet tashmë, por ai sidoqoftë ka nga pas një parti dhe disa militantë që nuk e negociojnë votën e tyre. Çështja është se çfarë do të ndodhë me opozitën e Saliut, Lulit dhe Monikës e cila çfarëdo lloj gjëje që prek e ndyn. Në protestën e tanishme të studentëve, dy partitë opozitare kanë marrë rolin e gardianit të saj nga neomarksistët.

Por kush i thirri LSI-në dhe PD-në në këtë rol? Kur vallë u dëgjua ndonjë thirrje ndaj tyre për ndihmë? Janë këto parti hijena që bashkë me PS-në që sot drejton grazhdin e Shqipërisë, që edhe në protestën për Teatrin u kujtuan vetëm atëherë kur mund të përfitonin diçka.

Sot, puna më e mirë që mund të bënin është të jepnin mbështetje verbale dhe politike për protestën dhe të mos ndërhynin. Nuk ka kush nevojë për Klevis Balliun, apo Lulzim Bashën. As për Monika Kryemadhin që sa herë shfaqen diku, thjesht sa i japin oksigjen të Sëmurit  të Surrelit.

Nuk u shkon këtyre miliarderëve kostumi i protestuesit, as që të flasin për tarifa, sepse ata janë në gjendje të paguajnë çdo tarifë. Ata mund të bëjnë politikë aty ku duhet, në Parlament. Të kërkojnë nga qeveria në foltore të zgjidhë një situatë që duhet zgjidhur. Të propozojnë alternativa, variante dhe të bëhen kështu zëdhënës të një interesi publik. Këto dy parti, të hardallosura nga vapa dhe nga shiu dhe duke u shkrirë gazit me partinë e firmave të tenderave, partinë e Edit dhe të Damianit, kanë zgjedhur të zbresin në rrugë, të mobilizojnë militantët. Njihen mirë kush janë. Do braktisen, dallohen që larg për paturpësinë e militantëve që marrin çdo flamur. Është një përpjekje e kotë.

Një opozitë serioze do të duhet të sqaronte se çfarë mendon për kërkesat e studentëve, se a janë ato apo jo të drejta. Sepse jo për çdo gjë mund të biesh dakord. Jo. Opozita është lëshuar drejt kockës së protestës për qëllime tanimë të njohura mirë. Po shpik një hero, një Arlind dhe një Veliaj për t’i vënë gjoksin rrezikut komunist. Japrakët  e PD-së dhe LSI-së nuk i ha më njeri. Mbllaçitjen e tyre politike mundet vetëm ta pështysh jo pse nuk kanë asnjë kontribut në këto vite, por sepse e katandisën veten këtu ku janë me vullnetin dhe vizionin e tyre që është fshehur në kuletë. Pse nuk arritën në këto voite të organizojnë një protestë si kjo? Është shumë e pistë kjo lojë e vrasjes së protestës, është një ndër aktet më antishqiptare, një veprim kaste që majmet e majmet me paranë publike dhe befas e ka kapur veten të urryer ngado.

Një opozitë serioze dhe reale do të ishte mirëpritur në një protestë si kjo. E kundërta po ndodh dhe kjo ka arsyet e veta. Të cilat janë të qarta dhe të lexueshme. Le ta luajnë edhe këtë rol të hajdutit të protestës. Thjesht do të shihet sesa do të votohen në zgjedhje këta qorra më të mëdhenj sesa qorri që është sot kryeministër.

Comments

Submitted by bimmi (not verified) on

Nese mundeni, do t'ju lutesha te me thonit, se pse i intereson PD-se ose LSI-se, dmth Opozites prishja e protestes ?!
EShte nje logjike kaq e cuditshme, sa edhe inati dhe mllefi me ndonje gazetar qe shkruan per "qorra" qe bejne diversion ne favor te pushtetit, nuk mund ta justifikoje ate.
PD, LSI si opozite qe jane, natyrisht qe duan ta shfrytezojne kete proteste, mbase edhe po perpiqen ta bejne, por qe te jene te interesuara qe ta prishin ate duke e percare, duke e ditur se vetem ne favor te qeverise do te shkonte nje gje e tille, kjo me duket krejt e pakuptimte.
Arlind Qorri me shoke jane te paragjykuar qe ne fillim, sado te ndershem qe te jene. OP, dmth Organizate Politike... dhe vete bertasin: Jo politike, jo politike...!!!
Ca me keq qe jane edhe ekstremiste te majte, te vetedeklaruar.... ca me keq akoma, qe disa prej tyre, duke perfshire edhe zotin Arlind, kane qene aktiviste te Mjafti-it famekeq, aq te urryer!
Edhe po te ishin te ndershem ne synimet e tyre, prapeseprape jane ta paragjykuar apriori, c'ka do te duhej te merrej parasysh nga vete ata ne radhe te pare, per te mos bere protagonizem.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.