Kontrolli presidencial nënkupton të drejtën e refuzimit të një ministri

Postuar në 06 Nëntor, 2018 18:50

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama doli sot në Parlament për të mbajtur ndër të tjera edhe leksion kushtetues të kompetencave të tij dhe të Presidentit. Sipas leximit të z. Rama dhe atyre që i kanë shkruajtur fjalën, Presidenti ka 12 kompetenca, mes të cilave asnjë për të Refuzuar propozimet e Kryeministrit për anëtarët e kabinetit qeveritar.  Më tej akoma, Kryeministri Rama ka paralajmëruar procedurat për shkarkim nëse kreu i shtetit nuk ndryshon rrugë. Është një shantazh në ajër i dikujt që sot vuan “padrejtësinë” e madhe të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, gjykatë të cilën nuk e njeh si të dobishme për qytetarët kur kalon ligje si ai për Teatrin.

Por sa qëndron interpretimi i Kryeministrit kur thotë se presidenti vetëm sa firmos çdo gjë që çon ai për propozim? Në një intervistë për gazetën “Panorama” ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, socialisti Fehmi Abdiu, shpreh një mendim të ndryshëm dhe ky mendim rrjedh nga dispozitat kushtetuese që i japin rol presidentit të procesin e emërimit të një ministri. Thotë Abdiu:

Kushtetuta jonë është ndër Kushtetutat e rralla që ka imponuar tre faktorë shumë të rëndësishëm që të merren me emërimin dhe shkarkimin e një ministri. Veç së drejtës të Kryeministrit për ta propozuar kandidatin si anëtar i kabinetit të tij, Kushtetuta jonë ka përfshirë dhe Presidentin, dhe Parlamentin në këtë proces. Ky qëndrim edhe nga Komisioni i Venecias nuk është konsideruar shumë aktual dhe pragmatist, sepse krijon mjaft probleme politike, juridike dhe zvarritje mes institucioneve dhe organizmave. Shumë vende këtë procedurë e kanë nga Kryeministri, i cili propozon, dhe Parlamenti miraton, duke e shmangur Presidentin. Edhe Kushtetuta e Kosovës, që është më e reja, e ka këtë risi, kur e shmang Presidentin në dekretime.

Sipas pikëpamjes sime, Presidenti i Republikës, në raste të tilla, kontrollon rreth kandidaturës së propozuar rreth përshtatshmërisë së tij vetëm për ato kushte, për të cilat Kushtetuta kërkon për deputetin. Sepse sipas nenit 103 të Kushtetutës, ministër mund të caktohet kushdo, që ka cilësitë për deputet. Pra, edhe Presidenti i Republikës, kur i paraqitet një kandidaturë, sipas mendimit tim, mund të interesohet nëse a i përmbush ky cilësitë që duhet për një deputet, sepse nëse kandidati për ministër është deputet, ai nuk ka asnjë kontroll për të. Pra, kontrolli presidencial është një kontroll formal, juridik, i shpejtë, operativ, sepse ka raste kur emërimi i një ministri lidhet me interesa kombëtare të një vendi. Qëndrimi që ka mbajtur Presidenti për rastin konkret është në tejkalim të kompetencave të tij. Nëse kjo do të ishte një interpretim i gabuar kushtetues, do ta quaja defektin më të vogël. Parë në një këndvështrim shumë më të gjerë, të bën të dyshosh seriozisht se problemi nuk është kaq sipërfaqësor

Z. Abdiu po na thotë dy gjëra shumë të rëndësishme: së pari se Kushtetuta i jep të drejtë Presidentit për kontroll në procesin e emërimit të një ministri. Se ky kontroll nuk është i preferueshëm dhe

Së dyti se Presidenti vlerëson përmbushjen e kritereve që duhen për një Deputet.

Nëse do t’i kthehemi fjalës së z. Rama, ai ka aluduar se interpretimi i presidentit për z. Lleshi është qesharak dhe sipas burimeve në media diskutimi lidhet në fakt me statusin e z. Lleshi në raport me forcat e Armatosura. Pra nëse ai është apo jo pjesë e shërbimit aktiv. Para disa ditësh gazeta “Panorama” publikoi dekretin e vitit 2013 të ish-Presidentit Nishani që e shkarkonte z. Lleshi dhe e nxirrte atë në lirim. Por më vonë z. Lleshi ka fituar gjyqin që nisi për këtë çështje dhe gjykata vendosi anullimin e dekretit, por edhe të urdhërit të shkarkimit të ministrit. Çështja nëse ai është apo jo formalisht, apo teknikisht pjesë e shërbimit ushtarak aktiv, bën pjesë pikërisht në ato kërkesa kontrolli ndaj të cilave u nënshtrohet edhe deputeti. Pra nëse kontrolli ka qenë në këtë kuptim atëherë Presidenti ka proceduar në frymën që interpreton edhe z. Abdiu.

Një tjetër aspekt i fjalës së Kryeministrit është kur ai thotë se nuk I ka propozuar Presidentit një Kandidaturë, por një Ministër. Në të vërtetë siç shihet edhe nga interpretimi I z. Abdiu, çdo propozim si akt nënkupton një kandidaturë dhe jo një zyrtar të emëruar zyrtarisht. Nëse do të ishte kështu, Kushtetuta nuk do të kërkonte dekretin e Presidentit dhe z. Rama sot do ta kishte caktuar Sandër Lleshin ministër të Brendshëm pa pyetur për kreun e Shtetit.

Si duhet vepruar? Abdiu shkel aty ku është problem i vërtetë, mungesa e Gjykatësë Kushtetuese, pa të cilën edhe interpretimi i kryeministrit të vendit sot është voluntarist.

Aktualisht, për aq kohë sa nuk ka një Gjykatë, ky problem mbetet i pazgjidhur edhe pse ekziston dëshira për të iniciuar një kërkesë. Më vonë, kjo çështje humbet aktualitetin. Presidenti i Republikës për rastin konkret dhe raste të tjera duhet të vlerësojë më shumë mungesën e këtyre institucioneve dhe të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij për t’i bërë urgjentisht këto institucione funksionale siç është Gjykata Kushtetuese

shprehet ish-kryetari i GJK-së.

Sipas tij në rastin konkret Meta ka tejkaluar kompetencat, ai nuk ka dhënë arsye etj., por në çdo ka dhënë një interpretim që mungon dhe nuk përmendet: Presidenti përderisa ka kompetencën e kontrollit dhe shprehet me DY DEKRETE, pra jep dakordësinë edhe për Shkarkimin edhe për Emërimin, atëherë në mënyrë implicite e ka ta parashkruar të drejtën e tij për të Refuzuar. Në fund të fundit ky është edhe debati. Edhe nga një pikëpamje më morale çdo akt ku vihet një firmë paraprihet nga përgjegjësi personale që lidhen jo vetëm me interpretimin strikt të normës, por edhe të gjykimit të individit për çështje apo tema të caktuara ku firma shpreh jo vetëm detyrimin, por edhe opinionin e tij. Z. Rama mund të aktrojë me hartimet e veta në Parlament, por në fjalën e tij të sotme ai vetëm sa ka shantazhuar kolegun e tij Ilir pa na sqaruar ne të tjerëve për atë që ndodhi dhe pa provuar se di apo do të fitojë një herë të vetme jo vetëm një përballje politike, por edhe një debat publik.

Comments

Submitted by kolonjari (not verified) on

Doli ne skene ky krye sigurimsi . Ky duhet te shkonte ne burg e ka sy e faqe te komrntoje . Eh o zot .

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.