Kryeministri duhet të propozojë veten për ministër të Brendshëm

Postuar në 06 Nëntor, 2018 22:03

Sot Shqipëria nuk ka një ministër të Brendshëm. Në krye të saj me kompetenca të cunguara që nuk ka kaluar në Presidencë. Lidhur me këtë fakt, juristi Jordan Daci ka deklaruar sot në një intervistë të për Top-Channel se:

Rezerva kushtetuese i ngarkon ministrit dhe vetëm ministrit disa kompetenca të caktuara. Asnjë zëvendës, qoftë me autorizim apo delegim nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Për më tepër që delegimi i kompetencave nënkupton një periudhë krejtësisht kalimtare, të kufizuar në kohë dhe në veprime

Nëse i besojmë këtij interpretimi z. Sandër Lleshi i ka mundësitë e kufizuara për të vepruar në liri të plotë ligjore në përmbushjen e objektivave të vet. Dhe në fakt detyrat apo misioni I tij janë shumë ambiciozë. Ai pason Fatmir Xhafën në detyrë, një ministër që çoi pas hekurave ish-deputetë të PS-së dhe që po përgatiste sipas të gjitha gjasave prangosjen e Vangjush Dakos. Në kushtet kur qeveria nuk ka asnjë njoftim zyrtar për largimin e Xhafajt, i cili në ikje e sipër tha shumëçka, por jo më të rëndësishmen, mund të supozojmë si objektivisht realist skenarin e një lufte të brendshme në PS. Dhe siç është analizuar në disa shkrime të kohëve të fundit, Lleshi është njeriu i duhur që do të bënte ministrin e Brendshëm nën pultin e z. Rama, por pa qenë ky i fundit personi që duhet të firmosë. Z. Rama tha sot në Parlament madje se “Lleshi është njeriu i duhur në kohën e duhur në vendin e duhur”, duke aluduar se ndaj tij shumëkënd po trembet.

Le të na falet një supozim: mos vallë po përgatiten goditje të nivelit të lartë në drejtime të tjera politike që heqin disi vëmendjen nga qelbëzimi i mediatizuar i PS-së dhe qeverisjes? Nëse është kështu, atëherë logjikisht duhet të pranojmë se Presidenti Ilir Meta, duke shfrytëzuar shumë mirë hapësirat kushtetuese ka refuzuar një emër që do ta kthente Ministrinë e Brendshme në levë të Kryeministrit. Qoftë për frikën e vet, qoftë për arsye të tjera politike.

Kjo çështje në të vërtetë i lë Kryeministrit të vendit, për të cilin po besojmë se e ka real vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin, një rrugë: të marrë përsipër edhe detyrën e ministrit të Brendshëm. Një gjë të ngjashme bëri homologu i tij grek, Alexis Tsipras që së fundmi pasi largoi ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias, mori përsipër detyrën e tij deri në përmbyllje të çështjes së marrëveshjes me Maqedoninë.

Z. Rama pra e ka shumë të thjeshtë që ta sfidojë Presidentin jo në autoritetin e vet siç shprehet ky i fundit, por në arsyetimin që ka përhapur dhe me të cilin mbrohet duke i kërkuar që ta dekretojë si ministër të Brendshëm. Është padyshim e paimagjinueshme që z. Meta të refuzojë një kandidaturë të tillë, pasi në atë rast do të provokonte një krizë politike dhe institucionale të cilën Shqipëria nuk ja ka borxh. Por edhe do të qetësonte kuriozin Blendi Çuçi që e ka shprehur këtë shqetësim, pra se me mosdekretimin Ilir Meta ka krijuar një precedent që mund të çojë deri në refuzim për emrin e Edi Ramës.

Ky hap i z. Rama do ta vinte atë në ballë të prioritetit të qeverisë së tij që është lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, njësoj siç Tsipras u vu në ballë të prioritetit të qeverisë së tij për momentin që është politika e jashtme.  Qenia mnistër i Brendshëm do t’i jepte shansin z. Rama që të firmosë vetë urdhër arrestet, zbatimin e detyrave, realizimin e operacioneve të koduara, pra të përmbushte vetë të gjithë atë zotim zëlartë që ka marrë së fundmi. Duke rrëzuar edhe alibitë dashakeqëse se z. Rama sakrifikon filanin apo fistekun, pasi nuk mund të sakrifikojë veten.

Një zotim po aq zëlartë sa ai për prishjen e Teatrit Kombëtar, të cilin z. Rama nuk e firmos vetë, as edhe e votoi, ndoshta sepse këto janë hollësi të parëndësishme. Lufta ndaj krimit nuk është një gjë e tillë dhe ky është një shans që nuk duhet humbur.

Comments

Submitted by AjajajNzbzb (not verified) on

Thoni nje kompetence te ministrit te Brendshem qe permendet ne Kushtetute. Ketu diskutimi eshte nese deri ne betimin e ministrit te ri, a duhet te qendroje ne detyre ministri i shkarkuar. Se po te qeverisesh me zv/ministra i bie te shmangesh Kuvendin si Nano ne vitet 2002-2005.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.